Kryeministri Edi Rama iu shmang sot me të gjitha energjitë, përgjigjes konkrete ndaj një pyetjeje të SYRI TV për aferën e inceneratorëve, prej nga ku po rezulton edhe nga hetimet e SPAK, se ai dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, janë ideatorët dhe përfituesit e skemës së vjedhjes së qindra milionë eurove.
Në momentin kur gazetarja Ambrozia Meta këmbënguli për përgjigje, thjesht për një përgjigje teknike dhe jo politike pse ai favorizoi me Vendim Qeverie një kompani që nuk ekzistonte, si ajo e Klodian Zotos, por ai i dredhoi pyetjes dhe sulmoi median që gazetarja përfaqësonte, SYRI-n, që i ka denoncuar rregullisht abuzimet e rënda që janë bërë nga Kryeministri me fondet e Buxhetit të Shtetit për këtë koncension në veçanti.
SYRI TV: Z. Kryeministër, do t’i kthehem çështjes së inceneratorëve. Në dhjetor të vitit 2016 ju keni firmosur një VKM me anë të cilës jepni miratimin për një bonus prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy” BW të Klodian Zotos për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën konkuruese për dhënien me koncension të landifillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Megjithëse jeni paralajmëruar nga ish-ministrja Felaj dhe ish-ministri Manjani se kjo kompani nuk ekziston pse favorizuat një kompani fantazëm që nuk ka qenë e regjistruar në QKB?
Rama: Kjo pyetje ka të njëjtën përgjigje që i dhashë një kolegeje më parë dhe s’ka përgjigje tjetër. Nuk është pyetje për mua fare.
SYRI TV: E keni firmosur ju VKM-në, apo nuk mbani përgjegjësi për firmën tuaj?
Rama: Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë dhe çdo firmë e imja është fryt i një procesi dhe i një mekanizmi dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo nga sfera të ndryshme që kanë kompetenca e tyre. Ky bashkim kompetencash sjell në një rezultat dhe kur ky rezultat merr edhe firmën time, kthehet në një Vendim dhe kështu bëhen të gjitha vendimet. Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës mediatike, politike e joaritmetike që vijnë për arsye të ndryshme. Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime…
SYRI TV: Më falni po nuk janë kalkulime, por një vendim që ju e keni firmosur, jeni firmosur një VKM duke i dhënë bonus një kompanie që është krijuar disa muaj pas këtij vendimi. A mbani përgjegjësi për këtë gjë?
Rama: Unë besoj se nuk kam nevojë për përkthyes kur flasim në gjuhën shqipe që unë e dëgjova!
SYRI TV: Ju nuk po më ktheni përgjigje që i keni dhënë bonusin një kompanie fantazëm.
Rama: Unë e dëgjova pyetjen dhe ju dhashë përgjigjjen time dhe përgjigjja ime është përgjgja ime dhe jo përgjigja që ju…
SYRI TV: Ju jeni njoftuar nga ish-ministrja që kjo kompani nuk ekzistonte dhe nga ish-ministri Manjani që kjo kompani nuk ekzistonte.
Rama: Qeveria është një mekanizëm, i cili funksionon në bazë të një zinxhiri me shumë hallka dhe nuk funksionon si një marrëdhënie mes një pronari ,që i çon gazetarit me mesazh, pyetjen që duhet të bëjë.
SYRI TV: Me falni keni qenë i njoftuar në momentin që keni firmosur? Ju lutem mos bëni paralelizma të tillë. Ju lutem më thoni a jeni njoftuar nga ministrat tuaj kur keni firmosur këtë VKM se kjo kompani nuk ekzistonte?
Rama: Unë po ju jap shpjegime…
SYRI TV: Ju po bëni paralelizma në rastin e pronarit dhe gazetarit, ndërkohë që unë po ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë.
Rama: Unë po ju jap shpjegimin qetësisht dhe mitingun në konferencë shtypi, ju lutem mos e bëjmë…
SYRI TV: E keni firmosur ju atë VKM z. Kryeministër apo jo?
Rama: Po të shpjegoj me qetësi se si funksionon procesi i vendimmarrjes dhe paralelizmin e bëra pikërisht për këtë. Unë nuk marr njoftime individuale. Janë të gjitha pjesë e një procesi dhe i një mekanizmi vendimmarrje dhe në fund fare firma ime vendoset kur mekanizmi ka përfunduar punën dhe çështja X, Y, Z shtrohet në mbledhjen e qeverisë ku janë prezent të gjithë ministrat dhe mbasi shtrohet dhe merr miratimin e të gjithë ministrave. Në qeverinë time nuk merr miratime nëse nuk sheshohet më përpara dhe nuk ndodh në qeverinë time që unë të imponoj futjen e çfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar…
SYRI TV: Më fal, po ju si ua jepni kontratat një kompanie kur ajo nuk ekziston?
Rama: Ka ndonjë pyetje tjetër se këto ekzistencat dhe mosekzistencat e kompanive nuk i vendos SYRI .net, i vendos tjetër kush. Nëse kam, nëse kam një pikëpyetje për çfarëdo qoftë trajtohen në rrugët që ka përcaktuar një shtet dhe një shoqëri demokratike. Unë ju përgjigjem me durim shumë të madh. Ju lutem shumë, nëse ka pyetje tjetër, jepuni mundësinë kolegëve.