MASKA E AT GJERGJ FISHTëS,
PUNUE NGA PIKTORI ARTURO SALA S.J.
ME 31 DHETOR 1940.
Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme SHKODER,
Aty ishte edhe
SEKSIONI KATOLIK I SIGURIMIT SHTETIT – I VETMI NË BOTË!
APROVUES DHE ZBATUES I VENDIMEVE TË MARRUNA NGA
KOMITETI QENDROR I PARTISË KOMUNISTE JUGOSLLAVE,
PARTISË KOMUNISTE TË BASHKIMIT SOVJETIK DHE
TË PARTISË KOMUNISTE TË KINËS.
1941 – 1991
KJO MASKË
FLET EDHE SOT
ASHTUSI NË VITIN 1919:
“SHQIPTARËT
E TË DREJTAT E TYNE”
NË KONFERENCEN E PAQËS
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
PARIS 20 QERSHOR 1919
FJALIMI U PËRGATITË NGA
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
(Sekretar i Delegacionit Shqiptar)
DHE, U LEXUE FRENGJISHT NGA
IMZOT LUIGJ BUMÇI
(Kryetar i Delegacionit Shqiptar)
Ju lutem, shikoni me kujdes horizontin kulturorë t’ At Gjergj Fishtës dhe,
krahasonje me “akademikë e diplomatët miljonerë”!
II.
Deri këtu kumbona jonë. Tash lypet, që të ndieni edhe atë të anmiqve tanë; pse dishroj që të thelloni me mend sa ma mirë këte çeshtje, për me mujtë masandej me dhanë një gjyq të kthjelltë e të paanshem mbi Shqiptarët e mbi të drejtat e tyne. Duhet dijtë, që as anmiqtë tanë nuk e mohojnë vjetersinë e dashuninë e Kombit Shqiptar për liri e pamvarsi; veçse ata mundohen me i kamuflue pretenzionet e veta mbi Shqipninë nën maskë të do shkaqeve të hijshme. Edhe diplomacia e anmiqve tanë thëmelohet, si ajo e botës tjetër, mbi egoizëm e mbi hipokrizi.
Thonë, pra, anmiqtë tonë e do mbrojtësa të tyne, se e vërtetë që Kombi Shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit e se ka nji dashni të gjallë për liri dhe pamvarsi të vet; veçse çka, se megjithkëte, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vedi se Shqiptarët janë:
a) barbarë, b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se,
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vedi dhe krejt i pamvarun.
E dij, se unë jam tue vue tepër në provë durimin tuej; por mue më duhet domosdo me i qitë poshtë me arsye këto shkaqe, ose ma mirê me thanë, këto të shpifuna tê tyne kunder Kombit Shqiptar, tue kenë se unë i jap një randësi të madhe fort gjyqit që Zotnija e juej mundet me përba me mend mbi të drejtat e Shqiptarëve. Pra, simbas mendimit të anmiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyne, lypet që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë, për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egjër e nuk janë popull që di me u qitë shtet më vedi, pra me qeverisë.
Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën, me të cilat ka nisë e vijue Lufta e madhe europiane, kishe me thanë se barbaria dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dishirën për liri e pamvarsi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun; që kanë ba me dekë prej ujet e gazepit me mija njerëz të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombtare e njerzore dhe kanë pre në besë me qinda mija rob të ramë në dorë, – e megjithate, sot ata munden me kenë shtete të pamvarun e të lirë; – po atëherë, pse nuk mundet me kenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të dekunit urije, ku ndorja e besa edhe ndaj anmikut janë të pathyeshme?!
Kongresi i Versajës me 1919
Serbët, në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë nanave Shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden Shqiptare shi në të XX qindvjetë, ndersa sot, Konferenca e ka menden me ua dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera (kupto: Shqipninë). Pse tash, Shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në vedin e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vedi, i lirë e i pamvarshem?
