Zelli, mënyra dhe koha e vendimit brutal për izolimin e Berishës nga jeta politike flasin vetëm politikisht. Ato tregojnë se ky është një akt i frymëzuar nga urrejtja dhe hakmarrja politike primitive e PS. Ato zënë fill në 8 dhjetor 1990, pra para 33-vitesh, kur PD përmbysi diktaturën e komuniste. Hakmarrja u shfaq me Revolucionin e 1997, tentuan ta vrasin Berishën me bandat në marsin e ’97 dhe në fushatën e qershorit të ’97-tës, vazhdoi më tej në 1998 me vrasjen e Azem Hajdarit. Të gjitha këto ngjarje të rënda treguan qartë se socialistët vazhdonin me strategjinë e asgjësimit të Partisë Demokratike. Por, me vrasjen e Azemit, ishte realizuar vetëm një pjesë e misionit hakmarrës të socialistëve kundër PD. Problemi mbetej Berisha. Ai, si simboli i lidershipit që rrëzoi Diktaturën, duhej goditur me çdo formë, çdo mjet dhe me çdo kusht.
Që në ditën e parë të ardhjes në pushtet, u pa qartë se Rama kishte ardhur me një strategji sulmi të egër dhe pa princip kundër opozitës. Kjo strategji filloi me retorikën tejet agresive, të tipit gëbelsian, kundër opozitës duke përdorur mediat, shumicën e të cilave i kapi përmes joshjes ose intimidimit në forma të ndryshme. Në këtë strategji sulmi ndaj opozitës, Rama tërhoqi, me mjeshtëri, edhe disa partnerë euroatlantikë, sidomos për goditjen e liderit historik të PD, Z. Berisha, lideri i cili themeloi PD, udhëhoqi rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e demokracisë, udhëhoqi integrimin e vendit në KE dhe NATO, hoqi vizat dhe e la Shqipërinë në prag të marrjes së statusit kandidat të BE. Kjo strategji e Ramës kundër opozitës arriti kulmin e saj me vendimin për arrestimin e kryetarit të PD- ës Berisha. Ajo ishte kartolina e shumëpritur e “liderit” të madh për militantët socialistë dhe aleatët e vjetër e të rinj të tyre deri tek ata pseudodemokratë.
Por kjo goditje nuk është vetëm për shkak të urrejtjes dhe hakmarrjes politike. Koha kur ndodh, pra në vitin e 11-të të pushtetit, tregon se kjo goditje është edhe pasojë e panikut dhe tmerrit që ka pushtuar qeverinë dhe aleatët e saj politikë, të vjetër e të rinj, të deklaruar ose të fshehur, nga rezultatet e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Berisha, i detyruar të rikthehet në politikë në shtator 2021, arriti të fitoj rreth 600 mijë vota, pa logo, pa emër të PD, pa emrin e tij si kryetar i PD në fletën e votimit, dhe në kushtet terrori dhe represioni kur, me një strategji të mirëstudjuar, Rama ka dëbuar nga vendi rreth gjysmën e elektoratit demokrat! Siç duket, ky rezultat shkaktoi tmerr tek maxhoranca dhe aleatët e saj politikë të deklaruar apo të fshehur. Ata kanë llogaritur mirë se Berisha me emrin e vet, logon dhe vulën e PD, në fletën e votimit me siguri i fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare, aq më shumë që kjo qeverisje është tërësisht e degraduar, e diskredituar, pa ndonjë bilanc për qytetarët, e përmbytur nga korrupsioni dhe keq-qeverisja, çka është konfirmuar qartazi edhe në raportet e partnerëve të huaj. Konkluzionet e KE të dhjetorit të këtij viti dhe vendimi për mosfillimin e negocimit të kapitujve të parë, ishin një qëndrim i qartë politik i Brukselit për situatën politike dhe keq-qeverisjen në vendin tonë.
Sigurisht socialistët dhe aleatët e vjetër dhe të rinj të tij, e dinë mirë se Berisha është politikani më popullor dhe shtetari me më shumë përvojë në Shqipëri. Nga ana tjetër, ata e dijnë mirë se Berisha është politikani që është më i informuari për gjithë llumin e kësaj qeverisje në çdo sektor dhe që po e denoncon atë, pa kompromis, çdo ditë në komunikimin me qytetarët e vendit tonë.
