Në raste datëlindjesh, e sidomos në përvjetorët e plotë, ata që e festojnë, janë më “të mençur” se ditët e tjera. Të paktën sillen kështu, sepse flasin më ndryshe, komunikojnë më me kujdes, i zgjedhin fjalët aq me kujdes, saqë ti, nëse të djeshmen ka ndodhur ta pish kafen me të, pyet veten: A është ai i djeshmi ky?
Por edhe ata që e urojnë, “bëhen” disi më të mençur. I zgjedhin fjalët, mundohen që me pak fjalë të japin mesazhe “të mëdha e të rënda”, a thua se ata që festojnë aty do të thellohen në zbërthimin e tyre. Ndoshta e kundërta ndodh. Se ata që mezi presin sa të rrëkëllejnë ndonjë gotë, thonë: Ah ç’na mërziti edhe ky!…
Thuajse kështu veprojmë edhe në rastin e Vitit të Ri. Mundohemi t’i zgjedhim e t’i gdhendim me kujdes fjalët e mesazheve që u nisim miqve dhe shokëve për urimin tradicional, mundësisht të mos ketë tjetër mesazh të ngjashëm me të. Duke harruar se mendimet dhe dëshirat e mëdha shprehen shumë më bukur me fjalë të thjeshta. Për Vitin e Ri, kjo nuk ndodh vetëm me shqiptarët, ndodh me tërë njerëzimin.
Dhe me të drejtë do të thoshim, pasi çdo vit i ri, të paktën qysh nga viti 1 i erës së re, regjistron datëlindjen e njeriut, edhe si shoqëri njerëzore. Toka, është një vit më e moshuar(por edhe më e shpërdoruar nga ethet e kapitalit), shoqëria njerëzore është një vit më e madhe në moshë, por nuk mund të thuhet më e mplakur, edhe pse në shumë vende të botës numri i vdekjeve e ka kaluar me kohë numrin e lindjeve. Njerëzit mobilizohen(edhe ata që nuk kanë) ta mbushin tavolinën si asnjë ditë tjetër të vitit që sapo iku. Gëzon njerëzimi, e…festojnë tregtarët!
QËLLOVE SI KALAMA, O MANE!
Kjo shprehje e huazuar nga filmi i shkëlqyer i Kinostudios që dikur patëm, do t’i shkonte njerëzimit për këtë vit të ri, në mos të gjithit, të paktën këtyre popujve të Europës së qytetëruar.
Sepse më datë 31, në pragndërrimin e viteve, diku në Bosfor, në lokalin “Reina” ku festonin të rinjtë, dikush që nuk ka lidhje me njerëzoren, u fut brenda dhe sharroi në kuptimin e plotë të fjalës, plot tridhjetë e nëntë jetë njerëzish, në lulen e moshës…
Kjo Europë, doemos edhe ne shqiptarët bashkë me të, kur ndodhi tragjedia në zyrat e “Charli Ebdo”-së, doli në mitingje të mirorganizuara e në përkujtimore me parullën “Edhe unë jam Charli”!
Por edhe kur ndodhi masakra me tetëdhjetë jetë njerëzish në Bataklan të Parisit, njerëzit dolën e thërrisnin “Edhe unë jam parisien!” E nuk kish rëndësi, se sa mijëra kilometra larg Parisit kishin lindur, banonin dhe do vdesin, e që kurrë në jetë s’kanë për ta parë atë.
Deri këtu, në rregull e normale këto deklarata, të cilat u amplifikuan nga mediat më të mëdha të botës, për të mos thënë se ndoshta ishin titujt e editorialeve të tyre, ato që u kthyen në parulla të njerëzve që demonstruan me ato fjalë në gojë.
