Barometri diplomatik
*** -Sepse me të “dy këmbët” kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës (2008), Opinion Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (22 korrik 2010), si dhe mbi 100 njohje ndërkombëtare të shteteve të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, të ciat de fakto dhe de jure e kanë njohur Republikën e Kosovës (2008-2020), sepse naivisht dhe në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, pa e pyetur popullin, pranuan dhe, njëherazi nxorën rezolutë për të hyrë në dialog me shtetin gjenocidal ish-kolonialist-Serbinë, e cila prerazi nuk e njeh Republikën e pavarur të Kosovës.
Duke mos kuptuar se, Dialogun e Brukselit e shpiku dhe e përgatiti Beogradi, me qëllim të rinegocimit të statusit të pavarur të Kosovës (2011-2018), duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS –së së OKB-së të datës 10 qershor 1999 S/RES/1244 (1999)10 June 1999 ), e cila e mohon të drejtën e pavarësisë së Kosovës), si dhe, duke marrë për bazë Kushtetutën e Republikës së Serbisë (2006) sipas së cilës, “Kosova është krahinë e Serbisë” .
Në këtë vështrim diplomacia e Beogradit gjeti mbështetjen e faktorëve evropianë dhe të Kombeve të Bashkuara, si dhe mbështetjen e palës shqiptare të Prishtinës zyrtare, me ç’rast bashkërisht ndërkombëtariziuan “problemin e territorit verior” të Kosovës!?
Ky ishte një gabim fatal politik, juridik, kushtetues dhe diplomatik shtetëror i kryeministrit Hashim Thaçi ngase detyroi qeverinë dhe kuvendin e Kosovës, që të miratonin rezolutën për të hyrë në negociata me palën serbe në Dialogun e Brukselit (2011-2018), me ç’rast bllokoi procesin e njohjeve të mëtejme të Kosovës nga shtetet e ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare. Ky fatalitet përbën rrezik që një ditë të afërt, Serbia me ndihmën e partnerëve të saj ndërkombëtarë, ta copëtojë territorin verior të Kosovës, kinse në emër të “korrigjimit” ose të “shkëmbimit” të territoreve serbo-shqiptare. Një rrezik të këtillë e paralajmëron edhe përfolja e lidhjes së një “Marrëveshjeje sekrete” mes presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mirëpo, këtë strategji të politikës dhe të diplomacisë së udhëheqjes zyrtare të Beogradit për rishqyrtimin e statusit të pavarësisë së Kosovës, as qeveria dhe as kuvendi i Kosovës, në asnjë formë nuk do të duhej ta mbështetnin e as ta pranonin, sepse ishte në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Kosovës (15.VI.2008), si dhe me rregullat, me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare ngaqë e patën njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së me Amerikën dhe me aleatët e saj evroperëndimorë.
Nuk ka asnjë dyshim se, hyrja në Dialogun e Brukselit (2011-2018) ishte shkelje jo vetëm e së drejtës ndërkombëtare dhe e Kartës së Kombeve të Bashkuara, por edhe mohim i Opinionit Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (22 korrik 2010) sipas së cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008) ishte plotësisht e ligjshme dhe në përputhje me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, këtë e vuri në pikëpyetje Dialogu i filluar i Brukselit, i cili ndikoi negativisht te shumë shtete, që të mos e njihnin pavarësinë e Kosovës, si dhe te dhjetra shtete të tjera, të cilat tërhoqën njohjet e tyre, mbase vazhdimi i Dialogut të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit, do të thotë se, statusi politiko-juridik ndërkombëtar i Kosovës, ende “nuk është limbo”, duke qenë se po zhvillohet dialog ndërkombëtar mes palëve në konflitkt nën mbikëqyrjen e faktorëve evropianë ndërkombëtarë në Bruksel (2011-2018),
Shkaqet, pse negociatorët së bashku me Hashim Thaçin, do të duhej të hidheshin në gjyq nga ana e Kuvendit të Kosovës, janë këto:
1) Vënia në pikëpyetje e statusit të pavarësisë së Kosovës si shkak dhe pasojë e debatimit të tij me palën serbe në Bruksel (2011-2018);
2) Ndërkombëtarizimi i “problemit verior” të Kosovës, parapavija e të cilit është copëtimi territorial i Kosovës veriore;
3) Hyrja në dialog me palën serbe mbi bazën e Kushtetutës së Serbisë (2006) sipas së cilës “Kosova është provincë e Serbisë”;
4) Hyrja në dialog me palën serbe mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, e cia de fakto dhe de jure e mohon pavarësinë e Kosovës;
5) Negocimi me palën serbe, jo më pak se 7 vjet në Bruksel (2011-2018) për rishqyrtimin e statusit të pavarësisë së Kosovës, pasi që ky de fakto dhe de jure ishte mbyllur më 17 shkurt 2008, si rrjedhojë e njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të pavarur të Kosovës nga më se 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.
6) Moskonsultimi i sorvranit me anë të votës plebishitare ose referendumiane, i cili, as de fakto e as de jure nuk është deklaruar se ka hequr dorë nga e drejta e sovranitetit mbi tërësinë territoriale dhe shtetërore të Veriut të Kosovës, pa pëlqimin e të cilit nuk ka qeveri, as kuvend e as hashimë, që mund të lidhin marrëveshje me Beogradin për tregtimin e territorit të Kosovës.
Prandaj, sa nuk është bërë vonë, qeveria dhe kuvendi i Kosovës, nevojitet që të ngrejnë proceurë ligjore dhe kushtetuese për hedhjen në gjyq të presidentit Hashim Thaçi dhe të gjithë të tjerëve, që kanë ndërkombëtarizuar “problemin serb” të veriut të Kosovës në Bruksel (2011-2018), i cili, jo vetëm ndërmjet palëve në konflikt, por edhe ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë, është bërë “mollë sherri” dhe përçarjeje pro et contra mbështetjes së Serbisë.
Komentet