Në kohë krizash të mëdha shpërfaqen edhe dobësitë dhe të metat e një shoqërie dhe të një organizmi shtetëror, ashtu siç kriza të tilla janë edhe momente mobilizimi shoqëror e institucional. E po ashtu këto kohë do të duhej të ishin për ne edhe momente reflektimi e katarsisi personal e shoqëror, në mënyrë që me një qasje tjetër t’i zgjidhim edhe problemet e vjetra që na kanë përcjellë si shoqëri e si shtet. Pas vitit 2008, asgjë më shumë se kjo periudhë e tanishme emergjence shëndetësore nuk e ka dëshmuar gjendjen reale të kontrollit të pushtetit dhe të sovranitetit praktik në pjesën veriore të Kosovës. Serbia dhe masat e ndërmarra prej saj janë ato që zbatohen edhe atje, përderisa pushteti ynë është kryesisht formal. Në territorin e Kosovës, me rekomandime të institucioneve të Serbisë vendosen qytete të tëra në karantinë. Për më tepër, tek ditëve të fundit u futën në listën e të sëmurëve dhe të vdekurve edhe qytetarët serbë të Kosovës, të cilët kryesisht shërbimet i marrin ose në Serbi, ose në institucionet paralele shëndetësore, – pra, në ato që i përgjigjen Serbisë, e jo Kosovës. Sigurisht, në këto momente është e rëndësishme të shpëtohen jetët e njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare e racore dhe pa marrë parasysh se kush kujdeset dhe kush e merr përgjegjësinë për intervenimin mjekësor, sepse kjo është një betejë e përbashkët e njerëzimit. Megjithatë, në cilindo shtet sovran të botës, pavarësisht nga situata dramatike, janë disa procedura që duhet të ndiqen, sado të thjeshtuara për shkak të situatës. Sidoqoftë, këto që i thashë janë më shumë për ta shpërfaqur konfliktin e sovranitetit në veri që u rishfaq publikisht në këtë kohë pandemie.
Viteve të fundit pushteti më i dukshëm i Kosovës në veri të vendit ushtrohet përmes policisë dhe doganave, por ky, në vend se të ishte një pushtet thelbësor, realisht shpërfaqet si një pushtet simbolik dhe i lejuar kryesisht për shkak të prezencës ndërkombëtare dhe interesave të vetë Serbisë, e që është rezultat i marrëveshjes së prillit të vitit 2013. Por pushtetin real politik e ka dhe e ka pasur Serbia, e të cilin e ka ushtruar përmes institucioneve të ndryshme në veri, për ironi, jo vetëm përmes institucioneve paralele, por edhe të atyre që formalisht janë të Republikës së Kosovës (siç janë komunat dhe pushtetet e tyre të dala nga zgjedhjet e Kosovës). Kështu përrallat e integrimit të veriut, të cilat na i kanë shitur qeveritë e kaluara (ato të PDK-së, të LDK-së e të AAK-së), më nuk mund t’i blejë askush. Të mos e harrojmë se tërë ky kompleksitet sovranitetesh mirëmbahet në fund të fundit nga prezenca e KFOR-it atje. Kështu, pushtetin real mbi sigurinë në veri e ka KFOR-i, e i cili, si në krejt Kosovën, edhe atje vepron sipas Rezolutës 1244. Edhe intervenimet e herëpashershme të policisë së Kosovës në veri ndodhin vetëm pas koordinimit me KFOR-in dhe me miratimin e tij. Komunat serbe në veri janë integruar aq sa i ka interesuar Serbisë dhe aq sa – kurdo që të dojë – të mund ta destabilizojë Kosovën përmes tyre. Tashmë kjo vetëm sa ka dalë në pah. Por përderisa qeveritë e kaluara (të përfaqësuara nga parti që tani janë në opozitë e në pushtet) fajin kryesor e kanë se asnjëherë nuk e kanë shpjeguar kompleksitetin e situatës në veri dhe shpesh kanë proklamuar se veriu u integrua (sidomos prej marrëveshjes së prillit të vitit 2013 e tutje) dhe kanë ofruar edhe rrugëzgjidhje të gabuara, qasja e LV-së në opozitë ka qenë e ashpër, duke kërkuar ndërhyrje policore e ushtarake në veri për t’u vendosur sovraniteti i plotë i Kosovës atje. Kjo retorikë ekstremiste e populiste kishte për synim të rriste kredencialet patriotike të LV-së në sytë e opinionit publik, e realisht si politikë ditore bëhej për punë votash, por në thelb e pengonte çfarëdo debati konstruktiv për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit dhe, rrjedhimisht, pengonte zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Kështu, duke qenë forca më e zëshme opozitare, LV e konsumonte këtë rol pa kurrfarë rezultati dhe i linte nën hije opsionet e tjera racionale. Dhe ky është një dëm i madh që i është bërë Kosovës, nga një parti që e proklamon veten si progresiste dhe shpresë për vendin. Tani kur ajo është në pushtet, gjuha ka ndryshuar. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, akuzon të tjerët se po duan të nxisin gjakderdhje në këtë kohë pandemie dhe fton për qetësi e gjakftohtësi, ndërsa të tjerët (PDK, LDK, AAK e Nisma, por edhe presidenti Thaçi), të cilët kishin pohuar moti se veriu ishte integruar, me gjuhë të ashpër kërkojnë ndërhyrje dhe vendosje të sovranitetit në veri. Retorika e të gjithë këtyre, duke qenë groteske, është e pabesueshme, andaj edhe shkaktoi irritim të arsyeshëm të një pjesë e mirë e opinionit publik. Role të përmbysura e, fatkeqësisht, rrugëzgjidhje si zakonisht të gabuara e populiste nga të gjitha palët. Problemi i veriut nuk është problem policor a ushtarak, e as nuk mund të zgjidhet me mjete të tilla. Për më tepër, për të qenë realistë, një zgjidhje e tillë as nuk lejohet nga bashkësia ndërkombëtare. Por, gjithashtu, nuk mund të zgjidhet duke e injoruar situatën atje dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë në atë territor. Ky është një problem kompleks politik i raporteve tona me Serbinë dhe i cili duhet të zgjidhet vetëm me dialog politik. Dhe rruga e zgjidhjes kalon përmes Kosovës Lindore. Por për këtë pak më vonë.
Kryeministri Kurti përveç retorikës së ndërhyrjes në veri për ta vendosur sovranitetin, kohëve të fundit, kur e kuptoi se i është afruar pushtetit, por në vijën e kundërshtimit të dialogut me Serbinë, ka propaganduar se Kosova në vend të dialogut me Serbinë duhet të zhvillojë dialog me serbët lokalë. Ideja e zhvendosjes së dialogut, nga dialogu me Serbinë në atë me serbët lokalë ka qenë jo vetëm një ndër manipulimet më të mëdha politiko-propagandistike, por, po të ndodhte, do të ishte edhe ndër gabimet më të mëdha strategjike. Konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në mes të shqiptarëve dhe Serbisë nuk është një konflikt tipik etnik, i njerëzve që jetojnë në një territor dhe luftojnë për dominim mbi të. Jo! Ky është një konflikt që bazën e ka tek projekti kombëtar e shtetëror serb prej Naçertanijes së Garashaninit në vitin 1844, e që për synim ka pasur zgjerimin e shtetit serb në trevat e banuara me shumicë nga shqiptarët. Andaj, prej viteve 1877/1878 e këtej ky konflikt ka qenë në mes të shqiptarëve dhe shtetit serb e jo në mes të shqiptarëve dhe serbëve pakicë në Kosovë. Serbët në Kosovë janë manipuluar në vazhdimësi nga pushteti serb dhe, rrjedhimisht, herë kanë qenë përfitues, e herë viktimë e këtij manipulimi. Po ta trajtojmë këtë si një konflikt në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ne do t’i amnistonim të gjitha pushtetet shoviniste serbe prej vitit 1878, e sidomos ato prej vitit 1912 e deri te Millosheviqi. Edhe zgjidhjet që janë bërë në Pakon e Ahtisaarit e në Kushtetutën e Kosovës – ato zgjidhje që Kosovën e bëjnë jofunksionale – nuk janë bërë për serbët e Kosovës, por për Serbinë që ajo, duke pasur një lloj ndikimi direkt tek serbët në Kosovë, të ketë një lloj pushteti në Kosovë, e kështu edhe ta njihte pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, Kosova nuk ka probleme me serbët brenda saj, por me Serbinë dhe manipulimin që ajo ua bën atyre për interesat e veta. Kështu që nuk ka asnjë mundësi që përmes ndonjë dialogu me serbët e Kosovës të zgjidhen problemet me Serbinë, por vetëm e kundërta mund të ndodhë. Përndryshe, serbët e Kosovës janë pjesë e institucioneve dhe me ta bëhet dialog çdo ditë. Por nga ata nuk mund të pritet të funksionojnë të pavarur pa zgjidhjen e problemeve me Serbinë.