Në këtë situatë qeverisë dhe partiçkave aleate të saj, u mbetej vetëm një rrugë: Berisha duhet neutralizuar politikisht, me çdo kusht, madje pa pyetur as për Kushtetutë, as për ligj dhe as për konventa ndërkombëtare. Prandaj u zgjodh edhe forma ekstreme e arrestit dhe izolimit të tij nga komunikimi me demokratët.
Kjo masë vlerësohet nga shumë juristë të njohur si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut sipas të gjitha konventave. Ajo është një qasje diktatoriale e diktaturave të Hitlerit, Stalinit dhe Hoxhës dje dhe neodiktaturave të sotme alla Putin- Llukashenko. Ngjashëm me atë që bëri Putini me transferimin e Navalnit në burgjet më famëkeqe, sapo filloi fushata për quasi-zgjedhjen ose me saktë rizgjedhjen e Putinit, atë bëri edhe Rama me izolimin e Berishës tani që po afrohen zgjedhjet e reja të përgjithshme. Edhe Navalny i dërgoi pardje një videomesazh popullit opozitar rus nga kampet famëkeqe në Siberi, ndërkohë që Berishës i është ndaluar komunikimi si kryetar i PD me anëtarët dhe forumet e saj!
Kjo masë jo vetëm e turpëron një vend të NATO-s dhe pret të fillojë negociatat me BE, por krijon edhe një precedent shumë të rrezikshëm. Pas 30 dhjetorit jo vetëm qytetari i thjesht por edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk është i sigurt nga përballja me masa të tilla shtrënguese tipike të diktaturave në të egra, naziste dhe komuniste. Tani ka mbetur hapi i fundit i pa ringjallur nga periudha e këtyre diktaturave, ai i torturave fizike dhe psiqike ndaj personave nën hetim dhe të akuzuar. Nuk është çudi që kësaj maxhorance me aleatët të saj, të deklaruar dhe të maskuar, një ditë t’u shkoj mendja që të bëjnë votat dhe të ndryshojnë Kushtetutën jo vetëm për rikthimin e torturës por edhe të dënimeve kapitale për “kriminel shumë të rrezikshëm” si Berisha! Prisni se nuk keni parë gjë akoma se çfarë mund të pjellë kjo monstër aleancë e re që tani është reale dhe një ditë do të jetë edhe në letër.
Është e frikshme se deri në çfarë përmasash ka arritur kontrolli politik mbi të ashtuquajtur faktorë opozitarë. Për këtë precedent kaq të rrezikshëm që krijohet në vendin tonë, nga e cili rrezikohet jo vetëm çdo qytetar i thjesht por edhe çdo deputet i Kuvendit, duhet të kishte ngritur zërin çdo faktor opozitar që nuk e pranon diktaturën apo neodiktaturën. Por kjo nuk ndodhi, sepse sot çdo politikan dhe deputet ose është i kapur ose është i kërcënuar realisht nëse e ngre zërin.
Është e frikshme se deri në çfarë përmasash ka arritur kontrolli politik mbi median dhe shoqërinë civile. Përveç disa gazetarëve kurajozë, mediat e kanë mbyllur gojën, ndërkohë që edhe në Rusinë e Putinit ka akoma gazetarë që u aktivizuan për të gjetur se ku ishte zhdukur Navalni. Organizatat të vërteta të shoqërisë civile jashtë kontrollit të qeverisë thuajse nuk ekzistojnë në vendin tonë. Dhe çfarë fati mund të ketë demokracia në një vend ku media dhe shoqëria civile është nën kontroll të plotë të qeverisë!
Është e frikshme se deri në çfarë përmasash ka arritur kontrolli politik mbi çdo faktor tjetër shoqëror në vendin tonë, sidomos intelektualët. Të gjithë të tmerruar dhe nuk ngrenë zërin për standarte të tilla të diktaturave naziste komuniste, hitleriane-staliniste-hoxhiste, që po aplikohen në një vend gjoja demokratik.
Por ky është realiteti. Ai duhet parë në sy, më së pari nga PD dhe çdo opozitar i vërtetë i këtij vendi. Çdo anëtar i PD dhe drejtues i saj duhet të kuptoj se kjo qeveri nuk është pjesë e një partie normale politike kundërshtare, por ajo rrjedh, fatkeqësisht, nga krahu radikal socialist, Rilindja, e cila ka strategji të saj jo mundjen elektorale me votë të PD-ës, por asgjësimin e saj me çdo mjet dhe sa më shpejt. E thënë më thjesht, Rilindja synon që PD-së si forca politike që rrëzoi diktaturën komuniste, nuk duhet t’i mbetet as nami as nishani në historinë politike të Shqipërisë.