Por, si vepruam ne për masakrën që u krye në natën e ndërrimit të viteve? I vetmi “privilegj” që iu bë asaj ngjarjeje makabër(po aq makabër sa ajo e Bataklanit të Parisit në nëntor të vitit 2015), ishte që të renditej e dyta apo e treta në titujt e lajmeve, të shumtën në dy edicione, e pastaj… “ra shiu, e piu dheu”! Që të mos prishej “klima festive”, por edhe që të mos ngacmohej entuziazmi i fabrikuar përmes dritave shumëngjyrëshe të reklamave, të mos prishej “show” i lumturisë së stisur, e cila edhe e stisur, nuk është në të gjithë globin.
Po pse nuk tha Europa perëndimore “Edhe unë jam Stambolli”, ose turk xhanëm!? Mos vallë për faktin se atje në Paris u vranë 80 njerëz, e këtu në Bosfor “vetëm” 39?
Edhe një njeri i vetëm të vritet, a nuk është humbje jete? A nuk është e njëjtë jeta njerëzore, si ajo e një parisieni, edhe ajo e një turku apo siriani?
Apo mos lunte rol fakti se atje në Paris luhej muzikë “hip-hop” e këtu në Bosfor ishte “rock”? E vetmja gjë e përbashkët që u shkrua në titrat e lajmeve, si për Parisin, ashtu edhe për Stambollin, ishte përkufizimi “jetë të pafajshme”! Edhe kjo na mungonte, që këto jetët e stambollinjve t’i quanim jetë “të fajshme”!!!
PO SIRIANË, PËRSE NUK U BËMË?
Zinxhiri i masakrave të përbindshme që ndodhin para syve të njerëzve e shpesh edhe para kamerave falë teknologjisë së sotme, vjen nga larg, e me sa duket do të shkojë larg. Në mënyrë masive, mund të themi se ai nisi me të ashtuquajturën “pranverë” arabe.
Ka rreth shtatë vjet që ka nisur ajo “pranverë”, e cila nuk zgjati tre muaj(aq sa stina që mban këtë emër), por që askush nuk mund ta dijë se edhe sa vite të tjera do të vazhdojë ky dimër i qelbët i historisë njerëzore.
Dhjetëra mijë jetë të pafajshme u morën në qafë-n( e kujt?) në Damask e vende të tjera, por bota “e qytetëruar” u mjaftua të gëzohej me varjen e Sadamit, e me vrasjen e Kadafit nga një bandë e opozitës.
Mesdheu u kthye në një varr të lëngët për mbi 5.000 njerëz(e tmerrshme kjo mënyrë të thëni e të shkruari: mbi 5.000. A thua se numërojmë sende, e jo njerëz!), të cilët ikën nga flakët e luftës në Siri. Kurse të vdekurit në Siri, kanë arritur rreth(ah, përsëri “rreth”!) 600.000!
Por Europa u mjaftua duke firmosur një marrëveshje me Turqinë për strehimin e tyre kundrejt 5 miliardë eurosh, marrëveshje që siç e ka theksuar shkruesi i këtyre radhëve në faqet e kësaj gazete para një vit e gjysmë… “nuk do të zbatohet kurrë”! Siç nuk është zbatuar ende sot, nga asnjëra palë…
Askush, e asnjë media nuk u mor me qindra mijë jetë njerëzish të pafajshëm, të cilët u vranë thjesht për “fajin” se kishin lindur dhe banonin aty…
U desh një filmim me celular nga një siriane që dinte anglisht, që bota të shikonte katastrofën njerëzore në Alepo. Vërtet, ku ishin, e ku janë mediat në zë të kësaj bote? Përse nuk transmetohen pamje prej andej?
Përse qytetërimi perëndimor(aq i lakuar e i lakmuar) mban në dorë metrin me dy lloj masash? Të parin, atë të miratuar nga SI-ja, me 100 cm, e tjetrin me numër të pacak centimetrash, të cilët shkojnë aq sa asaj i duhet në kësi rastesh i gjatë, ky metër?