Që nga 6 tetori, për ata që kanë dashur të jenë realistë, ka qenë e qartë se çështja kryesore me të cilën do të merret qeveria e re do të jetë dialogu me Serbinë. Njëkohësisht, për shkak të qëndrimeve të mëhershme të kryeministrit në detyrë, z. Kurti, është ditur se kjo do të jetë edhe sfida kryesore që do ta ketë kjo qeveri. Nëse dikush i ka paraparë jetëgjatësi të shkurtër qeverisë, nuk ka qenë për çështje të brendshme, por pikërisht për çështjen e dialogut. Dhe debati për tarifën, për heqjen apo mosheqjen e saj, ka qenë dhe është debat për dialogun. Andaj edhe rrëzimi i qeverisë në kohën më të keqe për vendin, i cili në pamje të parë u duk se u shkaktua në këtë moment nga shkarkimi i ish-ministrit Veliu, në të vërtetë ishte vetëm epilogu i ditur se cili do të ishte fati i kësaj qeverie për shkak të dialogut. Ashtu siç shkarkimi i ish-ministrit Veliu ishte shkas për rënie më të shpejtë të qeverisë, ashtu edhe beteja publike në mes të partnerëve të koalicionit për tarifën e reciprocitetin në të vërtetë është betejë për fatet dhe dinamikën e dialogut. Në thelb, qeveria Kurti u rrëzua jo për shkak të Agim Veliut e as për shkak të tarifës e reciprocitetit. Ajo u rrëzua për shkak të dialogut dhe hezitimit që kishte kryeministri Kurti me këtë proces, në njërën anë, dhe për shkak të presionit të administratës amerikane se kjo çështje duhet të vazhdohet me dinamikë të përshpejtuar. Ky presion amerikan javëve të fundit u bart krejtësisht në LDK në formën e kërkesës për heqjen e menjëhershme të tarifës pa kushte, që nënkuptonte se nuk pranohej vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Arsyet e hezitimit të kryeministrit Kurti që të bëhej pjesë e dialogut mund të jenë të ndryshme, por ato që duken në pamje të parë kanë të bëjnë me frikën e tij se mos po bëhet pjesë e një dialogu në të cilin roli i presidentit Thaçi vazhdon të jetë i rëndësishëm, apo atë që e ka theksuar tani më disa herë, se mos po tentohet që ai të bëhet një lloj dekori në marrëveshjen e cila tanimë është kryer. Kështu, si dikur ish-kryeministri Haradinaj që e përdori tarifën për ta penguar dialogun që, sipas tij, çonte në ndarje, edhe kryeministri Kurti e përdori fillimisht tarifën, e më pas reciprocitetin, si mjet për ta ngadalësuar procesin e dialogut me Serbinë. Kështu ai, duke u pozicionuar kundër një marrëveshjeje të mundshme Thaçi-Vuçiq, në të vërtetë u pozicionua kundër dinamikës së dialogut të cilën po e imponon administrata amerikane. Hezitimi për t’u bërë pjesë e dialogut, përmes shfrytëzimit të politikës së heqjes së pjesshme të tarifës apo të asaj të reciprocitetit, në të vërtetë është justifikim se pritja dhe mosfutja tani në dialog do t’i sillte përparësi Kosovës, sepse mund të vijnë “ditë më të mira”. Për më tepër, edhe raporti me presidentin Thaçi, një ndeshje me dozë të theksuar egosh, është një element shtesë, që ndoshta e ka shtyrë kryeministrin të mendojë se pritja është në favorin e tij, e rrjedhimisht edhe të Kosovës. E sidomos pritja që mund të lidhet me kalimin e mandatit aktual të presidentit Thaçi, e ndoshta edhe me ndonjë ndryshim eventual në administratën amerikane. Në anën tjetër, krejt këtyre zhvillimeve të brendshme, administrata e Trampit, përmes ambasadorëve Grenell e Kosnet dhe përfaqësuesit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin ,z. Palmer, iu përgjigjën se jo veç që nuk ka një marrëveshje të shkruar, por se ata nuk dinë që ka një marrëveshje për shkëmbim të territoreve në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, për çka u trumbetua tash e gati dy vite e u përsërit sa e sa herë nga kryeministri Kurti deri ditën e mocioinit të mosbesimit në Kuvendin e Kosovës.
Kur politikanët kryesorë të vendit flasin publikisht për dialogun, e trajtojnë atë me një mungesë të theksuar sinqeriteti. Ata kanë ndërtuar diskursin se ky dialog do të përfundojë me njohjen e Kosovës dhe është vetëm Serbia ajo që duhet dhe do ta bëjë kompromisin. Këtë sigurisht e thonë publikisht, e në realitet frikësohen prej së vërtetës me të cilën asnjëherë nuk janë ballafaquar apo të cilën e kanë kundërshtuar publikisht, duke mos dhënë asnjëherë alternativa. Ata e dinë mirë se nga dialogu priten kompromise jo vetëm nga Serbia (njohja e Kosovës) por edhe nga Kosova. Është e qartë se në këtë format Serbia nuk e njeh Kosovën, andaj edhe kemi dialog dhe kemi ndërhyrje ndërkombëtare për dialogun. Prej këtu burojnë edhe ndërskamcat herë të fshehta, e herë të hapura që dialogut ia bëjnë qeveritë tona, por edhe opozitat, cilado qofshin partitë që i përfaqësojnë ato. Por, në anën tjetër, tek ne, për shkak të interesave të ngushta partiake asnjëherë nuk është zhvilluar një debat normal për dialogun nga i cili do të duhej të artikulohej qartazi dhe në mënyrë racionale se dialogu dhe zgjidhja përfundimtare e problemeve me Serbinë është në interes të Kosovës. Kosova është e izoluar. Kosova ka problem me legjitimitetin ndërkombëtar. Nuk është anëtare e OKB-së, e OSBE-së, e Këshillit të Evropës, e Interpolit, e UNESCO-s etj. Nuk mund të bëhet anëtare e BE-së sepse pesë shtete nuk na njohin. Në shumë raporte që trajtojnë mundësitë e investimeve, Kosova figuron si vend me stabilitet të brishtë politik (shpesh vend me konflikt, duke e paraqitur veriun e vendit si problematik në aspektin e kontrollit dhe të shtrirjes së plotë të sovranitetit), andaj edhe investitorët seriozë hezitojnë të vijnë në Kosovë. Kemi një kushtetutë që e bën shtetin jofunksional, sepse i jep mundësi komunitetit serb të bllokojë funksionimin e tij përmes privilegjeve kushtetuese që i kanë. Asnjë ndryshim kushtetues nuk mund të bëhet pa 2/3 e votave të pakicave në Kuvendin e Kosovës dhe asnjë nga ligjet që i trajtojnë tetë fushat e rëndësishme për funksionimin e shtetit tonë nuk mund të ndryshohen pa votat e 1/2 të deputetëve të pakicave. Këtu duhet pasur parasysh se deputetët serbë, të cilët do të vazhdojnë të ndikohen nga Beogradi, deri në një zgjidhje politike në mes të dy vendeve (e ky ndikim mund të vazhdojë në varësi edhe të marrëveshjes dhe zgjidhjes) nuk janë të interesuar që të bëjnë ndryshime të cilat Kosovën e bëjnë shtet funksional. Po ashtu duke i pasur këto probleme dhe duke pasur mungesë stabiliteti të vazhdueshëm sidomos në veriun e vendit, edhe diskursi politik brenda Kosovës ka qenë i përqendruar dhe do të përqendrohet edhe në të ardhmen vazhdimisht në tema të mëdha, gjë që e bën të vështirë një përqendrim maksimal në zhvillimin socio-ekonomik, në luftimin e korrupsionit e në sundim të ligjit. Shumica e qeverive të fundit kanë ardhur në pushtet me agjenda të zhvillimit ekonomik, e do të mbahen mend për çështjen e dialogut me Serbinë, proces i cili edhe i ka rrëzuar në fund. Shembujt më tipikë janë qeveria Mustafa dhe ajo Haradinaj. Edhe qeverinë aktuale e priti i njëjti fat, veçse ndodhi më shpejt se kurdoherë, madje edhe në rrethana pandemie. Ka qenë një mungesë sinqeriteti e pothuajse tërë spektrit politik që në fushatën zgjedhore fare nuk janë marrë me dialogun, përderisa të gjithë e kanë ditur se ajo është puna e parë që do t’i presë sapo të futen në zyrën e kryeministrit.
Sigurisht që përveç se interes yni, dialogu dhe zgjidhja e kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë është edhe interes i aleatëve tanë. Është interes i BE-së dhe shteteve që e përbëjnë atë, sepse ato në thelb e duan stabilitetin dhe mundësinë e zgjerimit të BE-së në një Ballkan pa probleme. Interes i tyre është Kosova stabile, por edhe një Serbi me ndikim minimal rus dhe pjesë e sferës së ndikimit dhe interesit euro-atlantik. Një Serbi me probleme të hapura me Kosovën është gjithnjë një instrument i politikës ruse për ta destabilizuar rajonin. Në anën tjetër, SHBA-të, si fuqia e vetme globale, e cila është në procesin e riformësimit të politikës së saj të jashtme në funksion të parandalimit të depërtimit rus dhe kinez, po ashtu është e vendosur që përmes zgjidhjes së problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë ta dobësojë ndikimin rus, ta fusë Serbinë nën ndikimin amerikan dhe evropian si dhe ta konsolidojë Kosovën dhe faktorin shqiptar si një digë të depërtimit të interesave ruse në Ballkan, përkatësisht në Adriatik. Kjo është edhe arsyeja se pse administrata aktuale amerikane, më shumë se kurrë, është e vendosur të gjejë një zgjidhje për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Çdo interpretim tjetër është padituri, paranojë apo papërgjegjësi.Për më tepër siç po vërehet kohëve të fundit, kjo administratë është duke e marrë tërësisht në dorë procesin negociator nga BE-ja, e cila realisht nuk dëshmoi zgjuarsi politike kur emëroi Mirosllav Llajçakun për emisar të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm që shefi i Llajçakut, Josef Borrelli, por edhe ai vetë vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën dhe të dy në situata të ndryshme kanë qenë të angazhuar kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Dhe si fillim nuk është i mbarë ky pozicion i BE-së, pa e paragjykuar vullnetin qoftë të Borellit, qoftë të Llajçakut për një marrëveshje Kosovë-Serbi, e pa e anashkaluar rolin e BE-së dhe synimin tonë për integrim në të. Por, në anën tjetër, të mos e harrojmë se politika jonë në vazhdimësi e ka kërkuar që SHBA-të ta udhëheqin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Serbia në anën tjetër ka interes për a zgjidhur problemin, sepse është e bindur se Kosova është e humbur, dhe se ajo është një barrë e rëndë politike dhe ekonomike për të, e sidomos në procesin e integrimit në BE. Por ajo synon të tërhiqet duke nxjerrë një kompromis që të dalë e larë para opinionit publik serb. Serbia gjithashtu është e vetëdijshme se me këtë rast mundësia e destabilizimit të saj edhe nga Rusia është më e vogël. Ajo do të vazhdojë të luajë lojën e saj shekullore në mes të Perëndimit e Rusisë, por me zgjidhjen e problemeve me Kosovën do të jetë në pozicion shumë më të favorshëm. E gjithë kjo situatë dëshmon për një moment të rëndësishëm historik, të cilin duhet ta shfrytëzojmë që ta mbyllim kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb përmes një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht, ky dialog nuk do të jetë i lehtë, dhe ka shumë kurthe e të papritura nëse ne nuk jemi unikë që të nxjerrim më të mirën. Në horizont duken disa opsione sesi mund të përfundojë ky dialog. Dy prej tyre janë: 1. ripërcaktimi i kufijve, dhe 2. asociacioni plus, apo, si po i thonë, edhe Ahtisaari plus-plus, që do të thoshte autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë. Dy variantet e tjera, të cilat realisht mund të zbatohen pa u arritur marrëveshja finale, janë asociacioni sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, apo edhe vazhdimi i status quo-s aktuale.
Ripërcaktimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë që do të duhej të përfshinte pjesët shqiptare të tri komunave në Kosovën Lindore (pjesët shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) dhe pjesët serbe të tri komunave veriore të Kosovës (Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, pa shtatë fshatrat shqiptare) do të shtronte rrugën për zgjidhjen përfundimtare të kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht të kontestit shqiptaro-serb. Një zgjidhje e tillë do ta funksionalizonte shtetin e Kosovës, duke hequr kufizimet që Kushtetuta e Kosovës i ka barrë që prej Pakos së Ahtisaarit, siç janë privilegjet bllokuese për serbët në Kosovë. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë kufizimin e të drejtave për të gjitha pakicat në Kosovë, përfshirë atë serbe, por vetëm heqje e privilegjeve bllokuese e antidemokratike. Një marrëveshje e tillë, me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, do të hapte edhe mundësitë jo vetëm të shndërrimit të Kosovës në një shtet plotësisht sovran, me dyer të hapura për t’u pranuar edhe në organizatat ndërkombëtare, por edhe do të kishte mundësi që të krijonte një raport vullneti të lirë popullor me Republikën e Shqipërisë. Një marrëveshje e tillë do të ishte edhe një larje e borxhit ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore që vazhdojnë të jetojnë nën represion, ndërsa historikisht kanë dhënë po aq sa edhe ne për lirinë e Kosovës. Një zgjidhje e tillë do të krijonte hapësirë që qytetarët e Kosovës përfundimisht të vendosnin se a duan që Kosova të jetë një shtet krejtësisht sovran, një shtet sovran me lidhje më të veçanta me Republikën e Shqipërisë, apo edhe të vendosin për forma të përbashkëta të organizimit shtetëror me Republikën e Shqipërisë, e që do të mund të përfshinin prej unionit në mes të dy shteteve (në lloj konfederate apo federate) e deri tek opsioni i krijimit të një shteti unik. Një situatë e tillë, e sidomos dy opsionet e fundit, do të krijonin një balancë të tillë forcash në Ballkan, qoftë ushtarake, qoftë ekonomike, sa përfundimisht do t’i ndalonin apetitet serbe ndaj trevave shqiptare dhe do të krijonin mundësitë reale të një bashkëpunimi dhe pajtimi në mes të dy popujve dhe dy vendeve. Një shtet i tillë, jo vetëm që do të ishte garanti më i mirë kultivimit të vlerave evropiane të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe atyre të pakicave e të multi-kulturalizmit, por do të ishte edhe diga më e sigurt depërtimit të interesave ruse në këtë pjesë të Ballkanit. Rrjedhimisht, do të vazhdonte të ishte aleati më i besueshëm i SHBA-ve në këtë pjesë të botës. Ky rast i jashtëzakonshëm është hapur në dy vitet e fundit prej që SHBA-të, në funksion edhe të interesave të saj gjeo-strategjike, pa u përcaktuar për zgjidhjen, kanë dhënë indikacione se, nëse palët merren vesh, mund të hapet edhe tema e kufijve, gjë që më parë nuk e kanë lejuar. Edhe një pjesë e shteteve evropiane nuk do ta pengonin një zgjidhje të tillë, nëse të dy palët pajtohen. Në këtë rast, kjo nuk do të ishte fare precedent, e aq më pak precedent i “rrezikshëm” për shtetet e tjera në rajon, sepse në thelb të kësaj marrëveshjeje do të ishte pajtueshmëria e palëve. Nëse do të ishte precedent, do të ishte precedent pozitiv.
Të tri opsionet e tjera, asociacioni plus (autonomia politiko-territoriale për serbët në Kosovë), aplikimi i modelit të asociacionit sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, apo mbetja e gjendjes kështu siç është, Kosovën e lënë të gjymtë nga brenda, jofunksionale dhe me potencial ndikimi nga Serbia në vazhdimësi. Sigurisht, në varësi se cili nga opsionet do të implementohet, jofunksionaliteti i shtetit do të dallojë për nga shkalla, por në thelb Serbia mbetet e pranishme në Kosovë përmes zgjidhjeve të brendshme kushtetuese apo juridike për pakicën serbe. Gjasat që të shndërrohemi në një Bosnjë e Hercegovinë të dytë janë reale. Opsioni i asociacionit plus apo Ahtisaarit plus-plus, që në të vërtetë është autonomi politiko-territoriale, – jo vetëm për veriun, por do të përfshinte edhe komunat e tjera në brendësi me shumicë serbe, – është varianti që më së shumti i afrohet modelit të sotëm jofunksional të Bosnjë e Hercegovinës, dhe i cili do t’i jepte më së shumti pushtet Serbisë në Kosovë. I kombinuar me privilegjet aktuale kushtetuese, ky variant e godet rëndë shtetësinë e Kosovës, qoftë edhe nëse ajo formalisht bëhet pjesë e OKB-së. Edhe varianti i asociacionit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në thelb është vazhdimësi e jofunksionalitetit të shtetit të Kosovës. Ky asociacion, ashtu si edhe varianti paraprak, nuk nënkupton fund të konfliktit, por një konflikt të pafund, të përditshëm dhe shumë të dhimbshëm për Kosovën. Asociacioni, edhe pse sot jo juridikisht, shumë lehtë nesër do të mund të shndërrohej faktikisht dhe politikisht në një entitet autonom, sidomos kur të kombinohet me privilegjet kushtetuese që serbët i kanë me kushtetutë. Në fund e kemi opsionin e status quos, pra vazhdimit të gjendjes aktuale të pritjes për “ditë më të mira”. Ky ka qenë edhe varianti i favorizuar nga një pjesë e garniturës politike, mediale dhe e shoqërisë civile, të cilat mendonin se duhet të presim një moment më të favorshëm politik, ndryshime në politikën e në administratën amerikane etj. Rrjedhimisht, ky opsion ka qenë dominues në dy vjetët e fundit në LV, në LDK, në PDK e në AAK. Por përderisa ka mbetur i tillë tek e para arti, tri të fundit së paku publikisht kanë filluar të ndryshojnë diskurs rreth kësaj çështjeje pas presionit të fundit të jashtëzakonshëm amerikan, e që u përcoll edhe me fillimin e sanksioneve sidomos në fushën e projekteve ekonomike. Ky qëndrim, përveçqë është një naivitet i thellë politik, është edhe mungesë guximi për të marrë përgjegjësi politike. Në të vërtetë, kjo do të thoshte vazhdim i mungesës së funksionalitetit të Kosovës, përzierje e vazhdueshme e Serbisë në Kosovë duke i shfrytëzuar privilegjet kushtetuese të serbëve, mospranim në mekanizmat ndërkombëtarë, ndoshta edhe vazhdim i procesit të çnjohjeve dhe lodhje e brendshme në planin socio-ekonomik, e dërrmim në atë politik. Në anën tjetër, ndryshimet në politikën e jashtme amerikane janë më strukturore sesa mendojnë udhëheqësit dhe militantët partiakë në Prishtinë dhe janë të orientuara drejt mbylljes së vatrave të krizave në rajonet që janë nën ndikimin amerikan, sepse këto vatra krizash po shfrytëzohen në vazhdimësi politikisht dhe në aspektin e sigurisë nga Rusia, ndërsa ekonomikisht nga Kina. Në anën tjetër, kriza në BE, dalja e Britanisë së Madhe prej saj, si dhe fuqizimi në vazhdimësi i së djathtës ekstreme në vendet kryesore si Gjermania, Franca e Italia nuk japin shenja se BE-ja do të jetë ai faktor i cili vetëm e pa SHBA-të mund të projektojë forcë implementuese për një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, kriza ekonomike që do të gjenerohet prej pandemisë së COVID-19, dhe e cila si zakonisht mund të përcillet me një krizë të radhës politike brenda BE-së (edhe ashtu në krizë) mundet ta vendosë çështjen e dialogut me Serbinë në margjina, pasojat më të mëdha të së cilës do t’i bartë Kosova dhe qytetarët e saj.
