Po bëhet një muaj që Edi Rama refuzon të flasë në parlament për marrëdhënien me Charles McGonigal dhe për dosjen, ku prokurorët amerikanë e përmendin 14 herë.
Në fillim nxori pretekst nivelin e ulët të edukatës së deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët i krahasoi me kafshët e kopshtit zoologjik. Pastaj, për t’i mbyllur gojën opozitës, deputetët e saj u ndëshkuan me 23 përjashtime në një muaj.
Por në datën 16 Shkurt, kryeministri bëri kthesë. Pranoi një mocion me debat për çështjen McGonigal duke lënë të hapur prezencën në parlament.
Data e mocionit u caktua në 2 Mars, pra thuajse dy javë më pas.
Vonesën, Taulant Balla e justifikoi me vizitat jashtë të kryeministrit dhe me kohën e nevojshme që u duhej deputetët për t’u përgatitur.
Por çfarë ndryshoi që Rama po përgjigjet në parlament dhe pse u zgjodh data 2 Mars?
Presioni politik ndaj Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të FBI për çështjen McGonigal
Çështja McGonigal është pjesë e debatit politik në SHBA dhe konsiderohet gur prove i institucioneve të inteligjencës amerikane.
Më konkretisht, devijimi i McGonigal nga zotimi për t’i shërbyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe joshja nga paratë e Oleg Deripaskës dhe shqiptarit Agron Neza para takimit me Edi Ramën, ka vënë nën presion të fortë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland dhe shefin aktual të FBI-së, Chriostofer Wray.
Senatorët amerikanë kanë pikëpyetje mbi aftësinë e FBI-së dhe Prokurorisë amerikane për t’i shkuar deri në fund hetimit ndaj një njeriu me pozita të larta brenda inteligjencës si Charles Mcgonigal, i cili ka mbajtur postin e Shefit të Kundërzbulimit në zyrën e FBI në New York.
Ende nuk dihet se deri ku janë shtrirë hetimet për McGonigal, i cili gjatë punës së tij ka qenë pjesë e proceve të rëndësishme hetimore që kanë ndikuar betejat politike në SHBA.
Raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland në 1 Mars
Në këtë atmosferë të ngarkuar nga dyshimet dhe interesat politike, pritet që në datën 1 Mars Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland të flasë para Komitetit Gjyqësor të Senatit. Garland do të paraqitet për një dëgjesë të përvitshme para senatorëve.
Interesi mbi punën e Garland është më i gjerë se çështja “McGonigal”.
Pritet që Prokurori i Përgjithshëm të përgjithshëm të flasë për dokumentet e klasifikuara që u gjetën në ambjentet private të Joe Biden, Donald Trump dhe Mike Pence, për lidhjet e djalit të presidentit aktual Hunter Biden me kinezët, për sulmin në Kapitol Hill në 6 Janar etj.
Por nuk ka asnjë diskutim, se çështja “McGonigal”, lidhjet e tij me rusët, vizitat në Shqipëri dhe jo vetëm përbëjnë një nga temat më shqetësuese të dëgjesës.
Këtë e konfirmon interesi i shtuar i senatorëve amerikane, i shprehur përmes disa letrave publike.
Në fillim të Shkurtit, senatori Dick Durbin, njëkohësisht edhe kryetar i Komitetit Gjyqësor së bashku me disa kolegë të tij republikanë kërkuan informacione për përmasat e hetimit ndaj Charles McGonigal.
Në këtë letër, senatorët kërkonin të gjithë dokumentacionin dhe të gjitha komunikimet e McGonigal mbi çështjet për të cilat akuzohet, shtuar edhe një seri hetimesh që ai kishte kryer më parë.
Deri më tani, letrat nga Capitol Hill nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Çfarë pret Rama nga deklarimet e Prokurorit të Përgjithshëm, Merrick Garland
Si i përmendur 14 herë në akt-akuzën e prokurorisë amerikane kundër McGonigal, Edi Rama do të jetë sy e veshë ndaj deklaratave të Prokurorit të Përgjithshëm, Garland për të kuptuar rrjedhën që ka marrë hetimi i McGonigal.
Një burim i New York Times nga prokuroria amerikane nuk parashikoi asgjë të mirë, kur u citua nga gazeta: “Ndërsa ishte ende në FBI, ai krijoi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sipas prokurorëve në Uashington ndërmori hapa që ishin në dobi të këtij politikani”.
Në versionin e tij të ngjarjeve, Rama ka mohuar shkëmbimin e favoreve me Charles McGonigal, duke bërë disa deklarata që kanë mospërputhje me të dhënat e akt-akuzës amerikane.
Për të gjitha këto, kryeministri i Shqipërisë ka preferuar të mos nxitojë dhe para se të flasë të dëgjojë Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland.
Nëse ai nuk e përmend në dëgjesën e 1 Marsit, për Ramën do të jetë një fitore. Në të kundërt, nuk është çudi ta shmangë sërish në kuvendin, siç bëri kur i kërkuan interpelancë./Lapsi.al