VOAL

VOAL

Pse shkruajmë me dorën e djathtë dhe 10 fakte që duhet të dini për mëngjarashët

February 20, 2018

Komentet

Raketa evropiane Vega lëshohet me sukses në hapësirë

Lëshuesi evropian, i cili u ngrit nga baza hapësinore Kourou në Guiana Franceze, vendosi në mënyrë të përkryer në orbitë një satelit nga programi Copernicus

VOAL- Raketa Vega përfundoi me sukses misionin e saj të fundit të mërkurën, duke vendosur një satelit vëzhgimi në orbitë. Ky lëshim konfirmon kthimin e Evropës për angazhimin në hapësirë.

Fillimisht e planifikuar për një ditë më parë, por u vonua me 24 orë për shkak të “problemeve elektrike me lidhjet në tokë”, ngritje u zhvillua më në fund të mërkurën në orën 22:50 (3:50 të mëngjesit në Zvicër) në Kourou, Guiana Franceze. Qendra Hapësinore e Guajanës postoi në rrjetet e saj sociale: “Ngritja e suksesshme për misionin e fundit Vega nga porti hapësinor i Evropës!”

Raketa mbante satelitin Sentinel-2C për programin Copernicus të Bashkimit Evropian. Sateliti u vendos me sukses në orbitën sinkrone të Diellit në një lartësi prej rreth 775 km, 57 minuta dhe 27 sekonda pas lëshimit. ATS/RSI

ANDRONIKA ARIANITI KOMNENA KASTRIOTI, JETA NË OBORRET E MBRETËRISË SË NAPOLIT DHE TË SPANJËS Nga Dr. Lutfi ALIA

 

Andronika Arianiti Komnena, e bija e princit Gjergj Arianiti dhe Maria Muzaka, u lind në vitin 1428. Në moshën 23 vjeçe u martua me Gjergj Kastriotin, Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae). Dasma vazhdoi një javë. Martesa u celebrua më 21 prill 1451 me ritin ortodoks në kishën QishBardha në Kaninë. Lidhja martesore dhe bekimi ungjillor u celebruan më 23 prill 1451 në kishën Shen Maria të Manastirit ortodoks të Ardenicës. Më 26 prill 1451, martesa u celebrua me rit katolik në katedralen e Krujës. Në dasëm morën pjesë zevendës-mbreti i Napolit, ambasadori i Serenissima, përfaqësues të mbretërivë të Spanjës, të Hungarisë, të Polonisë, të Dukatit të Milanos, të Dukatit të Urbinos, të Republikave të Firences, të Sienës e të Raguzës etj. Ndër dhuratat për Andronikën, dallohet një kameo, me portretin e Gjergj Kastriotit, të gdhendur në gurë të bardhë onyx, dhuruar nga Francesco Foskari, Dozha i Republikës së Venecias.

Nga martesa e Gjergjit me Andronikën, më 26 prill 1454 lindi djali Gjoni II, të cilin e pagëzuan më 24 qershor 1454, ditën e festës të Shën Gjon Pagëzorit. Gjoni II u pagëzua në katedralen e Krujës me ritin katolik nga Raymondo D’Ortosa, i deleguari me prokurë nga Alfonsi V Aragon, mbreti i Napolit ndërsa kumbari i Gjonit II ishte Ferrante I, djali i Alfonsit V, mbreti i Napolit.

Andronika, Zonja e parë e Arbërisë, gëzonte admirimin, stimën, respektin dhe nderimin e mbarë popullit arbëror, sepse të gjithë shihnin te Andronika zonjën fisnike e guximtare, nënën e përkushtuar dhe të përzemërt. Ajo shquhej për karakterin e fortë, për mençurinë dhe dinjitetin, si përshkruhet në mijëra vepra të autorëve të huaj dhe shqiptarë, të dedikuara Gjergj Kastriotit. Andronika u shqua për aftësi të admirushme në përballimin e vëshirësive dhe të vuajtjeve që kishin krijuar sulmet e vazhdushme të ushtrisë barbare të Perandorisë Osmane. Andronika, bashkëshorte besnike dhe kurajoze, iu ndodh pranë dhe e mbështeti Gjergjin në rezistencën heroike kundër sulmeve të armiqëve turqë, ashtu përballoi me kurajo vështirësitë e krijuara nga intrigat e brendëshme dhe nga tradhëtitë e Hamza Castriotit dhe të Moisi Golemit.

Në vitet 1451 – 1468, gjatë sulmeve të vazhdueshme të hordhive turke kundër Albanisë, Andronika përballoi një jetë të vëshirë dhe së bashku me te birin, u detyrua të jetonte në malet arbërore, e bujtun, e mirëpritur me nderime dhe e mbrojtur nga familjet malësore. Gjatë viti 1467, Andronika dhe djali Gjoni II jetuan në feudet e tyre San Giovanni Rotondo dhe Monte Sant’Angelo in Puglia. Në janar të viti 1468 u detyruan të rikthehen në Arbëri, pasi Gjergj Kastrioti ishte sëmurë nga malaria.

 

 

Monografia “Andronika dhe Gjoni II Kastrioti. Shtëpia botuese “Streha” 2023

Andronika dhe Gjoni II Kastrioti në Mbretërinë e Napolit. (1468 – 1501)

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit Skenderbeu më 17 janar 1468, Andronika dhe i biri Gjoni II, u detyruan të braktisnin atdheun e të shkonin në mbretërinë e Napolit të ftuar nga mbreti Ferrante I. Në letrën e ngushëllimit të 24 shkurtit 1468, mbreti Ferrante I i shkruante Zonjës Skënderbega: “E përndritura Zonjë, nënë e dashur, me keqardhje të madhe u njoftuam për vdekjen e shumë të ndriturit Skenderbe, burrit tuaj, i cili për ne ishte si një baba … Unë kam dërguar te ju, fisnikun Ieronimo de Carvineo, kushëriri im, te i cili duhet të keni besim, sepse ai do t’iu ndihmoi të vini e të jetoni në mbretërinë tonë”. [A. S.N. Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod. Aragonese, pp. 439 – 440].

Në ditët e para të muajit mars 1468, Ieronimo de Carvineo, me tre anije arrijti në portin e Rodonit dhe organizoi lundrimin e Andronikës me djalin Gjoni II  dhe të familjarëve. Në fund të muajit mars 1468, zbarkuan në portin e Barit. Bashkë me Andronikën dhe Gjonin II, ishin Brana Konti Granai Kastrioti me bashkëshorten Maria Zardari (kushërira e Andronikës), personeli i shërbimit dhe reparti i ushtarëve napolitanë, që kishin shërbyer në mbrotje të kështjellës së Krujës.

Fillimisht, Andronika dhe Gjoni II u sistemuan në rezidencën mbretërore të Aragonëve në Napoli, ndërsa në javën e fundit të muajit maj 1468 u transferuan në një shtëpi në Castel Capuano e më pas në një shtëpi tjetër në Maschio Angoino – Piazza Municipio e Napolit. Në një dokument të Kancellerisë  mbretërore të datës të 23 maji 1468, rezulton se mbreti Re Ferrante I, i dhuroi Andronikës 1000 dukate, për të përballuar jetesën bashkë me familjarët. [Barone N, Le cedole di Tesoreria dell’Archivio di Stato di Napoli dell’anno 1460 al 1504, nt.7, pp. 225, 607 – 608.]

Më 27 gusht 1469, Andronika dhe Gjoni II u transferuan në shtëpinë e arbërorit Pietro Kola D’Alessandro, në Piazza di Jesu, pranë kishës Shen Kiara, në qendër të Napolit, ku banuan deri në vitin 1477.  Për të përballuar jetesën në Napoli, Andronika kishte mbështetjen e mbretit Ferrante I, i cili e mbështeti me ndihmoi financiare e me favore fiskale, duke e përjashtuar nga taksat për feudet e San Giovanni Rotondo e di Monte Sant’Angelo in Puglia. Ndihmat dhe favoret fiskale vazhduan në vitet në vazhdim, si rezulton në dokumentat e kancellerisë mbretërore që i përkasin madam Andronikës, si letrat e 1 tetorit 1469,  të 17 shtatorit 1483, të 20 nëntorit 1488, të 5 majit 1492, të 26 nëntorit 1497 etj. [Arch. St. Napoli, Aragonese, Partium, vol. 6, c. 41 a-b].

Pas martesës të mbretit Ferrante I, me gruan e dytë Xhiovana III Aragona e Spanjës (më 14 shtator 1476), mbretëresha e re e mori Andronikën dama e parë shoqëruese, madje e sistemuan në një dhomë në rezidencën mbretërore, ndërsa Gjoni II me bashkëshorten Erina Brancovi? Kastrioti, shkuan të banojnë e të administrojnë  feudet e San Giovanni Rotondo dhe të Monte Sant’Angelo në Puglia, feude që ishin në pronësi të Andronikës.

Mbretëresha Xhiovana III, krijoi raporte miqësie dhe konfidence me Andronikën si dama e parë shoqëruese, këshilltare dhe mike besnike. Kur lindi vajza Xhiovana IV, mbret Ferrante I dhe mbretëresha Xhiovana III, ia besuan Andronikës kujdesin, rritjen dhe edukimin e vajzës. Gjatë aktiviteteve zyrtare dhe familjare, Andronika ishte gjithmonë krah mbretëreshës, si përmendet në kronikat e kohës, kur Alfonso II Aragona Duka i Kalabrisë inauguròi residencën e tij në qershor 1488. [Volpicella L. Federico d’Aragona … Ricciardi, 1908, p. 9].

Më 2 gusht 1485, mbreti Ferrante I me dekret vendosi t’i këmbej feudet Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo, me feudet San Pietro në Galatina dhe Soleto, të cilat i dha në pronësi të Andronikës. Këmbimin e feudeve, mbreti Ferrante I, e shoqëroi me një donacion finanziar me 1800 dukate ari, për ta ndihmuar Gjonin II Kastrioti për një integrim fiskal, në rast se rendita e feudeve të reja, do të rezultonte më e ulët sa parashikohej. Mbreti Ferrante I i akordoi Gjonit II Kastrioti titujt e fisnikërisë Duka I i Galatina dhe Konti i Soleto. Në një letër të Pontano më 26 prillit 1492, dërguar mbretit Ferrante I, shkruan: “Sipas akordeve të tjera të Madhërisëë tuaj…, i konfirmuam Andronika Kastriotit, pronësinë e feudeve të reja të San Pietro a Galatina dhe Soleto”. [Monti G. M. La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i suoi feudi della vedova e del figlio. Palaver 4, 2015, pp 121 – 184]

Më 25 janar 1494, vdiq mbreti Ferrante I dhe ne fron u ngjit Alfonsi II Aragon, djali i tij me gruan e parë Isabella Kiaromonte. Në një letër të 20 tetorit 1494, dërguar Madama Schanderbega, mbreti Alfonsi II shprehet me komplimenta dhe respekte për vlerat shpirtërore, për miqësinë dhe besnikërinë e Andronikës ndaj nënës-mbretëreshë  Xhiovana III dhe Xhiovana IV. [A.S.N. Quinternioni, vol. 23, cc. 302 b, 7 b, doc. X. datato da Castel Nuovo di Napoli e con la rubrica “Illustris Andronice Cominate uxoris condam Scandaribech”]

Alfonsi II abdikoi më 23 janar 1495 dhe në fron erdhi i biri Ferrandino. Më 28 shkurt 1496 Ferrandino u martua me Xhiovanën IV, e cila e mori Andronikën dama e parë e shoqërimit dhe këshilltare, kësisoj respektoi dhe nderoi shoqërinë e mikes të nënës Xhiovana III. Kur u rindërtua apartamenti i mbretëreshës Xhiovana IV në rezidencën e Castel Nuovo, Andronikën e sistemuan në dhomën mbi apartamentin e mbretëreshës.

Ferrandino vdiq nga malarja më 7 tetor 1496 dhe froni iu besua Federikut I Aragona, vëllai i Alfonso II. Mbreti Federiku I vazhdoi të respektoi e ta nderoi dama Andronikën, si rezulton në letrën që i dergoi, me të cilën, ndërmjet të tjerave i kërkon të bindi Nënëmbretëreshë Xhiovana III, të heqi dorë nga roli i luogotenentes të mbretërisë dhe të shkoi në Valencia, pranë të vëllait mbretit Ferdinandi II Aragona. Xhiovana III e vlerësoi këshillën e mikes Andronika dhe më 1 shtator 1499 shkoi në Valencia.

Në një dokument të kancellerisë mbretërore e 26 nëntorit 1497, Federico I, urdhëron arkëtarin t’i japi Andronikës 500 dukate nga rendita e Dukës Gjoni II Kastrioti Skenderbeg. [Filangieri Riccardo. Rassegna critica delle fonti per la storia di Castel Nuovo, A. S, Province Napolitane vol. 63, 1938, p. 2]

Në fillimet e viteve ‘500, jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare.

Në vitin 1500 vdiq stërnipi Don Kostantin Kastrioti, ipeshkëvi i Isernia. Don Kostantinin e varrosën në kiostrën e vogël të kishës në Kuvendin Santa Maria La Nuova në Napoli. Në pjesën e poshtëme të monumentit funerar, është një lapide ku ështe gdhendur epitafi, që ia dedikoi gjyshja Andronika Kastrioti.

Po në vitin 1500, vdiq stërnipi tjetër Don Federiko Kastrioti, adhe ai klerik, madje mbreti Federiku I, i kishte propozuar Papës Aleksandri VI, ta emëronte ipeshkëv në vendin vakant të vëllait Don Kostantini, por ky propozim nuk u realizua, për shkak të vdekjes të paapritur të Don Federiko Kastriotit.

Në vitin 1501 Andronika Kastrioti ndodhej në Napoli si dama shoqëruese e Xhiovana IV, si rezulton në një relacion të janarit 1501, i Francesk Morosinit ambasadori i Serenissima në Mbretërinë e Napolit, i cili informon  Senatin: “Mbretëresha Xhiovana IV, pas vdekjes të burrti Ferrandino, mbetur e ve në moshën 24 vjeçe, ndodhet ende në Napoli, në shoqërinë e të devotshmes dhe të admirushmes gruaja e Skanderbeut, një zonjë fisnike e moshuar, dama e parë e shoqërimit dhe mikja e saj intime”.

Më 2 gusht 1501, vejusha Xhiovana IV e shoqëruar nga dama Andronika Kastrioti, u larguan nga Napoli dhe shkuan në Palermo, ku u sistemuan në rezidencën mbretërore Aragoneze, ku qëndruan rreth një vit.

Jeta e Andronikës në oborrin mbretëror të Valencias në Spanjë. (1502 – 1506)

Në javën e parë të korrikut 1502, Xhiovana IV dhe Andronika, e lan Palermon dhe shkuan në Valencia, ku i priti nënambretëreshë Xhiovana IV me të vëllanë mbretin Ferdinandi II Aragona. Pas 34 vite jetese në oborrin mbretëror të Napolit, Andronika, e shoqëruar nga stërnipi 15 vjeçar Alfonso Kastrioti, filluan një jetë të re në Valenzia. Si rezulton nga dokumentat e kancellarisë të mbretërisë spanjolle dhe në kronikat e kohës, në oborrin mbretëror të Valencias, Andronika u prezantua zonjë fisnike, e admirushme, me dinjitet dhe autoritet dhe dama shoqëruese e me përkushtim amëtar për Xhiovanën IV.

Edhe në Valencia, jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare, nga problemet në adminsitrimin e feudeve në San Pietro – Galatina dhe Soleto, si dhe nga problemet shëndetësore.

Në vitin 1503, vdiq aksidentalisht stërnipi 15 vjeçar Alfons Kastrioti. Alfonsin e vogël e varrosën në një lokul anësor në kapellën e Shen Mikelit në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia. Andronika i dedikoi një epitaf të gdhendur në lapiden që mbyll lokulin: “Këtu pushon Alfonsi, nipi i të famëshmit Gjergj Kastrioti, Mbreti i Albanisë, i cili luftoi me heroizëm kundër turqëve…”

Në korrik 1504, reparte të ushtrisë spanjolle të komanduara nga kapiteni Korales dhe të mbështetur nga albanezi Gjon Granai Kastrioti, plaçkitën dhe sekuestruan pronat e Gjonit II Kastrioti dhe arrestua dhe e izoluan në Napoli Erina Kastriotin, gruan e Gjonit II Kastrioti. Sapo u njoftua për këto ngjarje, Andronika i kërkoi mbretit Ferdinandi II Aragon, të ndërhynte që t’i riktheheshin të birit Gjonit II pronat e San Pietro në Galatina si dhe të lirohej menjëherë bashkëshortja e djalit Erina Kastrioti.

Më 8 mars 1505, Andronika i dërgoi letër guvernatorit të San Pietro në Galatina, të cilit i kërkoi të respektoi të drejtat e pronësisë të familjes kastrioti:

Sindico, Universitati Sancti Petri nobis dilectissimis.

Magnifici viri nobis dilectissimi.

… Ishte e pabesueshme çka më njoftuan e shkëlqyera nusja e djalit si vajza e ime dhe nipi im Don Ferrando, andaj ju lutem të qeverisni me rregullat dhe mënyrat e përshtatëshme dhe çka ndodhi të përfundojë mirë e të rikthehen pronat familjes tonë…. Presim nga ju lajme të mira …

Ju përqafoj me dashamirësi të përzemërt.

Valencia VIII mars 1505.

Me trishtim, Andronika e të Shkëlqyerit Skenderbe.

[G. Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia. Rivista storica delle terre adriatiche, 2015, p. 105]

Gjatë vitit 1505 Andronika vazhdonte në shoqërinë e nënësmbretëreshë Xhiovana III e të bijës Xhiovana IV. Për pozicionin e Andronikës në oborrin mbretëror të Spanjës, informon ambasadori i mbretërisë ingleze Thomas Bradley, i cili pas takimit në rezidencën mbretërore me dy mbretëreshat Xhiovana III dhe Xhiovana IV, në relazionin e 23 qershorit 1505 dërguar mbretit Enriku VIII Tudor, përshkruan dhe pozicionin zyrtar të Andronikës: “Në krahun e majtë të nënësmbretëreshë Xhiovana III, si gjithmonë ishte ulur  dama e shoqërimit, zonja dinjitoze dhe këshilltaria besnike Andronika Kastrioti, ndërsa në krahun e djathë ishte kamerlengu Bernard Granai Kastrioti, një burrë dinjitoz, duka i moshuar me mjekër të gjatë”.

Në korrik 1505, jeta e Andronikës u trondit nga një tjetër fatkeqësi e rëndë. Në moshën 51 vjeç i vdiq djali Duka Gjoni II Kastrioti, një humbje e dhimbëshme, që i shkaktoi vuajtje, dëshpërim e trishtim Andronikës dhe  tërë familjes Kastrioti, si dhe komunitetit të madh të arbëreshëve të Italisë. Dukën Gjoni II Kastrioti e varrosën në kapellën e familjes në kishën e Kuvendit Domenikan të Urdhërit të Fretënve Predikues në Galatina. Po në këtë kishë, krah varrit të Gjoni II, në vitin 1514 u varros dhe gruaja e tij, dukesha Erina Brankovi? Kastrioti.

Në muajt e verës të vitit 1506, Andronika u sëmurë me bonkopneumoni. Megjithë mjekimet dhe kujdesin e mjekëve të oborrit mbretëror, gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe më 15 shtator 1506, në moshë 78 vjeç Andronika Arianiti Kastrioti vdiq.

Kurora Mbretërore e Spanjës dhe Ipeshkëvia e Valencisa, organizuan ceremoninë funebre në katedralen e   Valenzia. Mesha për Andronika Kastriotin u zhvillua nga Ipeshkëvi i Valencias Pedro Luis De Borja Llançol de Romani. Në meshë dhe në funeral morën pjesë familia mbretërore e Spanjës, dy miket Xhiovana III dhe  Xhiovana IV, Maria Granai Kastrioti me të bijat dhe i vëllai i Andronikës Kostantin Arianit, i shoqëruar me një grup stratiotësh albanezë, si dhe shumë banorë të Valencia, që kishin njohur Andronikën.

