Të pa besueshme ishin këtë herë disa shfaqje, si të rastësishme, lidhur me Shqipërinë, në Parlamentin Evropian, i cili zhvilloi një diskutim para ca ditësh, me dyer të mbyllura, posaçërisht për ecurinë e parametrave demokratikë në vendin tonë(!!!!)…Pas kësaj shfaqjeje nuk munguan menjëherë edhe “shpjegimet” e analistëve nëpër mediet e shkruara dhe vizive, qofshin të majtë, apo djathtë, ku çdonjëri në të dy krahët, çuditërisht, nuk iu përqas, qoftë edhe një herë të vetme idesë se Evropa e qytetëruar, në mënyrë simbolike, u tregoi “katërmbëdhjetë muskëtjerëve” tanë se sa u vlente lëkura në Parlamentin Evropian, përballë flamurit kombëtarë të diktaturës së Enver Hoxhës, si dhe shpifjes së poshtër, antikombëtare, të Erion Veliajt, denoncuar me shumë finesë para deputetëve evropian nga e mirënjohura e këtij Parlamenti, znj. Fajon, si një shpifje e ndyrë pikërisht nga njëri prej përfaqësuesve më në zë të brezit të ri, por i krahut të politikanëve që përfaqësojnë trimërisht dhe krenarisht ideologjinë enveriste, për të marr pushtetin me shpifje, intriga, dhunë dhe mashtrime…
Vini re! … Ka mbi dy vjet që Shqipëria monitorohet gati çdo minutë nga Evropa dhe Amerika, si një vend, popull i të cilit nuk e meriton më të jetojë me privacione ekonomike dhe shtrëngime izoluese, aq më tepër me luftëra politike dhe kërcënime proletarësh të indoktrinuar me idetë komuniste, për të shkatërruar sistemin demokratik dhe mbështetjen që ai gëzon prej vendeve kapitaliste të zhvilluara. Ndaj këtij populli iu hapën me dëshirë të madhe dyert e NATO-s , me miratimin e të gjitha vendeve të fuqishme të botës, që të ndjehej i sigurt në rrugën drejtë integrimit në familjen e madhe e të qytetëruar të Evropës, si dhe pasjen e mundësisë për të lëvizur i lirë në tërë hapësirën e kontinentit evropianë…
Jemi dëshmitar të gjithë se çfarë qëndrimi ka mbajtur këto dy vjet e ashtuquajtura Parti Socialiste, në opozitë, ndaj zhvillimeve të vendit dhe reformave demokratike, e drejtuar tashmë nga protopinjojtë e diktaturës më kriminale në historinë e njerëzimit. Por jemi dëshmitarë të durimit dhe përpjekjeve të ndërkombëtarëve këto dy vjet për t’i bindur këta pinjoj që t‘i largohen formave “revolucionare” për të marrë pushtetin me dhunë dhe për t’iu përqasur formave demokratike, demokracisë reale, e cila, ekziston tashmë e instaluar me dëshirën e shumicës së shqiptarëve, si e vetmja rrugë për të konsoliduar Shtetin e së Drejtës dhe mirëqenien e popullit. Mirëpo, e gjithë kjo përpjekje, me sa duket, shkoi deri tek çasti që ua shteroi durimin evropianëve, të cilët e kuptuan, së fundi, sa naive u treguan, duke u përpjekur të silnin në rrugën e Zotit pjellën e nëmur të djajve komunistë, të rritur dhe edukuar për të sunduar vetëm me ligësitë dhe dinakëritë e kësaj bote. Si mund të shpresohet ende nga brezi i dytë i diktatorëve komunistë në Shqipëri, që nuk kanë bërë ende deri më sot asnjë shkëputje nga “Partia – mëmë e vazhdimësisë” së shpallur që më 1991, nga etërit e tyre gjakatarë, për ta dëshiruar e ndërtuar, pastaj, Shtetin e së Drejtës, Shtetin Ligjor, ndërkohë që dihet se, një Shtet i tillë, ndëshkon krimet dhe vjedhjet e kryera në cilëndo kohë? Nuk ka logjikë më të thjeshtë e të qartë se kjo, për të shpjeguar pse vazhdon kaq gjatë lufta e egër politike për të marrë pushtetin në Shqipëri…midis pinjojve të diktaturës së Enverit, me komplekset e së shkuarës së tyre të zezë dhe të atyre që duan të vendosin drejtësi dhe demokraci të vërtetë në këtë shoqëri postkomuniste.
Nisur nga këto, pse të mos i quajmë të qëllimshme, atëherë, ato që, “katërmbëdhjetë muskëtjerët” tanë, panë e dëgjuan në Parlamentin Evropian, si “lajthitje” të këtij institucioni kaq prestigjioz?
Kujdes, ata po na e thonë troç ne, shqiptarëve: “ Ju jeni ende në shpërgënjtë e komunizmit, mposhteni mentalitetin që keni trashëguar nga e kaluara që të meritoni anëtarësinë e familjes sonë të madhe e demokratike. Ndryshe, kokat tuaja do të hani me njeri-tjetrin, si në kohën e Enverit!”