Por, edhe me pasë për ta marrë barbarinë si gjendje petkore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se Kombi Shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e
barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë kenë po me ato mndorje që ka pasë Kombi Shqiptar. E per mos me shkue teper gjatë këtu nuk po ju permend sesi spanjolët kanë mbytë ma se 15 miljon hindjan t’ Amerikës, si e kallxon Imzot De La Casa, në nji relacion që i bani Mbretit të Spanjës; dhe as po e zgjas sesi Arigat e Elizabetët e Anglisë i kanë vue reformat besimtare në mbretni të vet; vetem po due me ju qitë nder mend, kobin e hallin e zi që e mbuloi këte të bukurin vendin tuej, – i cili kje gjithmonë shkolla e lirisë dhe e qytetnisë. – Atëherë kur populli francez, në kryengritjen e vjetit 1789, mërrijti me marrë armët në dorë e me i rrëzue autoritetet e nderueme, Ju Zotnij, e dini fort mirë sesi ky popull francez, që edhe atëherë ishte pasqyra e modeli i elegancës dhe politesës, jo vetem që e lau tanë Francën me gjakun e vllazenve të vet, por nuk i fali as rreshtat e atyne fatosave, të cilët, aq lumni e nderë i kishin sjellë “a la grande nation”; por due me thanë, se i kanë dhunue deri kockat në vorr Martirve të vet. Me këte rast, po due t’ ju qes nder mend sa gjaqe e sa dhuni bahen, shi nder këto kohët tona, n’ atë lulishten e Europës që asht Italia. Shumë e njoftuna, e perkohshmja e Romës “La Civiltá Cattolica”, në numrin e vet të Dhetorit të 1914, botonte nji artikull interesant, të quejtun “Il pericolo interno” ku, me statistika në dorë, thotë se në Itali per njizet vjet rresht, prej vjetit 1894 e deri në 1914, kanë ndodhë nga njiqindmijë vrasje në vjet, pra tre perqind e popullsisë. Kur, pra, në mjedis nji mbretnije të qytetnueme si Italia, që asht vendi i bukurisë e i fisnikisë, e ku ka polici e xhaindarmeri e ushtri e flotë detare, mund të ndodhin kaq gjaqe e vrasje, atëherë, pse Shqipnisë nuk mund t’ ju njifka e drejta e lirisë dhe e pamvarsisë ku, megjithse nuk ka as polici, xhandarmeri, as ushtri kombtare, as gjykatore, as shkolla e institucione tjera kulturore, numri i të vramve, – si dihet prej statistikave, – mezi’ mërrinë në nji perqind në vjet? Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vedi e të pamvarun dhe kjo, jo sepse Shqiptarët na kenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot, nji ushtri e nji flotë të veten, me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose me thanë ma kjartë, u vehet kamba Shqiptarve, vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht, e jo, sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Por këtu tash, vjen edhe puna e gjakmarrjes, – la vendetta, – prej të cilit fakt, anmiqtë tonë, si edhe kumbarët.., e tyne, duen me e prue si argument per barbarinë e egersinë e Kombit shqiptar. Kurrkush ma fort se unë, – si nji Prelat kishtar, – nuk mund ta dënojnë punen e gjakmarrjes në vetvedi e ta marrin si nji fakt të zhdeshun prej mndorjeve, ndermjet të cilave kjo ndodh. Veç shka se, per me e caktue gjendjen shpirtnore, asht apo nuk asht barbare në nji njeri ose në nji Komb, nuk duhet të merret aq në kujdes fakti, sa shkaku psikik që e shtyn njeriun ose nji Komb, me veprue kështu. Bjen fjala: kanibali mbyt nji njeri, por edhe gjykatsi europjan e mbyt nji njeri. Tash, a mund të thomi se të dy janë njisoj barbarë? Jo; pse kanibali e mbyt njeriun per me i hanger mishin dhe prandej, si rrjedhojë asht barbar. Ndersa gjykatsi europjan e mbyt njeriun, jo me i hanger mishin e as per me e shfrye mëninë e vet mbi te, por per me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm e, bash per këte, nuk asht barbar. Në se e marrim punen pra, nga ana psikologjike, unë tham se çeshtja e gjakmarrjes në Shqipni, nuk asht nji argument i cili sherben per me percaktue barbarinë e egersinë e Kombit Shqiptar, por ky asht si rezultat i disa mndorjeve, të cilat nuk mvaren prej Shpirtit të këtij Kombi.
Mbas Kanunit, i cili asht të shprehunit e Shpirtit të Kombit Shqiptar, çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë. Dihet se, simbas Kanunit, po t’i kishte ra në dorë gjaksi autoritetit ekzekutiv të Kanunit, ky do ta kishte mbytë ate në vend, pa kurrfarë ngurrimit.