Princeshën Andronika Kastriotin e varrosën në kriptën e kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Santa Trinità të Valencias. Varri në dyshemenë e kapellës, ishte i mbuluar me pllakë mermeri të bardhë, ku ishte gdhendur shqiponja dykrenëshe dhe epitafi: “Këtu pushon princesha Andronika Kastrioti, bashkëshortja e të famëshmit mbreti i Albania Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i cili luftoi me heroizëm kundër turqëve…” Përballë me varrin e Andronikës, në qendër të baldakinit të kapellës të familjes Sant’Angelo, u vendos ikona e Zonja e Jonë e Rifuxhios të Mëkatarëvee (Nostra Signora del Rifugio dei Peccatori), e mbajtur anash nga dy engjëj. Kjo ikonë ishte e Andronikës dhe aktualisht ndodhet ende në qendër të baldakinit të kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia.

Varrimi në kapellën e Sant’Angelo ishte i përkohshëm, sepse mbreti Ferdinandi II Aragon, kishte vendosur që eshtrat e Andronikës të transferoheshin në varrezat e Kuvendit Shen Domeniko, ku ndodheshin varret e familjes mbretërore. Ky vendim nuk u zbatua sepse mikja e saj e ngushtë Xhiovana III, kërkoi që eshtrat e Andronikës të transferoheshin në Napoli, si e shpreh në testamentin e saj: “Eshtrat e mikes time të adhuruar Andronika Kastrioti, të transferohen në kapellën e Manastirit Santa Maria Concezione, të motrave Klarisse të Santa Kiara të Napolit. Për transportin nga Valencia në Napoli te eshtrave të Andronikës dhe ndërtimin e varrit në kapellën e këtij manastiri, ve në dispozicion 12 000 dukate ari. Bashkë me eshtrat, të transferohet dhe ikona Nostra Signora di Rifugio dei Peccatori, ikona e pandashme e mikes time Andronika.” [Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la Virgen del Refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. ArsLonga, Nr. 29. 2020, p. 45 – 60].

Rrethanat polititike të ndërlikuara në ato vite në Napoli, e penguan transferimin e eshtrave të Andronikës, të cilat mbetën në varrin në dyshemen e kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia Varri i Andronikës vizitohej dhe nderohej nga arbërorët që jetonin në Valencia, nga pjestarët e familjes mbretërore, nga klerikët e manastirit dhe nga banorët e Valencias.

Gjatë 12 – 14 tetorit 1957, në Valencia ranë reshje të dedura dhe ujrat vërshuan vrullshëm nëpër rrugët, hynë nëpër shtëpitë si dhe përmbytën varrezat dhe Manastirin Triniteti i Shenjtë. Nga këto përmbytje masive, ujrat shkatërruan varrezat e Manastriti, ndër ato dhe varrin e Andronika Kastriotit në kapellën Sant’Angelo. Nga këto përmasa përmbytjeje dhe shkatërrimesh të varreve të manastirit, murgjit u detyruan t’i mbledhin eshtrat, mes tyre dhe eshtrat e Andronika Kastriotit dhe t’i groposin në një varr të përbashkët.

Në vitin 1457, varri i Andronika Kastriotit u shkatërrua, por në Valencia Ajo vazhdon të kujtohet dhe të nderohet si zonja e parë e Arbërisë, si bashkëshorte besnike e Gjergj Kastriotit, andaj e quanin dhe Senderbega,  kujtohet si dama shoqëruese, këshilltaria dhe mikja e ngushtë e mbretëreshave  Xhiovana III dhe Xhiovana IV, kujtohet me ikonën Nostra Signora di Rifugio dei Peccatori, e njohur historikisht ikona albanese në pronësi të Andronika Kastriotit.

Princesha Andronika Arianiti Kastrioti përfaqëson modelin ideal të gruas fisnike arbërore, zonjë e shquar dhe e nderuar në të njëjtin nivel me fisnikërinë europiane të mesjetës, si e ka përkufizuar Johann Theodor de Bry (1561–1623): “Mbretëresha e Epirit, mençurinë dhe bukurinë tënde do ta kishte pëlqyer edhe Jupiteri. Meritat e tua janë aq të mëdha, aq sa fama e burrit tënd, njëlloj si Deidamia i dha burrit të saj Akilit”.

Profesor Eqrem Çabej, figurë e madhe e shkencës dhe kulturës shqiptare- Ribotohet pas 44 vjetësh- Bisedën e zhvilloi Xhevat SYLA

Në Sesionin shkencor të Seminarit të sivjemë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare morën pjesë edhe profesorët e njohur dhe punëtorët e dalluar të kulturës shqiptare Mahir Domi, Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani dhe Jorgo Bulo, të cilët me kënaqësi të posaçme pranuan që për lexuesit e “Botës së re” të flasin për shëmbëlltyrën dhe kontributin e madh të kolosit të gjuhësisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, akademikut Eqrem Çabej.

Prof. Mahir Domi: Me aftësitë e rralla krijuese dhe me cilësitë e larta njerëzore e morale, profesor Çabaj gëzonte nderimin e gjithë popullit.

Studetët e Universitetit të Prishtinës dhe punonjësit e tjerë këtu, me dhembje të thellë morën lajmin për vdekjen e profesorit të nderuar Eqrem Çabej. Ju, shoku profesor, si një nga kolegët e tij të afërt, a do të mund të na thoni diçka për shembëlltyrën e tij si shkencëtar, për kontributin e tij dhënë shkencës së albanologjisë, si dhe mundësisht, të veçoni ndonjë kujtim mga kontaktet apo puna me të?

Para pak kohësh, kur ishte në vlugun e punës dhe në kulmin e aftësive të tij krijuese, u nda prej nesh kolegu ynë i dashur dhe i nderuar, mjeshtri ynë, “Mësuesi i Popullit” dhe akademiku prof. Eqrem Çabej.

Prof. Mahir Domi në bisedë me kryeredaktorin e “Botës së re”, Xhevat Syla, Prishtinë, gusht 1980

Profesor Eqrem Çabej zë një vend të parë në gjuhësinë shqiptare e në historinë e saj. Këtë vend nderi ia sigurojnë atij për gjithnjë veprimtaria e gjerë dhe aq e frytshme që ka shtjelluar, vepra e madhe dhe aq e rëndësishme që realizoi, hopi i ndieshëm dhe cilësor që bëri me të mendimi ynë gjuhësor, duke arritur gjuhësia jonë nivelin më të mirë të gjuhësisë bashkëkohore botërore.

Veprën studimore të këtij përfaqësuesi ndër më të shquarit të shkencës dhe të kulturës shqiptare e karakterizojnë horizonti i gerë, problematika e pasur, niveli i lartë shkencor, tezat me rëndësi të veçantë kombëtare që janë mbrojtur e zhvilluar më tej.  Ajo ka ngërthyer në radhë të parë fushat e aspektet e ndryshme të historisë së gjuhës sonë, si zhvillimin e brendshëm të shqipes ashtu edhe raportet e saj të jashtme, si periudhat historike ashtu edhe periudhat parahistorike, si fazën letrare po ashtu edhe fazën paraletrare. Vendin qendror e zënë aty leksikologjia historike e studimet etimologjike, por rezultate të rëndësishme u arritën njëkohësisht në studimin e prejardhjes e të formimit të gjuhës shqipe, të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanie e me gjuhët e tjera, të raporteve të saj me gjuhë të ndryshme indoeuropiane në fonetikën historike e në gramatikën historike. Botimi kritik i veprave të letërsisë sonë të vjetër e studimi i tyre qenë një fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të prof. E. Çabejt. Kontribute të rëndësishme i dha prof. E. Çabej edhe studimit të gjuhës së sotme, sidomos formimit të fjalëve, leksikologjisë, dialektologjisë, kodifikimit dhe njësimit të gjuhës sonë letrare. Po ashtu edhe folkloristikës e etnografisë shqiptare, si dhe studimit të letërsisë sonë.

Shkencëtar i shquar patriot, ai jo vetëm e pasuroi gjuhësinë shqiptare me vepra e studime të një niveli shkencor të ngritur, ai jo vetëm lëvroi me rezultate të shkëlqyera fusha e probleme që më parë kishin mbetur në dorë të shkencës së huaj, por trajtoi me objektivitet shkencor e me atdhedashuri çështje të rëndësishme për kulturën e historinë e popullit tonë, hapi rrugë të reja në shumë drejtime. Ai mbrojti me argumente bindëse autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimet e sotme të tij, theksoi njësinë e kulturës shqiptare dhe të gjuhës sonë, vjetërsinë e traditës së gjuhës sonë të shkruar, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve të tjera.

Prof. E. Çabej u pranua prej të gjithëve si autoritet i shquar, u njoh si albanisti më i madh i derisotëm.

Puna studimore aq e pasur dhe e rëndësishme që realizoi ky përfaqësues i madh i shkencës shqiptare është sigurisht, ndër të tjera, fryt i përkushtimit të rrallë dhe i aftësive të shquara krijuese të tij, por edhe i metodave efikase, rreptësisht shkencore dhe të përparuara që ai përdori me aq zotësi e sukses në veprimtarinë kërkimore të tij.

Në veprën shkencore të prof.Eqrem Çabejt harmonizohen në një tërësi të vetme organike elemente të ndryshme, cilësi të shquara që rrallë i gjen të bashkuara. Në të ka kujdes për faket e saktësinë e tyre, erudicion të gjerë, njohje të thelluar të veçorive dhe të visarit gjuhësor të shqipes, vëmendje kushtuar përpunimit të përpiktë të hollësive, frymë kritike ndërtuese dhe analizë të mprehtë, e njëkohësisht përgjithësime e sinteza, me agumentim të fortë, me teza të mbështetura mirë, me përfundime bindëse. Me logjikën e fortë të parashtrimit bashkohet një intuicion i hollë. Prof. E. Çabejn nuk e kanë tërhequr teorizimet, qofshin ato edhe të bukura në dukje, kur nuk përkojnë me realitetin gjuhësor, kur nuk qëndrojnë mbi baza të forta.

Prof. Mahir Domi: “Prof. E Çabej u pranua prej të gjithëve si autoritet i shquar, u njoh si albanisti më i madh i derisotëm.”

Formimi i lartë shkencor, horizonti gjerë, aftësitë e rralla i lejuan kësaj figure të madhe të gjuhësisë sonë të kombinojë në studimet e tij metoda pozitive të ndryshme të gjuhësisë europiane, me kritere e pikëpamje vetiake, duke arritur me këtë në rezultate të shumta frytdhënëse.

Kam pasur fatin të punoj së toku me këtë figurë të madhe të shkencës e të kulturës sonë për 30 e sa vjet, duke vepruar në të njëjtat njësi shkencore kërkimore, duke bashkëpunuar me të në mjaft vepra kolektive. Më është dhënë kështu rasti ta njoh së afërmi, të çmoj aftësitë e rralla dhe cilësitë njerëzore e morale të larta të tij. Tek ai të binin në sy dijet e gjëra, puna sistematike që bënte, serioziteti i madh, kërkesat e mëdha që i vinte vetes, logjika e fortë. I gatshëm për të ndihmuar shokët e punës. Ishte vaçanërisht i vëmendshëm ndaj kuadrove të reja, duke mos u kursyer për formimin e ngritjen e mëtejshme shkencore të tyre. Dashamirës e fisnik, gojëëmbël e i dashur, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e kolegëve e të forcave shkencore të reja si pak kush, nderimin e gjithë popullit shqiptar.

Profesor Eqrem Çabaj u la gjuhëtarëve e shkencëtarëve shqiptarë në përgjithësi, të sotëm e të ardhshëm, një trashëgimi të vyer jo vetëm për veprën e tij të pavdekshme, por edhe me shembullin frymëzues të një jete kushtuar e gjitha gjuhës shqipe, shkencës shqiptare, të një pune sistematke, këmbëngulëse, me metoda të rrepta shkencore.

Prof Shaban Demiraj: Metoda rreptësisht shkencore

Vlera dhe niveli shkencor i veprimtarisë së profesor Eqrem Çabejt janë dhe mbeten të pakapërcyeshme. Për këtë edhe jo rastësisht thuhet se u nda prej nesh më i madhi i burrave të gjuhësisë sonë. A do të na thoni diçka për atë se çka e mundësoi këtë vlerë dhe këtë nivel?

Në radhë të parë dëshiroj të theksoj se pajtohem plotësisht me vlerësimin e lartë të shprehur në pyetjen tuaj lidhur me veprimtarinë shkencore të prof. Eqrem Çabajt, vdekja e parakohshme e të cilit ka krijuar një zbrazëti të madhe jo vetëm në fushën e studimeve albanologjike, por edhe në fushën e ballkanistikës.

Për sa u përket faktorëve që e bënë të mundur arritjen e një niveli aq të lartë në punimet e ndryshme shkencore të professor E. Çabejt, është vështirë të jepet një përgjigje shteruese. Por mendoj se midis këtyre faktorëve duhet përmendur:

Prof. Shaban Demiraj: “Vdekja e prof. E. Çabejt ka krijuar një zbrazëti të madhe jo vetëm në fushën e studimeve albanlologjike, por edhe në fushën e ballkanistikës.”

1.           Horizonti i gjerë i dijeve që ai kishte grumbulluar në mënyrë sistematike gjatë tërë jetës së tij aq të frytshme dhe aftësia për t’i shfrytëzuar këto me një mjeshtëri të rrallë në punimet e tij shkencore.

2.           Mprehtësia e gjykimit dhe këmbëngulja për të mos u tërhequr përpara asnjë vështirësie, tipare këto që i dhanë mundësi atij të zgjidhte një varg problemesh shumë të ndërlikuara, sidomos të historisë së gjuhës shqipe, të fonetikës historike dhe të gramatikës historike.

3.           Zbatimi i një metode rreptësisht shkencore, që karakterizohej nga shqyrtimi i gjithanshëm i fakteve dhe i dukurive gjuhësore dhe nga një qëndrim objektiv në shqyrtimin e tyre.

4.           Kushtet e favorshme që iu krijuan atij prej Pushtetit Popullor pas çlirimit të Shqipërisë. Këtu nuk kam parasysh vetëm kushtet materiale, por edhe vlerësimin e lartë që i është bërë vazhdimisht punës aq të frytshme të këtij dijetare të mprehtë, i cili deri në ditët e fundit të jetës së tij nuk e lëshoi penën nga dora.

Prof. Qemal Haxhihasani: Profesor Çabej – njohës i thellë i kulturës sonë popullore

Veprimtaria e prof. Eqrem Çabejt shtrihet në fusha të shumta të kulturës shqiptare. Ju lutemi, shoku profesor, të na thoni diçka për kontributin e tij dhënë zhvillimit të folkloristikës shqiptare, si dhe për rëndësinë e studimeve të tij në këtë lëmi.

Profesor Eqrem Çabej, ashtu si në gjuhësi, ka zhvilluar një veprimtari shumë të frytshme edhe në drejtim të folkloristikës shqiptare. Njohës i thellë i kulturës popullore të truallit kombëtar dhe të diasporës, studiues me horizonte të gjera edhe i kulturës së popujve të tjerë të Ballkanit, prof. E. Çabej, me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për vënin në dukje të vlerave të larta shpirtërore dhe gjenialitetin krijues të popullit shqiptar, për origjinalitetin e mjaft aspekteve themelore të kësaj kulture kundrejt atyre të popujve të tjerë ballkanikë.

Që në studimin e tij të parë  në këtë fushë, të botuar gjermanisht në “Revue internationale des etudes  balkaniques” me titull “Doke e zakone të shqiptarëve”, ai tërhoqi vëmendjen e studiuesve për vijat origjinale të botës etnike shqiptare. Problemet themelore të folkloristikës sonë prof. E. Çabej i trajtoi në studimin e njohur monografik “Për gjenezën e literaturës shqiptare”, botuar më 1939. Aty kanë gjetur një paraqitje dhe shpjegim shkencor mjaft probleme të rëndësishme të kulturës sonë popullore, siç janë ato për lashtësinë dhe autoktonitetin e ciklit të kreshnikëve, për veçoritë kombëtare të epikës sonë historike, për origjinalitetin e lirikës, të figurave poetike, të strukturës së vargut, për origjinalitetin e muzikës sonë polifonike, për lëvizjet dhe ritmikën e valleve, për elegancën e veshjeve popullore, për prirjet e shqiptarit në motivet dhe ngjyrat e tyre.

Prof. Qemal Haxhihasani: “Punimet e prof Çabejt për folklorin qëndrojnë në themelitë e folkloristikës shqiptare dhe ruajnë një vlerë të përhershme aktuale.”

Prof. Eqrem Çabej ka bërë objekt studimi edhe probleme të veçanta të folkloristikës dhe të etnografisë shqiptare. Për t’u përmendur në këtë drejtim janë punimet për motivin e Konstantinit të vogël – Ago Ymerit, parë në lidhjet e tij me motivin e kthimit të Odisesë dhe me versionet përkatëse të popujve të tjerë, studimet për “Figurat e besimit popullor shqiptar”, për kultin  dhe vijimin e hyjneshës Diana në Ballkan” etj.

Mendime me interes për folkloristikën prof. E. Çabej shtroi edhe në punime të tjera të veçanta, si në studimin “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, në ato rreth autoktonisë së popullit shqiptar, rreth ngulimeve arbëreshe në Greqi, Itali etj.

Prof. E. Çabej vështrimet e tij gjuhësore, studimet etimologjike dhe problemet e veçanta që rroku në këtë fushë, nuk i shkëputi asnjëherë nga jeta dhe kultura popullore, nga lidhjet e tyre të brendshme me folklorin e etnografinë.

Saktësia e informacionit mbi këto probleme themelore të kulturës sonë popullore kombëtare, erudicioni dhe kompetenca me të cilën janë trajtuar këto probleme, metoda shkencore e përdorur në paraqitjen dhe krahasimin e fakteve, konkluzionet dhe tezat e formuluara, bëjnë që këto punime të prof. E Çabejt të qëndrojnë në themelitë e folkoristikës shqiptare, duke ruajtur një vlerë të përhershme aktuale.

Prof. Jorgo Bulo: Moto e prof. E. Çabejt: “Të jemi objektivë, por jo indiferentë”

Ndër fushat e kërkimeve të prof. E. Çabejt vend me rëndësi zë edhe kontributi i tij historinë e letërsisë shqiptare. A do të na thoni diçka për këtë?

Profili i profesor Eqrem Çabejt, si një nga përfaqësuesit më në zë të shkencës e të kulturës sonë, nuk do të dilte i plotë po të mos përmendej edhe kontributi i tij në fushën e historisë së letërsisë.

Jo rastësisht, vëmendjes së prof. Çabejt nuk i shpëtuan as problemet e letërsisë shqiptare, të gjenezës e të zhvillimit të saj historik; tek to çonin vetvetiu interest e gjëra shkencore dhe mbi të gjitha synimi i madh e jetës së tij si shkencëtar; të provonte nga më se një aspekt dhe duke iu drejtuar komponentëve të ndryshëm të kulturës shpirtërore e materiale të popullit tonë, të gjuhës e të traditave shekullore, karakterin e tij autokton në trojet e sotme, njësinë etnike e kulturore – historike dhe forcën e tij krijuese.

Trashëgimi i prof. Çabejt në lëmin e studimeve historiko-letrare ka rëndësi në radhë të parë në pikëpamje të metodës. Ashtu si historia e gjuhës ishte për të e lidhur ngushtë historia e popullit që flet, dhe jeta e letërsisë ishte e lidhur me historinë e fatet e popullit, me lëvizjet e tij social-politike.

Duke u nisur nga kjo premisë metodologjike, prof. Çabej në studimet e tij ka hetuar për së pari mjaft veçori e tipare  të letërsisë shqiptare, ka vënë në dukje origjinalitetin e zhvillimit të saj historik, lidhjet e saj të ngushta me traditën folklorike, të cilat i sheh jo vetëm në anën e jashtme, në ritëm e në metër, por kryesisht në lëndë e në format e përbrendshme.

Ne që e këmi njohur nga afër prof. Çabejn, nuk mund të mos e kujtojmë moton e punës së tij si shkencëtar, të cilën e përsëriste shpesh; të jemi objektivë, por jo indiferentë. Këtë e dëshmojnë edhe studimet e shënimet e tij për letërsinë shqiptare, ku ndjehet objektiviteti e rigoroziteti i shkencëtarit dhe dashuria e pasioni i patriotit për të zbuluar vlerat e kulturës së popullit të vet, e për t’i mbrojtur ato nga shtrembërimet e atyre studiuesve pas të cilave fshihen qëllime të këqija.

