Fort i dashur President i Republikës së Kosovës, miku im i shtrenjtë, Hashim Thaçi! Fort të dashur bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare!
… Zonja dhe zotërinj!
Nga zemra, të gjithëve, pa përjashtim, faleminderit që keni ardhur, faleminderit që keni folur rretherrotull jush për këtë takim të parë të shtegtarëve të shqipes në vendin amë, për t’u parë sy më sy dhe për t’u dëgjuar, duke këmbyer shqetësime dhe ide për ku jemi e ku duam të vemi së bashku, të ndarë nga gjeografia, por të bashkuar në truallin e Shqipërisë sonë shpirtërore.
Shqipërisë së stërgjyshërve tanë dhe të fëmijëve që do të bëjnë fëmijë, këtu apo anembanë një bote, e cila sot na jep mundësinë fantastike të komunikimit e të ndërveprimit në rrjete të pafundme dixhitale që e zerojnë distancën fizike nga mëmëdheu, kur është fjala për t’i çuar njëri-tjetrit fjalë, projekte e plane pune.
Faleminderit dhe atyre që, të pamundur të vijnë, janë me ne shpirtërisht, apo mund të jenë me ne edhe virtualisht, falë teknologjisë së lartë të komunikimit e ndërveprimit. Shumë prej jush nuk e njohin këtë Pallat, Pallatin e Brigadave apo pallatin e vetmisë së madhe, një lloj narcisti që në izolimin e tij kundroi vetveten deri në një përmbytje trishtimi, qysh prej ditës së parë kur përfundoi së ndërtuari e ashtu për shumë e shumë vite, kur Shqipëria ndërkohë, nga mbretëri u kthye në diktaturë e më pas, kur doli prej diktaturës për t’u kthyer në demokraci.
Ky është i fundmi pallat mbretëror i ndërtuar në Europë, çka e bën krejt unikal mes sivëllezërve të vet, qoftë në arkitekturë e qoftë në dizajnin e brendshëm, falë dhe një ustai të madh, Gio Ponti-t, të cilit mbreti nismëtar i kërkoi shërbimin dhe i cili sot konsiderohet botërisht si një nga baballarët e dizajnit modern. Por ky është dhe i vetmi pallat mbretëror në botë, ku asnjë natë nuk ka fjetur asnjë mbret. Histori më vete kjo, brenda historisë së vetë mbretërisë shqiptare, që u krijua nga vullneti i një ish-ministri të Brendshëm dhe më pas kryeministër, mu në kohën kur ideologjia e botës së re kërcënonte ta kthente në gërmadhë botën e vjetër.
Prej pak vitesh, ne ua kemi hapur dyert e këtij Pallati, atyre që mishërojnë forcën e një ëndrre; nxënësve të shkëlqyer, profesionistëve të dalluar, artistëve të spikatur, njerëzve të zotë e të respektuar të kësaj bashkësie shqiptare, ku shembujt e mirë janë rëndom të nënçmuar, apo të harruar në morinë e protagonistëve, apo shprehjeve të përditshme të banalitetit që kanë pushtuar skenën virtuale ku pasqyrohet jeta publike e shqiptarëve të sotëm.
Ky Pallat i bërë nga mbreti, u pagëzua nga pronarët e rinj të vitit 1944 si Pallati i Brigadave, e në fakt qëndroi i kyçur si të ishte burgu i botës së vjetër që u përmbys bashkë me klasën reaksionare të shpallur armiq të diktaturës së proletariatit, të cilët morën arratinë nga sytë këmbët e shumëkush prej tyre iu bashkua diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara apo gjetkë nëpër Europë e në botë.
Mbledhja juaj sonte në këtë Pallat, po aq sa ç’ishte e paimagjinueshme me sytë e së shkuarës, është dhe frymëzuese me sytë e së ardhmes. E meqë ju keni ardhur sonte këtu në këtë Pallat që është ende i fshehtë për shumëkënd, – keni ardhur për të qenë nesër e pasnesër, bashkë me ne që të mendojmë, të flasim, të shkëmbejmë opinione, të debatojmë e të vendosim se si mund ta bashkojmë fuqinë e ëndrrave, të ideve, por dhe të parave, për ta bërë më të mirë, më të fortë, më të begatë, Shqipërinë e gjeneratës tjetër, – më lejoni t’ju rrëfej një të fshehtë të vogël.
