Nuk ka njeri që të ketë parë një lojë skenike apo një film ku luan Robert Ndrenika dhe të mos jetë entuziazmuar, të mos jetë përlotur apo shkrirë së qeshuri e, mbi të gjitha, të mos jetë përfshirë shpirtërisht, duke krijuar një adhurim për artistin. Personalisht e kam parë herët, që tek filmi “ I teti në bronz”, me regji të Viktor Gjikës, ku takojmë : Aleksandër Prosin, Yllka Mujon, Bexhet Nelkun, Pirro Manin, Vangjush Furxhiun, Kadri Roshin…
Edhe pse grupi i aktorëve është sfidues, ai shpërfaqet në një mënyrë të natyrshme dhe lë gjurmë. Në teatër e takova herët tek drama “ Një shok i klasës sonë”, nga Kujtim Spahivogli. Shumë e bukur! Një pjesë sfiduese dhe me një stil realist, jashtë kornizave dhe tekstit të ideologjizuar. Kishte më shumë njeri real sesa “ njeriun e ri”. Kanë kaluar rreth pesë dekada që nga ajo kohë. Tani që Roberti është 82 vjeç, ( sot i mbush, sepse ai lindi në Tiranë, më 10 janar, 1942) ai është një nga artistët më të shquar të teatrit mbarëkombëtar shqiptar dhe një nga yjet e filmit shqiptar…
Pse e dua unë Robert Ndrenikën…?
Në planin dramatik, në artin e tij më ka lënë gjurmë dhe më ka emocionuar mënyra krejt njerëzore se si ai përfshihet në një dramë krejt njerëzore, pa teprime, pa shtesa artificiale, që mund të prodhojnë aty për aty emocione të forta, por që të vënë në dilemën : A duhet besuar kjo skajshmëri emotive?
Drama si ngjarje dhe si veprim individual e në grup, ka ngjarjen ku takohen ulje- ngritjet, përplasjet, sfidat dhe përballimi i tyre. Ky reliev prodhon sjelljen aktoriale, që duhet të jetë art, por ama, art i besueshëm, njerëzor, jetësor, i pranueshëm nga publiku. E që aktori ta realizojë këtë mision, duhet të njohë në thellësi karakterin e personazhit , që lidhet ngushtë me profilin antropologjik, me vizatimin e tipareve nga autori, me tipologjinë historike, që të fut te koha e ngjarjes, periudha historike, niveli kulturor dhe veçoritë specifike krahinore apo qytetare, etj. Kjo është “ vuajtja e bukur” e artistit dhe është fakt që jo të gjithë aktorët hyjnë kaq thellë. Ka shumë syresh që mësojnë tekstin, lëvizjet në skenë dhe raportet me partnerët, por nuk janë personazhet dramatike të dramës së shkruar dhe asaj skenike, janë , si të thuash, të ftohtë, të ngrirë, pa palcë, gjak, nerv dhe shpirt. Më shumë luhet drama e tyre e të mosqenit personazh i besueshëm.
Ja, pra, miq…, Robert Ndrenika, edhe kur është lypës, edhe kur është karrocier, dhe kur është fshatar, dhe kur është punëtor, dhe kur është prind, dhe kur është përballë princit e mbron dinjitetin, kudo dhe në çdo rrethanë, duke kënduar një kansonetë italiane dhe krihet para pasqyrës e thotë: “ … Këtu lulet i hanë gomerët”, është i vërtetë, është i besueshëm, me karakter njerëzor, me mish , me gjak, me nerv, me fjalë, me gjest, botëkuptim e përjetime…tejet bindëse.
Komikja te Robert Ndrenika ka kripë dhe sheqer…
Duket si jo e saktë, si kundërthënëse, por nuk është kështu. Edhe kur e hamë sheqerin, na duhet diçka e kripur që të bëhet balancimi. E qeshura ka përkufizim, ajo është qëndrimi më serioz në situatën komike. Pra, ai që të bën të qeshësh, nuk qesh vetë, ai ndërton këtë gjendje dhe përcjell këtë lloj energjie. Por , që në artin skenik dhe atë filmik ta bësh spektatorin që të qeshë, nuk është kaq e lehtë. Nuk është si puna e harlekinit, palaços apo hokatarit. Janë situatat që përplasen për të vënë në pah gënjeshtrat, hipokrizinë, shtirjen, mbretin lakuriq, si i thonë fjalës…
Ndrenika shkëlqen në komedi, sepse është mjeshtër në lojën e kontrasteve , e ka të natyrshme dhe organike sjelljen skenike dhe filmike, e ka si gjest, si pantomimë, si batutë, si intonacion, e mbi të gjitha.., si përjetim…
Ai na bën të qeshim, duke na treguar se vetë ai është serioz…, nuk i qeshet, por duhet të mendojë thellë dhe skajshëm.