Erudicioni i tij i gjerë dhe shija e hollë, kanë bërë që prof. Çabej në esetë e veta të japë gjykime e vlerësime të mprehta për krijimtarinë e një vargu autorësh që nga Naimi e De Rada e gjer tek Çajupi, Adreni, Noli e Lasgusi, duke vënë në dukje prirjet e reja që shprehte vepra e tyre në procesin e zhvillimit  të letërsisë sonë, shpesh në përqasje edhe me letërsitë e tjera ballkanike e europiane.

Duke përfunduar, dëshiroj të them se ndoshta më mirë se çdo gjë, figurës dhe veprës së prof. Eqrem Çabejt do t’i shkonin për shtat fjalët që ai shkroi me rastin e vdekjes së një kolosi tjetër të kulturës sonë, F. S. Nolit: Ai “nuk është një madhësi efemere. Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era. Në këtë botë shqiptare, të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot si në ditët që do të vijnë”.

Prof. Jorgo Bulo: “Prof. Çabejt muk i shpëtuan as problemet e letërsisë shqiptare, të gjenezës e të zhvillimit saj historik.”

Shkencëtarët: Dita në Tokë mund të zgjasë deri në 25 orë, Hëna po largohet

Ditët në Tokë po zgjasin ngadalë, ndërsa hëna gradualisht largohet nga planeti ynë, ka treguar një studim i ri. Shkencëtarët zbuluan se ndërsa hëna lëviz më larg, ndikimi i saj gravitacional në ndryshim në Tokë po ngadalëson rrotullimin e planetit dhe po i bën ditët gjithnjë e më të gjata.

Ata parashikuan se ditët në planetin tonë mund të zgjasin përfundimisht 25 orë, por vunë në dukje se për këtë do të duheshin rreth 200 milionë vjet. “Ndërsa hëna largohet, Toka është si një patinator që rrotullohet, i cili ngadalësohet ndërsa ‘shtrin krahët’” shpjegoi gjeoshkencëtari Stephen Meyers, një profesor në Universitetin e Uisconsin-Madison.

Hëna ndodhet rreth 238,000 milje larg planetit tonë, duke dashur rreth 27.3 ditë për të përfunduar një orbitë të vetme rreth Tokës. Por kërkimet e mëparshme zbuluan se hëna po largohet më tej me rreth 1.5 inç në vit, që do të thotë se do të duhet më shumë kohë për të lëvizur rreth planetit tonë.

Në një moment, hëna do të arrijë një distancë të qëndrueshme dhe do të jetë e dukshme vetëm nga njëra anë e planetit tonë. Për studimin e tij, Meyers dhe kolegu i tij rindërtuan historinë e thellë të marrëdhënies së Tokës me Hënën. Ata zbuluan se 1.4 miliardë vjet më parë, një ditë në Tokë zgjati vetëm rreth 18 orë.

Për të marrë atë llogaritje, studiuesit shpikën një metodë statistikore që lidh teorinë astronomike me vëzhgimin gjeologjik për të parë pas në të kaluarën gjeologjike të Tokës. Kjo i lejoi ata të rindërtonin një histori të thellë të sistemit diellor. Ditët e Tokës ishin më të shkurtra miliarda vjet më parë, kryesisht për shkak se Hëna ishte më afër planetit tonë.

Kjo bëri që rrotullimi i planetit tonë të rrotullohej më shpejt se sot, përfunduan studiuesit. Por gjatë historisë së Tokës, hëna është larguar më tej në një proces të njohur si ‘recesioni hënor’. Ne e dimë këtë falë astronautëve të misionit Apollo, të cilët vendosën reflektorë në Hënë që lejuan shkencëtarët në Tokë të lëshojnë lazer drejt sipërfaqes hënore dhe të masin saktësisht se sa shpejt po tërhiqet hëna.

Ndërsa hëna gradualisht rrëshqet, ajo po bën që rrotullimi i Tokës të ngadalësohet. Arsyeja përse ndodh kjo ka të bëjë me ndikimin e hënës në baticat e oqeanit. Ndërsa Toka rrotullohet, graviteti i hënës që rrotullohet rreth planetit tërheq oqeanet për të krijuar baticat e larta dhe të ulëta.

Tërheqja gravitacionale e hënës bën që uji i oqeanit të ‘fryhet’ drejt saj në cilëndo anë të Tokës që është më afër hënës. Në të njëjtën kohë, inercia përpiqet të mbajë ujin në vend. Por graviteti i hënës është më i fortë, prandaj uji fryhet drejt hënës. Ndërkohë, në anën e kundërt të Tokës, tërheqja gravitacionale e hënës është më e dobët thjesht sepse është më larg./Daily Mail/

PROF.DR MARK TIRTA, AKADEMIKU I ETNOKULTURËS, NJË EMËR I NJOHUR I SHKENCËS SHQIPTARE DHE MË GJERË- Nga FRAN GJOKA

(Mesazh urimi me rastin e dhenies se titullit te larte “Nder i Kombit” dhe dekorimi nga Presidenca e Kosoves “Medalja Presidenciale e Meritave” me motivacionin per “Punen e Jashtezakonshme ne mbledhjen e materjaleve entografik e folklorik dhe zbulimin e qendrave te reja arkeologjike per Arberin mesjetar”)

Të shkruash për intelektual të përkushtuar e me integritet, nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë me shumicë, ndjenjë, pasion, dashuri e humanizem, gjëra të cilat ne i kërkojmë tek “heronjtë”. Por në të vërtetë, “heronjtë” janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar, që tërë jetën e tyre sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal, dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Le të ndalemi tek njeri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të vetëmohimit dhe të pastertisë morale, i tillë është portreti i profesorit, akademikut tonë të nderuar dhe të respektuar Mark Tirta.

Ai është një burrë i zakonshëm, i thjeshtë, i buzëqeshur, pavarësisht nga vitet që ka mbi supe, Mark Tirta është stoik në qëndrimet e tija, ndoshta mosha dhe sëmundja e kanë lodhur, por shpirti i tij mbetet gjithnjë i ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes meriton respekte dhe përulje para Tij, para studimeve të Tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë. Mark Tirta ka mbi shatullat e Tija 87 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 67 vjet punë kërkimore-shkencore, punë e cila e kanë rradhitur profesor Markun ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare dhe më gjerë. Si studiues i talentuar, Ai gjithçka e arriti me punë këmbëngulëse dhe me plot vullnet e dije shkencore dhe ishte rezultat i punës së Tij çdo arritje. Në vitin 2020, doktorant Nikoll Loka, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së profesor Tirtes, shkruan: “E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër. Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar. Marku ka dhe një koinçidencë tjetër,  i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore.

Ne foto: Prof.Dok. Mark Tirta, Akademik – “Nder i Kombit”

Edhe pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i lexonte.” Marku i vogël, shkollën fillore e mbaroi shkëlqyeshëm. E kishte me paion shkollën. Vijoi më vonë 7-vjeçaren në Durrës, në vitet 1948-1950. Shkollën e Mesme Pedagogjike e mbaroi në Tiranë.  Tani para tij dhe familjes së tij kishte dy alternativa: i duhej të zgjidhte të bëhej një rrogëtar e të ndihmonte familjen me rrogën që do të merrte, apo të vazhdonte dhe dy vite të tjera shkollë të lartë që të formohej plotësisht. Me pëlqimin dhe besimin e familjes, zgjodhi të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë, gjatë punës, plotësoi dhe studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Prof. Dr. Mark Tirta, etnolog, akademik i Associuar (2008), lindur në Orosh të Mirditës, më 21 maj 1935, kryen studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi, më 1957- 1961. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 ka qenë arsimtar në Mirditë: më tepër drejtor shkolle a inspektor arsimi (për rrethin e Mirditës). Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me kërkime në fushë të etnokulturës, bën eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet fqinje të saj, si: mbledhje materiali etnografik e folklorik, zbulon e përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire e romake, ngriti një muze në Rrëshen (1967), mbledh toponime, antroponime, fjalë të rralla. Botoi shkrime të ndryshme. Ka bërë një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhë-Letërsisë. Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e etnologjisë, (sot: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdon ta kryejë edhe në ditët e sotme, edhe pse ka dalë në pension më 2008. Më 1967-1968 ka kryer në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim pasuniversitar. Titujt e gradat shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor Shkencor i Ri”; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën “Kandidat i Shkencave”; më 1983 i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”; më 1988 me temën “Migrime të Shqiptarëve”: disertacion, ka fituar gradën “Doktor i Shkencave”; më 1994 i është dhënë titulli “Prof. Dr.” (“Drejtues kërkimesh”). Është bërë Akademik i asociuar (2008). Në vitet e para, pasi është emëruar etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji europiane, kur përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare, 4. Filozofi: ka shërbyer diploma e kursit të përmendur më sipër. Më 1971 ka qenë 4 muaj për specializim në muzeologji në Rumani e në Itali. Njeh mirë gjuhën frëngjisht, rusisht, italisht, serbokroatisht; për të tëra ka dhënë provime pasuniversitare. Ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat, si: “Mitologjia ndër Shqiptarë” e “Etnologjia e Shqiptarëve”, po nuk u bënë. Ky etnolog disponon disa letra e kërkesa të bëra nga Instituti i Europës Juglindore në Vjenë, ku ftohet të bashkëpunojë në tema të popullsisë e të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada. Tërë këtyre të fundit nuk u kanë dhënë përgjigje pozitive për të mos u spostuar nga temat në studim, por dhe për mungesë të mjeteve financiare që fillimisht i duheshin për të plotësuar harta, skica, grafikë e gjëra të tjera teknike. Më 1988, këtij etnologu, i është kërkuar të plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim vetjak pranimi, për t’u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë titull.


Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit “Etnografia shqiptare” dhe i revistës “Kultura popullore”, përkatësisht dhe i “Ethnographie Albanaise” e në “Culture popularie albanaise”, në këtë të fundit, “Kultura Popullore”, që në themelimin e saj.

Në përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me reçensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin. Si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në punën e tij studimore, si themel mbështetës në punën e tij shkencore. Ka shkruar mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi, shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në bërje të veprave madhore, si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, – drejtuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore–kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Ka disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”. Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to, për tre vjet dhe në “Mitologjia” ka dhënë mësim edhe në degën e gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i shkencave. Në arsimin pasuniversitar ka bërë programe e ka organizuar provimet në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode…” (2007), “Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor” (2016). Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Edhe në ditë të sotme vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në etnologji, po kështu dhe të botojë libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu si dhe më parë. Çdo vit ka botuar (duke përfshirë dhe vitin 2018) nga 8 deri 12 shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto vitet e fundit dhe 152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Së fundmi është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për zhvillimin e shkencës së etnologjisë në vendin tonë; për periodizimin e etnologjisë shqiptare në shtatë pjesë që nga lashtësia e deri më sot, si dhe për vënien e disiplinës së etnologjisë në një shkallë me nivelin e kësaj shkence në rajon dhe në botë.” Të gjithë miqtë dhe shoket e tij kudo që janë, i urojnë sot shëndet dhe vetëm shëndet, pleqëri të mbarë, jetë dinjitoze burrit të vlerave e virtyteve të larta njerëzore. Veprat e tij kanë qënë edhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm të shkencëtarëve shqiptarë dhe më gjërë.

Festa e malit të Tomorit ku gërshtohet besimi pellazg me atë të bektashinjve dhe pretendimi i gabuar Ferdinand Samarxhiut për ta vendosur Dodonën në njërën nga majat e këtij mali Nga Kujtim Mateli

Festa e malit të Tomorit është një nga festat më të rëndësishme të shqiptarëve, se atje shkojnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga të gjitha besimet që ekzistojnë në Shqipëri. Sigurisht që numrin më të madh të besimtarëve që shkojnë në malin e Tomorit e përbëjnë ata të besimit bektashi. Kjo për shkak të gërshetimit të dy besimeve: atë të besimit të vjetër të shqiptarëve që emërtohet pellazgjik dhe besimit më të vonshëm atë të bektashinjve. Personaliteti më i spikatur që u ka bërë jehonë këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme për shqiptarët ka qenë gazetari i njohur i Televizionit Shqiptar z. Ferdinand Samarxhi, Nderi i Kombit. Z. Samarxhi e ka përcjellë këtë festë madhështore që organizohet në malin Tomor, jo vetëm në Televizionin Shqiptar, por edhe në mediat e tjera televizive dhe në shtypin e shkruar. Këto mesazhe bëhen akoma më frymëzuese, kur ua përcjell direkt pjesëmarrëse që ngjiten në majën e malit të Tomorit. E citojmë :
« Ka ditë që rrugët që gjarpërojnë dhe të çojnë në malin e Tomorit, në Teqenë e Abaz Aliut, në majën e tij Çukë, ku dikur ngrihej madhështor tempulli më i lashtë i botës, i Dodonës pellazgjike, Orakull i Zeusit, të kujtojnë ardhjen e qindra e qindra pelegrinëve që vinin nga të gjithë anët e botës përtej kufijve të kohëve të Ilirisë së Veriut e të tjera përreth saj. » (Ferdinand Samarxhi, Tomori, kryemali i historisë së gjenezës shqiptare, botuar në « Gazeta shqiptare » datë 22 gusht 2018)
Unë e vlerësoj për atë çfarë u përcjell besimtarëve për besimin e tyre si bektashinj, por më duket e paarsyeshme që një gazetar të bëhet specialist historie dhe ta vendosë Dodonën pellazge në majën e malit të Tomorit, madje dhe orakullin e saj. Kundërshtimi im vjen për faktin se Dodona nuk ka qenë tempull në një majë mali, por qytet nga më të rëndësishëmit e Epirit që kishte brenda tij tempullin dhe orakullin kushtuar Hyjnisë dodonase. Për të parë që orakulli i Dodonës nuk ndodhej në një majë mali, le të sjellim dëshmitë e autorëve të antikitetit:
“Orakulli i Dodonës ndodhet ndanë një lumi, në një vend moçalor, jashtë qytetit të Dodonës.” (Apollondoros H` 13, Koment. i Homerit G` 23, Didimos Z` 7, H`10, Eustath. Z` 12, H`11, Hesych. Z` 11). (P. Aravantinos, Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862 faqe 37)
Këto dëshmi që vijnë nga pesë autorë të antikitetit vërtetojnë qartë që orakulli i Dodonës ndodhej ndanë një lumi, ndanë pyllit të shenjtë me lisa, duke e përjashtuar përfundimisht pretendimin e z. Samarxhi se orakulli ndodhej në majën e malit Tomor.
Por nëse përjashtohet mundësia e orakullit, le të shohim a ndodhet tempulli i Dodonës në majën e malit Tomor?
Për ta bërë të besueshëm se Tempulli i Dodonës ndodhet pikërisht në këtë majë mali, z. Samarxhi, përcjell çdo vit thëniet e autorëve të antikitetit. Po marr shkrimin e vitit 2023, si shkrim i fundit i tij me këtë temë, edhe për arsyen se është mendim i tij përfundimtar, që e ka formuar gjatë disa viteve që ka folur dhe shkruar për Dodonën në malin e Tomorit. Për të mos patur ndonjë keqkuptim për nxjerrje nga konteksti të dëshmive, po e sjell të plotë një fragment, të vitit 2023, botuar te gazeta “Panorama”, datë 30 gusht 2023.
“Tempull mitik i Tomorit, Dodonës pellazgjike nis me një histori në thellësi të shekujve. Tempulli përmendet, dokumentohet në hershmëri të shkrimeve të para homerike. Homeri në “Iliada” shkruan: “O mbret Zeus, Dodonës pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën (Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër”.
Eskili pozicionon dhe dokumenton tempullin shek. V, para erës së re, te “Prometeu i lidhur”. Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot… “Në librin 6, 7 ai shprehet se tempulli i Dodonës, gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomorri i sotëm”.*
Në poemën “Karmina”, Hesiodi thotë: këtu Zeusi, deshi që Dodona të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…” (Ferdinand Samarxhi, “Mali mitik i shenjtë hyjnor Tomori, fillesë e gjenezës sonë, tempulli më i lashtë në dhe…” ( gazeta Panorama, datë 30 gusht 2023)
* shënim :në vijim të dëshmisë së Eskilit ndodhet një fjali që nuk ka autor dhe që nuk lidhet me Eskilin, ndaj dhe nuk po e komentoj : “Në librin 6, 7 ai shprehet se tempulli i Dodonës, gjendet në majë të një mali të lartë, që është Tomori i sotëm”.
1. Marrim dëshminë e Homerit, sipas përkthimit që ka sjellë vetë z. Samarxhi. “O mbret Zeus, Dodonës pellazgjike, që banon larg duke sunduar Dodonën (Tomorin e sotëm), që e rrahin dimra të rëndë e të egër”. Brenda tekstit të Homerit, ka vendosur togfjalëshin, në kllapa (Tomorin e sotëm). Teksti i Homerit nuk e përmend fjalën Tomor, ajo është shtuar nga autori i shkrimit. Nëqoftëse do t`i referohemi fjalës homerike “dimërkeqe” dhe që e letrarizuar është përkthyer “që e rrahin dimra të rëndë e të egër”, kjo nuk ka të bëjë me Tomorin, sepse në çdo mal dimri është i ashpër dhe i egër, me përjashtim të maleve që ndodhen në afërsi të bregdetit. Pra, malet që e plotësojnë epitetin “dimërkeqe” mund të jenë edhe dhjetëra, ndaj nuk është e arsyeshme që këtë epitet ta lidhësh vetëm me Tomorin.
2. Dëshmia e Hesiodit
E rëndësishme për vendndodhjen e Dodonës është dhe dëshmia e Hesiodit dhe që z. Samarxhi e sjell si dëshmi për të provuar se Dodona ndodhet në malin e Tomorit. “Në poemën “Karmina”, Hesiodi thotë: këtu Zeusi, deshi që Dodona të ishte një faltore e vyer për njerëzinë…” Kjo fjali e shkëputur nuk thotë asgjë për vendndodhjen e Dodonës. E sjellim dëshminë e Hesiodit të plotë:
“Është një fushë, Hellopia, shumë pjellore dhe me luadhe të mira,
e pasur në dele dhe në qe këmbëharkuar;
Këtu banojnë bura me shumë kope gjedhësh
dhe një sasi e pasur fise mortarësh;
këtu, në pjesën më të fundit është ndërtuar Dodona;
këtë Zeusi e deshi që të jetë një faltore e vyer për njerëzit…” (Hesiodi, Carmina, Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 2002, faqe 14)
Përshkrimi që na vjen nga Hesiodi është se Dodona është e ndërtuar në fundin e një fushe, ku ndodhej dhe faltorja e famshme. Kjo dëshmi e përjashton përfundimisht që faltorja e Dodonës të jetë në majën e malit Tomor. Autori i shkrimit, z. Samarxhi, ka marrë për dëshmi vetëm një varg, që nuk tregon asgjë për venndodhjen e Dodonës, duke mos e përmendur tekstin e plotë i cili ka vlerën e dëshmisë se ku ishte ndërtuar Dodona: në fundin e një fushe. Gjymtimi i dëshmisë duke mos e marrë të plotë, në fushë të shkencës quhet manipulim, sepse e deformon realitetin për të cilin pretendon se është i vërtetë.
3.Vijojmë më tëj me dëshminë e Eskilit.
Prometeu i lidhur ”. Kur ju të keni arritur në Tokën e Molosëve, të Dodonës së sipërme, ka një Orakull të Jupiterit Thesprot…”
Këtë përkthim të z. Samarxhi, e saktësojmë me përkthimin e Sotir Paparistos, përkthyesit të tragjedisë së Eskilit “Prometeu i lidhur”:
“Kur erdhe në fushat që ka Molosia, i re rreth Dodonës që është fort e lartë….” (Eskili, Prometeu i lidhur”, Botim i Almera 2007, faqe 60.
E bëra këtë saktësim, sepse sipas përkthimit të z. Samarxhi duket sikur ka patur dy Dodona: një e sipërme “të Dodonës së sipërme” prej nga rrjedh mendimi se duhet të ketë pasur dhe një tjetër të poshtme. Në të vërtetë Eskili flet vetëm për një Dodonë, e cila ndodhet në një vend fort të lartë.
Pra, Dodona ndodhet në fushat e Molosisë dhe në një vend të lartë. Po a shtrihej Molosia me kufij jugorë në Gjirin e Artës deri në malin Tomor të Beratit ? Mali i Tomorit ndodhet në djathtë të lumit Osum dhe autorët e antikitetit kanë vendosur në këtë territor dy fiset ilire: atë të parthinëve dhe të dasaretëve. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se të dhënat e autorëve të antikitetit janë të sakta.
Arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj në vitet 1963-1964 në vendbanimin antik të kalasë së Krotinës, që ndodhet në perëndim të malit të Shpiragut, vërtetuan se ky vendbanim i përkiste qytetit ilir të Dimalit, fisit ilir të parthinëve.
Berati konsiderohet si Antipatrea e dasaretëve, po fis ilir. Që do të thotë se pjesa perëndimore e malit të Tomorit i takonte Ilirisë, sepse banohej nga fise ilire. Po edhe në lindje dhe në veri të tij shtrihej fisi i dasaretëve, i vërtetuar nga qyteti ilir i Kodrionit që ishte qytet i Dasaretisë ilire, të cilat u vërtetuan nga gërmimet arkeologjike të vitit 1960 të bëra nga Frano Prendi dhe Dhimosten Budina. Shkurt, lugina e lumit Osum, dhe mali Tomor kanë qenë territore të Ilirisë dhe nuk gjendet asnjë dëshmi nga autorët e antikitetit që ta vendos Dodonën në Iliri.
Në arshivat e perandorisë romake, lumi Osum është përmendur si lumë i Ilirisë. Pra ka një përputhje të plotë midis autorëve të antikitetetit që fisin e parthinëve dhe dasaretëve i konsideronin fise ilire, gjetjeve arkeologjike të cilat i vendosin rreth malit Tomor dhe Burimeve të Perandorisë Romake që luginën e lumit të Osumit (Aps në antikitet) e kanë quajtur si lumë të Ilirisë. (Matthias-Petrus Katancic, “Orbis antiques ex tabula itineraria, quae Theodosi i Imperatoris et …”, Volume 1, viti 1824, Iliria faqe 639)
Nëqoftëse tempulli i kësaj maje mali nuk është ai i Dodonës, duhet t`i përgjigjemi pyetjes: cila është arsyeja që ky mal vizitohet edhe në ditët e sotme si në kohët homerike? Tomori (Timori) në kohët homerike përmendet në të dy veprat e Homerit si një mal i hyjnizuar me të njëjtin status që kishte Olimpi në Maqedoni si vendbanim i gjithë hyjnive, mali Ida në Kretë ku u rrit Zeusi sipas mitologjisë, mali Ida në Azinë e Vogël, përmendur nga Homeri, ku ulej Hyjnia në kohën e betejave në Trojë, e ndonjë mal tjetër. Mali i Tomorit (Timori deri në shek. XV-XVI) kishte hyjninë e tij që quhej në kohën e Homerit Di patri, i përkthyer në anglisht nga Parke W, H., si Father Zeus ose Baba Zeusi. Në tekstin e Homerit përmendet Di patri, që përkthehet Di babai dhe që në kohën e sotme emri i hyjnisë Di është zëvendësuar me emrin e malit dhe që mali sot thirret Baba Tomori. Hyjnia e malit Tomor është besim pellazg me rrënjë nga kohët e para Luftës së Trojës deri në ditët e sotme, të paktën 4000 vjeçar që tregon vazhdimësinë katërmijëvjeçare të shqiptarëve në këto troje. Thënia e së vërtetës për besimtarin, jo vetëm nuk ia ul adhurimin për Tomorin, por ia shton më tepër, kur mendon se vazhdon traditën e qindra breza të stërgjyshërve të tij dhe është vazhdues i besimit të parë që ka lindur në këto troje ku ne banojmë sot.
Pretendimi i Dodonës në malin e Tomorit është po aq i dëmshëm sa dhe pretendimi tjetër se Dodona ndodhet në jugperëndim të Janinës. Çdo pretendim që nuk është i vërtetë, por bëhet për arsye të ndryshme jashtëshkencore, i jep opinionit publik informacione të pavërteta. Dodona ka shenjuar në këtë hapësirë ballkanike qytetërimin e parë tejet të rëndësishim, se e nxori njeriun e komunitetit primitiv nga bota e vetmuar drejt modelit shoqëror, ku individi e zgjeroi fushën e komunikimit dhe arriti të besojë te forca e tij e bashkuar në shoqëri. Tempulli i Dodonës bëri, që këtë kapërcim të madh nga individi i vetmuar drejt jetës në shoqëri, ta shoqërojë me rregulla dhe ligje që kjo shoqëri të funksiononte. Që individi dhe shoqëria të bëhej më e konsoliduar jeta tokësore u dimensionua si pjesë e përmasës hyjnore dhe fuqiploti i kësaj pëmase universale, ishte hyjnia dodonase Di. Pellazgët u strukturan në shoqëri duke e konsideruar veten si pasardhës të Hyjnisë Di, prej nga rridhte çdo fis i njohur i Pellazgjisë. Për shoqërinë pellazge hyjnia e tyre Di përfaqësonte Mendimin Absolut që duhej zbatuar dhe si instrument i zbatimit të këtij vullneti hyjnor ishte Orakulli i Dodonës prej nga dilnin fatthënat në formë këshille dhe urdhri për individ, fise, qytete dhe mbretëri. Janë të njohur deri në ditët e sotme orakujt e Dodonës për mbretërit e Epirit : Aleksandër Molosin dhe Pirron, por fuqia e tyre ishte e plotë edhe për popuj të tjerë që vinin e pyesnin, siç mund të përmendet Orakulli i Athinës që i urdhëronte athinjotët të mos i vrisnin robërit e luftës. Te Tempulli i Dodonës priftërinjtë krijuan Kushtetutën e Parë, e cila ushtroi ndikim të fuqishëm në qytetërimin e shoqërisë njerëzore. Orakulli i Dodonës, mbi bazën e këtyre ligjeve të përgjithshme, nxirrte fatthënat (edhe fatthënat quheshin orakuj) për individë dhe grupe njerëzish që i drejtoheshin për ndihmë duke u dhënë këtyre ligjeve një fuqi hyjnore nëpërmet Lisit të Shenjtë. Dodona pati rolin e një Kryeqyteti Shpirtëror në këtë hapësirë ballkanike dhe më gjerë duke i dhënë njerëzimit një nga qytetërimet e tij më të rëndësishme. Duke u njohur me këtë komunikim të vazhdueshëm të Dodonës me popujt e tjerë dhe qytetërimin e saj që ishte një nga pikat më kulmore në Antikitet, e kupton që e gjitha kjo nuk mund të realizohej nga një tempull apo orakull që mund të ndodhej në një majë mali dhe që mund të shkohej atje vetëm në disa ditë të vitit, siç është rasti i Tomorit.
Përfundim
Mali i Tomorit si mal i hyjnizuar i besimit pellazgjik është një nga vlerat më të mëdha që shqiptarët kanë ruajtur deri në ditët e sotme. Me zanafillë që para kohëve homerike tregon për një vazhdimësi të pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Adhurimin për hyjninë e Tomorit që emërtohej Di patri (Di babai), shqiptarët e vazhduan edhe pas shkatërrimit të Dodonës nga romakët në fund të shekullit të IV-t pas Krishtit. Nëse me forcën e pushtetit perandorak tempullin e kthyen në kishë dhe faltoren në qendër peshkopale, hyjninë e malit të Tomorit nuk mund ta tjetërsonin dot. Në këto kushte, banorët e zonave përreth e kanë adhuruar edhe më shumë Baba Tomorin për të kompesuar humbjen që u shkaktoi shkatërrimi i Dodonës pellazge. Mirëpo Dodona (qytet, tempull dhe orakull) mbart të tjera vlera nga ato që mbart mali i Tomorit. Nëse kemi në njërën anë burimet historike që tregojnë për qytetërimin e Dodonës, duhet të kemi nga ana tjetër edhe dëshmitë arkeologjike si prova materiale të qytetërimit të saj. Ndaj vendndodhja e vërtetë e Dodonës është domosdoshmëri, sepse është vlera reale që krijuan të parët e shqiptarëve. Është e dëmshme që tempullit të Hyjnisë së malit Tomor t`i mbivendosim Dodonën, sepse në këtë mënyrë ne kemi zhdukur vlerën reale që kishte ky mal. Malit Tomor t`i kthejmë hyninë e tij që është Baba Tomori (Di patri) dhe të shkojmë te Dodona e vërtetë që nuk është as në jugperëndim të Janinës. Duhet të kemi të dyja vlerat që kanë krijuar shqiptarët : edhe Dodonën si vend arkeologjik, edhe malin e Tomorit si vend i shenjtë që adhurohet edhe në ditët e sotme.