Po gjaksi shpesh ikë, lëshon vendin e struket larg, si mik, në mbrojtje të nji Bajraku tjeter, tue i pshtue kështu gjyqit të Bajrakut të vet. Duhet dijtë se në Shqipni, miku asht i patrazueshëm e nuk mund të preket prej kurrkujt. Sepse, po ndodhi që ndokush ia ngau mikun kujt, kjo “dhunë e bame ndaj mikut”, s’ mund të lahet ndryshe, veçse me gjak prej anës së mbrojtësit të tij që e ka marrë ndore. Kështu ndodhi që autoritetet e Bajrakut të gjaksit nuk kanë muejtë me i dhanë ndeshkimin e dekës, tue kenë se po ta kishin vra në ndoren e nji Bajraku tjeter, do të ishte ngrehë luftë ndërmjet këtyne dy Bajraqeve.
Per mos me i dhanë shkas pra, nji luftet civile, autoritetet e Bajrakut të gjaksit, ia djegin shtëpinë gjaksit, – i vetmi ndeshkim që, si mbas mndoreve të vendit, mund t’i bahej atij, – e persa i përket ndeshkimit të vdekjes, ua len këte përlim shtëpisë së të vramit, që ta kerkonte e ta vrante gjaksin, por jo si nji Bajrak me tjetrin. Këte punë kanë mërrijtë me e ba autoritetet e Bajrakut, tue kenë se, në sy të tyne, çdo njeri që asht i zoti i armëve, thirret edhe si ushtar i Bajrakut. Per ma teper, duhet dijtë edhe se këto vendime të Kanunit kanë kenë njoftë edhe zyrtarisht prej Sovranit të vendit që ishte, në këte rasë, Sulltani i Stambollit.
Shqiptari pra, tue vra gjaksin e vet, nuk ban gja tjeter, veçse çon në vend nji ligj të cilin ai e mban si të drejtë. Nëse duem të flasim në pikpamje psikologjike, veprimi i atij që merr gjak asht nji veprim i ligjshëm e nuk mund të thirret kurr uhamarrje, vendetta. As xhelati i Luigjit XVI, i cili ia preu kryet Mbretit, nuk pyeti, a ishte e drejtë apo jo me ja pre kryet këtij, por e mbyti se ishte i bindun se ligji ishte i mirë e i bazuem n’ arsye. Qe pse atij nuk iu desht t’i pergjegjej askujt per premjen e kokës së Krajlit Francës dhe, as sot e kësaj ditë, kurrkush nuk thotë se ai kje nji njeri barbar. E se vrasja e gjaksit, nga pikpamja psikologjike nuk asht nji vendetta, danë edhe per faktin se vrasja ndermjet dy familjeve hasme, nuk shtyhet në nji numer të percaktuem, por, nji të vramë gjaksit, dy familjet marrin e japin njena me tjetren, si me të gjitha familjet tjera të Bajrakut, – pak a shumë, aq sa marrin e japin ndermjet tyne, shtetet e mëdha të Europës së qytetnueme, mbas nji Lufte Botnore. Por asht edhe gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji Kombit, në kjoftë se ne, nën fjalën barbari, kuptojmë egërsinë ose breshtninë e Shpirtit të tij, ashtu si duen me e kuptue kundërshtarët tonë, kur e kanë fjalën për Kombin Shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve të jashtme e prej të metave të organizimit shoqnor të nji Kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve, për të cilët nuk mund të thohet se kanë kenë të egjër e breshtnorë.
Në Biblën Shenjte këndohen këto fjalë:“Propinquus occisi homicidam interficiet: statim ut apprehenderit eum, interficiet…Cognatus occisi, statim ut invenerit eum (homicidam) jugulabit.” Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21)
Po kështu edhe në “Iliadë”, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il prezzo/ Qualcuno accetta dell’ucciso figlio/ O del fratello; e l’uccisor, pagata/ Del suo fallo la pena, in una stessa/ Citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin, sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të vllait; dhe ai që e ban këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë mandej i qetë në të njejtin qytet, me atë familje së cilës i bani vrasjen – fyemjen e parë.)