Nga komikja shpesh kalohet në grotesk dhe kjo gjendje nuk është e thjeshtë. Rriten dimensionet e komikes, theksohet gjendja e vizatuar, duke trashur tiparet, personazhi dërgohet në një lloj kalvari natyror, derisa mbërrin në zgrip. I gjithë ky lloj udhëtimi njerëzor dhe artistik nuk bëhet në mënyrë të sforcuar, me dramacitet të jashtëm, pa çka se butaforia pranohet në kësi rastesh.
Duhet të shndërrohet në grotesk personazhi, si qenie, dhe jo aktori si subjekt në skenë apo në film. Edhe për regjisorët në skenë dhe në ekran, kalimi nga komikja te grotesku, është provë dhe sprovë. Edhe pse ka pasur reagime ndaj ndonjë roli të Ndrenikës në teatër, Prefekti i Besim Levonjës, aspekti grotesk në atë rol është tejet i arritur…
Tragjikja, ose të dish të vdesësh në skenë dhe në ekran, është tejet e lakmuar nga shumë aktorë. Fundi i jetës si hero apo ikja nga kjo botë si një njeri frymëzues dhe i besueshëm? Kjo është çështja. Pra, me gjuhën teknike teatrore, si vdes aktori në skenë. A di të vdesë ai në film? Si e motivon dhënien e jetës?
Aleksandër Moisiu ka qenë mjeshtri i vdekjes në skenë. Kjo është një temë e gjerë, së cilës mund t’i kthehemi ndoshta një ditë.
Sa tragjizëm ka në artin skenik dhe atë filmik të Robert Ndrenikës?
Çdo lloj përgjigje sasiore është e gabuar. Tragjizmi ka ndjenja tejet komplekse, udhëtim ndjesor dhe beteja jetësore.
Prandaj përkufizohet kështu: “ Tragjizmi është një dramë serioze, që përshkruan zakonisht një konflikt midis protagonistit dhe një force superiore( siç është fati) dhe ka një përfundim të trishtuar ose katastrofik, që shkakton keqardhje ose tmerr”
Tri llojet kryesore të tragjedisë janë:
– tragjedia heroike
– tragjedia hakmarrëse
– tragjedia shtëpiake, brenda familjes.
Tiparet kryesore të tragjedisë janë: heroi tragjik, zuzari, mjedisi, udhëtimi drejt rënies së heroit tragjik dhe një mesazh moral.
Roberti është heroi tragjik, por i një lloj heroizmi shumë i natyrshëm, aspak deklamues, i shtirur apo i ideologjizuar.
Është tejet e vlerësuar në artin e një aktori, nëse ai e ka këtë shtrirje ndjenjash nga një fund i lumtur në komedi, në një fund të trishtuar në tragjedi…
Jo të gjithë dinë të qeshin e të qajnë artistikisht, siç di Roberti ynë…
Gëzuar ditëlindjen, Robert Ndrenika! Sa shumë do të doja që të luaje në këtë moshë “ Tregtarin e Venedikut!” nga Shakespeare.
Eh, ngjarja është rrëqethëse!
Antonio, një tregtar antisemitik, merr një hua nga hebreu Shylock, për të ndihmuar mikun e tij, që do të gjykohet Portias. Antonio nuk mund ta shlyejë kredinë dhe, pa mëshirë, Shylock kërkon një kile nga mishi i tij. Trashëgimtarja, Portia, tashmë gruaja e mikut të Antonias, vishet si avokate dhe shpëton Antonion.
Është kaq aktuale , Robert, që për borxhin, të jepet nga një kile mish , p. sh nga trupi i atdheut?!
Ose… , të të shihja si Xha Gorio nga Honoré de Balzac, në pleqërinë e tij të thellë , me dy vajzat , Fifin dhe Nasin, që mund të luhen mrekullisht nga Yllka Mujo dhe Luiza Xhuvani…të cilat i kishin braktisur.
Në këtë 82- vjetor kam vetëm dy fjalë zemre, jo vetëm unë, por gjithë shqiptarët, kudo që janë:
Shumë faleminderit!
P.Kabo. 10 janar, 2024.