Marsi ka mjaftueshëm ujë, por uji ende është i paarritshëm- Nga Marta Ways, BILD

 

Planeti i shkretëtirave nuk është aq i thatë sa duket!

Shkencëtarët amerikanë kanë analizuar regjistrimet e tërmeteve në Mars. Të dhënat sugjerojnë praninë e ujërave nëntokësore në thellësi të planetit të kuq.

Në një thellësi prej 11.5 deri në 20 kilometra, thuhet se sasi të mëdha uji shpërndahen midis shkëmbinjve të thepisur marsianë – aq shumë sa mund të përmbysin të gjithë planetin për kilometra të tërë, shkruajnë studiuesit nga Instituti Scripps i Oqeanografisë në San Diego.

Megjithatë, uji është ende i paarritshëm…

Marsi dikur ishte shumë i ngjashëm me Tokën

Të dhënat sizmike u regjistruan nga sonda hapësinore InSight nga viti 2018 deri në 2022 dhe tregojnë se valët e tërmetit përhapen shumë ndryshe në shtresat e thella të shkëmbinjve. Disa valë tregojnë se ato godasin jo vetëm shkëmbin e brishtë, por edhe ujin e lëngshëm.

Besohet se tre miliardë vjet më parë, Marsi nuk ishte një shkretëtirë, por përshkohej nga lumenj dhe liqene. Ky zbulim nuk është i pari që tregon se planeti i kuq dikur duhet të ketë qenë shumë i ngjashëm me Tokën.

Aty nuk ka vetëm akullnaja nëntokësore, por edhe shtresa akulli me kilometra në pole dhe rreth ekuatorit. Për më tepër, sipërfaqja e Marsit është e gërryer nga lumenjtë që dikur kanë rrjedhur me shpejtësi.

Gjurmët e jetës

Deri tani, nuk ishte e qartë se çfarë ndodhi me këtë sasi të madhe uji. Tani duket sikur një pjesë e madhe e saj ka depërtuar në shtresa të thella shkëmbore. Teorikisht ka mjaftueshëm ujë për të furnizuar kolonistët e parë të mundshëm të Marsit. Megjithatë, ky ujë nuk mund të arrihet ende. Shpimi më i thellë në planetin tonë deri tani arrin vetëm 12 kilometra në tokë.

Vetëm pak javë më parë, roboti Mars Perseverance zbuloi gjurmë kimike të mikroorganizmave në shkëmbinj në sipërfaqen e Marsit. Neretva Vallis është një luginë lumore e lashtë 400 metra e gjerë, e formuar shumë kohë më parë nga uji i rrjedhshëm. sn

Ka ujë në Hënë: kështu thotë Pekini

Kina njoftoi zbulimin “revolucionar” në mes të korrikut në revistën Nature Astronomy; vendi po synon një pozicion drejtues në sektorin e hapësirës

VOAL- Ka ujë në Hënë. Edhe në formën e tij molekulare. Madje edhe në pjesët e satelitit ku gjithmonë mendohej se uji në atë formë nuk mund të ekzistonte. Zbulimi u komunikua nga Akademia Kineze e Shkencave dhe rrjedh nga hulumtimi i publikuar në gjysmën e dytë të korrikut në revistën Nature Astronomy. I kryer nga një ekip nga Laboratori Kombëtar i fizikës së lëndës së kondensuar në Pekin dhe institute të tjera kërkimore kineze, studimi u bazua në disa mostra të tokës hënore të mbledhura në vitin 2020 nga misioni Chang’e-5, anija kozmike e emëruar nga perëndeshë e lashtë e Hënës e mitologjisë kineze.

Duke përdorur mostrat e ofruara nga Administrata Kombëtare e Hapësirës, ​​shkencëtarët izoluan më shumë se një mijë “klasa” minerale. Midis tyre ishte një kristal “prizmatik dhe transparent si pjatë”, një mineral “i hidratuar” sa gjerësia e një floku të njeriut dhe që përmbante molekula uji. Studiuesit përjashtuan mundësinë që minerali që përmban ujë të ishte kontaminuar nga burime tokësore ose shkarkime raketash. RSI

Meta trajnon pa paralajmërim inteligjencën artificiale mbi të dhënat e qytetarëve të Ballkanit

Natallija Jovanoviq

Postimet, komentet, videoklipet, fotot, të dhënat e shumta personale që shpërndahen publikisht përmes Instagram-it, Facebook-ut dhe aplikacioneve të tjera në pronësi të kompanisë Meta, që nga fundi i qershorit, nuk janë përmbajtje që ne ndajmë vetëm me miqtë.

Duke ndryshuar politikën e privatësisë së Meta-s, ato mund të bëhen material për trajnimin e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kjo kompani amerikane.

Gjithçka ndodhi pa njoftim e pa shpjegim dhe miliona përdorues në Ballkanin Perëndimor nuk u informuan as për “Politikën e Privatësisë” së re të Meta-s, e cila u publikua më 26 qershor.

Në një dokument, të cilin e ka analizuar Radio Evropa e Lirë (REL), kompania Meta thekson nisjen e një shërbimi të ri – që është mundësia për të krijuar tekst, zë, imazhe dhe video përmes inteligjencës artificiale. Meta mbledh përmbajtje të publikuara që përdoruesit ndajnë përmes platformave të kompanisë, ndaj dhe shërbimi i ri që ofron nëpërmjet zhvillimit të inteligjencës artificiale do të bazohet në këtë praktikë.

Përdoruesit nga Ballkani Perëndimor nuk ishin të informuar për risinë, ndërsa qytetarët e Bashkimit Evropian, kur hynin në platforma, morën një paralajmërim se politika po ndryshonte dhe më pas kishin opsionin për të tërhequr të dhënat nga trajnimi i planifikuar i inteligjencës artificiale.

Kur gjithçka vihet në kontekst me ligjet vendëse në rajon, Meta ishte e obliguar të ofronte të njëjtin opsion edhe për përdoruesit në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, dhe në Mal të Zi.

Zgjidhjet ligjore ekzistojnë në vendet e Ballkanit dhe më së shumti janë të harmonizuara me ato evropiane, kur bëhet fjalë për përpunimin e të dhënave personale, tregon analiza e REL-it.

Megjithatë, institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale në këto vende nuk kanë shumë instrumente për të reaguar, thanë përfaqësuesit e tyre për Radion Evropa e Lirë.

Si një nga problemet më të mëdha, ata shprehen se Meta nuk ka emëruar as përfaqësues në vendet e Ballkanit, me të cilët institucionet do të bashkëpunonin.

Në të njëjtën kohë, Meta nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për ndryshimet e politikës së privatësisë dhe efektet e tyre te përdoruesit nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Bosnje e Hercegovina.

Çfarë sjell politika e re e kompanisë Meta?

Politika e privatësisë përfaqëson një lloj kontrate midis përdoruesve të platformës dhe kompanisë që ofron produkte dhe shërbime të ndryshme digjitale. Pjesa më e rëndësishme e këtyre dokumenteve është se çfarë të dhënash mbledh dhe si përpunohen nga platforma digjitale. Meta po ndryshon politikën e saj pikërisht në këto fusha të rëndësishme.

Zhvillimi i inteligjencës artificiale përmendet për herë të parë si arsye për përpunimin e të dhënave të përdoruesve të Meta-s, sipas një analize të Politikës së Privatësisë, e cila është e disponueshme për publikun përmes platformës Facebook të Meta-s. Konkretisht, në pjesën e politikës “Si dhe pse i përpunojmë të dhënat tuaja”, kompania Meta liston, nga njëra anë, një sërë shërbimesh dhe produktesh që ofron, dhe nga ana tjetër, lloje të ndryshme të të dhënave të përdoruesit që mbledh për këto qëllime.

Siç thuhet në dokument, ka të bëjë me përmbajtjen e publikuar që përdoruesit lënë në platforma të tilla si të dhënat e profilit, emri, emri i përdoruesit, fotografia e profilit, pastaj komentet në rrjetet sociale, si dhe përmbajtje video dhe audio që shpërndahen publikisht.

“Formulari është i disponueshëm vetëm për persona nga rajone të caktuara”, është njoftimi që qytetarët e Ballkanit Perëndimor marrin në Facebook kur tentojnë t'i “tërheqin” të dhënat e tyre nga Trajnimi i inteligjencës artificiale.

“Formulari është i disponueshëm vetëm për persona nga rajone të caktuara”, është njoftimi që qytetarët e Ballkanit Perëndimor marrin në Facebook kur tentojnë t’i “tërheqin” të dhënat e tyre nga Trajnimi i inteligjencës artificiale.

Meta mbledh edhe të dhëna për përmbajtjen që i kushtojnë vëmendje përdoruesit, domethënë mbledh të dhëna se si reagohet ndaj përmbajtjeve të ndryshme, kohës së përdorimit dhe shpeshtësisë së ndërveprimeve në rrjete të caktuara të kontrolluara nga Meta.

Lista nuk ndalet me kaq. Ajo përmend, gjithashtu, “mesazhet që dërgoni dhe merrni, përfshirë përmbajtjen e tyre, në përputhje me ligjet në fuqi”, si dhe të dhëna për pajisjet nga të cilat keni qasje në Facebook ose Instagram.

E drejta për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave nga trajnimi i Meta-s për IA dhe kërkesa për tërheqjen e tyre, u ofrohet qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar.

E drejta për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave nga trajnimi i Meta-s për IA dhe kërkesa për tërheqjen e tyre, u ofrohet qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar.

Meta ka informacione shumë të ndjeshme

“Nëse shikojmë Meta-n, e veçanta në këtë rast është se ata kanë qasje në platforma, si WhatsApp, Instagram dhe Facebook, të cilat kanë mijëra miliona, në fakt miliarda përdorues dhe profile, ku gjenden informacione të ndjeshme”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë avokati Felix Mikolasch.

Mikolasch është avokat i organizatës NOYB (Non Of Your Business) me qendër në Austri, e cila ishte një nga më aktivet në paraqitjen e padive në mënyrë që të ndalojë planet e Meta-s në nivel të Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente përdorues të platformave të Meta-s nga Ballkani Perëndimor, të cilët ishin njoftuar për ndryshimin e politikës së privatësisë”.

Ai shton se, ndryshe nga kompanitë e tjera që zhvillojnë inteligjencën artificiale (IA), ka shumë informacione që Meta mund t’i përdorë e të cilat platformat e tjera nuk mund t’i mbledhin nga interneti dhe kjo e bën këtë rast më problematik sesa kur bëhet fjalë për zhvillimin e modeleve tjera të IA-së.

Megjithatë, ai thekson se rastet e keqpërdorimit të të dhënave personale përmes modelit të IA-së nuk janë dokumentuar ende.

Duke komentuar Politikën e Privatësisë, Mikolasch thekson se dy gjëra janë kryesore – që kompania nuk ka kërkuar pëlqimin e përdoruesve që të dhënat e tyre të përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale, por gjithashtu se modeli i inteligjencës artificiale që zhvillon nuk përshkruhet në detaje.

“Ne mund t’i përdorim këto të dhëna për çdo qëllim, nuk e dimë saktësisht se për çfarë do t’i përdorim, thjesht do t’i përdorim në përgjithësi për teknologjinë IA. Kështu që nuk u jep asnjë informacion përdoruesve”, thotë Mikolas dhe shton se kompania duhet të jetë më transparente.

Ballkani pa mundësi për të dalë nga trajnimi i IA-së

Ndërkohë që organizatat dhe ekspertët në BE luftonin që Meta t’i trajtojë më me kujdes qytetarët e BE-së, rajoni mbeti në një lloj errësire.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të gjente përdorues të platformave të Meta-s nga Ballkani Perëndimor, të cilët ishin njoftuar për ndryshimin e politikës së privatësisë. Meta nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se si i informoi përdoruesit nga Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova për mbledhjen e të dhënave.