Edhe pse tingëllojnë si pyetje retorike në pamje të parë, e vërteta është se këto janë pyetje pa përgjigje, të paktën deri sot. E jo se nuk kanë përgjigje, por sepse nuk ka interes të jepen përgjigje.
Sepse lumenjtë e gjakut të humbur kot, duket se “nuk shkojnë dëm”. Pasi me sa duket, ata lumenj nuk “avullojnë lart në qiell”, “atje ku shkon shpirti”. Përkundrazi, shkojnë thellë në damarët e tokës, atje ku flenë nafta dhe gazi… Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që, ndërkohë që OKB-ja, por edhe shumë organizma ndërkombëtare po vinin rrotull për armëpushimin e shumëpritur në Siri, u desh vetëm një telefonatë e Putinit me Erdoganin, e… armëpushimi u vendos!
Europa, në njëfarë mënyre, në historinë e largët por edhe atë të afërt, është herë autore, e herë bashkautore e gjendjes së sotme në Lindjen e Mesme dhe në Lindjen e Largët. Ajo, përveç “qeverisjes” që u ka bërë në kohën(jo dhe aq të largët) të kolonive, i ka “futur duart” aq thellë në jetën e atyre popujve dhe kombeve, saqë ka përcaktuar deri edhe kufijtë e tyre të sotëm.
Më e pakta që mund të thuhet, është se Perëndimi po mban dy nivele për vlerësimin dhe nderimin e të njëjtit gjak – gjakut njerëzor, pavarësisht nëse ky gjak është “mysliman” apo “kristian”.
Me gjithë politikat dhe luftën e tij, Perëndimi vazhdon të ndihet dhe të deklarohet i pafajshëm, për çfarë ndodh në Azi, në Afrikë e gjetkë. Pra e konsideron të pavend terrorin në territorin e saj, por të natyrshëm kur ndodh gjetkë.
Dhe, megjithëse deklarohet si mbajtës i paketës kryesore të aksioneve të humanizmit, në mos si autor i vetëm i tij, vazhdon t’i llogarisë ndryshe të vdekurit e tij, e ndryshe të vdekurit e një prejardhjeje supozohet “më të ulët”, në vendet e Lindjes.
Është një lëmsh i tërë arsyesh politike, por edhe të “qytetërimeve”, që nuk dëgjuam shprehjet: “Jemi të gjithë turq, sirianë apo nigerianë”.
Nuk mund të bindin llafet e lektorëve kokëboshë, se gjoja për gjithë këto tragjedi e kanë fajin diferencat mes dogmave dhe sekteve të Islamit.
Këto ndryshime që thjesht mbetën në letra ndër shekuj, u kultivuan me kujdes nga “reformatorët”, me përplasje të përgjakshme vëllavrasjeje. Që të kalërojnë pushtuesit e “qytetëruar”, mbi… rrugët e naftës.
Prandaj bota, sidomos shoqëria njerëzore, doemos ajo europiane, me ikjen e vitit 2016, nuk na rezultojnë një vit më të mëdha e më të pjekura, nuk na rezultojnë edhe një vit më njerëzore, por pikërisht të kundërtën…
Mirë do të ishte që çdo njeri të justifikonte vitet që shkruan karta e tij e identitetit, të sillej, të fliste dhe të vepronte, siç i takon, të paktën për ato vite që shkruhen në atë kartë. Po kështu do të duhej të sillej, vepronte dhe funksiononte edhe shoqëria njerëzore, e më së paku ajo europiano-perëndimore.
Siç e kërkojnë vitet që ajo mban mbi supe, me atë emërtimin joshës në dukje: “qytetërimi europiano-perëndimor”.
Por të paktën, si vitet që mban mbi supe, të cilat numërojnë prej datës kur e shpalli Bashkimin Europian edhe si… bashkimin e vlerave!
Më së paku, stereotipi i pafajësisë që zotëron në Perëndim mund të shërbente si çelës për shpjegimin e mungesës së dhimbjes për jetët që humbasin në Lindje…
Komentet