Duket, pra, mirfilli, se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se Kombi Shqiptar asht barbar e nuk asht i zoti me u qeverisë në vedi dhe i pamvarun.
Por “Jo!” thonë kundërshtarët tanë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej mndorjeve të jashtëme, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të Kombit Shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye, e cila, edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e pështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderës së vet. E për në kjoftëse asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetë! – se poezia popullore asht pasqyra e Shpirtit të nji Kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjakut.
Por edhe këtu danë mirfilli se, kundershtarët tonë ua kanë zejen shpifjeve e rrenave e se ksodore, ata flasin, jo sepse kanë dëshiren, që të vehet paqa ndermjet kombeve, por sepse.., e lakmojnë këte tokë Shqiptare.
E vertetë se poezia popullore shqipe tregon punë të veçanta vrasjesh e gjakut; por kjo nuk do me thanë se Kombi Shqiptar vret njeriun per instikt. Shqiptari nuk i këndon çdo lloj vrasjesh e gjakut. Ai këndon vetem per ato vrasje e gjaqe të cilat janë ba vetem me i dalë zot jetës, gjasë e nderës, dhe per me u krye nji veprim i këtillë, lypet nji forcë e nji trimni e jashtzakonshme, ashtu si mundet me u vertetue nder kangët heroike Shqiptare, të mbledhuna në vllimet “Visaret e Kombit”. E se këto vrasje e gjaqe nuk janë të bame gjithmonë per nji interes të pergjithshëm dhe se çmimi i nderës së njeriut në Shqipni, nuk asht i matun gjithmonë simbas kriterit të kombeve të qytetnueme,
kjo nuk don me thanë se Kombi Shqiptar asht i eger e barbar, por don me thanë se organizimi shoqnor i tij ka nevojë me u përmirsue e se do parime morale, ende s’ janë zhdrivillue plotsisht ndër Shqiptarë. Na këtu nuk po flasim per moralitet të këtyne akteve: Flasim mbi movent të këtyne akteve e thomi se, vrasja në Shqipni nuk bahet per instinkt, por per nji “shkak”, i cili, simbas mentalitetit të Kombit, asht i mirë e i arsyeshëm. Prandej per këte, populli Shqiptar nuk mund të thirret i eger e barbar. E mos të harrojmë se paladinët e Ariostit dhe kreshnikët e Tasit, nuk kanë luftue gjithmonë per interes të pergjithshëm e as që kanë qindrue gjithmonë per nji nderë të kuptuem simbas parimeve t’Etikës së popujve të qytetnuem.
Por, per me e diftue egërsinë e Kombit Shqiptar dhe pazotsinë e tij per me u qeverisë në vedi e i pamvarun, kundershtarët tonë kapen edhe në nji punë tjeter. Ata thonë: “Nuk mbahet mend në histori se Kombi Shqiptar asht gjetë kurr i bashkuem e i unjishem m’nji si shtet, por gjithmonë, – si edhe sot, – ai shfaqet i ndamë në fise e Bajraqe, gja kjo që ndodh vetem nder kombe t’ egra.”
Këte fjalë ka muejtë me e thanë e me e shkrue, edhe ndonji dijetar, i cili, drejtperdrejt, nuk hyn në numrin e frotës s’ armiqve tonë. Ata thonë se Kombi Shqiptar nuk shfaqet në histori i unjishem në nji bashkim që të ketë pasë formen e shtetit. Ne na duket se këta dijetarë janë si të ngutun në dhanjen e këtij gjykimi. Asht e vertetë se mundet me kenë që ky Komb të shfaqet në histori, si gjithmarë, i unjishem në nji shtet nën emnin “shqiptar” e “albanensis”, nen të cilët emna, historia tashma e quen Kombin Shqiptar. Por duhet dijtë se fjala “shqiptar” e “albanensis” nuk shenon individualitetin etnologjik të familjes së këtij Kombi. Fjala “shqiptar” vjen prej verbit “me shqiptue”, që don me thanë “enuntiare”, “exprimere”, e shenon njeriun që mundet me folë dhe me kenë kuptue në këte gjuhë, prej tjerëve. E prandej, “shqiptar” asht edhe francezi per francez, kinezi per kinez, hindjani per hindjan, etj. Pra, mjaft që ta kenë gjuhen amtare, së bashkut. Per antonomazi pra, e vetem perpara Kombit Shqiptar, fjala “shqiptar” shenjon kombsi; sepse, në vetvedi, si e thame ma siper, nuk e ka këte kuptim. Po kështu, edhe fjala “albanensis” nuk percakton individualitetin etnologjik të nji familjes kombtare, por shenjon popullin që banon n’ Albanie ose Shqipni.