Ekspertja për të drejtat digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Ana Toskiq Cvetinoviq, nga organizata “Partnerët e Serbisë”, thotë se Ballkani Perëndimor në këtë rast u gjend në një lloj zone gri.

“I gjithë rajoni ynë është në një pozicion specifik – gjendet në Evropë dhe është në proces të integrimit në BE – dhe rregulloret tona janë kryesisht të harmonizuara me rregulloret e BE-së, por mekanizmat që kemi në dispozicion nuk janë aq efikas sa ato në BE”, thotë për REL-in Toskiq Cvetinoviq.

Ajo thekson se në fund të muajit korrik organizata “Partnerët e Serbisë” i ka dorëzuar Komisionarit të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave Personale një iniciativë për fillimin e procedurës ndaj kompanisë Meta për shkelje të ligjit në Serbi. Të njëjtën iniciativë ka paralajmëruar edhe organizata SHARE, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave digjitale.

Ajo shton se kompania Meta kishte detyrim ligjor t’i informonte qytetarët për politikën e re, e cila ishte thelbësore, jo teknike.

Kush i mbron të drejtat digjitale të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor?

Ligjet ekzistojnë, por janë të vështira për t’u zbatuar, sipas disa organeve të pavarura për mbrojtjen e të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor. Meta nuk ka një përfaqësues të emëruar në asnjë nga pesë vendet ballkanike, dhe aktualisht autoritetet e mbrojtjes së të dhënave nuk po insistojnë për këtë përmes një nisme të përbashkët.

Në Kosovë, me mbrojtjen e të dhënave personale merret Agjencia e Informimit dhe Privatësisë, e cila si institucion i pavarur raporton për punën e saj në Kuvendin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kësaj Agjencie duke e pyetur nëse është në dijeni për vendimin e kompanisë Meta për ndryshimin e politikës së privatësisë, nëse po shqyrtohet çështja dhe si mund të mbrohen të drejtat dhe të dhënat personale të qytetarëve të Kosovës.

Megjithatë, asnjë përgjigje nuk erdhi.

REL-i ka kërkuar përgjigje edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës, nga i cili deklarojnë se nuk e kanë shqyrtuar çështjen e përpunimit të të dhënave personale për qëllime të zhvillimit të inteligjencës artificiale nga kompania Meta.

“Kur Avokati i Popullit vlerëson se është shkelur e drejta e privatësisë, ka mandat ta shqyrtojë atë nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni për REL-in.

Zyra e Komisionarit për Mbrojtjen e të Dhënave në Serbi bën të ditur se në periudhën e ardhshme do të kontaktojnë kompaninë Meta në lidhje me ndryshimin e politikës së privatësisë.

Ana Toskiq Cvetinoviq beson se komisionari duhet të kishte informuar publikun se çfarë sjellin ndryshimet në politikën e privatësisë së Meta-s.

“Për një ndryshim të tillë, komisionari duhet t’i kishte vënë në dijeni qytetarët, por duke qenë se kjo nuk është bërë tani, duhet të fillojë procedimi ndaj kompanisë Meta për të përcaktuar paligjshmërinë e mundshme në përpunimin e të dhënave”, thekson ajo.

Zyra e Komisionarit sqaron se nisja e procedimit ndaj kompanisë Meta ka qenë e vështirë për shkak se kjo kompani nuk ka një përfaqësues në Serbi, gjë që është një detyrim sipas Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Pa praninë e përfaqësuesve të këtyre kompanive, qytetarët tanë nuk mund të ushtrojnë plotësisht të drejtën e tyre për mbrojtjen e të dhënave personale dhe as të ushtrojnë të drejtat individuale në mënyrë të thjeshtë”, thuhet nga kjo zyrë.

Ligjet janë të harmonizuara me ato evropiane, por disa dispozita mbeten të pazbatueshme, sqarojnë nga Zyra e Komisionarit në Serbi dhe thonë se pikërisht këtë e tregon shembulli me ndryshimet në politikën e Meta-s. I njëjti problem është theksuar edhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas ligjit vendës, ata që përpunojnë të dhënat personale duhet të caktojnë një përfaqësues të autorizuar në Maqedoninë e Veriut, gjë që nuk është rasti me kompaninë Meta, thekson Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë vend.

Ndërkaq, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Malit të Zi, e cila zbaton Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në këtë vend, thekson se do të harmonizohen me praktikën evropiane.

“Ne jemi duke monitoruar nga afër se si do të zhvillohet çështja në nivel të BE-së, do të ndjekim pikëpamjet e organeve të pavarura në rajon, do të përcaktojmë veten sipas standardeve më të mira të së drejtës evropiane”, shpjegon Muhamed Gjokaj, anëtar i Këshillit të Agjencisë në Mal të Zi.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Bosnje e Hercegovinë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për ndryshimet e sjella nga politika e re e Metës deri në publikimin e tekstit.

Kjo Agjenci ka kërkuar vazhdimisht miratimin e një ligji të ri për të dhënat personale në Bosnje e Hercegovinë, që do të harmonizohej me Rregulloren e përgjithshme të BE për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Konventën 108, të cilën shteti e ka nënshkruar.

Ligji ekzistues, vlerësoi më parë Agjencia, nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë lindur për shkak të zhvillimit të teknologjive të informacionit, proceseve të digjitalizimit, përdorimit masiv të mbikëqyrjes video dhe audio, dhe inteligjencës artificiale.

Modeli IA i Meta-s pezullohet në BE

Kompania Meta njoftoi në mesin e qershorit se do të ndalojë trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale duke përdorur të dhënat e publikuara publikisht të qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Ky hap i kompanisë është përshëndetur nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Dublin, duke thënë në një deklaratë se vendimi pasoi diskutime intensive mes këtij organi dhe kompanisë. Meta është e regjistruar në Irlandë, ndaj me ligj është autoritet kompetent për mbrojtjen e të dhënave personale në këtë vend.

“Nuk kemi asgjë për të shtuar më tej, procesi është ende në vazhdim”, tha Komisioni në Dublin duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh nga REL-i në lidhje me planet e kompanisë Meta për të trajnuar një model të inteligjencës artificiale duke përdorur të dhëna nga përdoruesit e platformave në pronësi të saj.

Trajnimi për të dhënat personale ndalohet edhe në Brazil

Njoftimet e kompanisë Meta se modeli i inteligjencës artificiale do të trajnohet me ndihmën e përmbajtjeve nga platformat Facebook dhe Instagram u ndërprenë në fillim të korrikut edhe në Brazil.

Ky vend i Amerikës Latine është një nga përdoruesit më të mëdhenj të platformave të Meta-s.

Në fillim të korrikut, Organi Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Brazil (ANPD) detyroi kompaninë Meta të pezullojë përpunimin e të dhënave personale për trajnimin e inteligjencës artificiale.

Një masë e përkohshme u miratua duke urdhëruar Meta-s të përjashtonte të dhënat personale nga materialet e trajnimit të inteligjencës artificiale. Nëse nuk e zbaton vendimin, kompania do të gjobitet me 50 mijë dollarë në ditë.

Sipas të dhënave të disponueshme publikisht, vendimi i rregullatorit brazilian nga fillimi i korrikut të këtij viti ka mbetur i pandryshuar. Kompania Meta e vlerësoi këtë vendim si ndalues të zhvillimit të inteligjencës artificiale në Brazil.

Megjithatë, trajnimi i inteligjencës artificiale për përmbajtje nga platformat në pronësi të Metës nuk është ndalur në të gjitha anët e botës.

Disa vende më të vogla në Amerikën Latine, si Argjentina, ndajnë një fat të ngjashëm me vendet e Ballkanit. Ekspertët në këtë rajon mendojnë se arsyeja për këtë është mungesa e një kuadri ligjor. Të dhënat e përdoruesve të SHBA-së nga Meta do të përdoren gjithashtu për të trajnuar modelet e AI, pasi ligjet janë më pak strikte se në Evropë.

Radio Evropa e Lirë

Kontribuuan: Sandra Cvetkoviq nga Prishtina dhe Emill Zllatkov nga Shkupi

“Moti i Madh”, një libër sui generis i Shuteriqit- Nga Feride Papleka

Në veprimtarinë shkencore të Dhimitër S. Shuteriqit spikatin thellësia dhe gjerësia. Analizat e tij përfundojnë në sinteza të qëndrueshme, shpesh përfundimtare. Këtë libër, përmbledhje dokumentesh e shënimesh, të shoqëruara me komente për historinë e shekullit XV, për shekullin tragjik të historisë arbërore, autori e përgatiti në vitet e fundit të jetës, kur mendoi se kishte siguruar një material të mjaftueshëm dhe njohuri të sakta për të pasur një vizion pak a shumë të plotë për kohën. Shumica e këtyre dokumenteve, kronikave dhe librave ka fituar vlerat e vërtetësisë shkencore edhe në sajë të punës studimore krahasuese[1] të historianëve tanë të Mesjetës.

Në qendër të shekullit XV qëndronte figura madhore e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ajo ka ndezur imagjinatën e brezave shqiptarë, sidomos gjatë lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, e cila u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Me figurën e kryeheroit, Shuteriqi qe i lidhur qysh në moshë të re, sepse për të flitej shumë në librat e autorëve arbëreshë që kishte në bibliotekën e tij i ati, Simon Shuteriqi, Mësues i Popullit. Pastaj gjatë Luftës Antifashiste, në vitet ’40 atë e tërhoqën legjendat e gjalla për Skënderbeun dhe sidomos ato që dëgjonte për Gjorg Golemin në Çermenikë e në vise të tjera lindore të Shqipërisë kur ishte partizan.

I apasionuar pas dokumentit dhe njëkohësisht shkrimtar dhe studiues, ai nisi të grumbullonte qysh në fillimet e punës intelektuale shënime që i radhiti nëpër skeda. Skedat e tij nuk ishin rastësore, ato ishin fryt i një plani konceptual që donte të rrokte me një vështrim tërësor, zanafillën e shkrimit dhe të kulturës shqipe. Këto kërkime dhe studime e futën pastaj detyrimisht edhe në burimet e rrjedhat e historisë së viseve arbërore.

Po ta shohësh veprën e tij të botuar, e cila ka marrë formën e një monumenti për kulturën shqipe, do të dallosh frymën konceptuale që karakterizon pjesën më të madhe të librave të tij : Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850 (1965) dhe ribotuar disa herë, e që u botua (si veper) postume më 2005, me titull të rikonceptuar nga vetë autori, me lëndën e re që ngjitej edhe 5 shekuj përpara: Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800, me plotësimet që i bëri ai deri në fund të jetës ; Nëpër shekuj letrarë, studime (1973) ; Gjurmime letrare, studime (1974); Moti i madh, postume, (2006) ; Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe, postume (2010), Aranitët: historia-gjenealogjia-zotërimet, postume (2011) ; Fjalori i Naim Frashërit, postume (2012), etj. Më herët ai kishte botuar: Andon Zako Çajupi (1950) dhe (1957); Kënga e popullit (1955) ; Historia e Letërsisë Shqipe I, Universiteti Shtetëror i Tiranës (1959) ; Këngët e Milosaos, Jeronim De Rada përshtatur në shqipen e sotme (1964) ; Autorë dhe tekste (1977) ; Mbi Barletin dhe shkrime të tjera (1979) ; Naim Frashëri, jeta dhe vepra (1982) ; Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, kryeredaktor, Akademia e Shkencave (1983) ; Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera (1987). Nga kënga e popullit, Mbledhës të folklorit, 9 Akademia e Shkencave dhe Instituti i Kulturës Popullore (1991) ; Mili e Hajdhia, Zef Skiro (Giusepe Schiro), poemë, përshtatur në shqipen e sotme (1992) etj.

*

Dokumentet për Skënderbeun dhe Aranitin në të vërtetë mbushën dosje të tëra, prandaj Shuteriqi ndërtoi edhe një skedar që ndodhet në dhomën e tij të punës.[2] Nëpër sirtarët e skedarit ka shënime e të dhëna për shumë figura të shquara të kulturës dhe historisë shqiptare, në të cilat përzihen analiza dhe sinteza. Si erudit i madh që ishte, ai kishte mendimin e tij të pavarur, të mbështetur në teza dhe kundërteza, por edhe në përfundime shkencore.

Në librat studimorë Shuteriqi ka shtruar probleme shumë të rëndësishme, duke u futur thellë në historinë e kulturës me një seriozitet të gjithhershëm dhe që e karakterizon edhe këtë tekst. « […] krijimet e tij përcjellin probleme e shqetësime ekzistenciale për vendin e për kombin […] », shkruan historiani Pëlllumb Xhufi (Dr.Prof.) në « Hyrje ».

Puna e tij kërkimore u ngjan kërkuesve të arit. Duke e zgjeruar rrethin e veprimtarisë së tij krijuese, autori u zhyt thellë në histori, sepse dija e tij e gjerë kërkonte shumë hapësirë. Njohja me dokumentet autentike për Shqipërinë e frymëzoi Shuteriqin të shkruante edhe disa tregime historike për figura si Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Dora d’Istria, Ismail Qemali e të tjerë. Ndër më të shquarit prej tregimeve historike është Ditët e sprasme të Gjorg Golemit. Disa tregime të tjera u përdorën për skenar filmash si : Udha e shkronjave, kushtuar Dhaskal Todrit, Nëntori i dytë, kushtuar Ismail Qemalit dhe Shpalljes së Pavarësisë, Baltrave të Myzeqesë, kushtuar Tefta Tashkos…

Qysh në vitin 1965, Shuteriqi, kishte botuar në revistën Studime Historike, shkrimin : « Aranitët : Emri dhe gjenealogjia ». « Me Gjergj Aranitin familja e Aranitëve arriti kulmet e lavdisë. Gjergji, vjehrri i ardhshëm i Skënderbeut dha i pari sinjalin e kryengritjes së madhe antiturke në Shqipëri. Më 1443 me sulmin kundër turqve në Maqedoni ai « i çeli rrugën kthimit të Skënderbeut për t’u vënë në ballë të qëndresës së madhe shqiptare » (Moti i Madh, f. 9).Pa atë qëndresë emri shqiptar mund të ishte shuar dhe identiteti ynë mund të ishte shkrirë apo edhe të ishte zhdukur.

Për të krijuar kontekstin historik të veprës çlirimtare të Gjergj Kastriotit, ai i ngjiti kërkimet gjer në vitet 1379-1380 kur nis inkursioni i parë turk në Shqipëri dhe i shpuri ato më tej, pas vdekjes së Skënderbeut, deri më 1479, kur ndodhi Rrethimi i dytë i Shkodrës. Kështu, me një shekull historie që jetonte në 1400 e ca dokumente e shënime, ai e ndieu se mund t’i përmblidhte ato në një libër.

Leximi, qëmtimi dhe krahasimi i dokumenteve sidomos për luftërat e Skënderbeut, ishte një punë tërheqëse, shpirtërore për Shuteriqin. Pastaj erdhi libri i Barletit Historia e Skënderbeut, përkthyer në shqip nga Kristaq Prifti dhe Henrik Lacaj. Dokumentet që kishte siguruar nëpër Biblioteka dhe arkiva si dhe shënimet apo komentet krahasuese, ishin një pasuri që nuk duhej të humbiste. Prandaj ai zuri t’i hidhte me makinë shkrimi më 17 janar 1993, datë përkujtimore e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Në « Parathënie » ai shkruan :

« Një ditë të vitit që kaloi thashë :

Bëj një punë tani në shkurtim të urëve : sistemoje këtë skedar. Do të rijetosh, në këtë thyerje të ditës, madhështinë e diellit që bie. Diell qe Skënderbeu… Ka aty mësime realizmi, qëndrese, krenarie » (f.10).

Vizioni i tij është largpamës. Me punën e tij, edhe si akt fisnikërie, ai shenjtëronte figurën më të madhe historike të kombit, të vërtetuar e të rivërtetuar tashmë disa herë. Është e kuptueshme, ai ishte bir i një prej familjeve patriote të Elbasanit. I ati i tij, Simoni, kishte krijuar klubin patriotik Afërdita më 1908 ; qe sekretar i Kongresit Arsimor të Elbasanit, 1909 ; ishte një ndër mësuesit e parë të Normales etj., dhe e kishte shkruar me dorën e vet telegramin që i dërguan Ismail Qemalit në Vlorë patriotët e Elbasanit më 1912. Duke u mështetur te jetëshkrimi i tij, mund të veçojmë edhe se Shuteriqi ishte nip i Kostandin Kristoforidhit, i cili ka shkruar ndër të parët vepra shkencore për gjuhën shqipe : Gramatika e gjuhës shqipe (1882) dhe Fjalori i gjuhës shqipe, që u botua në Athinë më 1904. Pastaj, lidhjet rrethanore të familjes Shuteriqi me Mihal Gramenon, Foqion Postolin, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Aleksandër Xhuvanin e të tjerë, lanë gjurmë të forta në personalitetin e tij.

Këtë libër Shuteriqi e titulloi Moti i Madh, ashtu si e pati quajtur poeti i mërguar De Rada kohën e Skënderbeut. Dokumentet e shekullit të lavdishëm e të përgjakshëm XV, nisin në vitin 1379 me një dokument që autori i vë numrin 1, kur vdes në Shkodër Balsha I dhe pastaj vjen komenti i tij i qartë me një shqipe të rrjedhshme, elegante : « I vëllai, Balsha II (1378-85), që i zuri vendin, u bë më i shquari i kësaj familjeje feudale » (f.13).

Radhitja e dokumenteve ëshë bërë sipas kronologjisë, kjo është e natyrshme, por nxjerrja në pah e elementeve kryesore të tyre me shembuj, komente dhe krahasime, sjellin jehonën e kohës kur u shkruan. Lexuesi « sheh » historinë që ecën me skenat e saj të pamëshirshme : pushtime, vrasje, djegie, shkatërrimet.

4 : 1380, verë. Inkursioni i parë turk, në tokat shqiptare ngjet në zotërimet e Gjin Zenebizit, në viset çame. Ushtrinë osmane e komandonte Shahin Beu ose Lala Shahini. Hron. Joanninon 23. (f.13).

15 : 1384. Turqit përsëritën sulmet mbi viset shqiptare. Timurtashi sulmoi Artën. Gjin Bua Shpata thirri në ndihmë të vjehrrin, Thoma Preljuboviçin. Hron. Joanninon 27. Bozhori, BB 29. Pulaha, në StH 1/1968, 128. (f.18)

16 : 1384-5. Pikturohet kisha e Sh. Athanasit, e ndërtuar nga Muzakajt, në Kostur. Macedonia 415.

35 : 1388. Turqit depërtojnë gjer në Vlorë, Durrës, Lezhë. Fillon kështu pushtimi i Shqipërisë së Jugut. HShq I 241. (f.19).

95 : 1400, rreth. Emri Arbër, Arbëri, përfshin mbarë vendin edhe Janinë e Artë, sipas kronikës së Tokojve. Çabej, në StF 1/1979, 46-7 (f. 29).

110 : 1402, 8.V. Në Shkodër, Drisht e Lezhë ka rënë murtaja, që kishte rënë dhe në Peloponez (në Modon). Po aty 118. (f.31).

Po të vihet re, Shuteriqi sjell edhe ngjarje të tjera, të nxjerra nga dokumentet e kohës.

150 :1406, 2. VI. Gjon Kastrioti ka dërguar në Venedik ambasadorin presbiter Vukatanin (Vulcata), të cilin papa e rekomandon veçanërisht. Ai është ambasador edhe i zotërinjve të tjerë të anëve të Shqipërisë (partium Albanie). AV. III 1197. (f.31).

« Është dokumenti i parë që dimë se flet për t’anë e Skënderbeut » (f. 37).

Autori këtu hedh dritë mbi një të vërtetë orientuese. Pastaj vjen një sqarim i plotë për dokumentin me numër 153, të vitit 1407 që lidhet me një ankesë të Gjonit, të atit të Skënderbeuet drejtuar Sinjorisë për të ruajtur disa famulli të Peshkopatës së Arbrit […] :

« Dihet se Sh. Mëria e Ndërfandës në Gëziqin e sotëm, ishte një qendër e princave të Arbrit të shekullit XIII-XIV. Aty kemi gjetur mbishkrimin që flet për ta (shih në StH 3/1967, 131-158, ku e botojmë atë mbishkrim) ». (f. 38).