Në shtatorin e 2015-s, unë gjendesha në New York për të marrë pjesë në sesionin e radhës të Kombeve të Bashkuara. Kremtohej me bujë 70-vjetori i asaj organizate, më përbashkuesja në botë dhe në të njëjtin moment, gjendej po aty në New York, edhe mishërimi më shembullor i diasporës më të madhe europiane në Amerikë, asaj italiane, Jorge Mario Bergoglio, ose siç e njohim më mirë, Papa Françesku.
Mundësia m’u dha në atë ditë intensiteti të veçantë emocional që të takohesha me plot shqiptarë, qoftë kolektivisht, falë rrjeteve të tyre të organizuara, qoftë individualisht, me miq apo me shqiptarë të panjohur në rrugët e New York-ut, apo qoftë edhe në sofrën botërisht të mirënjohur shqiptare në New York, të Brunos, bashkë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Kishte kohë në fakt që ne përpiqeshim që të gjenim rrugë të reja për ta përfshirë më shumë diasporën në jetën e vendit tonë, por me siguri ajo kornizë e posaçme rrethanash në zemër të atij vullkani ëndrrash që janë Shtetet e Bashkuara, e tamam në New York, që është kryeqyteti i të gjitha diasporave, e shtyu Lindën, gruan time, që ishte me ne në tryezë, të hidhte idenë fillestare të këtij Samiti.
Nuk është sekret që unë jam njeri kokëfortë, por, duke parë suksesin e fillesës së kësaj nisme, nuk dua që të jetë më e fshehtë e vërteta se idetë e gruas më pëlqejnë nganjëherë më shumë se ato të miat. Prandaj do të më falni që, si burrë atipik shqiptar, në këtë rast, ta falënderoj Lindën që nuk ishte dot këtu, sepse duhet të kujdeset për “Shqipërinë e gjeneratës tjetër” që kemi në shtëpi dhe falënderoj shumë vëllazërisht edhe mikun tim Hashimin, që menjëherë sapo ajo ide u hodh, më tha “Go for it”.
Dokumentari që sapo u shfaq më kujtoi shprehjen paksa të perifrazuar të Gustav Mahler-it, “Kujtesat dhe traditat që e mishërojnë, nuk janë adhurim i hirit, por përkujdestaria ndaj flakës së gjallë që kurrë nuk duhet të shuhet”. Gustav Mahler-i, kompozitor gjenial, thellësisht romantik dhe europian, ishte një hebre, i cili prej fuqisë së estetikës së krishterë ishte vetëkthyer në katolik e thoshte shpesh se ishte tre herë apatrid, pra, pa atdhe; bohemian në Austri, austriak në Gjermani dhe hebre në mbarë botën.
E për çudi, përparimi e vokacioni për integrim dhe përshtatja e shqiptarëve i ka bërë prej kohësh të aftë e të hapur ndaj tri dhuntive që duken sikur janë thuajse të lindura; të kenë një atdhe birësimi, një tjetër atdhe të përzgjedhur si destinacion i ëndrrës për vetë atdheun e tyre, dhe njëkohësisht të ruajnë e të kultivojnë atë që do ta quaja jo atdheun e zemrës, se fundja, zemra ka të përpjeta e të tatëpjeta, por atdheun e rrënjëve.
E më pëlqen ta risjell përpara jush atë personazhin enigmatik të murgeshës te filmi “La Grande Bellezza”, e cila ushqehej vetëm me rrënjë, e pyetjes pse e bënte këtë, ajo i përgjigjej “sepse rrënjët janë të rëndësishme”. Rrënjët që mbajnë sot themelin e dy shtëpive tona në mes të Europës, Shqipërisë dhe Kosovës, kanë krijuar tashmë prej shekujsh atë kurorë të gjelbër e të pamatë që vetëm ndërthuret e ndërthuret edhe më shumë për të dhënë fryte të reja brezash, përpos fryteve që gjeneratat e shkuara kanë dhënë.
Po të kishte pasur këtu, sot, në këtë mbrëmje që është ekskluzivisht e juaja, në këtë Pallat që ju përket të gjithëve ju, po aq sa ç’i përket historisë së tij, diplomatë të huaj, kam frikë se do të kishte filluar paniku se mos unë, përmes përshkrimeve të rrënjëve dhe gjelbërimit shqiptar, po evokoj tinëzisht Shqipërinë natyrale, apo ca më keq, Shqipërinë e Madhe.
