DANIEL GAZULLI
(1943 – 2012)
2018 – I PAHARRUESHEM…
Daniel Gàzulli: Dhunimi i Gjuhës Shqipe
Shqipja e Dhunueme – Hymje e Trishtë
Vazhdimi me pjesen e 3,4…:
- Çfarë humbi e çfarë i mbet shqipes?
Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrënues në mes dy “kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për nji gjithëpërfshimje, për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht të kuptueshem si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma shumë se gjysës së trungut deri në rrajë – me shpalljen jashtë ligji të gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime, por, si e kanë thanë të tjerë para meje, nji dialekt asht gjithmonë ma pak e ma i vorfën sa mbarë gjuha.
Në kohën kur flitej për marrjen si “pajtor” të të folmes së Elbasanit, maraku i Fishtës, Mjedës etj., ishte mos me humbë asnji formë të randsishme të tosknishtes.
Mustafa Merlika, nji prej të mohuemëve të mëdhej, dje e sot, thotë se do të marrim dialektin e Elbasanit si pajtor, por tue përfshi mbarë shqipen.
E shembuj se si atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, jo Manol Konomë mjeranë e Shuteriqë që e shitën shpirtin shtatë herë, kambëngulnin për nji normë gjuhësore gjithëpërfshimëse, mund të sillen pa kufi, prej 1916
(Komisia Letrare e Shkodrës) deri te Fashizmi i zi (por do të vinte “Fashizmi i kuq” që do të shembte me themel gegnishten “reaksionare” – Zot na ruej mendt e kresë, deri ku mund të arrijë urrejta e verbueme!).
Pra, qysh në krye duhet thanë se me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972, shqipja humbi njiherëmirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi nji pasuni të pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi nji formë të menduemi e të shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humb gjuhën, humb shpirtin.
Merrini Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe e do të prekni me dorë aty flijimin i nji pasunie të pallogaritëshme të gegnishtes, nësa u hapeshin dyert në katër kanata fjalëve me prejardhje greke apo sllave (nuk po flas për turqizmat “kamturqisht” edhe në trajtesat e “shokëve gjuhëtarë”) .
Nësa në të dy fjalorët, atë të quejtun të Drejtshkrimit, ashtu edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndesh fjalë të hueja, ma krejtsisht të hueja, që s’kanë si hyjnë kurrsesi në fjalor të shqipes, si: banjë maria, delikt, alivanosem, e sa e sa të tjera; apo fjalë të shtresimeve të ndryshme kohore, sidomos prej turqishtes e greqishtes, por edhe prej frëngjishtes, italishtes e gjuhëve sllave, kur egzistojnë përkatëset shqipe, madje nuk u shënojnë as prejardhjen e me cilësue se egziston kjo përkatëse shqip, si: açik, adet, alamet, e ba me shkue deri te “zh”-ja do të duheshin katërdhjetë faqe; fjalët e mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej ilirishtes e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e vjetër”, “krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike barbare, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si: akulltar/-e, anx:ë/-a, azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me përdahë, pllojcë, shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i vlefshëm!?
Tash këtu nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një urrejtje ideologjike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë më 2002 e thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972, Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen qehajajtë e Padishahit e na e rregulluen, prandaj saken se e prekni. E për “trima mbas vete” kanë do politikanë të majtë që s’dinë as emnin e gjyshit të vet.
Gjedhet e hueja si mbaresa -os (ajros për ajroj, armatos për armatoj, baltos për baltoj, palos në vend të paloj, vendos për vendoj), -ur, veçan në pjesore (ajrosur për ajrosë o ajrue, palosur për palosë, pasur për pasë, goditur për goditë, keqpërdorur për keqpërdorë, e kështu pa fund e pa logjikë shkencore), pse na i munguekan, kudi unë, Malëshovës së Përmetit, e atëherë le t’i falemi greqishtes që na i huajti e na bani njerëz.
Nëse te gegët ndeshet ma shpesh a-ja hundore që tek toskët ma së shumti del në ë (“nja” e Bardhit në “një” tosknisht, kurse në gegnishte “nji”), raporti tek “Rregullat” asht krejtsisht i zhdrejtë: ë-ja i “përmbytë” krejt “Rregullat” tue sjellë nji errësim e shqiptim jo të lirshëm. Tue pa dukuninë në plan historik, del se ë-ja asht shpesh ma me vend e ma në natyrë të shqipes se a-ja (kryesisht hundore) e gegnishtes, por përdorimi i saj i skajshëm, sidomos te fjalë që detyrimisht në përdorime të tjera dalin me “a” nuk ka as vend e as logjikë shkencore. Nuk kuptoj përse, bie fjala, sakohë që themi “ranishtë”, duhet të themi “rërë”, në vend të “ranë”?
