MASKA E AT GJERGJ FISHTëS,
PUNUE NGA PIKTORI ARTURO SALA S.J.
ME 31 DHETOR 1940.
Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme SHKODER,
Aty ishte edhe
SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!
APROVUES DHE ZBATUES I VENDIMEVE TË MARRUNA NGA
KOMITETI QENDROR I PARTISË KOMUNISTE JUGOSLLAVE,
PARTISË KOMUNISTE TË BASHKIMIT SOVJETIK DHE
TË PARTISË KOMUNISTE TË KINËS.
1941 – 1991
KJO MASKË
FLET EDHE SOT
ASHTUSI NË VITIN 1919:
“SHQIPTARËT
E TË DREJTAT E TYNE”
NË KONFERENCEN E PAQËS
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
PARIS 20 QERSHOR 1919
FJALIMI U PËRGATITË NGA
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
(Sekretar i Delegacionit Shqiptar)
DHE, U LEXUE FRENGJISHT NGA
IMZOT LUIGJ BUMÇI
(Kryetar i Delegacionit Shqiptar)
Ju lutem, shikoni me kujdes horizontin kulturorë t’ At Gjergj Fishtës dhe, krahasonje me “akademikët e diplomatët miljonerë”!
III
Tash, Zotnij, mbasi Ju diftova se kush janë dhe shka janë Shqiptarët, më duhet t’ Ju flas për të drejtat e tyne. E po Ju thom se Shqiptarët kanë të drejtë:
a) për nji pamvarsi politike e ekonomike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.
Mbi pamvarsi të Kombit Shqiptar, nuk kam shumë fjalë me ju thanë.
Dihet se kjo e drejtë ka kenë njoftë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, – prandej, me fjalë të tjera edhe prej Francës, – që prej Nandorit të vitit 1912, në Konferencën e Ambasadorve në Londër. Këto Pushtete, mandej, ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombtare ata nuk i mbajnë për shtupa letrash me i tretë, por i respektojnë si akte, që prekin nderen e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e xamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjit. Pamvarsia e Kombit Shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të Kombeve të mëdha të Europës, prandej tash ne nuk na mbetet tjetër, veçse me folë për kufij të natyrshëm të Shtetit Shqiptar, e kjo asht nji çashtje po aq me randësi, sa ajo e pamvarësisë.
Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle, të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë sa që sot, nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas, mezi mundet me e njoftë me nji të këqyrun. – Edhe nji nanë, shpesh e ka të vështirë me e njohë fytyrën e të birit, kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me dermishime arma e anmikut. – Prandej, lypet të caktojmë ma përpara disa kritere të sigurta, mbas të cilave mandej, me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë.
Mbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvedi, ashtu si ky përcaktohet prej ndermyllzave të teorive uilsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë, që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshem. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombsija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skundiill toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorzanueme dhe e sigurueme si duhet e sa duhet. Mbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti Shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mërrin Kombësia e Popullit Shqiptar, e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht i lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me avrom të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet Kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i papështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm e me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujtë me u caktue të përshtrimit e Kombsisë Shqiptare? – Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast, asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lehet kurrsesi mbasdore.
Populli Shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, – tue lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementave të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, – kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to, me rrajë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra, rrjedh që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një Kombsi krejt më vedi e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera t’ Europës. Sepse, nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë tatue Shqiptarit nji gjuhë që, dhe as nji tjetër popull europian, mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i tatohet nji populli marë. Por as populli Shqiptar nuk ka mujtë me ua tatue popujve të tjerë gjuhën e vet. Gjuha tatohet, ose me forcë t’ armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por, si prej njenës, si prej tjetrës pikpamje, Shqiptari nuk ka kenë ma i fortë se popujt që ka përbrij. Prandej nuk ka si të mohohet se, të gjithë ata që flasin shqip, janë të Kombsisë Shqiptare. E për këtë arsye, Shteti Shqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha Shqipe.
Tue pasë caktue këto parime ose kritere, të shofim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të Shtetit Shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çeshtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej anmiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon, i cili ka kenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy, tue e prekë vetë me dorë, se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje?
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux Mondes”, tue folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toket asht Shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E të tanë krahina e Kosovës, e cila, prej Konferencës së Londonit (1913) i kje lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej Shqiptarësh e prandej, e drejta e lypë që të njehen me Shtetin Shqiptar.“ E mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat, qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se, në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht Shqiptare. Serbët na thonë se banorët e Kosovës, me rod janë të gjithë sllavë, por, gjithnji si thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë, tue u kthye në Shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të Nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën, sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të Nordit, grekë, atëherë Serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqindmijë vetë në Kosovë, e Greqia, nuk do të kishte djegë ma shumë se treqind e gjashtëdhetë katunde në Epir të Nordit, tue e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhetmijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urije e sikletit. Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjes, me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mërrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qinda e mija vllazën “bashkëqytetarë” të vet! Qyshë se serbët kanë vra me qinda mija njerzë në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, dëshmon kjartë se, as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë kenë serbë, as ata të Epirit të Nordit nuk kanë kenë grekë. Jo, po, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qinda mija në Kosovë dhe janë djegë me qinda e qinda katunde të Epirit të Nordit, për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën Shqiptare n’ ato krahina, për me mujtë me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka Shqiptarë! Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitdinem faciant, pacem appellant.” Por, sa të kenë shkretnue vendet, thonë se vunë paqen!