Këtu është rasti të riflitet për zbulimin shumë të rëndësishëm të tij në Mirditë, kur shkoi të punonte në bazë. Si ndodhi që « aristokrati » i letrave shqipe, me studime franceze zgjodhi një vend të largët dhe mbase të pazhvilluar për kohën ? Sigurisht, formimi i tij kulturor kërkonte që ai të shkonte në një zonë të panjohur për të. Ai arriti t’i zbulonte mbishkrimet mesjetare mes gurëve të një kishe të rrënuar, se ishte përherë në kërkim të gjurmëve të asaj periudhe që ishte e mjegulluar edhe për shumë vende të zhvilluara të Europës. Dija e gjerë dhe kureshtja shkencore, bashkoheshin me frymën atdhetare që dallonte të gjitha punët e Shuteriqit e që i dhanë frytet e veta edhe me disa punime të rralla për historinë e shtetit të Arbrit dhe të Aranitëve si dhe për historinë e lëvizjeve kulturore-fetare dhe herezinë mesjetare shqiptare, ashtu siç e thekson edhe historiani Pëllumb Xhufi. Studime të tilla janë themelore për kulturën dhe historinë.

207 : 1413-14. […] Ka autorë që mohojnë vajtjen e Skënderbeut peng që fëmijë. Midis tyre Pastor, Hist. e papëve, bot. fr. 1888, II 399, shkruan : « krejt në të kundërtën, Skënderbeu e kaloi gjithë rininë e tij në malet e vendit të vet » (Jireacek, GB 368, sipas Noli 97, sh.88. Dhe veçanërisht Noli, në HS të tij anglisht të vitit 1947, 29. […]. (f.49).

Në dokumentin e mësipërm, autori sjell shembuj të ndryshëm për një problem të pandriçuar mirë deri atëherë, lidhur me jetën e Skënderbeut.

271 : 1420, 25. II. Letër përcjellëse, dhënë nga Gjon Kastrioti tregtarëve venedikas që vinë në skelën e tij, […] Thalloczy-Jireacek, Zwei Urkund, 146. Vendi ku u bë kjo shkresë nuk shënohet.

Sqarimi i mëtejshëm i Shuteriqit :  Gjoni zotohet në emrin e tij e të djemve, të cilët duhet t’i ketë në shtëpi. (f. 62).

428 : 1437, 8. VI. Sipas kronistëve osmanë, këtë vit shqiptarët u hodhën në kryengritje […].

443 :1438. Theodhor Korona Muzaka, në kryengitje që nga viti i kaluar… ; ai u thye nga Turhan Pasha, i cili erdhi me një fuqi të madhe… Myzeqeja u rrënua. Turqit bënë një piramidë me kokat e shqiptarëve të vrarë. Ata vranë të pesë djemtë e Vlash Muzakës, të cilëve ua thyen kockat me çekan. Biemmi 236. Hopf, Chron. 286. Gegaj 52-3. HShq. I 248, bot. Prishtinë. (f.101).

499 : 1443, 3, XI. Huniadi i mundi turqit në Nish. Është koha kur Skënderbeu e braktis kampin turk. Hammer, bot. fr. XVII 286, jep si datë të arratisjes së tij 10 nëntorin.

500 : 1443, 28. XI. Skënderbeu « u shpall zot i principatës së pavarur të Kastriotëve… », HShq. I 274…

Në vitin 1443, në defterin e Sanxhakut të Arbërisë 835H, mungojnë ndryshimet…Kjo tregon se në Shqipëri shumica e krahinave ishin të lira… Pra, Skënderbeu e gjeti të përgatitur vendin mirë për aksionin e tij.

510 : 1444, 2. III. U mblodh Kuvendi i Lezhës.

Shuteriqi krijon një narracion historik dhe e bën tekstin sa më konkret për të realizuar qëllimin e veprës së tij : të transmetojë sa më saktë e rrjedhshëm ngjarjet përmes dokumenteve e citimeve burimore :

Barleti shkruan se në Kuvend morën pjesë : Gjergj Araniti, Andrea Topia, Nikollë Dukagjini (të tre kishin qenë në ballë të kryengritjeve të viteve ’30). Andrea kishte me vete dhe të birin, Kominin. Nga Dukagjinët ishte edhe Pali (Nikolla kishte marrë një vajzë të Aranitit) … Në Kuvend ishte Gjergj Strez Balsha (nip i Skënderbeut nga një motër). Aty ishte edhe Stefan cërnoviçi i Malit të zi (të cilit Skënderbeu i pati dhënë një motër). Nga Veriu ishin gjithashtu Lekë Zaharia, Pjetër Spani (me të katër djemtë e tij, Aleksin, Bozhidarin, Vruon e Mirkon), Lekë e Pjetër Dushmani (bashkë me fisnikë fqinjë të tyre). Nga Jugu, Theodhor Korona Muzaka i Beratit. …

Mbi Kuvendin e Lezhës flet edhe Muzaka (Hopf, Chron. 274-5 ; pas tij edhe Frëngu, bot. 1539, 8. Lavardini, bot. 1597, 37, shkruan se atje Skënderbeu u zgjodh mbret i Shqipërisë (Scanderbege esleu roy d’Albanie) … Cuniberti 35 e vendos mbajtjen e Kuvendit në pranverë 1444. Cvetovka, La bataille des peuples, Sofje, 1971, 293, thotë se aty morën pjesë përveç Cërnojeviçit të Malit të Zi « edhe përfaqësues të komuneve të lira serbe, zëdhënëse të vullnetit të popullor ». […]. (f. 116, 117, 118).

518 : 1444, verë : Skënderbeu thyen të parën ushtri turke që sulltan Murati II dërgoi kundër tij (f. 119).

Ka pra, një besimtari patriotike në punën e Shuteriqit si arkitekt i një libri që pas shumë vitesh pune për grumbullimin e lëndës, ka kërkuar zotësinë e tij edhe për ta ndërtuar atë që sot mund të krahasohet me një  katedrale.

545 : 1445, 10. X. Beteja e Mokrenës.

Ekspedita turke që dërgoi Murati kundër Shqipërisë, … ishin 9000 vetë, këmbësorë dhe kalorës. Skënderbeu ua kishte vënë pritën në « një luginë të ngushtë… e që ishte e vetmja rrugë kalimi për barbarin » : Barleti, Biemmi, Cutolo, Gegaj, Noli. (f. 129).

Në tekst, ashtu si e kemi thënë, herë pas here ka edhe dokumente të tjera të kohës, që autori i ka hasur gjatë kërkimeve për atë periudhë, si :

552 : 1446, përpara. Një anonim Grek, në një panegjerik mbi Manuel dhe Jani Paleologun VIII, i quan shqiptarët ilirë. « Tani i gjithë ai vend (Epiri) banohet në grupe të vegjël nga arbëreshët, popullsi ilire. Kjo popullsi është nomade dhe bën jetën e mjeruar ». Bozhori, BTB 318 (f.131).

634 : 1450, V. Rrethimi i parë i Krujës. (f.155).

Për këtë ngjarje flitet në shumë kronika të epokës si dhe në studime e libra dhe autori bën një përmbledhje duke përmendur : Kemal, Saddedin, Neshri, Sollakzade, Halkokondila, Kritobuli dhe kuptohet Barleti me librin e tij, Biemmi, Stefano Magno, Fallmerayer, Noli gjithashtu me Historia e Skënderbeut (1947), Marinesco, Cutolo, Gegaj dhe të tjerë. « […]

Sulltani që « të nesërmen » i dërgoi Vranakontit, mbrojtësit të Krujës lajmëtarë që të dorëzonte qytetin, duke i premtuar se mund të largohej i lirë bashkë me rojen e me gjithë sendet, duke i falur edhe 200 mijë aspra…Vranakonti nuk pranoi…Krujën, sipas Barletit, Skënderbeu e boshatisi me kohë nga njerëzit… Ai la atje 2 mijë burra për të mbrojtur qytetin. Midis tyre kishte italianë, gjermanë, francezë…

Skënderbeu qëndroi jashtë kështjellës, me rreth 8 mijë, midis të cilëve shumë kalorës. Ai veproi sidomos që nga Mali i Tushemishtit (sot Mali i Skënderbeut) … duke e sulmuar armikun në befasi… Si komandantë Skënderbeu kishte me vete Mojsiun…Tanush Topinë…dhe Gjergj Strezin (Balsha).

Turqit kishin 160 mijë ushtarë…e mbajtën të rrethuar Kështjellën rreth pesë muaj dhe pastaj u tërhoqën…sipas Jireacek, GS II 193, « Skëndrebeu u bë një nga burrat më të famshëm të kohës ».

Halkokondila (Bozhori, BB 55-7) i kushton vëmendje Rrethimit të Parë të Krujës… « Shqiptarët treguan një rezistencë që nuk shprehej » … Huniadi e mori vesh lajmin nga Gjergj Brankoviçi … Fallmerayer shkroi se me Rrethimin e parë të Krujës « mbaronte akti i parë i dramës së madhe shqiptare ». (f.155, 156, 157, 158).

Libri Moti i Madh ngjan si një rrëfim mes zhurmave e flakëve të një lufte të tmerrshme. Aty ndihet fuqia e shkrimit që sjell të gjallë kohën dhe ngjarjet si mjet shpëtimtar kundër harresës.

655 : 1451 fillim. Murati i dytë (ai vdiq në shkurt) qorron Stefanin, të birin e Gjergj Brankoviçit, me gjithë një vëlla të Stefanit. Babinger, Ende Aranit, 33.

Murati i kishte ata kunetër, duke pasur për grua motrën e tyre Marën. (f.164).

663 : 1451, 26. III. Traktati i Alfonsit V me Skënderbeun, i nënshkruar në Gaeta… (f.166, 167, 168).

Komenti : Me traktatin me Alfonsin, Skënderbeu bëri vërtet « një hap taktik ». Ai angazhoi kështu për luftën kundër turqve, përkrah tij, një fuqi të madhe.

670 : 1451, 23. V. Alfonsi i shkruan Skënderbeut, se po i dërgon 100 këmbësorë dhe 2 oficerë. Skënderbeu quhet i « madhnueshëm », « zot i Krujës, i devotshmi ynë i dashur ». Radoniç 45, Shih edhe Marinesco 46-7, sh 3.

Korrespondenca midis dy palëve është shpeshuar pas nënshkrimit të Traktatit të Gaetës. (f.170)

677 : 1451. Kritobuli i Imbrosit, në « Historia e Mehmetit II », shqiptarët i quan vazhdimisht ilirë. (f.173).

689 : 1451-69. Garnizoni aragonez qëndroi në Krujë gjer pas vitit 1468. Noli, Sc 49 (f.175).

705 : 1452, 21. VII. U zhvillua beteja e Modricës, sipas Biemmi 293-4, që pranon HShq. I 296. Turqit u thyen…

735 : 1453, 29. V. Mehmeti II merr Kostantinopolin ; Hammer, bot. fr. XVII 262.

Mehmeti donte ta tejkalonteAleksandrin e Madh, ta bënte Stambollin qendër të një monarkie universale, të vetme. Ai marshoi drejt Lindjes, ky drejt Perëndimit. Babinger, Maometto 608-9. (f.187).

Kur autori ka zbuluar dokumente të reja, i emërton ato me shkronja alfabeti pas numrit përkatës, Për shembull :

740 : 1453,18. IX. Senati i Venedikut i shkruan Skënderbeut. Janë të kënaqur nga çfarë u shkruan konti i Shkodrës…

740/a : 1453, 25. IX. Pal Gazulli e Theodor Jafet-i, ambasadorë të Skënderbeut, janë në Raguzë….

740/b : 1453, 30. IX. Papa lëshon një bulë për kryqëzatë kundër turqve…

740/c : 1453. (f.189).      .

763 : 1454, 14. VI. Alfonsi dërgon në Shqipëri « këshilltarin e mëkëmbësin » e tij, Ramon de Ortafa… Letra i drejtohet « të madhnueshmit e të fortit burrë Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe… » (f.194).

798 : 1455, 26. VII, Shqiptarët u thyen keq nga turqit në Berat. Barleti shkruan gjatë për këtë në Lib. VIII të HS 323-52.

Personazhet historike i kanë dhënë formë dhe emër çdo kohe. Këtu autori bën një ndërhyrje të gjatë rreth katër faqe, pa iu larguar burimit, ashtu si ndodh në raste të tjera. Disa dokumente janë të kohës kur u zhvillua ngjarja. Ai analizon  elementet e tyre të përbashkëta dhe mospajtimet :

Në faqen 208 lexojmë : HShq. I 277, bot. Prishtinë, vë re se, pas disfatës së Beratit « Alfonsi hoqi dorë përfundimisht nga ndihma ushtarake. Venediku « gjeti » rastin për të eliminuar Skënderbeun « duke kujtuar se tashmë i erdhi fundi rezistencës shqiptare » (edhe Raguza e gjente situatën të humbur), Hopf. Griech. II 134. Venedikasit « vrapuan të merrreshin vesh me turqit ose të siguronin strehim për feudalët shqiptarë, që u prishën me Skënderbeun… (f.204-208).

Përsëri dokumenti më poshtë që ka lidhje me ngjarjen e kobshme të Beratit, është sintezë e shumë burimeve të shkruara në atë kohë dhe më vonë.

799 : 1455, VII. Duke lënë turqit të kalonin kufirin nga Dibra dhe të vinin të shpëtonin Beratin, ku ishte rrethuar garnizoni i tyre. Mojsi Golemi e tradhtoi Skënderbeun…

Marinesco 101, thotë se : Venediku i nxiste zotërit shqiptarëe, që të ngrinin krye kundër Skënderbeut … (f. 209, 9).

Në disa dokumente, Skënderbeu del njëkohësisht strateg lufte dhe politikan, ndaj autori kujdeset që në paraqitjen e dokumenteve të tilla, pavarësisht nga shkurtimet e domosdoshme, të ruhet ideja.

830 : 1456, 8. IV. Skënderbeu që nga Lezha, i shkruan kardinalit të Fermos…Veten e quan « dominus in Albania ». Turku, « thonë » se është « duke u derdhur me 14 mijë, ose kundër nesh, ose kundër Danubit ». Po të marrë rrugën drejt Danubit, shqiptarët do t’i bien pas shpine. Po të vijë këndej, shqiptarët do të rezistojnë. « Të gjithë e dinë se, sikur të hiqej dorë nga plani » (i një fushate kundër turqve, që kishte proklamuar papa një vit më parë 15. V. 1455), « kjo është e dëmshme për fenë e krishterë ». (f.216).

855 : 1456, 14-22. VII. Huniadi fiton betejën kundër turqve në Beograd. Hammer, bot. fr. XVII 268.

Huniadi do të vdiste pas një muaji. (f.225).

894 : 1457, 9. VI. Papa i dërgon Skënderbeut ndihmë 200 ushtarë, ushqime, armatime, duke premtuar dhe të tjera (që nuk i dërgoi). Ai ka marrë 2 letra nga Kastrioti. I shkruan : « Emri yt i lumtur është i përhapur në të gjithë popujt katolikë, për gjithë këto punë të mira që ke kryer për këtë fitore të shkëlqyer » … (Rainaldi, Radoniç. Burime historike. (f.234).

898 : 1457, verë. Isak pasha dhe Hamza Kastrioti janë nisur kundër Skënderbeut, shkruan Barleti. …U mundën turqit. Fjala është për betejën e Albulenës. Hamzai u kap. Skënderbeu urdhëroi të mos e vrisnin, por e dërgoi në burg në Napoli). Piu II e ka ngritur shumë lart këtë fitore. Për këtë betejë flasin edhe kronistët osmanë. (f.237).

Autori sjell dokumente që tregojnë se Skënderbeu mendonte edhe për njerëzit e thjeshtë që përballeshin me luftën, jo vetëm për luftëtarët. Nuk janë të pakta rastet kur ai i kërkon sulltanit paqe për 3, 5, apo edhe 10 vjet.

1078 : 1462. 4. II. Në Raguzë merren vendime për pritjen e përcjelljen e Skënderbeut, si dhe për shpenzimet. Në dorë do t’i jepen një mijë perperë. Radoniç, 230. (f.280).

1087 : Skënderbeu blen grurë në Trani. Ducellier në Etudes Balk. 1/1978, 64, sh. 91… (f.284).

1204 : 1465. Barleti, HS 445-66 përshkruan të 3 ekspeditat që bëri kundër Shqipërisë turku më 1464-5.

Shuteriqi bën një përmbledhje :

Pasi theu ushtrinë e Sheremet beut në afërsitë e Ohrit më 1464, vitin që erdhi ai theu edhe Ballaban pashën në Vajkal (në fushën e sotme të Bulqizës) dhe Jakub Arnautin në Kashar (Tiranë) ; Jakubi u vra…

Kur Mehmeti II mori Kostandiopolin, Ballabani ishte ngjitur i pari në muret e kishte hyrë brenda… (f. 312,3,4,5).

1247, 1466, verë. U zhvillua fushata e madhe e Mehmetit II kundër Shqipërisë, duke rrethuar Krujën e duke ndërtuar kështjellën e Elbasanit. […]

Këtu autori bën një panoramë të situatës : Barleti shkruan se Mehmeti vuri njerëz që ta zhduknin Skënderbeun me helm ose me hekur…Krujën e mbronin shqiptarë dhe italianë… Rrethimin ia bëri Ballabani. Skënderbeu sulmonte çdo ditë nga jashtë kampin e sulltanit. Mehmeti duke parë se po kishte humbje të mëdha, vendosi të largohej për Bizant e la aty Ballabanin…

Skënderbeu u nis për Romë për të kërkuar ndihma. Ndihmat qenë aq të vogla, gjë që « nuk mund të zihet në gojë pa u skuqur çdo i krishterë nga turpi », shkruan një autor i kohës.

Dhimitër Frëngu, historiani tjetër i Skënderbeut, që ishte atë kohë (1466-7) arkëtar i tij, në kap.36 të veprës së tij, bot. 1539, shkruan se papa i dha Kastriotit « vetëm 3 mijë dukat » që iu doëzuan Dhimitrit vetë ; « Skënderbeu, i cili pak u turbullua nga kjo gjë (…) u kthye shëndoshë e mirë në vendin e vet » … (f. 324,5).

1258 : 1466. Letër e sulltan Mehmetit II dërguar të birit, Bajazitit :« Të pafetë shqiptarë – zoti i shfarostë », shkruan sulltani, « kishin shpërthyer në kryengritje », duke « shkelur marrëveshjen » (e paqes që ai kishte me ta). […] Një ndër komentet e Shuteriqit : Kjo letër e rrallë e Mehmetit, duhet të jetë e vitit 1466 dhe ndofta u dërgua nga Shqipëria… (f.330).

1312 : 1467, 1. V. Nga Baroli (Barleta), i shkruajnë mbretit të Napolit se Skënderbeu me 16 mijë vetë, gjendet në kampin e tij (duket pranë Lezhës) që përditë shtohet, se « shqiptarët rendin te ai (che li Albanesi concorreno a luy). Ballabani duke sulmuar… « u plagos vetë nga një ushtë në grykë (et epso farito da una lanzata ne la gola), prej së cilës vdiq ». Atij, « katër ditë më parë i ishte kapur i vëllai në një fshat dhe i kishin prerë kokën » (et decapitato). Pall, Rapporti it.-alb. 84. (f.344).

1354 : 1468, 17. I. Vdiq Skënderbeu i sëmurë fare pak ditë në Lezhë, me ethe. Autori jep disa ndryshorë me mospërputhjet e dokumenteve apo librave për vitin e vdekjes. […] :I pari që e dha të saktë vitin e vdekjes së Skënderbeut, është autori bizantin Sfrances, që e vendosi në « janar 6976/1468 » (Bozhori, BB 108). Strances-i, bashkëkohës i heroit, jetoi në vitet 1401-78. […] Sipas Frëngut, kap. 40, Skënderbeu vajti në Lezhë për nevoja të shtetit të tij dhe të Venedikut, që të shkatërrohej kështjella e rindërtuar në Valmi : « Scanderbeg venne in Alessio per certi bisogni del stato suo et… ». Pastaj vjen komenti i Shuteriqit : Si arkëtar i Kastriotit, Frëngu duhet të qenë mirë i informuar atë kohë dhe ka të ngjarë të ketë qenë pranë tij, kur heroi vdiq.