Nuk po ndalem tek çdo rast, pse do të donte shumë vend, e mandej asht detyrë e gjuhëtarëve me i vu pikat mbi “ì” në këte fushë.
Rotacizmi. Së pari duhet thanë se dallimi në mes dy “kryedialekteve”, si do të thonte i miri Profesor Selman Riza, nuk ka ardhë në mënyrë të natyrëshme, si evolim i gjuhës në mënyrë diverguese vetiu, por në radhë të parë si ndikim i gjuhëve të hueja dukshem ma shumë në tosknisht në shumë trajta, qofshin ato fonetike apo morfologjike, aty edhe në leksik. Aq i fortë asht ky ndikim në disa pjesë të Jugut (nuk asht vendi këtu me trajtue si e përse), sa në Përmet gjyshes i thonë “nona”, pjepnit “pepone”, sa me u çuditë për një ndikim kaq të të skajshëm.
Kështu, përdorimi i “r”-së në vend të “n”-së në fjalë si “syri”, por “synoj”; “druri”, por “drunorët”, (e ndërkohë edhe “lëndë drusore, jashtë çdo rregulli fonetik), “çoban”, “çobanëri” në vend të “çobanì-a”, “grurë” e “grunoret”, “rërë” po “ranishtë” e me qinda raste si këto s’ka vend e as kuptim.
Zanorja “ë” (shih, “zanorja”, e jo “zërorja”) kontraston keq me bashtinglloren “r”, prandaj logjika fonetike do ta donte që të ruhej “n”-ja e … shqipes (pse nuk ka kuptim me thanë “n”-ja e gegnishtes).
Diftogjet ua, ye etj janë ruajtë historikisht ma mirë në Jug e shpesh janë bjerrë në Veri. Tue mos përjashtue format ma “të përbashkme” si thonte Xhuvani, natyrshëm të ruhen ato edhe në gjuhën standard.
Grupet mb, nd, ng gjithashtu janë ruejtë ma mirë në Jug. Edhe te proverbat e Bardhit i ndeshim dendun, e jo si shqiptohen sot në shumicën e Veriut.
Atëherë, natyrshëm, të ruhen ato edhe në rregulla. Por, tue shkelë vetë ato rregulla e parime edhe historike, kur e do Pasha, themi “i brendëshëm” e jo si do të duhej – “i mbrendëshëm”
Asgjasimi i paskajores, kësaj trajte themel të foljes, ka qenë pa ma të voglin dyshim krimi ma i randë i atyne vendimeve. Asht shembull që s’ka nevojë për vërtetim, ashtu si nuk vërtetohet nji apostolatë, se këtu, në punë të Kongresit të 1972, “kallen gjindarmerinë”, si thonte i madhi Konica, dhe e gjymtuen shqipen me nji pamëshirësi prej barbarësh. Paskajorja qendron në themel të konceptimit e të të shprehunit të veprimit në gjuhën shqipe. Nuk e ka greqishtja? Nuk e paska as çinmançini? Në djall të gjithë! Puna e tyne! Po shqipe pa paskajore nuk ka. Asht nji prej atyne rasteve që unë i quej se “nuk ka vend për delikatesë në diskutim”. Këtu dhunimi asht “me gjindarmëri”, prandaj edhe nuk po zgjatem.
Zëvendësimi i gjedheve shqipe me ato me mbrapashtesa të ndikueme kryesisht prej greqishtes, ose krejt jashtë natyrës të të shprehunit popullor shqip, si: (i, e) shkurtër për (i, e) shkurtë, ajkëton për ajkon, amvisërì për amvisje, anshmëri për anësi, bagëti – bajgë për bagël, bardhësirë për bardhësì; e të llojeve nga ma të ndryshmet me skajime të panatyrëshme si barrësirë, bastard (për bastardh), besërisht (!?), bokëri (bokërrimë), botëror (botënor), burrëri – burrëreshë (burrni, burrneshë), çiltazi (çiltas – çiltë), e sa e sa ndajfolje me -zi/, zi e ma zi.