Por, në fakt, ja ku jeni ju të gjithë sot, këtu, afro një mijë vetë nga 40 shtete të botës, nga Shtetet e Bashkuara në Australi, nga e Egjipti në Skandinavi, nga Lugina e Preshevës në Greqi, nga Maqedonia në Mal të Zi, jo si shtegtarë të fantazmës së dy koncepteve boshe, që e mbushin aq shumë propagandën ultranacionaliste “pro” apo “kundër” Shqipërisë, por si mishërimi më autentik i asaj që unë dua ta quaj dhe ta shoh me shumë shpresë si Shqipëria e përmbushur prej bijsh e bijash, që pavarësisht se ku banojnë në këtë tokë, ushqehen me rrënjët e saj, e kësaj pjese të vogël të tokës që quhet atdheu i shqiptarëve. Sepse rrënjët janë të rëndësishme.
Prej më se dy shekujsh e ca, qysh se revolucioni francez dhe ai industrial vunë mbi shinat e progresit lokomotivën njerëzore, jehon thirrja e famshme e një intelektuali dhe statisti liberal francez, Guizot, i cili thoshte: “Enrichissez-vous”/pasurohuni, kamuni.
Për këtë dhe shkrimtar e historian, ca kohë dhe kryeministër, i cili radhiti Francën mes vendeve më të hapura ndaj zhvillimit, kjo thirrje kishte brenda mesazhin drithërues të kundërvënies ndaj mendësisë që në emër të të varfërve e thërret në luftë njerëzinë kundër të pasurve.
Ndërkohë që vendet pasurohen duke u krijuar njerëzve liri dhe konkurrencë të drejtë për t’u pasuruar dhe jo duke luftuar ata që pasurohen falë talentit, kurajës dhe vullnetit të tyre. Sepse problemi i vendeve të varfra nuk mund të jenë kurrë të kamurit, të talentuarit, të diturit, kurajozët, vullnetfortët, që e çajnë me sukses rrugën e tyre, por është varfëria. Dhe rrënjët e varfërisë janë mungesa e lirisë dhe e diturisë.
Diaspora shqiptare me një mijë vështrime, një mijë histori personale dhe kolektive, është rrënja e një trungu të lartë eksperiencash fantastike, të mundësuara pikërisht nga liria dhe dituria. Dhe, duke u afruar më shumë me diasporën dhe duke bërë më shumë për diasporën, Shqipëria dhe Kosova mund të bëhen trualli ku eksperiencat fantastike të diasporës të lulëzojnë edhe në dy shtëpitë tona, me liri dhe me dituri.
Pa diasporën, Shqipëria është më e cunguar se një territor i copëtuar në mijëra pjesë. Pa secilin prej jush dhe atyre që ju përfaqësoni këtu, ne jemi një bashkësi e papërmbushur, e paplotë dhe e pazhvillueshme në potencialin e saj. Prandaj, t’ju jesh mirënjohës që keni marrë rrugën për të ardhur deri këtu nga 40 vende të botës, është pak të thuhet.
Duke iu përgjigjur një thirrjeje që ne e lëshuam si ato shishet në det të hapur, ju u bëtë, ndoshta deri sot, i vetmi përgënjeshtrim i gjallë i babait të madh të kombit në diasporë, i cili, megjithëse ishte shumë cinik, për hir të së vërtetës kishte fatkeqësisht, pothuajse gjithmonë, të drejtë kur fliste për ne shqiptarët. Në një letër drejtuar anëtarit të shquar të kolonisë së Bukureshtit, Visar Dodanit, në 1897-n, Faik bej Konica shkruante:
“S’kam shpresë të bëhet kurrgjë kafshë dhe jam i sigurt se të gjithë ata që mendohen pak, me mendjen time janë. Që të kishim shpresa, duhej shqiptarët sot të kishin në njëmijë vende komitete të shëndosha, të kishim propagandistë për të vajtur fshat më fshat nëpër tërë Shqipërinë, të kishin gazeta nëpër tërë viset e Europës, po s’kanë asgjëkafshë dhe ç’është më e keqja, të pasurit nuk ndihen, të papasurit nuk punojnë”.
Në shekullin e 19-të, Shqipëria nuk i kishte ende plotësisht krah, bijtë e saj, të shpërndarë nga mjerimi dhe shtypja. Ata luftonin thjesht për mbijetesë. Ai ishte brezi i parë i diasporës shqiptare, që sidoqoftë kishte një vetëdije kombëtare.