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z.Renè Pinon mbi kufijt’ e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çeshtje Lordi Fritz Maurice, Mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi “Foreign Office” e që masandej, kje botue në nji Libër Bleu të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht Kombi Shqiptar, i bjen me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit të Zi, e krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovicet e teposhtë, asht krejt Shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistika bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Manastir, Ohër e Korçë, janë pështetë në rrena e dashtas janè ba me rrena, le ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpit !.” Qé pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë Shteti Shqiptar. Mbas dishmisë së këtij diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk e nxuer e nuk ua ktheu Shqipnisë ato tokë që, Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtsije, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë, për me ua lëshue grekve dhe serbve. Veç shka se tue bisedue për këte çeshtje me një delegat të Konferencës së Paqës, ky zotni na tha troç: Hiqeni mendsh se na po marrim tokë tuejat, të pushtueme prej Aleatëve tanë, e po ia kthejmë rishtas Shqipnisë.
Mbi këto fjalë që per ne kanë një randsi të madhe fort, unë kishe me dashtë me folë pak ma gjatë; por, pse s’po due me vu ma teper në provë durimin tuej, po marr lejen me ju ba vetëm një oroë mbi to. Po kje se puna asht, ashtu si e mendojmë, që Konferenca e Paqës e ka në mendje me ia peshue gjyqin Botës në qetele të arsyes e jo në mollëz të shpatës,
Zotnia juej e kupton vetë, se fjalët e tij s’mund zanë vend; përndryshe asht kot që të tjerrë fjalë ma gjatë, se sot shpata e Shqipnisë s’ka teh endè.
Qe, Zotnij, se shka kam pasë me ju thanë per Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Tue ju falë nderës, me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më diftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtun, me ato fjalë që me 24 Nandor 1880 thonte në Parlamentin italian, Madero Savini, kur Europa pat çue donamet e veta para Ulqinit, për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipnisë. E qé shka foli në atë rasë, deputeti italian: “E po pse francezëve nuk u mbushet mendja me hjekë dorë nga Alsazë-Lorena? Pse nuk do të guxojshit Ju, (deputetë italianë), me hjekë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë, në Kongresin e Berlinit? Vetëm per parimin e Kombsisë!
E pra, kujtoj unë, se, për me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë ato shka thomi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë…
Në mos paça harrue, si kam ndij prej Profesorave të mij, Grotius ka pasë thanë se, tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jean-Jacques Rousseau vërret: “Ani, por të paktën pyetni ma parë, mostjeter, këto bagëti njerzore!”.
(“Shqiptarët e të drejtat e tyne” Shkoder, 1920)
***
Shenim nga Fritz Radovani:
Ashtu si foli në vitin 1919 ashtu, At Gjergj Fishta Ju flet edhe sot!
Materiali asht adaptue në gjuhen e sotme letrare Gegnishte nga Prof. Ndue Zef Toma.
Ky asht Teksti i plotë në gjuhën Shqipe i Fjalimit të përgatitun nga At Gjergj Fishta (Sekretar i Delegacionit në Konferencen e Paqes, 1919), që asht lexue në Paris prej të pershndritshmit e të nderuemit Imzot Luigj Bumçi (Kryetar i Delegacionit Shqiptar në 1919), Ipeshkëv i Lezhës, në gjuhen frengjisht, në sallen e Universitetit Katolik në Paris, dhe që nuk i asht ba asnjë ndryshim prej meje nga origjinali i botuem në vitin 1920 në Shkoder.
Kam theksue në dy vende të shkrueme nga At Fishta, nr.1 e nr.2, që tregojnë se në Shqipni u zhvilluen tre Kongrese Gjuhësije dhe se kishte edhe Gjuhë Letrare Shqipe. Kjo tregon mashtrimin e të së quejtunes “Akademi e Shkencave e R.P.S.Shqipërisë”, në vitin 1972, kur “zhvilloi kongresin e gjuhës njësuar”, që zhduku Gjuhen e vertetë Letrare Shqipe ku perfshihej dhe Gegënishtja e Veriut.
“Akademikët’ dhe ministrat e arsimit, vetem të mendojnë: “Kujt po i sherben sot heqja nga ana e juej, e At Gjergj Fishtës dhe e Shkrimtarëve të Veriut, nga Historia dhe Letersia e Gjuhës Shqipe?”
A e dijnë Rinia Shqiptare se po mos t’ ishte At Gjergj Fishta, sot ata do të shkruenin paperjashtim me shkronjat turke, sllave të “Ballkanit hapun” ose greke, që asht ma afer Gjinokastres…
Boshatisja e Atdheut nga “Rilindja komuniste”, thirret nga Populli edhe “SHFAROSJE”!
Sot jemi para një fakti: Shtetii shqiptar kerkon me mbushë xhepat tue shfarosë SHQIPTARIN!
Ju lutem mos ndryshoni dhe as, mos hiqni asnjë fjalë nga origjinali i këtij materiali!
Melbourne, 27 Korrik 2023.