E nëse, megjithatë, në marrëveshje shtyhen ndonjëri nga variantet e asociacionit, apo edhe nuk do të kemi marrëveshje por do të vazhdojë status quoja, kam bindjen e plotë që pas disa vitesh, do të përfundojmë prapë në ndryshim kufijsh, për të cilin do të jemi të interesuar vetë, por deri atëherë mund të humbasim jo vetëm energji e mund që do të reflektohet në moszhvillim, në konflikte të jashtme e të brendshme, me mundësi reale që ta humbasim edhe pjesën veriore të Mitrovicës dhe fare të mos trajtohet çështja e Kosovës Lindore. Zvarritja që ia kemi bërë këto dy vitet e fundit dialogut me Serbinë, sidomos pas përfshirjes më serioze amerikane në këtë proces përmes letrës së presidentit Tramp për presidentët Thaçi e Vuçiq, Kosovës mund t’i kushtojë shumë. Në situatën në të cilën jemi, askush nuk mund të na thotë se në cilin drejtim do të shkojnë bisedimet dhe sesi mund të duket një marrëveshje finale. Qëndrimet publike të politikës sonë janë ato që u trajtuan pak a shumë më lart dhe kryesisht karakterizohen nga vijat e kuqe bllokuese dhe aspak nga ndonjë ofertë a platformë që do të shtronte rrugën për zgjidhje thelbësore të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë situatë edhe refuzimi i marrëveshjes nuk do të jetë ndonjë opsion me të cilin Kosova fiton. Në anën tjetër, SHBA-të kanë interes për ta mbyllur këtë kapitull, interes që ndërlidhet me dobësimin e ndikimit rus në Serbi dhe me hapjen e dyerve të saj për në BE e ndoshta edhe në NATO në të ardhmen. Ne mund të vijmë në situatë që nëse e refuzojmë marrëveshjen e mundshme, Serbisë mund t’i hapen njëanshmërisht rrugët për në BE dhe për ndërtim të një partneriteti më të afërt me SHBA-të. Andaj, në këtë kontekst, zvarritja e dialogut ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për Kosovën. Në anën tjetër, varianti më i luftuar në opinionin publik në mënyrën më joracionale, ai i ripërcaktimit të kufijve, do të ishte një mundësi e artë për Kosovën dhe shqiptarët dhe varianti i vetëm i cili përfundimisht do të mbyllte kapitullin e konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan, por edhe do të hapte dyert për stabilitetin e Kosovës. Personalisht mbes me bindje të thellë, por edhe me shpresë se opsionet e tjera jo vetëm se do të jetë e vështirë të trajtohen e të pranohen, nga përfaqësuesit tanë politikë, por mbi të gjitha do të jetë e vështirë të implementohen, andaj edhe nuk do të duhej të përkraheshin edhe nga amerikanët, duke e ditur se këto zgjidhje veç në dukje mund të duken të tilla, por që në thelb vetëm do ta shtynin konfliktin.
Deputeti demokrat, Asllan Dogjani ngre shetësimin, pas zbulimit të dy laboratorëve të kokainës në Tiranë dhe Fushë-Krujë, gjë që sipas tij tregon se grupet kriminale pa mbështetjen e policisë nuk mundet të ngrenë laboratorë narkotikësh.
Në një intervistë për Syri Tv, Dogjani tha se grupet kriminale nuk gjejnë mbështetjen e vetëm policisë, por edhe të politikës për të ndërtuar laboratore droge, shpërndarja e së cilës bëhet jo vetëm në Tiranë por dhe në të gjithë Shqipërinë.
Sipas Dogjanit, shqetësues është gjithashtu fakti që lënda narkotike po përdoret gjerësisht edhe te moshat e vogla.
Ligjvënësi demokrat, tha se autoritetet ligjzbatuese shqiptare, në veçanti policia, asnjëherë nuk ka ndërmarrë operacione antidrogë, por ato kanë ndodhur dvetëm falë sinjalizimeve nga autoritetet ndërkombëtare, kryesisht ato të vendeve evropiane.
Ata që vijnë, nuk vijnë të ndërtojnë laborator nëse s’kanë mbështetjen e policisë së shtetit. Të ndërtosh diçka të tillë ka shpenzime e duhet para e madhe, dhe s’rrezikon pa pasur mbështetje polici-politikë dhe e konsiderojnë Shqipërinë si Italia në vitet ’70, apo si grupi Sinaloa sot në Meksikë, ku grupet kriminale janë të përzierë e bashkëpunojnë me shtetin.
Mbështjea që u jep policia, u jep mundësinë atyre të ndërtojnë laborator kokaine, që më pas shpërndahet në Tiranë, e pjesa tjetër trafikohet. Shumica po shpërndahet në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Kanë nisur të përdorin lëndë narkotike dhe moshat e vogla.
E para ajo që më bën përshtypje është se s’kemi operacione të suksesshme pa ndërkombëtarët. Janë informacioen të marra nmga jashtë. Xibraka, psh. drejtohej nga ndërkombëtarët, pa i treguar Policisë së Shtetit. Dhe kjo është shqetësuese.
E dyta, ndërrimi i drejtorëve të policisë, ata që kanë ikur kanë shkëputur lidhjet me grupet dhe kanë dhënë informacione nga jashtë. Operacionet mund të jenë edhe dekonspiruar. Në Shqipëri e Tiranë kemi një laborator që është i lidhur me grupe kriminale, Tiranë, Durrës Fushë-Krujë. Mund të ketë edhe laboratorë të tjerë, me Shkodrën, Vlora, s’i guxojnë këto grupe kriminale e vijnë ta ndërtojnë laboratorin në qendër të Shqipërisë, në Tiranë. Pse nuk janë zbuluar pa ndërkombëtarët. Grupet kriminale përdoren nga politika në fushatat elektorale. Janë bërë biznesmenë dhe pastrojnë paratë. Është problem i madh, Shqipëria po boshatiset dhe kjo është një arsye. sn
Me vetëm dy muaj të mbetur deri sa Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i zgjedhur dhe i dënuar për vepra penale po përdor strategjinë e “luftës ligjore” përmes një vale padish kundër mediave dhe botuesve kritikë ndaj tij.
Paditë ndodhin mes frikës në rritje për atë që një mandat i dytë i Trumpit mund të nënkuptojë për lirinë e shtypit, pasi 78-vjeçari intensifikon armiqësinë e kahershme kundër medias – të cilët javën e kaluar i quajti “kamp armik” në fjalimin e fitores.
Të enjten, Columbia Journalism Review zbuloi se vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, avokati i Trump, Edward Andrew Paltzik, kishte dërguar një letër në New York Times dhe Penguin Random House, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për artikuj kritikë ndaj republikanit.
Kjo letër i shtohet një serie padish të cilësuara si të paqëndrueshme ligjërisht ndaj mediave të tjera, të cilat Trump i ka akuzuar për sulme politike kundër tij, shkruan theguardian.
Letra, e cila u rishikua nga CJR, akuzonte autorët e artikujve Peter Baker, Michael S. Schmidt, Susanne Craig dhe Russ Buettner për “deklarata të rreme dhe shpifëse” ndaj Trumpit, duke shtuar se New York Times është një “zëdhënës i zjarrtë i Partisë Demokratike” që zhvillon “shpifje në shkallë industriale kundër kundërshtarëve politikë”.
Sipas CJR, letra përmendte dy artikuj specifikë nga Buettner dhe Craig që lidhen me librin e tyre të fundit, Lucky Loser: How Donald Trump Squandered His Father’s Fortune and Created the Illusion of Success. Gjithashtu, ajo përmendi një artikull të 20 tetorit nga Baker me titull “Për Trump, Një Jetë Skandalesh Drejtohet Drejt Një Momenti Gjykimi” dhe një artikull të 22 tetorit nga Schmidt me titull “Ndërsa Zgjedhjet Afrohen, Kelly Paralajmëron se Trump Do të Sundonte si Diktator”, raportoi CJR.
Duke iu drejtuar New York Times, letra e akuzonte median se kishte qëllime të qarta për të shpifur dhe dëmtuar “markën e famshme Trump” që konsumatorët e kanë lidhur prej kohësh me “ekspertizë, luks dhe sukses në argëtim, mikpritje dhe pasuri të paluajtshme, ndër shumë industri të tjera”, si dhe për ta shpifur atë në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe si kandidat për postin më të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas CJR, më 5 nëntor, avokatët e bashkëdrejtuesit të fushatës së Trumpit, Chris LaCivita, dërguan një letër te Daily Beast, duke kërkuar që media të korrigjonte artikujt e saj që pretendonin se LaCivita kishte mbledhur 22 milionë dollarë për të ndihmuar rizgjedhjen e Trumpit.
Si përgjigje ndaj letrës, Daily Beast shtoi një shënim të redaktorit në artikujt e saj, ku thuhej
“bazuar në një rishikim të mëtejshëm të regjistrave të FEC, shuma e saktë është 19.2 milionë dollarë. The Beast e pranon gabimin. Artikulli gjithashtu është përditësuar për të sqaruar se pagesat shkuan në LLC-në e LaCivita-s dhe jo personalisht tek ai”.
Megjithatë, ky shënim nuk ishte i mjaftueshëm për fushatën e Trumpit. Një letër e mëvonshme ligjore drejtuar medias theksonte se shënimi “nuk e zgjidh mesazhin e përgjithshëm të artikullit – i cili paraqet LaCivita sikur ka mashtruar duke futur në xhep paratë e fushatës për përfitime personale dhe se ai ishte dhe është pranë të ‘shkarkimit’ për këtë arsye”.
“Kjo narrativë është tërësisht e pavërtetë dhe rezultat i një raportimi dashakeq dhe të papërgjegjshëm nga Daily Beast”, shtohej në letër.
Përveç New York Times, Penguin Random House dhe Daily Beast, Trump dhe avokatët e fushatës së tij kanë paditur edhe CBS News, duke pretenduar në një padi muajin e kaluar se intervista e 7 tetorit me Kamala Harrisit në 60 Minutes ishte redaktuar dhe për këtë arsye përbënte “ndërhyrje në zgjedhje”.
