Reuters
Anija kozmike e Agjencisë Hapësinore të Indisë, Chandrayaan-3, ka zbarkuar më 23 gusht në polin jugor të Hënës, për ta nisur një mision që do t’i avancojë ambiciet hapësinore të këtij shteti.
Përmes tij pritet të rritet edhe njohuria për ujin e akullt, i cili, potencialisht, mund të jetë një prej burimeve më të vlefshme të Hënës.
Në këtë material mund të kuptoni më shumë për prezencën e ujit të akullt në Hënë, dhe pse agjencitë hapësinore e kompanitë private janë në kërkim të tij?
Si e kanë gjetur shkencëtarët ujin në Hënë?
Deri në vitet 1960, para lëshimit të anijes së parë kozmike Apollo, shkencëtarët vetëm kanë spekuluar që uji mund të ekzistojë në Hënë.
Mostrat që i kanë marrë ekipet e Apollos për analiza, në vitet ’60 dhe ’70, kanë qenë të thata.
Më 2008, hulumtuesit e Universitetit Brown i kanë analizuar sërish mostrat me teknologji të re, dhe kanë gjetur hidrogjen brenda rruazave të vogla të qelqit vullkanik.
Më 2009, një instrument i Agjencisë amerikane për Hapësirë (NASA) e ka identifikuar ujin në sipërfaqe të Hënës, në kuadër të misionit indian Chandrayaan-1.
Vitin e njëjtë, një hulumtim tjetër i NASA-s, ka gjetur ujë të akullt në sipërfaqen e poshtme të Hënës.
Një mision paraprak i NASA-s, i vitit 1998, pati gjetur dëshmi për koncentrim të lartë të ujit të akullt në krateret e polit jugor të Hënës.
Pse është i rëndësishëm uji në Hënë?
Shkencëtarët janë të interesuar në kratere me ujë të akullt sepse ato mund të ofrojnë të dhëna për vullkanet në Hënë, material që kometat dhe asteroidet e kanë sjellë në Tokë.
Përmes ujit të akullt mund të mësohet më shumë edhe për origjinën e oqeaneve.
Nëse ekzistojnë sasi të konsiderueshme të ujit të akullt, atëherë ky ujë mund të kthehet në burim për ujë të pijshëm gjatë eksplorimit të Hënës dhe mund të ndihmojë në ftohje të pajisjeve.
Ai do të mund të përdoret edhe për prodhim të hidrogjenit si lëndë djegëse dhe për oksigjen për frymëmarrje, duke e rritur kohën e qëndrimit të ekipeve në Hënë.
Traktati i Kombeve të Bashkuara për Hapësirë, i vitit 1967, ia ndalon secilit komb që të pretendojë se ka pronësi në Hënë.
Megjithatë, në dokument nuk përmendet se mund të ndalohen operacionet komerciale.
Kjo përpjekje e SHBA-së – e njohur si Marrëveshja Artemis – për t’i krijuar disa rregulla për eksplorim të Hënë, dhe përdorim të burimeve të saj, është nënshkruar nga 27 vende.
Kina dhe Rusia nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen.
Çfarë e bën kaq të mistershëm polin jugor?
Ka pasur tentime të vazhdueshme për ulje në Hënë, por të gjitha kanë dështuar.
Zbarkimi i anijes kozmike të Rusisë, Luna-25 ishte planifikuar të lëshohej në polin jugor, mirëpo ka dalë jashtë kontrollit dhe është rrëzuar më 20 gusht të këtij viti.
Poli jugor – shumë larg prej zonës të cilën e kanë pasur shënjestër misionet në të kaluarën, përfshirë misionet Apollo – është plot me kratere dhe llogore të thella.
Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Kina, kanë planifikuar misione në këtë pjesë të Hënës, në të ardhmen.