Gjedhet e hueja fonetike: fjalët me theks fundor në shqip janë krejt të rralla edhe pse nuk përjashtohen. Por, pse duhet të themi në të pashqueme “babà” simbas gjedhës së huej, e jo “babë” – apo pse kështu thuhet në Gegni, e ma mirë të marrim gjedhen e huej se prej “Veriut reaksionar”; “parà” jo që “pare”, “kafè” në vend të “kàfe”, “budallà” jo që “budallë”, “bilé” në vend të “bìle” (edhe ma mirë – “madje”), etj? E flasim mandej për “njësim konvergues”!
4.Përse mbrohet krimi?
“Gjuha asht faktori ma i parë i njisisë kombëtare” At Gjergj Fishta.
Na u mblodhën akademikët në Tiranë me 11-12 nandor 2002, e kujtuen me nostalgji Kongresin e Part…, deshta me thanë të Drejtshkrimit, që na hodhi bazat e shqipes. Që turpi i mbuloftë, se bazat e shqipes i patën hedhë pellazgët e lashtë kushedi sa mija vite ma parë…
Këta dështakë, këta mjeranë të ideoligjizuem, as duen t’ia dinë për shqipen, po për karriket ku kanë ngjeshë bythët ba kallo. M’anë tjetër, ata tashma haptë del se janë krejt të helmuem mendjet e shpirtit me urrejtje për Veriun. Deklarimet e tyne të fryeme e bajate për shqetësimin nga mendimet ndrysh “të donkishotëve të viteve nëntëdhjetë” s’janë tjetër veçse ai helm që shpërndau pa kursim Partia (ajo me “P” të madhe, kur Atdhe shkruhej me a të vogël – atdhe), që çoi në nji përçamje që Shqipnia nuk e kishte njohë në të paktën katërmijë vite histori.
Asnji motiv tjetër me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”. Pse nji shartim të tillë nuk e ka kërkue kurrëkush. Pse nji shartim i tillë nuk mund të bahet.
Pse vetë konceptimi i shartimit tosknisht-gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde mbështetet tek format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse, mospërjashtuese, pra në mbarë shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve. Pse, siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja me mbështetja ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetja ma historike, sidomos ndeshjet në mes tyne.
Po sjell një shembull të thjeshtë: e pakryemja e foljes do të merret me bazë tosknishten: pra 1) shkoja, këndoja, e jo 2) shkojsha, punojsha, pse formën e parë a) e gjejmë edhe tek autorët e vjetër gegë; b) ndeshet edhe në pjesë të Veriut, c) nuk e tjetërson as formën veriore.
Paskajoren e ndeshim edhe në folklor të Jugut, edhe në autorë të Jugut (të ri e të vjetër), edhe në të folmen e përditëshme të disa zonave të Jugut, jo aq dendun, por kur e do puna. Atëherë paskajoren do ta ruejmë, si themel i foljes.
Si e tek ta rrahin gjuhëtarët.
Ja pra që nuk ka nevojë për shartim, por për nji përzgjedhje pa “gjindarmëri”.
Ata që Elezi i ka cilësue “mister njet”, nji gja asht e sigurtë: nuk ia duen të mirën as shqipes e as Shqipnisë.
5.Cilat do të ishin rrugëdaljet nga ankthi?
Së pari, njerëz ma të dijshëm se unë, por me vullnet të mirë e që duen shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma thellë çfarë vërtet e vlefshme po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue. Cilat janë ato trajta të përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të çinemaçinit. Pse me gjetë çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht krejt e thjeshtë, mjaft të shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e Frang Bardhit, që janë të gojës së popullit e nji dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat e përbashkëta kanë qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit të shekullit XX e atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes me rrajë thellë në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem ma ba atë ballafaqimin mjeran tosknisht-gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në të mirë të tosknishtes për shumëçka.
E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije ardhtë ajo a prej Rugove.
Së dyti, rregullat të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin “gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”, të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e mundun, tue ruejtë “njininë” që na porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht një atentat jo vetëm gjuhësor, por kundër kombit vetë.
Po marr një shembull të thjeshtë: Ta kisha pasë unë për detyrë me hartue Fjalorin e Shqipes, kurrë nuk kisha me lanë jashtë fjalët toske që nuk i ka gegnishtja, pse ashtu do të vorfnohej shqipja. Bie fjala, në gegënisht nuk janë falët “beronjë”, (i,e) pështirë, dot etj. Si do të mund të më kishte shkue mendja me i lanë ato jashtë fjalorit ose me u shënue përbri “e vjetër”, “krahinore”, pse kurrënji gegë nuk i përdor?!