Padia prej 19 faqesh kërkonte 10 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe akuzonte CBS për “përpjekje të skajshme për të ndihmuar zgjedhjen e Kamala Harris”. Gjithashtu, padia akuzonte median për “akte partizane dhe të paligjshme të ndërhyrjes ndaj votuesve përmes raportimeve dashakeqe, mashtruese dhe të shtrembëruara”.
Në përgjigje, CBS e quajti padinë “tërësisht të pabazuar”, mohoi se intervista ishte redaktuar dhe premtoi se do ta “mbrojë me vendosmëri” rastin në gjykatë.
Pothuajse në të njëjtën kohë, Trump paraqiti një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve kundër Washington Post, duke e akuzuar atë për kontribute të paligjshme në natyrë për fushatën e Harrisit. Washington Post, që këtë vit refuzoi të mbështeste një kandidat politik nën udhëzimet e pronarit të saj miliarder, Jeff Bezos – i cili më pas e quajti rizgjedhjen e Trumpit “një rikthim të jashtëzakonshëm politik” – akuzat i cilësoi si “të papërshtatshme” dhe “të pabazuara”. sn
Paula Froelich është një nga gazetaret më të njohura në SHBA.
Emri i saj është shfaqur në disa prej medieve më të mira dhe shpesh ka qenë në listën e librave më të shitur të ‘New York Times’.
Aktualisht punon për rrjetin amerikan NewsNation.
Në një shkrim aktual, ajo thotë se reforma në drejtësi në Shqipëri ka qenë një dështim i plotë.
“Paga mesatare vjetore në vend vlerësohet të jetë pak më shumë se 8.000 dollarë në vit, dhe kryeministri Rama – ndonëse një i përkëdhelur i Perëndimit – është akuzuar për transformimin e Shqipërisë në një “narko-shtet autokratik”. Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka lavdëruar publikisht Ramën për “reformën në drejtësi”, edhe pse në vend nuk ka gjyqe me juri, një raport i Departamentit të Shtetit për shtetin anëtar të NATO-s thotë “korrupsioni ekziston në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes”.
Akoma më keq, burime në Shqipëri më thanë se shpesh, në udhëtimet e tij të shumta në Tiranë, Soros preferon të qëndrojë në shtëpinë personale të ish-diktatorit tiranik Enver Hoxha dhe jo në një hotel.
“Është çmenduri,” më tha një burim. “Për shqiptarët, kjo është si të shkosh në Gjermani dhe të qëndrosh në folenë e Shqiponjës së Hitlerit”,” shkruan gazetarja. sn
Në një artikull të fundit të medias amerikane, NewsNation, Alex Soros dhe Edi Rama janë vënë nën kritika të ashpra për lidhjet e tyre me korrupsionin dhe pasigurinë e Shqipërisë.
Artikulli thekson investimet e Soros në Shqipëri, duke e përshkruar vendin si një qendër të trafikut dhe pastrimit të parave, ndërsa shprehet dyshimi në lidhje me suksesin e reformave gjyqësore, që janë mbështetur nga Fondacioni i Sorosit.
Rama gjithashtu është përmendur si një faktor që ka përfituar nga këto investime, ndërkohë që korrupsioni mbetet një problem i madh.
Pjesë nga artikulli:
Sorosi, i cili ka prejardhje hungareze, raportohet se udhëton aq shpesh në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, saqë e ka quajtur “shtëpia ime e dytë,” megjithëse vendi është një qendër për trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore dhe pastrimin e parave.
Për të qenë të drejtë, Fondacioni Shoqëria e Hapur i Sorosit pretendon se po punon me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për “reformën në drejtësi” — edhe pse vendasit janë skeptikë për këtë. Mes viteve 1992 dhe 2020, Fondacioni Shoqëria e Hapur investoi mbi 131 milionë dollarë në Shqipëri, duke mbështetur ngritjen në pushtet të Ramës dhe më pas qeverinë e tij. (Rama ka qenë pothuajse i pakontestueshëm në pushtet që nga viti 2013.)
Shoqëria e Hapur pretendon se mbështet 120 vende në mbarë botën, duke lënë shumë njerëz të pyesin pse harxhon kaq shumë para dhe kohë në Shqipëri, kur sipas disa raporteve, korrupsioni ka rënë vetëm pak gjatë regjimit të Ramës.
Sipas indeksit të korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditet si “shumë e korruptuar”, me të paktën 25% të zyrtarëve publikë që kanë marrë ryshfet gjatë vitit të fundit. Sipas indeksit të krimit të organizuar, “Shqipëria është një vend burim, tranzit dhe destinacion për trafikimin e qenieve njerëzore. Aktorët kriminalë shqiptarë dyshohen se janë përgjegjës për një numër të madh të viktimave të trafikimit në Europën Perëndimore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumica e grave dhe fëmijëve vijnë nga Shqipëria. Shfrytëzimi seksual i viktimave shqiptare në vendet e Europës Perëndimore mbetet forma më e përhapur e këtij krimi.”
Vendi gjithashtu shërben si “një vend tranzit për heroinën e trafikuar nga Turqia, Irani, Afganistani dhe Pakistani nëpërmjet rrugës Ballkanike drejt Europës. … Shumica e heroinës trafikohet në Shqipëri me tokë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, por laboratorët për përpunimin e heroinës janë zbuluar brenda vendit nga policia shqiptare. … Shqipëria është një vend tranzit për kokainën e trafikuar nga Amerika Latine në Europë.”
Paga mesatare vjetore në Shqipëri vlerësohet të jetë rreth 8000 dollarë, ndërsa kryeministri Edi Rama, megjithëse i favorizuar nga Perëndimi, është akuzuar për transformimin e vendit në një “narkoshtet autokratik.” Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka lavdëruar publikisht Ramën për “reformën në drejtësi,” një raport i Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, një anëtare e NATO-s, pohon: “Korrupsioni ekzistonte në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisë.”
Burime nga Shqipëria kanë treguar se Alex Sorosi, gjatë udhëtimeve të tij të shumta në Tiranë, shpesh preferon të qëndrojë në shtëpinë personale të ish-diktatorit Enver Hoxha, në vend që të zgjedhë një hotel.
“Kjo është e pabesueshme,” tha një burim. “Për shqiptarët, kjo është sikur të shkosh në Gjermani dhe të qëndrosh në strehën e Hitlerit.”
Hoxha, një stalinist i njohur, sundoi me dorë të hekurt për 41 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Gjatë sundimit të tij, e gjithë prona private, përfshirë kafshët shtëpiake dhe tokën, u shtetëzua, dhe ai shkoi deri në heqjen e motorëve nga makinat dhe varkat për të parandaluar largimin e njerëzve nga vendi.
Shqipëria, e quajtur shpesh “Koreja e Veriut e Europës,” përjetoi burgosje masive në kampe pune të vështira dhe tortura gjatë sundimit të Hoxhës, ndërsa mijëra të tjerë vdiqën nga uria. Ekonomia u përkeqësua aq shumë sa deri në fillim të viteve 2000, Shqipëria ishte vendi i dytë më i varfër në botë, pas Somalisë.
“Pse (Alex Sorosi) pëlqen të qëndrojë (në shtëpinë e Hoxhës) — kush e di. Por nuk është e drejtë,” tha një tjetër shqiptar. Shtëpia e madhe, e vendosur në mes të Tiranës, është si një kapsulë kohe, e lënë në të njëjtën gjendje që ishte kur Hoxha vdiq, dhe ende ruhet fort — pavarësisht “planeve” për ta kthyer në një muze.
Michael Vachon, një përfaqësues i Sorosit, tha përmes një emaili se Rama ka qenë një lider në përpjekjet për të ndërtuar bashkëpunimin rajonal, duke përmirësuar lirinë e lëvizjes dhe mallrave midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rama ishte një nga themeluesit e “Ballkanit të Hapur” dhe nismave të tjera si Plani i Rritjes, që synonte rritjen e bashkëpunimit ekonomik në rajon – një objektiv i mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur.
“Fondacioni në Tiranë, i cili ka një trashëgimi krenare prej tre dekadash me kontribute në arsim, demokraci dhe liri të medias, është… Në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria ka realizuar reformën më të ashpër në drejtësi në bashkëpunim me departamentet e drejtësisë së SHBA dhe Europës.”
Le të shpresojmë që “reforma në drejtësi” në Shqipëri të mos jetë si ajo që Sorosi mbështeti në Shtetet e Bashkuara, kur prokurorët ultra-liberalë u treguan të butë me kriminelët — dhe krimi u rrit. Në këtë cikël zgjedhor, shumë prej tyre u larguan nga detyra nga amerikanët të lodhur nga përkeqësimi i cilësisë së jetës së tyre.
Vachon tha se nuk “mendonte” se Sorosi kishte qëndruar në shtëpinë e Hoxhës, por nuk mund ta konfirmonte. sn
Në emisionin Vetting në News24 janë trajtuar aktivitetet e guroreve, që duket se janë biznese fitimprurëse për ata që i zotërojnë, por në anën tjetër shkatërrojnë pronat dhe jetët e qytetarëve të zonave ku ushtrohen këto aktivitete.
Dimali është zona më e prekur, pasi atje ushtrojnë aktivitetin e vazhdueshëm 22 gurore. Kamerat e emisionit Vetting faktojnë se si retë e mëdha të tymit mbulojnë të gjithë hapësirën e Bashkisë Dimal, ndërsa ndotja është në nivele alarmante.
Dhe sipas ekpertëve të mjedisit, guroret jo thjesht kanë impakt te bimësia, por po dëmtojnë seriozisht jetën e qytetarëve.