Duke qenë edhe sjellës i dokumenteve që i shtohen kulturës shqipe dhe historisë së saj, Shuteriqi shkruan : Këto kohët e fundit është bërë i njohur humanisti prej Kotorrit të Dalmacisë, Martin Segoni, cili ka lënë një jetëshkrim fare të shkurtër të Skënderbeut dhe disa tekste me interes të veçantë për kohën. Segoni jetoi në Kosovë, u doktorua në Padova më 1475, kur atje jetonte Beçikemi dhe me sa duket edhe Barleti… Për ne, ka shumë të ngjarë që Segoni të ishte shqiptar (f.357, 8, 9, 360).

1383 : 1474, verë. Sipas autorit italian Gjergj Marula (1431-94), i cili shkroi një relacion mbi Rrethimin e Parë të Shkodrës nga turqit më 1474, duke u informuar nga të rraskapiturit shqiptarë që erdhën atje, turqit u dukën përpara Shkodrës në maj 1474.

1393 : 1476-8. Rrethimi i Katërt e i fundit i Krujës : Një ushtri e madhe erdhi atëherë në Shqipëri, e komanduar nga Ahmet bej Evrenozi. Krujën e mbronin forcat shqiptare dhe venedikase. Qyteti u dorëzua nga uria më 16. VI. 1478, me kusht që të rrethuarit të largoheshin lirisht. Sullltani

1401 : 1478-9. Rrethohet për së dyti herë Shkodra dhe u dorëzohet turqve. Dokumenti më i rëndësishëm mbi këtë rrethim është libri i vogël i Barletit, i botuar në Venedik më 1504, në janar, « De obsidione Scodrensi ». Shih bot. 2 shqip, përkth. H. Lacaj, Tiranë 1967.

Barleti shfrytëzon kujtimet e veta dhe të bashkëkohësve. Ai thuajse ka mbajtur një ditar të rregullt, me data fakte dhe imtësi. Vetë mori pjesë në mbrojtjen e qytetit, me sa duket si komandant ushtarak, megjithëse nuk ishte më shumë se 18-20 vjeç. […] :

Më 14. V, nisi rrethimi. Më 15. VII. sulltani dha urdhër që të sillej pranë ledheve një sasi e madhe balistash e katapultash… Arkitekti i qytetit dhe komandanti i artilerisë, Danieli, kishte ngritur « nga të dy anët e qytetit » disa makina që i thyenin ato mjete sado të forta të armikut…Më 19. VII. Mbetën të vrarë kapedani i ushtarëve italianë, Frano Patavini, fisniku shkodran Llesh Begani, pastaj italiani Françesk de Santo Skorbaro, shqiptarët Nikollë Gradisklavi e Nikollë Begani, shkodranë… Përleshje e madhe qe më më 19. VII. …Sulltani, i tërbuar, dha urdhër « të mos mbesë asnjë shkodran » … Kur pa ai se qyteti nuk u muar, dha urdhër që të mos pushojë goditja me artileri. Pirgjet u rrafshuan përtokë. « U bë kërdi e madhe nga çdo anë dhe gropat u mbushën me gjak » …Sulltani vendosi për një sulm « krejt të ri ». Ditën e hënës së re, 5 ditë pas betejës së fundit, turqit zunë t’i ngjiten kodrës. Hoxhallarët nisën të këndonin. Bartolemeu kontrolloi mirë qytetin bashkë me Nikollë Monetën, komandantin e kalorësve « shumë i zoti në artin ushtarak » shkodran (ky, sipas Barletit, HS 76, pati luftuar krah Skënderbeut e Lekë Dukagjinit më 1467, kur u vra Ballabani). Sulmi turk qe i tmerrshëm… Qëndrim po aq burrror patën edhe gratë… pjesa më e madhe e ushtarëve përbëhej nga qytetarët dhe nga djelmoshat fshatarë … U dalluan vëllezërit Jakob e Monçin Moneta, komandantë shkodranë…Thirrja ishte : « Mos i lëshoni në zgjedhë e në robëri familjet e atdheun tuaj ». Luftën Barleti e quan « lufta e drejtë » … Komandanti Vlash Humoi (familje fisnike e njohur) u hodh mbi stom, kështu dhe i nipi i Jakob Monetës, Luka. Turqit u thyen. Sulltani humb çdo shpresë e jep urdhër për tërheqje. Ai ka lënë 30 mijë të vrarë… U vendos të merren kështjellat përreth. Por bombardimi i kalasë së Shkodrës do të vazhdonte…

Më 2. VIII u sulmua Zhabjaku… Më 27.VIII u pushtua Drishti i rrafshuar…Më 2. IX, 300 rob të zënë atje turqit erdhën e i therën në sy të të rrethuarve, nën muret e në Shkodër. Më 8. IX u nis kundër Lezhës pasha i Rumelisë ; qyteti u dogj …Kishin vdekur 3 mijë vetë nga të rrethuarit e Shkodrës, ushtarë e popull… Flor Jonima u mbushi mendjen atyre që mbetën gjallë (rreth 1500) që të mërgohen e të mos qëndrojnë nën zgjedhë.

Dhe kështu « shkodranët lanë qytet e atdhe » (…) edhe thonë, – shkruan Barleti, i cili dëshmon në këtë mënyrë, tërthorazi, që nuk u tërhoq bashkë me popullin, – se ku me vela e ku me lopata, dolën (nga Buna) në det të hapët », derisa arritën në Venedik, pa u ndalur kundi. (f.372, 3, 4, 2).

Barleti e mbyll tregimin, shkruan autori, duke iu drejtuar dogut, të cilit i kushtoi veprën : « Për madhninë e Venedikut ata (shkodranët) do të kalonin ditë të bardha e të gëzueshme » (…). Në fakt, komenton Shuteriqi, kur shkruante historiani, fati i tyre ishta ende i vështirë, siç tregojnë dokumentet e kohës. Shumica vuanin. Dhe kjo ishte një arsye kryesore përse e shkroi Barleti veprën e tij mbi Shkodrën, që të tërhiqte vëmendjen e dogut vetë dhe të autoriteteve venedikase mbi hallet e të rraskapiturve shqiptarë. Në parathënie ai shkruante : « Nuk mjafton t’ua qajmë hallin të vuajturve, po duhet edhe t’u japim dorën e t’u lehtësojmë vuajtjet… ». (375).

*

Teksti i Shuteriqit përfundon me dokumentin numër 1409, viti 1479, kur ra Shkodra, kështjella e fundit e qëndresë heroike të Shqiptarëve, dhe kështu me rënien e Shkodrës, ra krejt Shqipëria. Reja e zezë e pushtimit e errësoi horizontin anë e kënd viseve arbërore. Identiteti shqiptar i vuan ende pasojat e rënda të robërisë që zgjati thuajse pesë shekuj.

Pavarësisht nga kryengritja shqiptare e vitit 1481 me të cilën u bashkua edhe i biri i Gjergj Kastriotit, Gjoni, që shqiptarët e zgjodhën princ e udhëheqës të tyre (ata korrën një fitore kundër turqve dhe kapën të gjallë Sulejman Pashën që kishte rrethuar Shkodrën 3 vjet më parë), ushtria osmane, më e madhja e kohës, vazhdonte ta forconte rendin e saj në Shqipëri. Më 1485 Gjon Kastrioti u rikthye në Itali.

Duhet të ndalemi edhe njëherë te « Parathënia » e Shuteriqit, e cila është si një testament :

« Dhe ti, lexues, që do ta shfletosh këtë libër, në se do të ketë fatin të botohet ndonjëherë, më fal të metat, cilatdo qofshin, dhe mungesat. Ndërsa unë e di se je duke lexuar diçka « edifikuese », për ndërgjegjen e kombit. Do të më ndjesh pranë vetes, tek të pëshpëris :

E sheh se sa të egër kanë qenë bota me ne, sa të pabesë, sa të pafytyrë ? E sheh se sa të duruar kemi qenë ne, sa të paepur ? E sheh sa i kemi dhuruar botës […] ? (f.11).

*

Vepra e Shuteriqit mbetet si një gur i madh e i qëndrueshëm në ndërtesën e kulturës kombëtare.

Librin, që përbën një formë të veçantë ligjërimi shkrimor, autori e përgatiti për botim më 1993, por atëherë as bëhej fjalë që të botohej ; elementë të së djathtës ekstreme shkruanin pareshtur kundër figurës së tij. Ka ndonjë gazetë që riboton edhe sot ndonjë nga ato shkrime, dhe ç’është e vërteta, ky gjest ka bërë gjithnjë efekt të kundërt, i ka sjellë shumë dëme personit që e ka shkruar.

Përmes thurimës me dokumente historike, dëgjohet edhe një thirrje patetike dhe dramatike njëkohësisht, e cila nxit, jo kërkim të kohës së humbur, por një apologji të historisë tragjike shqiptare për ta parë të ardhmen me optimizëm. Vetëm kështu vepra e brezave që sakrifikuan jetën për lirinë, transmetohet me përgjegjësi historike.

Në tekst shprehet në mënyrë metaforike edhe lëvizja shkrimore që niset nga fakti dhe hulumton brendësinë, ai tregon edhe një pasion duke paraqitur kështu unin e një shkrimtari të lidhur fort me fatet e atdheut. Prandaj, kjo vepër e Shuteriqit është një ndërmarrje e pakrahasueshme, që nuk mund të ketë imitatorë. Ai ka realizuar me këtë libër edhe një punë që lidhej me vertikalitetin e veprimtarisë së vet. Disa libra të tij janë libra jete ! Ai i ka mbajtur dorëshkrimet e tyre në duar deri në fund të jetës për t’i plotësuar sa më shumë. Kjo gjë ishte shndërruar në ligj të punës së tij.

Pasuria e tekstit lidhet, së pari, me punën e palodhur dhe ndriçuese që bënte përherë Shuteriqi. Por, origjinaliteti dhe veçanësia e tij qëndron te kërkimet e paepura rreth identitetit kombëtar. Libri i përgjigjet kredos së tij : që të jetë bindës dhe i përkryer në çdo punë. Para së gjithash, një tekst i tillë me dokumente dhe komentar mbetet një vepër e fuqishme, sepse hedh dritë mbi figurën më të madhe të historisë sonë, mbi Gjergj Kastriotin. Përveç interesit shkencor, teksti paraqet edhe një interes tjetër kapital për zhvillimin e mendimit të përparuar, sepse rreshtohet me veprat që ndikojnë për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.


[1]  Studimi krahasues është një shqyrtim që vë përballë dy ose më shumë dokumnte ose vepra për të përcaktuar pikat e ngjashme ose ndryshimet. Në ditët tona ai është shkencë më vete në letërsi, por ushtrohet në çdo fushë të shkencës, në filozofi, në histori dhe në studime shoqërore.

[2]  Autorja e këtyre radhëve ka dërguar në Bashkinë e Tiranës dhe një tjetër në Ministrinë e Kulturës një dosje për kthimin e dhomës së tij të punës në muze që para më shumë një viti e gjysmë ; dhoma-muze të tilla që kërkojnë pak shpenzime dhe administrohen nga Bibliotekat Kombëtare, ka kudo në botë (ato hapen për publikun një herë në javë me një punonjës të bibliotekës). Unë kam kërkuar që edhe skedari i tij, puna e një njeriu, e krahasueshme me punën e një institucioni të tërë, duhet të vendoset në Bibliotekën Kombëtare, në sallën shkencore që të përdoret nga studiuesit e rinj.

KRITIKA LETRARE EVROPIANE PËR SHKRIMTARIN ISMAIL KADARE- Nga Prof. SHERIF SELIMI

I.Hyrje

Sipas sociologut rus, Mihel Bahtinit kulturat dialogojnë midis vete. Ai është i pari që e përdor termin dialog, dialogizëm. Kështu edhe letërsia si pjesë e kulturës vihet në dialogim, apo interkomunikim. Duke pasur parasysh teorinë e Bahtinit, parë nga aspekti i intertekstualitetit mbi principet e ,,pluralizmit kulturor”, natyra e ideve të procesit kulturor lidhet me të gjitha segmentet, duke vënë këtu edhe kontaktet ndërgjuhësore. Këto kontakte vërehen në veprën e njeriut më të madh të letrave në letërsinë shqiptare, Ismail Kadaresë. Kështu: ,,Vepra e Ismail Kadaresë, e përkthyer deri tani në tridhjetë e katër gjuhë, në mbi dyzet vende, sigurisht, i përket mbiletërsisë dhe gjuha kryesore e saj është gjuha ndërkombëtare e letërsisë, konkretisht, është gjuha e metaforave, alegorive, parabolave, është esperantoja e letërsisë moderne bashkëkohore. (Kuçuku, 2005;14).

II.Receptimi i veprës së Kadaresë
Në vitin 1967, romanisti gjerman Hans Robert Jaus, me ligjeratat e tij në Universitetin e Konstancës do të inauguroj estetikën e receptimit, do ta zhvendos rëndësinë e studimit drejt lexuesit-shikuesit e dëgjuesit, konsumuesit, të adresuarit, të cilit i deikohet vepra. Kështu, pra mund të kuptohet se veprat letrare të Kadaresë do ti adresohen jo vetëm lexuesit-shikuesit, dëgjuesit, kosumuesit shqiptar, por edhe atij francez, anglez, gjerman, etj në të gjitha këto gjuhë të përkthyera.
Është shumë i rëndësishëm qëndrimi i Zoran Konstantinoviçit, lidhur me pikëpamjet e teorisë së receptimit, në kuadër të shkencës së letërsisë komparatiste, të cilat i paraqet në librin e tij ,,Hyrje në studimin e letërsisë komparatiste”, 1984. Nga njëra anë duke u nisur nga qëndrimet e veta dhe nga ana tjetër, duke pasur parasysh edhe termin kyç të R. Jausit ,,horizonti i pritjeve”, Zoran Konsantinoviçi thekson fenomenin e aliteritetit të dukurive letrare në procesin e receptimit të tyre. Ky konstatim vjen pasi vërehet një lloj ,,shmangie” e ,,horizontit të pritshmërive” te publiku (pra, të kuptuarit e veprës nga ana e lexuesit) në kushtet e ndryshimit të kontekstit. Konstantinoviçi thotë: ,,Shkrimtati, i cili gjithashtu vjen nga një gjendje e caktuar e përvojave estetike të një publiku-lexuesi, me veprën e vet, i pasuron ato përvoja dhe gjithashtu hap horizontet e pritshmërive të veta. Nga përvojat e pasuruara në këtë mënyrë, poashtu edhe nga horizonti i pritjeve, i cili pastaj zhvendoset, lindin shkrimtar të rinj. Kjo do të thotë se letërsia zhvillohet si një proces dialektik, gjatë të cilit ndryshohen edhe masat estetike, edhe koncepti poetik në përgjithësi”. (Konsantinoviç, 1984;50)
Këto mendime janë të përshtatshme posaçërisht për konstatimin tonë, sepse procesi i receptimit në masë të madhe përcakton prodhimin letrar të shkrimtarit tonë Ismail Kadare. Kështu, vetë receptimi i një vepre, një autori ose një frymëzimi poetik në përgjithësi, sipas disa studiuesëve, mund të jetë i trefishtë: 1) pasiv; 2) produktiv dhe 3) reproduktiv. (Grunëwald, 1987;40-45).
II.1. Receptimi pasiv nënkupton reaksionin ndaj letërsisë, nga ana e lexuesve të rëndomtë, që nuk merren profesionalisht me formën letrare.
II.2. Receptimi produktiv (prodhues) vepron nëpërmjet letrarëve që krijojnë një vepër të re letrare, në themelet ose nën ndikimin e veprave të tjera letrare, filozofike, psikologjike, bile edhe të veprave të artit figurativ. Kështu vepra e Kadaresë do të jetë model për krijuesit e ardhshëm të letërsisë shqiptare , si edhe të asaj evropiane dhe më gjërë. Ali Podrimja thotë: ,,të gjithë ne jemi ulur në sofrën e Kadaresë dhe kemi shfrytëzuar thërime”. Nga ana tjetër, meqenëse, veprat e Kadaresë janë të përkthyera edhe në shumë gjuhë të botës, poashtu shërbyen si model edhe për shumë krijues të letërsive të ndryshme evropiane dhe botërore. Si për shembull ,,nga Kadareja është frymëzuar edhe shkrimtarja spanjolle Suzana Fortes, për romanin ,,Dashnori shqiptar”, që është përkthyer në polonisht dhe italisht”. (Kuçuku, 2005;191).
II.3. Receptimi reproduktiv (riprodhues) pëbëhet nga mbishkrime, komente, ese letrare dhe lloje të tjera të reagimeve të kritikëve ose gazetarëve, të cilët, në një far mënyre, marrin pjesë në ndërmjetsimin e veprës letrare dhe publikut. ,,Vepra e Kadaresë ka gjithëmon një madhështi tronditëse, prandaj është mjaft ndikuese dhe nxitëse. Për të shkruajnë dhe debatojnë si specialistët (kritikët, shkrimtarët, studiuesit, akademikët, publicistët), ashtu edhe lexuesit, që nga profesorët e degëve të ndryshme deri tek letërsidshësit e zakonshëm. Dalja e saj, në të gjitha vendet, e kanë shoqëruar qindra artikuj kritik, që janë botuar në gazetat qendrore nga më të njohurat, në gazetat letrare lokale, në revistat letrare dhe joletrare, ndërkohë që janë shkruar edhe njëzetë e dy libra studimorë, prej të cilëve tetë në frëngjisht, trembëdhjetë në shqip, një në holandisht. (Kuçuku, 2005;191). Midis këtyre me rëndësi të veçantë janë artikujt dhe studimet e shumtë të shkrimtarit dhe studiuesit të shquar Alain Bosquet, të kryetarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës Alain Plantey-it, të Maurice Druon-it, sekretar i përherëshëm i kësaj Akademie, të akademikëve François Nourrisier dhe Henri Amouroux, të kritikëve francez Eric Faze, Andre Clavel, Gilles Bandérier, mendimet e shkrimtarit të mirënjohur frëng Julien Gracq dhe atij amerikan Xhon Apdajk, etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismail Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë) të Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.

III. Qasja e kritikës letrare evropiane ndaj veprës së Kadaresë
Vepra e Kadaresë është bë objekt studimi edhe i shumë studiuesëve të letërsisë evropiane dhe botërore në përgjthësi. Çdonjëri prej tyre do të ketë qasje të ndryshme ndaj studimit të veprës së Kadaresë. Kështu, disa do të merren me qasjen e brendshme, kurse disa me qasjen e jashtme. Pokështu disa studiues do të merren edhe me vlerat estetike.

III.1. Qasja e brendshme
Qasja e brendshme lidhet me strukturalizmin, pra me strukturën e brendshme të tekstit letrat. Strukturalizmi ishte drejtimi më ekspansiv i shkencave humanistike në shekullin XX. Edhepse, fillimi i tij kushtimisht pranohet se ka të bëjë me paraqitjen e Linguistikës së përgjithëshme të Ferdinand de Sosirit (1857-1913), veçanërisht më 1916, meqenëse si përfaqësues më kulmor merret Klod-Levi-Strosi (lindur 1908), që duhet ta pranojmë se drejtimi i quajtur poststrukturalizëm është një lloj ,,mutacioni” i strukturalizmit. Kështu, kufiri i paraqitjes së strukturalizmit mund të trajtohet faza pas Luftës së Parë Botërore. Strukturalizmi do të dominoj pothuajse gjtë gjithë periudhës kohore të shekullit XX. Pra, strukturalizmi në teorinë e letërsisë, parasëgjithash do të zhvillohet nën ndikimin e dy impulseve të fuqishme, që vijnë nga linguistika strukturale dhe antropologjia strukturale. Ky inspirim njëkohësisht do të jetë edhe përcaktues që do ta mundësoj dinamikën e zhvillimit të këtij drejtimi.
Pra, studiuesit evropian te disa artikuj veprës sëKadaresë do t’i qasen përmes semiologjisë strukturale, duke u lidhur me figurat-personazh që formojnë rrjetin e kodeve narrative. Roman Jakobsoni, diskursin e definon përmes metinomisë dhe sinekdokës, kurse sipas Venko Andonovskit, metinomia është e plota e të plotës dhe sinekdoka pjesa e të plotës, që do të thotë se prej sinekdokës derivojnë figurat. Kështu në veprën e Kadaresë kemi derivimin e figurave të shumëta: simboli, metafor, ironia, alegoria, parabola, oksimoroni, etj. Te këta artikuj, pra bëhet dekodimi i figurave, sipasas semiologjisë strukturale. Si për shembull te artikujt: ,,Realizimi i përpikktë, begatia e simboleve”, Michel Metais, Le Monde, 30.6.1972; ,,Rrëfim me simbole të tejdukshme”, D. S. Lire, septemre, 1990; ,,Ironi gryese, frymë e fuqishme epike”, ,,Ironia therëse për një aparat zyrtar Kafkaesk”, Luzerner Neueste, Nachrichten, 27.2.1992; Anne Derville, La Vie de Paris, 9.11.1989; Figura (alegoria) e ëndrrës te ,,Pallati i ëndrrave”, Gilles Banderier, Revu Luxembourgeoise de Litterature, Genelal et Comparee, 1992/2, p.16-26; ,,Parabolla e ferrit totalitar”, Jean Palestel, Liberation, 25.10.1990; ,,Parabola jashtëkohore”, Florence Ferry, Politis, 19.11.1992; etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismsil Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë) të Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.