Tash, përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se Kombi Shqiptar nuk shfaqet kurr i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se prej kah e ka rrajën ky Komb, ké ka fis e vlla mbi botë, – sepse ky nuk ka bijtë vetvedit mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto, historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me muejtë me i përcaktue, sepse historia e Kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të mugta të kohve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët pështeten historianët e sotshëm, t’i kishin nda me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky Komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë pra të gjithë të nji fisi apo jo? Prandej kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem më nji e s’kanë kenë shtet më vete. Por, po e xamë, edhe, se shqiptarët s’kanë kenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë, armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak, Kombi Shqiptar nuk duhet qitë shtet më vedi, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne, si gja e pazot. Kush i mba mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë?
Jo vetëm që grekët, edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë kenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqi-shoqin, shi mbrenda kufijve të vet. Pse pra, Shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që kjenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi, për arsye se s’na paskan kenë kurrë të bashkuem në nji shtet?!
Si e dishmojnë vetë diplomatët e saj, Franca ka hy në Luftë Botnore vetëm për me i dalë zot integritetit e pamvarësisë së Serbisë. E po, aso kohe, serbët nuk kanë kenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na kenkan të tanë prej nji fisi! Mirpo, nuk po kuptohet kjartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve e të grekve! A për arsye se deri dje, edhe Kombi i tyne nuk ka kenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?!
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se Kombi Shqiptar duhet mbajtun për barbar, për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tue kenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vedit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet prej asaj bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mërrinë forca që do t’i mbrojë ato interresa. Tash, tue kenë se populli Shqiptar, për shkak të pushtimeve të hueja të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë që me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të Kombit, këtij iu desht doemosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jepte do familjeve, me u vllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” dhe me organizue jetën e vet shoqnore. E ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njenën anë, shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër, pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë Kombin. Shqiptarit iu desht me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta, tue i mbajtë së bashku parimet e Kanunit Kombtar si rregull jetet. Prandej, fakti që Kombi Shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktorve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë sesi me i shndërrue.
E, me e vertetue se Kombi i ndamë në shumë fise asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Në kohen kur Filipi i Maqedonisë kercnonte Republiken e Athinës, kjo Republikë xuni me u forcue per t’i ba ballë anmikut e kështu, mëkambi nji ushtri prej 500 vetësh kamsorë e 50 kalorës t’ armatosun, kjo gja mundet me u lexue në Filipikët e I të Demostenit. Prej këtyne shifrave duket e kjartë se Republika e Athinës, në kohen e Demostenit, nuk dij a mund të kishte kenë shumë gja ma e madhe se ndonji fis i Shqipnisë. Por megjithkëte, s’e besoj se kundershtarët tonë mund të thonë se Atdheu i Demostenit ka kenë barbar, per arsye se kjo Republikë ka kenë ma e vogel se Serbia.
Së mbrami, kundershtarët tonë thonë se Shqiptarët janë jo veç barbarë, po, per mateper, Shpirti i tyne asht i ngathtë e i plogësht, aqsa mos me mujtë kurr me u qytetnue e me perparue.
Fjala fjalën s’ e mund, por shtanga shtangen, ka pasë thanë nji gjakovas i motshem: “Shtanga e thyen njiherë shtangën, por fjala s’ e mund kurr fjalën!” Prandej, unë këtu nuk po due me u hallakatë fort nder fjalë, veçse me arsye të forta, – të cilat janë shtanga në nji kuvend burrash të mendshëm, – due me diftue se Shpirti ose psika e Kombit Shqiptar, nuk asht aspak ma e ngathtë se ajo e sllavëve. Psika e nji populli ndanë ma së miri, në poezinë popullore të tij.
Le ta perballojmë pra, poezinë popullore shqipe, me ate të sllavëve.