Dimali, dikur i njohur si Ura-Vajgurore, është një nga zonat më të prekura nga shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyrore. Ky qytet ka 22 gurore në territorin e tij, duke mbajtur rekord me numrin më të lartë në Shqipëri. Kur e viziton këtë qytet, ajo që të bie në sy është jo vetëm shtrirja e guroreve përreth, por një shkatërrim total i kodrinave, ku nuk ka më thjesht shenja të shfrytëzimit, por shihet qartë dëmtimi i parikuperueshëm që i është bërë natyrës.
Në këtë zonë, aktiviteti i guroreve është zhvilluar për vite me radhë, pa u ndalur, dhe gjatë filmimeve nga ekipi i “Vetting”, një re e madhe tymi mbulonte të gjithë territorin e Dimalit, duke mbuluar edhe fshatrat e Pashallisë, Guri i Bardhë dhe Konezbaltë. Kjo ndotje ka marrë përmasa alarmante, duke krijuar një situatë dramatike për banorët e zonës. Shtëpitë që ndodhen ngjitur me guroret janë të mbuluara nga pluhuri, si pasojë e drejtpërdrejtë e aktivitetit industrial. Ky peisazh i shkatërruar është dëshmi e papërgjegjshmërisë së institucioneve ndër vite.
Pluhuri, jo vetëm që ndikon në cilësinë e ajrit, por gjithashtu ndalon plotësisht aktivitetet bujqësore në tokat e zones mbuluar me një shtresë të dendur që ju ndalon bimëve proceset organike natyrore.
Sipas ekspertit të mjedisit Abdulla Diku përveç shëndetit të njeriut, guroret kanë impakt dhe te bimësia.
“Besoj kushdo e ka vënë re që në afërsi të tyre, të karrierave të gurit, pothuajse gjethet e bimësisë janë kthyer jo të gjelbra por kanë marrë ngjyrën e pluhurit të bardhë”, u shpreh për “Vetting” Abdulla Diku.
Një nga banoret e prekura nga kjo situatë tregon për “Vetting” situatën dramatike, që e përndjek për shkak të guroreve.
“Unë jam e tmerruar, e kam vënë urdhëro shikoje, e kam vënë shtëpinë në shitje se nuk duroj dot më, jam e sëmurë, jam me mushkëri të copëtuara, jam me, më është mbushur veshka, po ta shohësh, kam fletën e analizave, më është mbushur veshka plot me kiste e kam veshkën? Pse? Nga ky tym!”, tha për “Vetting”, Shkenca Hyka.
Ajo është banore e lagjes Pashalli në Dimal. Shtëpia e saj mbulohet e para nga tymi dhe ndjen më fort tronditjet nga eksplozivi dhe zhurma që vjen nga guroret.
E prekur nga drama sociale që i kanë shkaktuar guroret, Shkenca rrëfen për “Vetting” se ka ardhur herët në këtë qytet për të krijuar kushte më të mira, por hapja e guroreve i ka sjellë pasoja të rënda shëndetësore dhe ekonomike për të dhe familjen e saj.
Edhe pse shpreson të riparojë shkatërrimet e shtëpisë nga shpërthimet me eksploziv, Shkenca kërkon nga bizneset e guroreve që të respektojnë ligjin, pasi përpunimi i gureve duhet të bëhet nëpërmjet ujit për të shmangur ndotjen.
“Po bëhemi problematikë, unë javën e parë, dy herë në polici, as që u ndjenë fare, puna vazhdoi normalisht, që nuk dilja dot”, shprehet e zhgënjyer Shkenca,e cila priste ndihmë nga Policia e Shtetit.
Duke folur për problemet me ndotjen nga guroret, Shkenca kujtohet që kishte nxjerrë për t’u tharë rrobat e lara të nipit të vogël dhe me nxitim tenton t’i heqi pasi pluhuri ka pushtuar komplet zonën.
Në oborrin e kësaj shtëpie ka disa hardhi që kanë prodhuar rrush, por sipas banores nuk mund të konsumohen.
Sipas biologut dhe drejtuesit të “EcoAlbania” Olsi Nika, tymi i guroreve ka pasoja serioze mbi florën dhe faunën, ashtu edhe për njeriun.
“E gjitha ajo grimca e ngelur pezull hyn në mushkëritë tona dhe patjetër ndikojnë te bimët duke i veshur, duke pamundësuar ose duke mininimizuar ritmin e frymëkëmbimit, të fotosintezës, të frymëmarrjes së bimëve. Ka një ndikim të jashtëzakonshëm”, tha për “Vetting” drejtuesi i “EcoAlbania”.
Në momentin që largohemi nga Shkenca për të intervistuar një banor aty pranë që është duke punuar tokën, guroret ndërpresin veprimtarinë, pasi janë sinjalizuar nga kamionat për prezencën e gazetarëve tanë në terren.
Një nga banorët që ka tokën aty afër, Sotir Pilua tregon se ka probleme me tokën bujqësore pasi ujërat e gurores kullojnë te kanali ngjitur me tokën e tij.
“Edhe bimësia, ja e mbjell, do ta mbjell grurë, nuk bën përpjetë, do ta mbjellë hasëll për dhëntë, kam nja dy tre dhënë, i bie këtu nuk kullosin. Vetëm tym do hanë ato, ca do hanë ato, tymin e gurores ?!”, shprehet për “Vetting” Sotir Pilua.
Për “Vetting”, Pilo tregon se edhe ai nuk ka probleme vetëm me ndotjen nga guroret, por edhe me shtëpinë ku banon.
“Te shtëpia kam problem tymin. Na tymosin, na kanë bërë kështu blozë! Se kur kthen era që këtej, kur kthen për andej, këtej paradite na vjen këtej tymi (bën me shenjë për te toka bujqësore), mbasdite më vete në shtëpi”, tha Pilua, i cili nuk është optimist për reagimin e institucioneve shtetërore.
Problemi me ujin e kanalit që përmbytet nga ujërat e guroreve mund të ketë pasoja më të rënda për tokën pasi sipas ekspertëve këto ujëra tashmë kanë metale të rënda.
“Nëse shkëmbi përmban minerale, ka edhe metale të rëndë, që shkojnë në ujëra, përfundojnë në det, një pjesë e tyre janë edhe të dëmshme për shëndetin sepse përfundojnë në produktet bujqësore blegtorale dhe shumë nga metalet e rëndë janë kancerogjene”, tha për “Vetting” biologu Aleko Miho.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, e vetmja kompani në zonën e Dimalit, që ka bërë rehabilitimin e zonës është “AGBES CONSTRUCTION”.
Nga informacionet e siguruara, kjo kompani me leje minerare të marrë që në vitin 2003 ka rehabilituar rrugën hyrëse për në shkallën e parë të lejes minerare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, në 15 maj 2018 po në këtë zonë janë marrë masa me pezullim aktiviteti deri në korrigjimin e shkeljeve të evidentuara ndaj kompanive “Shpiragu B” sh.p.k, “AKS” shpk, “2 Po 6” shpk, “Klisal” shpk, “Mustafai” shpk, “Vëllezërit Llupo” shpk, “Agbes Construksion” shpk, “Zhopi” shpk, “Admir” shpk, “Guri i Bardhë” shpk, “Beta” shpk, ndërkohë që është gjobitur kompania “Salillari” shpk.
Emisioni Vetting në News24 ka sjellë në vëmendje një problem të hershëm, që vit pas viti agravohet, jo thjesht duke shkatërruar mjedisin, por duke prodhuar dhunë, shqetësime, dëmtime e shkatërrime banesash e deri në rrezikun e jetës për qytetarët për shkak të ndotjes. Bëhet fjalë për guroret, ndoshta ndër bizneset më fitimprurëse.
Vitin e kaluar banorët e fshatit Borizanë në Krujë protestuan kundra guroreve që me anë të përdorimit të eksplozivit denonconin përdorimin e tij pa kriter dhe në distancë të afërt me shtëpinë
Banorët ankoheshin për shkatërrimin e shtëpive, për faktin që kishin bërë denoncime në polici dhe prokurori, por kompania vazhdonte aktivitetin e pashqetësuar.
Më 7 korrik 2023, deputetja e Partisë Demokratike Merita Bakiu do të ngrinte shqetësimin e banorëve të Borizanit dhe mungesën e masave nga Prokuroria dhe Policia, por përsëri asnjë masë nuk do të merrej për problemin e banorëve.
Madje gjërat do të merrnin një kthesë akoma më dramatike, për banorët që ishin në krye të protestës për të mbrojtur shtëpitë e veta nga shkatërrimi.
Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Bëhet fjalë për vëllezërit e fisit Maja, që në atë kohë kishin kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndalur punën në një gurore, shpërthimet e pakontrolluara që aplikoheshin aty, po i shembnin banesat.
Pamjet se si u masakruan vëllezërit Maja nga pjesëtarë të fisit Rraja dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës.
Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale.
Bashkia e Krujës, Shoqata “Trojet e Arbrit” – Prishtinë, Familja Merlika
Ftesë
Ftoheni të merrni pjesë në ceremoninë e vendosjës së bustit në sheshin e qytetit të Krujës të atdhetarit Mustafa Merlika – Kruja, nënshkrues për Krujën i Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më, 28 nëndor 1912, shtetar, historian, gjuhëtar dhe publicist.
Ceremonia do të zhvillohet në sallën e Pallatit të kulturës “Ibrahim Berdaku”të qytetit Krujë, me ligjërimet e disa studiuesve nga Shqipëria e trojet e saj jashtë kufijve dhe nga mërgata shqiptare në botë, sipas programit të përcaktuar nga organizatorët e veprimtarisë.
Veprimtaria do të zhvillohet në orët 10.00 – 12.00 të datës 24 /11/ 2024.
Zbulimi i bustit do të kryhet në orën 12.30.
Nisja do të bëhet e organizuar nga salla e Pallatit të kulturës.
Pas përfundimit të asaj ceremonie jeni të ftuar të merrni pjesë në koktejlin e përgatitur nga Hotel – Restorant ”Panorama” në afërsi të bustit.