III.2. Qasja e jashtme
Për të arritur deri te qasja e jashtme, pra te interpretimi na mundësojnë teoritë e poststrukturalizmit (dekonstruktivizmit). Dekonstuktivizmi është mënyra e leximit të tekstit filozofik, (kështu edhe letrar) që e fillon filozofi francez Zhak Derrida (1930-2004). Padyshim, mund të thuhet se përfundimisht paraqitja e postststrukturalizmit si rymë u inaugurua nga Zhak Derrida me referatin ,,Struktura, shenja dhe loja në diskursin e shkencave humanistike”. (kumtesë shkencore, Baltimoro, 1966). Kjo paraqet një provokim në shkencat humanistike. Kështu, që nga viti 1966, Derrida e zhvilloi lëvizjen, procesin dhe strategjinë e dekonstruksionit. Sipas tij, dekonstruksioni nuk është analizë, kritikë apo përkthim, por nuk është as edhe akt operativ. Në fakt dekonstuksioni është krijuar dhe zhvilluar si instrument josistematik dhe operativ, si strategji, tendecë brenda korpusit të kritikës së Derridasë apo diskursit filozofik të tij, për prezencën e metafizikes apo logocentrizmit, që gjithëmon sipas tij janë iluzione. Procesi dhe logjika e dallimit që lidh/la differance, logjizohet me prezencën e gjurmës. Loja me gjurmën (gjurmë joprezente/prezente) që Derrida në kontinuitet e vëren dhe e interpreton, pra i mundësohet përmes logjikës interpretative dekonstuksioniste-shtojca.
Atëherë kur Zhak Derrida dhe Rolan Bardi në vitin 1966, përhapën idenë e freskët për poststrukturalizmin në SHBA, Mishel Fuko e botoi njërën nga veprat shkencore të tij ,,Fjala dhe gjërat”. (Foucault, 1966). Nëse sot e lexojmë me kujdes këtë libër, do të shohim se paraqet konfliktin midis strukturalizmit dhe poststrukturalizmit. Tema e saj ka të bëj me historinë e ideve shkencore që lidhen me periudhën midis shekullit të XVI dhe XIX, kurse metoda e diskursit të analizës shkencore, me të cilën Fuko shërbehet këtu, gjithënjë e më tepër na kujton mënyrën e mendimeve të njohura, që i hasim te veprat e Klod Levi-Strosit, i cili si psh. e ka thyer diskursin e njësive elementare që e quan ,,rrëfyes” (énoncés), mirëpo shkon gjurmëve për fshehjen e ligjshmërive të cilat i drejtojnë ata diskurse, e sidomos pjesëmarrja e tyre si mendime të formave të përgjithëshme të pavetëdies të cilat i quan ,,epistema” (Épistémé). Termi epistemologji është përdorur gjithashtu njgajshëm si Klod Levi-Strosi ,,struktura e mendjes”. Mishel Fuko, përveç tjerash vazhdon që mos ta mbyll hulumtimin e vet vetëm sipas qasjes së brendshme, por gjithëashtu, i hulumton relacionet midis diskursit dhe të vërtetës jashtëgjuhësore (korrospodimit, ressemblances). Kështu pas tre viteve ai e botoi librin ,,Arkeologjia e dijes”(1969) dhe këtu i sqaron strategjitë e pranuara te ,,Fjala dhe gjërat”.
,,Atyre preformansave të dendura verbale, vetëm se më duhet t’u mundësohen analizat e niveleve të ndryshme që mund të jenë si varianta të mundshme. Duhet të thuhet se krahas metododës linguistike…të strukturimit…ekziston mundësia të vendoset një përshkrim specifik i rrëfimit, shprehja e tij paraqet rregullat e vetive të diskursit.” (Fuko,1998,214).
Zhan Bodrijar (1929-2007) i njohur si teoricien i simulacionit, respektivisht teoricien i indiferencës dhe hipertelosit, posthistoire në vend postmoderne. Në studimin e tij Simulakrumi dhe simulacioni (1985), Bodrijar mendon se dallimet sot nuk qëndrojnë dhe se janë ,,funksionale implozimet gjigante të kuptimeve të ndryshme, të cilat kalojnë në indiferencë universale”. (Welsch, 1993; 159). Këtu është fjala për tezën që kritikon dallimet, se krijimi i dallimeve është dialektik dhe kontroproduktiv. Krijimi i dallimeve dialektike është modus i krijimit të indiferencës. Gjithënjë sipas Bodrijar-it, dialektika e diferencave përfundon me indiferencën. Në funksion të tezës se diskurset ndërthuren, ata nuk kundërshtohen, pra, ata simulojnë. Simulohet demostrimi i realitetit përmes imagjinatës, së artit me anti-artin, i estetikës me anti-estetikën. Reliteti sendërtohet përmes komunikimit, vihet në funksion retroja fiksionale e realitetit, definohet kosmosi i simulimit, pra, i simulimit universal.
Sipas këtyre teorive, gjuha e veprës letrare paraqet botën e përcaktimeve dhe pikëvështrimeve, me një fjalë, tërësinë e formave dhe përmbajtjeve në proprcionalitet. Në këtë mënyrë do të shohim se do të trajtohen artikuj të shumtë për veprën e Kadaresë nga kritika letrare evropiane. Si për shembull artikujt: ,,Shqipëria ose viset e shpirtit”, Alain Bosquet Lettres etrangeres, Botimet Fayard, 1987; ,,Vrasës me jakë A LA MAO”, Andre Clavel, Journal de Geneva, 21.11.1989; ,,Mes xhuxhëve dhe gjigantëve”, Edgard Reichmann, Le Monde, 14.01. 2000; ,,Himni i shumëkuptueshmërisë”, Alain Bosquet, Le Quotidien de Paris, 12.10.1990; ,,Romanet epikë më të bukur të shekullit”, Claude Jennoud, Sidimanche, 7 tetor 1990; ,,Më afër qiellit”, Nicole Zand, Le Monde, 25.09.1992; ,,Ripërtrirja e miteve”,Alain Bosquet, Le Figaro Litteraire, 7.09.1992; etj.
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës” (Ismail Kadare në tridhjetë e pasë gjuhë) të autorit Bashkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.

III.3 Efekti estetik
Duke e pasur parasysh definimin e letërsisë, sipas Zherar Zhenetit: ,,letërsia është artefakt me efekt estetik ku dimenzioni estetik ja përcakton vlerat”, atëherë do të shohim se te disa artikuj të studiuesëve të ndryshëm evropian, trajtohen edhe vlerat estetike të veprës së Kadaresë. Në veprën e Ismail Kadaresë vin në shprehje grotesku si kategori estetike.
Grotesku është kategori estetike që ka funksion të rëndësishëm në rivlerësimin e realitetit objektiv-kriza shoqërore dhe kulturore. Nëse fizicienti ka mësuar të lidh dy elemente të kundërta: ujin dhe zjarrin, artisti bashkëkohor ka mësuar të lidh tragjikën dhe komikën në një projektim inovativ, groteskun modern, që është potenciali më i eksploruar estetik në shekullin e XX. Konstatimi që potenciali estetik i groteskut është i eksploruar në letërsinë dhe artin e shekullit XX (është funksional edhe në veprën e Kadaresë), sepse njeriu në kuadër të realitetit objektiv, nuk mundet në mënyrë aktive ta ndjek absurdin e mekanizmave shoqëror e që në mënyrë direkte ta definoj fatin e botës. Në botën e kaosit, njeriu don të zhvilloj aktivitetet e veta humane dhe gjithëashtu don të jetë i vetëdijshëm për dimensionet e apsurdit të gjërave. Vetëdia njerëzore është e pamundur të funksionoj pa një lojë paradoksale artistike, pa fiksion. Sipas Kafkës, pra: ,,ne nuk jetojmë në ekzistencë, por në teorinë e ekzistencës”. Në shekullin XX, kategoria estetike grotesku do të shfrytëzohet si procedim stilistik dhe vizion estetik nga shumë artistë, por edhe do të bëhen përpjekje të shumta për definimin teorik të groteskut. Kur është fjala për studiuesit e letërsisë shqiptare, duhet përmendur se janë dy estet të njohur: Alfred Uçi dhe Afrim Rexhepi, të cilët janë marrë kryesisht me groteskun në veprën e Kadaresë. Alfred Uçi groteskun në veprën e Kadaresë e trajton në kontekst të procedimeve stilistike, pra, si figurë në kontekst stilistikoroletrar, kurse Afrim Rexhepi groteskun në veprën e Kadaresë e trajton si formë, që përbëhet prej dy segmenteve me katër skaje: tragjkja dhe komikja/e bukura dhe e shëmtuara. (Më gjërësisht, shih në vëllimin e Alfred Uçit Estetika e groteskut I, II, III dhe VI, Tiranë, 1999 dhe librin e Afrim Rexhepit, Estetika e lojës-grotesku te Kadareja, Shkup, 2008.). Gjithashtu edhe disa studiues evropian në mënyrë të spikatur do ta trajtojnë groteskun në kuadër të veprës së Kadaresë. Këtë e hasim te disa artikuj, që do ti paraqesim në vijim: ,,Dhe kaq e stërmadhe sa që grotesku përfton përmasa kozmike. Nëse prej një kohe të gjatë, Garcia Marquez-i ka fshikulluar delirin e tiranëve latino-amerikan, autori i romanit ,,Koncerti”, sapo ka vënë në skenë një version tjetër të marëzisë dhe të fantazmit gjakatar, këtë herë nga e Diellit që Lind. Çka të njgjall frikë”.(Grotesku përfton përmasa kozmike, Andre Clavel, Le Mond, 13.11.1989); ,,(…)Sepse makina është krejt e njëmentë, e njohur në të gjitha kohërat, e tmerrshme për nga funksioni, siç e shpjegon Konstruktori: ky Kalë ,,me këmbët rrënjosur në mitologji dhe kokën drejtuar nga kohët moderne” është ,,një makinë për të njgjallur terrorin, e aftë për t’iu përshtatur çdo epoke dhe të përdorë për qëllimet e veta angushtitë e gjthë brezave”. (Makina e tmerrit, Yves Landevennec, Botimet Fayard, 1991); ,,Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, shën Augustinit, Dantes të krijoja një projekt origjinal”, shpjegon Kadareja lidhur me Pallati i Ëndrrave. Efektivisht, titulli të bën të ëndrrosh, në një kohë që bëhet fjalë për një ide djallëzore e cila e shndërron një ushtri funksionarësh të punësuar në një organizëm tmerrues kobndjellës për të ardhmen…”. (Ferri i ëndrrave, Nicole Zand, Le Monde, 28.10.1990). etj.
Meqenëse, në romanet e Kadaresë dominon trishtimi si kategoti estetike që është i veçantë, pikërisht për këtë arsye kritika letrare evropiane, Kadaresë do t’ia jap epitetin ,,Danteja i shekullit XX”.
,,Roman që të habit, i pajisur me një lloj fuqie magjepse që vjen njëherit nga subjekti rrënqethës, por të trajtuar në mënyrë shumë të gjërë, dhe nga ironia therëse, e hapët dhe shpesh pikëllueshëm, që shpreh hidhësinë e tij” (…). L’Echo, Lyon, 17 mars 1970.
,,Ky shkrimtar shqiptar, i lindur më 1936, ka shumë talent. Subjekti i këtij libri është një rrëfim shumë i çuditshëm dhe me shumë domethënie, që të bën për vete njëherit me progresion dramatik dhe humorin rrënqethës të posaçëm”. Baux-Arts, Bruxeles, 21 mars 1970.
Këto pjesë për romanin ,,Gjenerali i ushtrisë së vdekur” janë marrë nga libri ,,Lidhjet letrare shqiptaro frenge” të Ymer Jakës, Rilindja, Prishtinë, 1978.

IV. Receptimi gjuhësoro artistik i veprës së Ismail Kadaresë
Vepra gjuhësoro artistike e Ismail Kadaresë është jashtëkohore. Më tepër se dyzet vite vazhdon të botohet dhe të ribotohet në gjuhën shqipe dhe gjithashtu edhe në shumë gjuhë tjera të botës. Prej vitit në vit, prej decenie në decenie Kadare vazhdimisht e ka rrit numrin e lexuesve çdokund në botë (në gjuhën shqipe dhe në gjuhë tjera të botës). Kështu vepra e tij nuk mbetet funksionale vetëm për kohën e tij kur është shkruar, por vazhdon me intenzitet të njejtë edhe në dekadat e shekullit të ri dhe padyshim ndodhet para vlerave të reja estetike. Kjo tregon se vlerat gjuhësoro artistike të veprës së Kadaresë zhvillohen me një intenzitet të madh edhe në fillim vitet e mileniumit të ri.
,,Romani ,,Gjenerali i ushtisë së vdekur” i Kadaresë është një parabolë e madhe, një alegori e rëndësishme që e zbulon fytyrën e vërtet të univerzumit totalitar. Kurse ironia është në funksionin konstruktiv për të përkthyer realitetin subjektiv….” (Histoir de la literature europianne, Hachette, Paris, 1992)
,,Në romanin e tij i vërejmë intrigën e dobësuar që është karakteristike për sh. XX, të filluar nga Prusti. Intriga e përforcon pikëshikimin ideologjik të autorit…” Eric Faye
,,Ismail Kadare lexuesit francezë i ofron një roman të të formatit botëror…një roman me gradacion dramatik dhe humoristik”. Zhan Boudrie
,,Kjo kronikë nuk është vetëm kronikë e një ,,qyteti të gurtë”, por edhe kronikë e qyteteve të vendeve tjera, e popujve dhe kontinenteve tjera, duke e dhënë frymën epike, të rëndë pokështu të rëndë sikurse gurët që i përshkruan.” L’Eklaire, Nantes
,,Qyteti i kontradiktave tragjike dhe i ngarjeve groteske, mbetet i njëjtë për gjithëjetën…” Michel Metais
,,Më tepër se alegorik ose rrëfim filozofik, ky libër i bukur është himn i shumëkuptimsisë. Ëndrra ka përparësi mbi realitetin, meqenëse e përmban me vete arbitraritetin dhe mjegullimin” Alain Bosquel
,,Pallati i ëndrrave, një karikaturë e rrezikshme perverze e sistemit totalitar”. Andre Clavel
,,Kadare i ruan temat metafizike (vdekjen, dashurinë) me frymën poetikeduke e shndërrua racionalen në legjendë” Olimpia Bogdan Verger
Këto pjesë janë marrë nga libri ,,Kadare në gjuhët e botës”, (Ismail Kadare në tridhjetë e pesë gjuhë), te Bshkim Kuçukut, Onufri, Tiranë, 2005.

V. Përfundim
Përhapja e madhe e veptës së Kadaresë, veçanërisht lënda e saj, mendimet, problemet, emocionet, siç kanë pohuar njëzëri kritika letrare franceze, amerikane, angleze, gjermane, spanjole, suedeze, etj. e kanë cilësuar me vlera të larta universale. Vepra e Kadaresë është bë universale, shkruan Maurice Druon, sekretari i pëhershëm i Akademisë Franceze. Të njëjtën e thekson edhe A. Plantey, kryetari i Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale të Francës, në fjalimin e tij, kur Kadareja u pranua anëtar i kësaj Akademie: ,,Vlerat e veprave tuaja janë çmuar kudo. Ata kanë një domethënie të fuqishme dhe të thekshme në të gjithë botën.” Kështu, vepra e Kadaresë bëhet objekt studimi jo vetëm për kritikën letrare shqiptare, por edhe për kritikën letrare evropiane”.

Referencat
Derrida, Jacques, ,,Strukrura, znak i igra w dyskursienauk humanistycznych”, tlum. W. Kalaga, u: Drogi wspolczensna teoria badanliterackich za granica. Antologia, oprac. H. Markiewicz, t. 4, cz. 2: Literatura jako produkcja i ideologia. Poststrukturalizam. Badania intetrekstualne. Problemy historyczno-literakciej, Krakow, 1992.
Foucault. Michel, ,,Les mots et les choses”. Une acheologie des sciences humaines, Paris, 1966.
Foucault, Michel, ,,Arhelogija znanja, Plato, Beograd, Izdavačka knjižarnica Zorana Stojanoviča, Novi Sad, 1998. pčrkthyer nga Mladen Kozomara.
Konstantinoviç, Zoran, “Estetika recepcije Hansa Robert Jausa”, në parathënie, Beograd, Nolit, 1978, f.26
Kuçuku, Bashkim, “KADARE NË GJUHËT E BOTËS” (Ismail Kadare në tridhjet e pesë gjuhë), Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 2005, f.14
Konstantinoviç, Zoran, ,,Hyrje në studimin e letërsisë komparative”, 1984
Konstantinoviç, Zoran, “Sovremeni knizevni misao o simbolizmu”, Beograd, 1984, f.50
Grunëwald M. Moog, 1987, f.40-45
Kuçuku, Bashkim, “KADARE NË GJUHËT E BOTËS” (Ismail Kadare në tridhjet e pesë gjuhë), Shtëpia Botuese Onufri, Tiranë, 2005, f.191
Hachette “Histoir de la literature europianne”, Paris, 1992
Derrida, Jacques, ,,Struktura, znak i igra w dyskursienauk humanistycznych”, u: Wspolczesna teoria badari literackich za granica. Antologia , t. 4 deo 2: Literatura jako produkcija i ideolkogia. Badania intertekstualne. Problemy syntezy historycznoliterackiej, Krakow, 1992, 158.
Fuco , Michel, ,,Arheologija znanja, Plato, Beograd, Izdavačka knjižarnica Zorana Stojmenića, Novi Sad, 1998, str. 214, prevod:Mladen Kozomara.
Welsch, Wolfgang, Postmodern modern, Berlin, 1993.
Andre Clavel, Grotesku përfton përmasa kozmike, Le Mond, 13.11.1989.
Yves Landevennec, Makina e tmerrit, Botimet Fayard, 1991.
Nicole Zand, Ferri i ëndrrave, Le Monde, 28.10.1990.
L’Echo, Lyon, 17 mars 1970.
Baux-Arts, Bruxeles, 21 mars 1970.
Jaka, Imer, ,,Lidhjet letrare shqiptaro frenge”, Rilindja, Prishtinë, 1987.
Rexhepi, Afrim, ,,Estetika e lojës-grotesku te Kadareja”, Shkup, 2008.
Uçi, Alfred, Estetika e groteskut, I, II, III, dhe IV, AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, INSTITUTI I KULTURËS POPULLORE, Tiranë, 1999.

(Marrë nga Nacional)

Shkencëtarët mund ta kenë zbuluar shkaktarin e autizmit

Shkenca mund të ketë gjetur një lidhje në mes të rrezikut të autizmit te fëmijët dhe acidit yndyror në gjakun që gjendet në kordonin umbilikal.

Për të vënë dritë mbi shkaqet e autizmit, studiuesit nga Universiteti Fukui në Japoni kanë analizuar lidhjen në mes të acidit yndyror të pasaturuar (PUFA) që gjendet në mostrat e gjakut të kordonit umbilikal dhe rezultatet e autizmit te 200 fëmijë.

Ata besojnë se kjo gjetje e re mund të jetë shumë domethënëse për të kuptuar, diagnostikuar si dhe parandaluar çrregullimet e spektrit të autizimt (ASD).

Studimi identifikoi një komponim të veçantë në acidin e gjakut të kordonit umbilikal, i cili quhet diHETrE e që mund të ketë implikime të forta në llojet e ASD-së. bw


Send this to a friend