Në 25 vitet e fundit pas rënies së diktaturës ishte Shqipëria që në vobektësinë e saj, jo dhe aq materiale sesa morale dhe në një amulli politike që desh u kthye një lëngatë kombëtare, u shndërrua për diasporën në një lloj destinacioni pa fryt. Në një lloj ngrehine pa katandi, në një lloj trashëgimie të kushtëzuar nga borxhet.
Ndërkohë që dërgesat e parave, investimet tuaja, mbështetja pa kufi dhe lobingu fantastik që ju të gjithë dhe të gjithë ata që ju përfaqësoni keni bërë për vendin amë, ku më e shkëlqyera në histori mbetet mbështetja për Kosovën e lirë, pa i kërkuar thuajse asgjë në këmbim, nuk janë vetëm ndihma më e drejtpërdrejtë që mund t’u keni dhënë të afërmeve tuaj në Shqipëri, Kosovë dhe shoqërive të tyre në rrugën e mundimshme drejt rimëkëmbjes, por janë shembulli më kuptimplotë i asaj që shqiptarët mund të bëjnë, nëse arrijnë të bëhen bashkë.
Dhe të gjitha këto e shumë e shumë të tjera që mund të sillen në vëmendje dhe që pa dyshim do të fliten gjatë këtyre dy ditëve, janë mësime dhe pësime për ne, që duhet të na ndërgjegjësojnë njëherë e mirë sem po aq sa është e jona Shqipëria, është edhe e juaja.
Ndërkohë që po të shohim se çfarë ata që kanë ikur, kanë bërë për Shqipërinë, duket sikur Shqipëria ka qenë më shumë e tyrja sesa e jona, në dashuri, në përkushtim dhe në besnikërinë e pakushtëzuar ndaj saj. Nuk është turp, por është një ngushëllim jo i vogël të thuash se prej jush, prej mënyrës se si ju veproni, sesi ju jetoni, se si ju e përjetoni atdheun, ne duhet të kuptojmë këtu në Shqipëri, se si dhe se sa më shumë akoma mund dhe duhet ta duam vendin tonë.
Diaspora shqiptare është në fakt, një shkollë e vërtetë jete. Ka qenë një shkollë e vërtetë jete për të gjitha ata që kanë ikur më pas dhe janë marrë atje përdore nga ata që kanë gjetur, por është një shkollë e vërtetë jete për ne që jemi këtu dhe, ashtu sikundër ata që ju keni gjetur atje, janë gjendur dhe ju kanë marrë për dore për t’ju ndihmuar në hapat e parë drejt suksesit, ashtu dhe diaspora duhet t’i gjendet dhe ta marrë përdore Shqipërinë, për ta ndihmuar që të hedhë hapa të tjerë drejt suksesit.
Jua them me shumë sinqeritet, mbase ne praktikisht nuk kemi asgjë për t’ju mësuar, por e kemi organizuar këtë Samit, sepse jemi të vetëdijshëm që kemi shumë për të mësuar nga ju. Dhe ne duam, unë ëndërroj që ky Samit i Diasporës të kthehet në një universitet sezonal, ku nuk janë më të gjithëditurit e një shoqërie që rri dhe vetëm flet, por janë historitë e suksesit, janë historitë njerëzore të atyre që mund të jenë bërë shumë të famshëm, apo të atyre që askush nuk i njeh, por që së bashku, pa dallim na bëjnë të ndihemi krenarë që jemi bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare të tyre. Të atyre edhe këtu ndër ju që janë krejt të panjohur për publikun, por që në rrugën e tyre të jetës, në vendet ku jetojnë kanë bërë si shqiptarë shumë më tepër seç mund të kenë bërë shumë të tjerë që i bien gjoksit këtu në Shqipëri, televizor më televizor e tribunë më tribunë.
Dhe synimi ynë për këtë Samit është i thjeshtë, sepse është i drejtpërdrejtë. Ne nuk kemi një recetë të parashkruar, nuk kemi as një projekt të bërë gati dhe nuk duam që samiti të jetë një teatër ku ne të bëjmë sikur u mblodhëm, sikur folën, sikur vendosëm dhe në fund fare, ju largoheni pa lënë pas gjurmën e eksperiencës suaj. Jo, ne duam që të ulemi, të flasim hapur, ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, për të kuptuar më mirë se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku dhe natyrisht, për të planifikuar më mirë së bashku, atë që mund të investojmë në dije dhe në para për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë edhe gjatë këtyre dy ditëve, edhe në vazhdim.