Ju mirëpresim Bashkia e Krujës, Shoqata “Trojet e Arbrit dhe Familja Merlika!
Ukraina mund të prodhojë një bombë bërthamore brenda pak muajsh nëse presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, refuzon të japë ndihmë ushtarake në Kiev, shkruan britanikja “Times”.
“The Times” i është referuar “një dokumenti të përgatitur për Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës ”, sipas të cilit vendi do të ishte në gjendje të ndërtonte me shpejtësi një pajisje bazë plutoniumi duke përdorur teknologji të ngjashme me bombën e hedhur në Nagasaki në vitin 1945.
“Krijimi i një bombe të thjeshtë atomike, siç bënë Shtetet e Bashkuara me Projektin Manhattan, nuk do të ishte një detyrë e vështirë 80 vjet më vonë”, thuhet në dokument.
The Times shtoi se pa kohë për të ndërtuar dhe operuar objektet e mëdha të nevojshme për pasurimin e uraniumit, Ukraina gjatë kohës së luftës do të duhej të mbështetej në përdorimin e plutoniumit të nxjerrë nga shufrat e karburantit të shpenzuar të hequra nga reaktorët bërthamorë ukrainas.
Ukraina ende kontrollon nëntë reaktorë operacionalë dhe ka përvojë të konsiderueshme bërthamore, pavarësisht se hoqi dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë në vitin 1996.
“Pesha e plutoniumit të reaktorit të disponueshëm në Ukrainë mund të vlerësohet në shtatë tonë… Për të krijuar një arsenal të konsiderueshëm armësh bërthamore, nevojitet shumë më pak material… Sasia e materialit është e mjaftueshme për qindra koka luftarake të fuqisë taktike të disa kilotone”, thuhet në dokument.
Një bombë e tillë do të ketë përafërsisht një të dhjetën e fuqisë së bombës “Fat Man” që SHBA shpërtheu mbi Nagasaki, përfundojnë autorët e dokumentit.
“Kjo do të mjaftonte për të shkatërruar një bazë ajrore të tërë ruse ose objekte të përqendruara ushtarake, industriale ose logjistike. Fuqia e saktë e një ngarkese bërthamore do të jetë e paparashikueshme, pasi do të përdorë izotopë të ndryshëm të plutoniumit,” tha autori i raportit, Alexey Yizhak, kreu i Institutit Kombëtar për Studime Strategjike të Ukrainës, një qendër kërkimore shtetërore që vepron si një organ këshillues për administratën presidenciale dhe Këshillin për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen e Ukrainës.
Ekspertët perëndimorë besojnë se Ukrainës do t’i duhen të paktën pesë vjet që të zhvillojë armë bërthamore dhe një mjet transporti të përshtatshëm, ndërsa Valentin Badrak, drejtor i Qendrës së Ushtrisë, këmbëngul se Ukraina do të zhvillojë raketat e veta balistike në më pak se një vit.
“Ukraina do të tregojë brenda gjashtë muajve se ka aftësinë për të krijuar raketa balistike me rreze të gjatë: ne do të kemi raketa me rreze fluturimi prej 1000 km”, pohoi Badrak.
Analistët, të cituar nga Times, thonë se nëse SHBA largohet nga Ukraina, Britania e Madhe mund të përmbushë detyrimet e saj të sigurisë sipas Memorandumit të Budapestit duke ndihmuar Ukrainën të zhvillojë një parandalues bërthamor, duke qenë se Kievi nuk ka mjete konvencionale për të parandaluar Rusinë të pushtojë Ukrainën. Jižak deklaroi se ekziston rreziku që disa nga qytetet më të mëdha të Ukrainës, si Dnipro dhe Kharkiv, mund të bien përpara se të zhvillohen armët.
“Unë u befasova nga respekti që Shtetet e Bashkuara kanë për kërcënimin bërthamor rus. Ndoshta na kushtoi lufta. Ata i trajtojnë armët bërthamore si një lloj Zoti. Ndoshta është koha t’i lutemi edhe ne atij Zoti,” shtoi ai.
Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina nuk ka thënë kurrë se dëshiron të krijojë armë bërthamore, shton “The Times”.
Ai kujtoi memorandumin e Budapestit në bazë të të cilit Ukraina hoqi dorë nga armët bërthamore, por në këmbim, siç tha ai, “nuk mori garancitë e premtuara të sigurisë”.bw
Edi Rama dhe Giorgia Meloni kanë tërhequr vëmendjen në Baku të Azerbajxhanit teksa kanë marrë pjesë në punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Kreu i qeverisë shqiptare është takuar dhe me disa homologë të tij, ku mes tyre dhe me Georgia Melonin, kryeministren italiane, takim i cili ka qenë krejt ndryshe.
Rama kur ka parë Melonin t’i afrohej, është ulur në gjunjë me humor në shenjë përulje dhe më pas mes batutave dhe të qeshurave janë përqafuar të dy. Pamjet janë bërë virale në mediat azere.
Kryeministri ditën e sotme nga Samiti i Klimës kritikoi vendet e mëdha e të fuqishme, që nuk paraqiten në takim dhe nuk bëjnë sa duhet për ndryshimet klimatike.
Samiti i Klimës në Baku është një ngjarje ndërkombëtare e rëndësishme e cila mbledh së bashku liderë botërorë, ekspertë të klimës, përfaqësues të qeverive, organizata ndërkombëtare, dhe aktivistë mjedisorë për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet në lidhje me ndryshimet klimatike.
Ky Samit shërben si një platformë për dialog dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.bw
Anijet e Flotës së Kaspikut të Rusisë gjatë stërvitjeve në prill të vitit 2021.
Sergei Dobrynin, Andrei Besedin, Ray Furlong
Forcat ushtarake ruse në dhe përreth Detit Kaspik duket se po sulmojnë Ukrainën dhe ende nuk dihet ndikimi që kanë këto sulme në mjedisin lokal apo sa i përket numrit të viktimave, shkatërrimit të shkaktuar apo caqeve që po godasin.
Zyrtarët ukrainas raportuan se avionët luftarakë rusë gjuajtën raketa nga deti në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, të nisur nga Moska më 2022, dhe vazhdimisht raportojnë për sulme të tilla.
Njerëzit që jetojnë pranë Kaspikut kanë raportuar po ashtu për lëshime raketash. Gjatë këtij viti, madje ata kanë publikuar një video që me sa duket shfaq lëshimin e një rakete lundruese të llojit, Kalibr.
Disa banorë lokalë kanë thënë se ky aktivitet ushtarak po shkakton ndotje, ndërkaq disa gazetarë kanë sugjeruar se ka një lidhje mes lëshimeve të raketave dhe ngordhjes së fokave të Kaspikut.
Rusia nuk ka konfirmuar se përdor Kaspikun për të kryer sulme ndaj Ukrainës, por jo gjithmonë ka qenë kështu. Në tetor të vitit 2015, media zyrtare citoi ministrin e atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të ketë thënë se Flota e Detit Kaspik kishte sulmuar caqe në Siri duke përdorur raketat Kalibr. Po ashtu, për një sulm nga Kaspiku kishte edhe një raportim një vit më pas.
Raportimet për sulme që nga viti 2022 kryesisht kanë qenë për bombarduesit që kanë fluturuar mbi Kaspik dhe që kanë gjuajtur raketa lundruese të llojit X-55.
Është e mundur që Flota e Kaspikut ka gjuajtur raketa Kalibr, por forcat e armatosura ukrainase kanë thënë se nuk ka dëshmi të qarta për këtë.
Një video e publikuar në qershor nga një peshkatar tregoi dy raketa. Lëvizja e bishtit të raketës ishte më e ngjashme me atë të një rakete Kalibr sesa të një rakete lundruese të lëshuar nga ajri.
Por, shqetësimet lokale për ndikimin në mjedis të Flotës Kaspik të Rusisë datojnë para nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. Moska veçse ishte duke ndërtuar një bazë të re për flotën në Kaspik, në Dagestan, dhe në qershor të vitit 2020 atje kishte mbajtur një paradë detare.
Një banor vendas i tha Radios Evropa e Lirë se ngjarja, e cila që atëherë është mbajtur në baza vjetore, e mbulon detin me naftë dhe pas kësaj parade, brigjet mbushen me peshq të ngordhur.
“Rreth 30 vjet më parë, deti ishte plot jetë. Nuk është më. Notova te anijet gjatë verës dhe pash se çfarë po ndodhte. Flota e Kaspikut është një nga faktorët”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë është shpallur “organizatë e padëshirueshme” nga Moska, prandaj emri i këtij personi nuk mund të zbulohet. Nëse do të zbulohej emri i bashkëbiseduesit, ai do të përfundonte prapa grilave.
Një banore lokale, e cila po ashtu duhet të mbetet anonime, tha se është zhvendosur në Kaspik nga kryeqyteti rajonal, Makaçkala, nëntë vjet më parë, duke shpresuar se uji do të ishte më i pastër.
Ajo tha se situata kishte “ndryshuar shumë” në atë kohë dhe foli për ndikimin që kanë paradat vjetore detare.
“Anijet nuk janë në port, ato janë të ankoruara në det të hapur. Ato djegin karburante pandërprerë, gjithmonë dëgjohen motorët e tyre dhe sigurisht i gjithë ky emetim shkon në det”, tha ajo.
“Më pas anijet nisin të qëllojnë. Është një atmosferë e tmerrshme. Vjen era e djegies edhe nëse dritaret janë të mbyllura… është e pamundur të marrësh frymë”.
Flota po ashtu mban stërvitje çdo shtator. Këtë vit, mbi 30 anije ishin të përfshira në stërvitje.
Pavarësisht se stërvitjet mbahen më thellë në det, burimet e REL-it thanë se karburanti i derdhur dhe peshqit e ngordhur grumbullohen në breg.