Tue gjykue simbas poezisë popullore të sllavëve të Jugut, rodi i poezisë që zotnon ma shumë nder ta, asht legjenda. Legjenda, si dihet prej natyrës së vet, kerkon me lurtue veshët e të mëdhajve e prandej, këte rod poezie e gjejmë të perhapun sidomos nder epoka të despotizmit e autokracijet, si dhe nder popuj të cilët, ndjenjat e lirisë nuk i kanë fort të shqueme, gjithashtu që nuk kanë shpirt iniciative në vetvedi. E të këtillë janë sllavët, perposë malazezëve, të cilët janë të shartuem ma fort se me tjerë, me shqiptarë. Sado që sllavët janë nji familje e madhe fort në Europë, megjithkëte, të thuesh, deri dje i kena pa tue u vue pa za nen zgjedhë të nji Cari ose të nji Habsburgu, kush nen tirani të nji Kalifi ose të nji Despoti autokrat e që, per me i pshtue robnisë së huej, u asht dashtë gjithmonë, ose nji kombinacion politik, ose ndihma e nji të tretit, i cili i ka pshtue per me i pasë ma vonë si mashë per vedi. Por, prej poezisë popullore, del në shesh edhe nji tjeter njollë e psikës sllave. Fatosat e Kombit sllav, ashtu si i paraqet poezia e tyne popullore, nuk janë njerzë të nji force të jashtzakonshme, si asht Akili, Dhiomedi ose Ajaksi në “Iliadë”. Nuk janë as vetje gadi të hyjnueshme, si Luçiferri i Miltonit në “Parrizin e djerrun”, po janë disa perbindsha të përçudnuem, qê s’di njeriu a janê kulshedra apo katallaj e maluketen tê trishtueshêm.
Kështu, bjen fjala, Kraleviç Marku, tash kërcen me sharcin e vet prej nji malit në tjetrin, tash han 50 okë groshë në hae, tash pin venë me lagena 12 okësh, tash e hjedh topuzin tri ditë udhë larg, etj. Kishe me thanë se madhnia e këtyne fatosave, perngjanë ma fort me madhninë e nji sfinksi që nuk asht, as shtazë, as njeri e që s’ ka asgja me natyren e mendjen e njeriut.
Ai asht nji peshë shtjelli të çuditshëm, që nuk thotë asgja e as që duhet gja. Tue i ndi ato kangë, shpeshherë të duket vedi se je n’ ato kohë kur flitshin zogjtë e hardhucat, e kur ujku e dhelpna ishin ndrikull e kumbar; pra, në nji kulturë hindjane, kur poezia i perziu dhe i bani përshesh sendet e mbinatyrshme me ato të natyrshmet, tue perftue kështu sfinkset, piramidat dhe poemat e pafundshme. Mbasi pra, vjerrshtori sllav, per me mujtë me ba pershtypje në mendje e në zemer të popullit, me poezitë e veta, duhet me e thanë se asht ngushtue me perftue do forma krejt shpellanike, si dhe fatosa matrahula e maluketën, me kenë se mentaliteti i atij populli nuk asht i zhdrivilluem, aqsa me i kuptue plotsisht përmasat e numrit, të peshës e të masës, prandej ka mbet ende në nji shkallë mjaft t’ ulët të qytetnisë.
Asht e vertetë se poezia popullore sllave ka nji trajtë të përjashtme fort të bukur; por kjo nuk rrjedhë prej njomsisë së ndjesive të shpirtit të tij, po prej servilizmit që e dallon. Tue i pasë sherbye gjithmonë tiranit të huej ose tiranit të vet, ai, per me e lurtue e per me ia këndellë veshët atij, ka kenë i ngushtuem me zgjedhë fjalë e thanje sa ma të hijshme nder poezitë e veta.
Kurrkush nuk ka mënyra ma të bukura në të folun, se ata që sherbejnë nder pallate të mbretënve. E nuk ka pse të thonë kush ndryshej, sepse edhe kombet e qytetnueme i kanë këto forma shpellanike e të përbindshme nder poezitë e veta, si bjen fjala, ipogrifi i Ariostit.
Poetët e kombeve të qytetnueme i bijnë këto forma, jo si nji ideal të vetin, por si nji çudë, nji shtriganeri ose si nji shprehje të mentaliteteve të kalueme, perderisa shkohet deri aty sa sllavi Kraleviç Marku, nuk do të kishte kenë Kraleviç Mark po nuk i hangri 50 okë groshë në hae e kali i tij të mos hidhet mal më mal.