Së treti, në themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë format a trajtat e saj, e jo degdisja në një gjuhë “të katundit” të shokut Kostallari.
Së katërti, në fjalorë do të shënohen edhe fjalët e hueja që kanë qenë dikur të përdorimit të gjanë, ose që fatkeqësisht përdoren edhe sot në të folmen e përditëshme, por pa dhanë asnji shpjegim tjetër a përdorim, përveçse prejardhjen dhe përkatësen shqipe. B. fj. “Kyvet”, turq. – forcë. Kaq, asgja ma shumë, që me i lanë me kuptue përdoruesit të fjalorit se ajo fjalë nuk duhet përdorë ma pse kemi përkatësen shqip.
Së pesti, por jo ma pak e randësishme, në kuvend të thirren si ata që u ka mbyllë Zoti sytë e nuk duen me pa – ndrysh si mund të mbrojnë pa i vra ndërgjegja krimin – ashtu edhe ata që kanë mendime kruekëput të kundërta me ta. Pse egziston rreziku që, tue qenë nëpër institucione e me “grada” pikërisht ata që gatuan ose mbrojnë krimin e 1972, të thërrasin thjeshtë vetveten, ose e shumta do lakej gati me i këndue “hosana” kohës së lavdishme të Zeusit të Kuq.
Së fundi, qysh në fillim të përjashtohen dy propozime të hedhuna fatkeqësisht edhe prej personaliteteve që e kanë denoncue atë Kongres si Aref Mati e Bahri Beci: a) të mësohet edhe gegnishtja në shkolla; apo do ekstremistë të tjerë b) të hidhet poshtë gjithçka e të merret për bazë gegnishtja si e folme e shumicës së shqiptarëve e gjuhë e traditës kulturore.
Të dy janë mendime të gabueme e të damshme.
Me u mësue gegnishtja në shkollë dmth mos me ndryshue asgja e shqipja me mbetë e gjymtueme ashtu siç asht.
Me u hedhë poshtë gjithçka (e ashtuquejtuna: Teoria e përmbysjes) e me u marrë për bazë gegnishtja asht ana tjetër e medaljes, pra, tue përjashtue tosknishten, ashtu siç u ba me gegnishten, dmth me u dhunue sërishmi shqipja, me u gjymtue përsëri atë tue i mohue gjysën tjetër të saj. Unë gega due që të them, e të thonë fëmijët e mi, e të thonë edhe nipat e stërnipat e mi “dot”, “i pështirë”, pse edhe pa ta shqipja ime do të ishte ma e vorfën, ashtu siç asht vorfnue liksht prej mbi 7.000 (shtatëmijë) fjalë gege që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
Pra gjithçka të shtrohet vetëm mbi një bazë: kritere të shëndosha shkencore e kombtare, të pandikuem nga idologjitë, nostalgjitë e gjithë marritë tjera (sidomos nga ajo sëmundje që e kanë në gjak shqiptarët e që M. Elezi e quen me fjalën e bukur shqip “mujshim”).
- Përgjegjësia e institucioneve dhe pëgjegjësia morale intelektuale.
Kam një dyshim: A ka institucione gjuhësore në Shqipni?
A ka intelektualë në Shqipni, apo janë tjetërsue?
Tash formalisht institucionet janë, Akademia, Instituti Albanologjik (së fundi), Universitete pa numur (si bunkerët), ka, më duket, edhe qeveri, ka…
Apo nuk ka?
Ka, pa pikë dyshimi, edhe intelektualë, por ata i kanë t’huej, i kanë tulatë, u kanë mpi çdo dëshirë me marrë përsipër përgjegjësi të dorës së parë me randësi kombtare. Pse, po nuk i morën përsipër intelektualët këto përgjegjësi jetike, kush do t’i marrë, deputetët që, si thotë nji barseletë shkodrane, kanë krye kah dy e tre fakultete, por e kanë peng që nuk kanë krye edhe shkollën e mesme? Pse kaq të lehta ishin ato fakultetet – merre me mend sa shkolla të mesme mund të kishin krye, ndonjeni edhe tetëvjeçaren. Po nuk asht kurrë vonë, të dashtun deputetë, hyjani, hyjani edhe shkollës së mesme…
Unë nuk e kuptoj frikën e sotme me thanë çka mendon. Po edhe në paçi ende frikë, për hir të Zotit, kijeni edhe pak guxim. Ky vend ka nevojë edhe për intelektualë të mirfilltë, jo vetëm për “inglishmenë” hibridë e bastardha me qylaf në mendje e Benz nën bythë.