Gazetarët i kanë lidhur stërvitjet dhe aktivitetet luftuese me nivelin e ndotjes dhe ngordhjen masive të fokave.
Si Kalibr, ashtu edhe raketat lundruese X-55, përdorin karburante toksike që mund të derdhen në det.
Por asnjë e dhënë e pavarur shkencore nuk është mbledhur në Kaspik për të vlerësuar ndikimin e aktiviteteve ushtarake të Rusisë ndaj mjedisit atje.
Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po vepron me shpejtësi për të plotësuar postet në administratën e tij të sapolindur me zyrtarë republikanë, të cilët kanë qenë më besnikët politikisht ndaj tij gjatë katër viteve që ai nuk ishte në detyrë.
Presidenti i zgjedhur Trump, sipas njoftimeve të ndryshme të mediave amerikane, synon të emërojë Senatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar të shtetit.
Të martën në mbrëmje, ai njoftoi se guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, do të jetë drejtuesja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ndër të përzgjedhurit e tjerë për anëtarë të kabinetit qeveritar është edhe Pete Hegseth, i cili do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes. Zoti Hegseth është ish-ushtarak dhe ka drejtuar emisione në kanalin televiziv Fox News.
Zoti Rubio dhe zonja Noem radhiteshin në listën e kandidatëve të mundshëm për nënpresident disa muaj më parë. Ndërsa zoti Trump më vonë përzgjodhi senatorin e Ohajos JD Vance, tashmë nënpresidenti i zgjedhur, si zoti Rubio ashtu edhe zonja Noem vazhduan ta mbështesin zotin Trump, që fitoi bindshëm zgjedhjet javën e kaluar përballë Nënpresidentes demokrate Kamala Harris.
Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi gjithashtu se do të emërojë ish-drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Ratcliffe për të shërbyer si drejtor i CIA-s. Zoti Ratcliffe ishte drejtuesi i gjashtë i zbulimit kombëtar, që shërbeu gjatë tetë muajve të fundit të administratës së ish-Presidentit Trump. Zoti Trump njoftoi gjithashtu të martën se ka përzgjedhur zotin William McGinley si këshilltar ligjor të Shtëpisë së Bardhë.
Ndër njoftimet e tjera të bëra nga presidenti i zgjedhur, është se dy sipërmarrësit Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy do të bashkëdrejtojnë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë. Në njoftim thuhet se ata do të ofrojnë këshilla dhe udhëzime “për të drejtuar reformën strukturore në shkallë të gjerë” të qeverisë federale.
Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu vendosi të emërojë si këshilltar për sigurinë kombëtare ligjvënësin nga Florida, Michael Waltz. Zoti Waltz në fillim të këtij viti mbështeti një përpjekje të ligjvënësve republikanë për t’i vënë emrin e zotit Trump aeroportit ndërkombëtar të Uashingtonit.
Presidenti i zgjedhur Trump të hënën emëroi edhe Thomas Homanin, ish-drejtuesin për emigracionin, si “drejtuesin kombëtar për çështjet e kufirit”, për të drejtuar përpjekjet për të deportuar drejt vendeve të origjinës ndoshta miliona emigrantë pa dokumente që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Mediat njoftuan se Stephen Miller, një tjetër këshilltar i zëshëm kundër emigracionit, që shërbeu në mandatin e parë të ish-Presidentit Trump, do të emërohej si zëvendës shefi i kabinetit të presidentit të zgjedhur për politikat.
Presidenti i zgjedhur përzgjodhi një tjetër mbështetëse të vendosur, ligjvënësen nga Nju Jorku, Elise Stefanik, si ambasadoren e re amerikane në Kombet e Bashkuara. Ai emëroi ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee, si ambasador në Izrael.
Pak përpara zgjedhjeve, zoti Trump, i cili rrallë pranon publikisht gabime, i tha drejtuesit të një emisioni podcast Joe Rogan se gabimi i tij më i madh gjatë mandatit të tij nga 2017 deri në 2021 ishte punësimi i “njerëzve të këqij, ose njerëz jo besnikë”.
“Përzgjodha disa njerëz që nuk duhej t’i kisha zgjedhur”, tha ai.
Disa nga zyrtarët e lartë që ish-Presidenti Trump zgjodhi në atë kohë, përfshirë ish-shefin e kabinetit John Kelly dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare John Bolton, u bënë kritikë të ashpër publikë të zotit Trump, pasi ai i hoqi nga detyra. Zoti Kelly tha gjatë fushatës së këtij viti se ish-Presidenti Trump përmbushi përkufizimin e një sundimtari fashist. Ish-Presidenti Trump i sulmoi të dy ish-zyrtarët, duke e quajtur zotin Kelly “një ngacmues, por një person të dobët” dhe duke e nënçmuar zotin Bolton si “një idiot”.
Përpara zgjedhjeve, zoti Bolton tha se: “Ajo që Trump-i do të kërkojë nga kandidatët për postet e larta në një mandat të dytë është besnikëria. Ai dëshiron burra që thonë vetëm ‘po’ dhe gra që thonë vetëm ‘po’.”
Senatori Rubio u përplas ashpër me zotin Trump gjatë kandidimit të tyre në vitin 2016 për marrjen e kandidaturës zyrtare për president të Partisë Republikane, që u fitua nga zoti Trump. Zoti Rubio bëri shpoti ndaj zotit Trump duke i thënë se kishte duar të vogla dhe një nxirje të lëkurës ngjyrë portokalli, ndërsa zoti Trump e nënçmoi duke e quajtur “i vogli Marko”.
Por senatori Rubio, si shumë kritikë të tjerë të dikurshëm të zotit Trump, ishte një mbështetës i vendosur i tij gjatë fushatës së këtij viti. Vitet e fundit, zoti Rubio ka mbajtur haptazi një linjë të ashpër në politikën e jashtme, duke mbajtur qëndrime të ashpra për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kinën, Iranin, Venezuelën dhe Kubën.
Ai ka qenë ndonjëherë në mosmarrëveshje me republikanët që ishin skeptikë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktet e largëta, si ndihmat për financimin e luftës së Ukrainës ndaj sulmit të Rusisë në vitin 2022. Por kohët e fundit, ai votoi kundër dërgimit të ndihmave të mëtejshme ushtarake amerikane në Ukrainë, ndërsa zoti Trump ka shprehur gjithashtu skepticizëm për vazhdimësinë e ndihmave amerikane për Kievin.
Zoti Rubio i tha kanalit NBC News në shtator se, “Mendoj se ukrainasit kanë qenë kaq të guximshëm dhe të fortë në përballjen me Rusinë. Por në fund të fundit, ajo që po financojmë këtu është një luftë në ngërç dhe duhet të arrihet në një përfundim, ose ai vend do të kthehet 100 vite prapa”.
“Unë nuk jam në anën e Rusisë – por për fat të keq, realiteti është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar”, tha zoti Rubio.
Zonja Noem mori vëmendje në nivel kombëtar dhe fitoi lëvdata nga konservatorët pasi refuzoi të miratonte një urdhëresë për mbajtje maskash gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2021.
Presidenti i zgjedhur Trump mendohet se po e shqyrtonte madje emrin e saj si kandidate për nënpresidente. Por ajo u përball me kritika të gjera, pasi shkruajti në një libër kujtimesh se pati vrarë me armë një qen “të patrajnueshëm” që ajo “e urrente”, në fermën e familjes së saj.
Zoti Waltz është një ish-ushtarak i njësive të forcave speciale të ushtrisë amerikane, i cili ndan pikëpamjet e Presidentit të zgjedhur Trump për emigracionin e paligjshëm dhe skepticizmin për mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës për Ukrainën.
Zoti Waltz, i cili gjithashtu ka shërbyer në Gardën Kombëtare me gradën kolonel, ka kritikuar aktivitetin e Kinës në rajonin Azi-Paqësor dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë gati për një konflikt të mundshëm në rajon.
Po aq të rëndësishëm sa përzgjedhjet fillestare të Presidentit të zgjedhur Trump janë edhe emrat e dy ish-zyrtarëve që ai i ka refuzuar deri më tani për postet kryesore në administratën e tij të re: Nikki Haley, ish-ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Zonja Haley kandidoi përballë zotit Trump për të marrë kandidimin zyrtar republikan për president në vitin 2024 dhe zoti Pompeo shqyrtoi mundësinë e kandidimit përballë zotit Trump, por më pas u tërhoq.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkon në Uashington të mërkurën për t’u takuar me Presidentin Joe Biden, që fitoi përballë zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020. Bisedat pritet të përqëndrohen tek transferimi i pushtetit kur Presidenti i zgjedhur Trump të inaugurohet më 20 janar. Zoti Trump po planifikon të takohet edhe me ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të policisë në qarqe, për të cilët ka dyshime se kanë lidhje me krimin.
Lala tha se policia sot është “në pikë të hallit” dhe se shumë ngjarje fshihen, çka rrit problematikën për qytetarët.
“Mua nuk më shqetësojnë emrat sepse emrat ikin dhe vijnë. Më shqetëson procesi dhe sistemi.
Sot policia është në pikë të hallit. Ka punonjës të demotivuar, të frikësuar, i drejtojnë njerëz që kanë lidhje me krimin. Më shqetësojnë qytetarët e thjeshtë që përballen me këtë strukturë.
Nuk e keni idenë sa ngjarje mund të fshihen. Kemi raportuar lajm që vëllai i Rrahman Rrajës ishte në kërkim policor sepse dhunoi një familje në zonën e Niklës. Vetëm fakti që nuk pati video, nuk tërhoqi vëmendje, por policia nuk kishtë bërë transparencë.
Më shqetësojnë qytetarët që përballen me represion. Nëse nuk pastrohet policia, do të ketë problematika edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm”, tha Lala.
Komentet