Dua t’i kërkoj ndjesë kujtdo që duke na ndjekur mund të ndihet i dëshiruar për të qenë këtu dhe mund të mos i ketë mbërritur ftesa. Dua t’i kërkoj ndjesë kujtdo që e ka marrë ftesën dhe mund të mos ta ketë kuptuar këtë qëllim të pastër tonin. Dua t’i kërkoj ndjesë dhe kujtdo që në momentin e fundit ka vendosur të mos vijë, sepse ka thënë ‘s’po shkoj atje të ngatërrohem me komunistët’. Sepse të gjithë këtyre iu takon ndjesa, pasi në fund të fundit është një mungesë e madh besimi që është krijuar në shumë vite ndaj pushtetit këtu në Tiranë, për shkak se, sa herë politikanët janë shfaqur përpara diasporës, e kanë bërë më shumë për të dalë në televizion në Shqipëri, sesa për të dëgjuar çfarë kanë pasur për të thënë ata që kanë takuar atje.
Nga ana tjetër dua t’i siguroj të gjithë që, nëse kemi gabuar me ndonjërin që nuk kemi mundur t’i çojmë dot ftesë, nëse kemi gabuar me ndonjë tjetër që mund t’ia kemi bërë ftesën, por nuk i kemi dhënë mundësinë të flasë, nëse kemi gabuar me ndonjë të tretë, për nuk e di për çfarë arsye, të gjitha këto kanë qenë gabime të pafajshme e jo të qëllimshme.
E do t’ju lutesha shumë të gjithëve që, nëse do të shikoni defekte gjatë organizimit të këtij samiti, të na ndjeni. Ndjesën po jua kërkoj që përpara, sepse është një organizim shumë i vështirë, pasi është hera e parë dhe e vërteta është që në 20 e kusur vite, askush nuk u kujtua as t’i regjistrojë shqiptarët se ku janë. Nuk kemi trashëguar asnjë statistikë mbi ku janë, çfarë bëjnë, në cilat fusha operojnë. Dimë pak ose në mënyrë sporadike mbi disa talente që janë shfaqur në sytë e gjithë botës, e për këtë shkak i kemi njohur edhe ne. Por faktikisht është koha dhe ne kemi nisur ta bëjmë, që të regjistrojmë çdo frymë njeriu që flet shqip në çdo cep të kontinentit tonë, dhe kjo është edhe baza për t’u dhënë të gjithë atyre që jetojnë jashtë vendit tonë, të drejtën që të marrin pjesë në procesin demokratik, duke votuar pa qenë nevoja të vijnë dhe të paraqiten në qendrën e votimit këtu, te shtëpia e vjetër e babës, apo te shtëpia e vjetër e vjehrrës.
Duke e mbyllur, të dashur miq, dhe duke ju siguruar që kurrë ky Pallat nuk ka qenë kaq i ngrohtë, edhe pse këtu, ngrohja qendrore nuk punon mirë, sepse sot është mbledhur grupi më i madh njerëzor këtu dhe me gjithë këtë flakë që secili ka brenda, jemi bërë gati që edhe pak e të dalim me mëngë të shkurtra, nëse dëshirojmë. Por nuk po shtyhem më tutje, se duke më parë mua, mund t’ju kujtohet ndonjë gjë më shumë se mëngët e shkurtra.
Po e mbyll me të vërtetën, që ka ardhur koha të rigjendemi rreth asaj ushtime historike që vjen që nga piramidat e Gizeut, prej të cilave, siç thoshte Bonaparti në kulmin e sipërmarrjes së tij rinore, “40 shekuj na kundrojnë”, po aq sa diasporat sot, të përfaqësuara këtu. Dhe këtë ushtim, Thimi Mitko, pionieri i kolonisë shqiptare të Egjiptit, e përshkruan kështu, në një letër të vitit 1888:
“Mblidhi vëllazërisht të gjithë, çkathtoi sa t’mund, për të dëftuar se rron Shqipëria e nuk u tret; gjithë vllëzërve u falemi me shëndet dhe i lutemi Zotit të jetës t’u japë zemër të gjerë e të mirë për këtë punë të shenjtë që kemi zënë.”
Rroftë Shqipëria! Rroftë Kosova! Rrofshin shqiptarët, kudo ku janë, jetojnë dhe punojnë!
* Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e Samitit të parë të Diasporës Shqiptare
Komentet