Pse tek institucionet, qofsha i gabuem, po unë nuk kam pikë besimi…
7.Mbi detyrimin e shtetit me ligjërue sanksione.
Ashtu si në mbarë botën e përparueme, do të kemi këto dukuni edhe në të ardhmen:
a – Një letërsi e thurun tue u bazue në standardin gjuhësor kombtar;
b – Nji letërsi dialektore, që sjell larmi e pasuni të veçanta, tue pasë edhe kjo vend në shkollë e në studime;
c – Gazeta, revista e sidomos stacione radiotelevizive të detyrueme me u ndejë normave standarde kombtare e sidomos të detyrueme me sanksione të rrepta me folë shqip.
Letërsia artistike do të jetë e lirë me përdorë edhe të folme krejt të ngushta.
Asht punë e secilit si e ndjen e si e shpreh krijimin e vet. Kjo veçse e pasunon shqipen, që edhe në të ardhmen do të ketë nevojë me u ushqye prej të folmeve edhe ma të skajshme.
Due të ndalem tek pika e fundit, tek detyrimi me folë shqip.
Nuk po flas për përvojen franceze apo të ndonjë shteti tjetër.
Po flas tue u nisë nga gjendja e randë, tejet kërcënuese për të ardhmen, e nji shqipeje bastardhe që përdorin sot veçan stacionet radiotelevizive, e jo vetëm ata. Pse, do profesora “famozë” të mjeksisë arrijnë deri atje sa të botojnë librin “Sëmundjet Interne”. Këta duhen ndëshkue në mënyrë shembullore.
Mund të jenë edhe profesora (superprodhimi ma i frikshëm sot në Shqipni), po nuk janë qytetarë të dejë të këtij vendi, sakohë që sëmundjeve të mbrendëshme u thonë “Interne”. Shej ma të haptë injorance s’kanë nevojë me dhanë “profesorat famozë”. Por ndërkohë ndëshkimin shembullor e meritojnë, jo tue i fishkullue me kamxhik, si do të banin dikund tjetër, por të paktën me nga nji gjobë të majme po, e libri të hiqet menjiherë prej qarkullimit.
Atëherë asht detyrë e shtetit me ligjërue sanksione, me krijue struktura përkatëse qe të kontrollojnë zbatimin e ligjit, me ushtrue kontroll të rreptë e me dhanë dënimet ma të pamëshirshme për atentatorët e shqipes.
Këtu nuk mund të ketë shtrim problemi me delikatesë. As jam për nji “puritanizëm” të skajshëm. Po jo ama sa me të ardhë të vjelltë kur ndigjon “inglishmenët” e Tiranës e të Prishtinës kah “kullojnë” kulturë tue e folë shqipen në shtatë gjuhë.
(Për fat të keq e njejta dukuni po shfaqet edhe në fusha të tjera. Shih muzikën ku kanë vërshue do “modele të reja popullore”, do gjedhe “ala magjypçe” e “ala jemençe”. Respektin ma të madh për magjypët e jemenasit, po Shqipnia ka muzikën e saj të pashoqe: polifoninë e magjishme labe e violinën e Zadrimës si instrument treshekullor popullor, si askund tjetër, të paktën në Ballkan).
Po humbëm gjuhën, thotë Fishta, humbëm kombsinë. Po pikërisht këtë ndoshta kërkojnë me ba “inglishmenët” e Tiranës, ata që e flasin shqipen në shtatë gjuhë – që nji ditë të mos ketë ma as shqip e atëherë as shqiptarë…
Këto bastardha, që u lodron barku prej hallvet, flasin kështu përçudshëm edhe pse janë injorantë, mirëpo, tue qenë shumica të pasun a të lidhun me botën e politikës e me pushtetin e pushtave, po bahen nji model rrënues veçan për brezin e ri. Këta nuk marrin vesh ndrysh veçse me kamxhik – sanksione ligjore të rrepta.
Ju jeni të qetë? Ju mendoni se shqipja po lulëzon? Se shqetësimet e mia janë të pavend? Se unë po e tepruekam me frikën e bjerrjes së shqipes?
Lum ju e mjerë shqipja!
=======================================
Shenim F.R.: Botimi i këtij materiali kaq me vlerë mendoj, asht i nevojshem me u ribotue.
Vetem mendimet e Dijetarëve të çveshun nga myku i 1972, e shpetojnë Gjuhen Shqipe!
Melbourne, 12 Nandor 2018.
Komentet