Derisa poezia popullore shqipe asht krejt ndryshej. Shqiptari, nder poezitë e veta, nuk këndon per tjerë, ai këndon vetem per vedi. Nder lufta e nder punë trimnije, ai nuk i ven shenj’ fakteve; ai shqyrton vetem rrezet e namit e të lumnisë që shkrepin prej atyne fakteve. E kështu, kah nami e lumnia asht prij ideali i tij dhe prej këtij ideali i mbushet Shpirti me entuzjazem, i gufon vetvetiut zemra nder kangë, të cilat i këndon si ai zogu i verës, i cili këndon jo per me e ndigjue të tjerët, por sepse nuk i rrihet pa këndue nder blerime e hije të rita të lugjeve, mbi ato stome gurrash të argjendta. E kah ai nuk i ka sherbye kurrkujt, fjala, thanja, si dhe krejt forma e mbrendshme dhe e jashtme e poezisë, i ec, tash e ambel si pranvera e Arbrit, tash e rrembyeshme si ato prrojet e Bjeshkëve të Namuna ku era ulurinë andej kah vjeshta. Ai nuk i dron nipat e fatosave të cilët i këndon nder kangët e veta e as që ua ka nevojen atyne. Ai këndon lirshëm, si t’ ishte i vetem mbi botë, botë e cila, per te, përmblidhet krejt mbi ato maje malesh ku vedin e mban mbret.
Asht pra poezia, nji ode e rendit të parë, saqë s’ ka shumë vjet, filologu i permendun i Universitetit të Gracit, profesor Meyer, thonte se poezia popullore shqipe, prej pikpamjes estetike, asht ma e bukra ndaj të gjitha poezive tjera t’ Europës.
Per në daçim, pra, me e gjykue punen simbas kritereve të njoftuna të psikologjisë, njeni nder të cilët asht shi poezia popullore, do të thomi se psika Shqiptare, persa i perket lakmimit per qytetni, i rrin perballë psikës sllave, ashtu si i rrin përballë legjenda, odes.
Kjo na ban të kuptojmë se psika sllave asht ma pak e zhvillueme se ajo e Kombit Shqiptar. E per me e perforcue edhe ma shumë këte mendim t’emin, këtu due me ju prue edhe disa fakte prej të cilëve, Zotnija juej ka me e pa edhe ma kjarisht se, kundershtarët tonë, gjykimin e vet mbi Shqiptarët e japin, jo simbas së vërtetës, po simbas interesit të tyne.
Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë kenë të lirë e më vedi.
E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I -rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta Turko-Ballkanike, ka kenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit.
Ndërsa në Shqipni, që prej viti 1908, kur kje shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të Luftës Ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çel nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar. U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë.
Janë botue edhe shumë vepra letrare me randsi, të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombtare, tue i dhanë në pak kohë, shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë kje përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyret administrative. Mbrenda kësaj kohe kjen mbajtë tre Kongrese Gjuhësie(1), si dhe kjenë disa shoqni letrare, etj. etj…E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po pse, tash, inteligjenca sllave, që në Mal të Zi, gjatë 50 vjetve jetë kostitucionale nuk përfton kurrgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare (2) dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për Kombin?!
Zotnij! Le të lehet njiherë në paqë shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë, ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë me kombe të tjera të Ballkanit, gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi Shqiptar i ka dhanë burra në za për urti Perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së Turkisë, Shqiptarë kanë kenë.
Shqiptar ka kenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu Shqiptar ka kenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në kjoftse bazohena në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, Shqiptar asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke. Por, për me ua mbushë mendjen edhe ma mirë se Kombi Shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi Shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “Histoir e descriptions de la Haute Albanie”, ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejtë doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm që u këndohet kanga, se githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”, si u tha përsiper. Mandej Lordi Bajron, prej anës së vet gërthet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike: atje ka ende do familje për të cilat kishe me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.”
Dëshmi janë këto, Zotnij të mij, të cilat kishin me i shtue namin edhe nji Kombit ma të madh e të qytetnuem.
Vazhdon Pjesa e III.
Melbourne, 21 Korrik 2023.