Fjala më e shtrenjtë në Serbi, pretendon revista javore ‘NIN’ e datës 27 korrik 2023, na qenka Kosova. Ndërkaq fjala më e abuzuar në Kosovë, po të kishim një hulumtim të mirëfilltë, mund të rezultojë UÇK-ja, ky sinonim i Lirisë sonë!
Nëse janë të mirëqena deklaratat e presidentit serb A.Vuçiç, shteti serb i paska ndarë 800 milionë euro në vit vetëm për vijën buxhetore “Kosova dhe Metohia”!
“Nuk e di saktësisht, jo çdo gjë shkon përmes Zyrës për Kosovë dhe Metohi, por sipas Ministrisë së Financave, për Kosovën ndahen nga 700 deri në 820 milionë euro në vit”, citohet nga ‘NIN’ të ketë thënë A. Vuçiç.
Kështu na paska ndodhur për 11 vjet rresht.
Po sipas të dhënave të institucioneve serbe, në Kosovë jetojnë më pak se 100.000 serbë,
Sipas një përlogaritjeje të NIN-it [27 korrik 2023], rezulton se secili nga qytetarët serb i paska marrë 88.000 euro!
Një paralele me interes mes ngritjes së krimit të organizuar në veriun e Kosovës dhe lidhjen e tij, por edhe ndikimin në politikat qendrore në Beograd, e pohon ish presidenti serb Tadiç:
“Fatkeqësisht, një nga gjërat që e kuptuam shumë vonë është se krimi i organizuar përveç rrezikut për shoqërinë në të cilën vepron, është edhe faktor në politikën e jashtme”.
“Kjo tezë mbështetet nga fakti se pas ndryshimit të qeverisë dhe miratimit të Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, e cila u nënshkrua nga kryeministri Ivica Daçiç në prani të PPV-së së atëhershme Aleksandar Vuçiç, për zbatimin e saj ishte Lista Srpska, natyrisht me ndihmën e dy kumbarëve kosovarë, Radoiçiçit dhe Veselinoviçit.
Në këmbim, kompanitë në pronësi të tyre u angazhuan si nënkontraktorë për ndërtimin e “Autostradës Patriotike” nga Prishtina në Tiranë, e cila iu besua konsorciumit amerikano-turk Bechtel-Enka.
Këtë model veprimi, duket se në Kosovë e kanë ndjekur edhe shumë “biznesmenë” tanë, jo vetëm duke i regjistruar bizneset e veta jashtë Kosovës, siç rezutoi nga një kontroll më i rreptë i Ministrisë përkatëse, por edhe duke bashkëpunuar me këtë rrjet të inkriminuar dhe të kontrolluar nga BIA.
Fjala më e shtrenjtë për buxhetin e Serbisë, sipas NIN-it, na qenka Kosova, ndërkaq fjala më e abuzuar, në emër të të cilës janë shumë veta kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë karrierë politike, të tjerë kanë ngritur shumë biznese e media në Kosovë, nëse do të kishim gazetari të mirëfilltë hulumtuese, siç ka bërë ekipi i të përjavshmës beogradase NIN-it, që të kishim një hulumtin real, ka rrezik të na rezultojë UÇK-ja!
Në emër të saj është sunduar Kosova për mbi 20 vite dhe janë ngritur ai mal biznesesh që kanë zhvatur miliona euro nga buxheti i Republikës për interesa të individëve që sot dominojnë skenën politike opozitare, por edhe atë mediale. Një lagje sosh, si për ironi fati, jo rrallë na i prezantojnë fotot që i bëjnë para Burgut në Hagë, duke pohuar me një lloj mburracakërie të shpifur, duke gjykuar se përfitojnë tutje benificione të majme, tek shoqërojnë foton me shënimin: “këtë jave isha në Hagë, për vizitë tek çlirimtarët tanë…”, duke potencuar ndonjë prej emrave të pengjeve të kësaj Gjykate politike!
Kjo lagje politikanësh, biznesmenësh e gazetarësh të shpifur, që sipas të gjitha gjasave, “kapërcimin e ylberit”, alias statusit qytetar nga varfanjak të zakonshëm në milionerë, e kanë bërë duke keqpërdor emrin e UÇK-së.
Do të mjaftonte të merren nga regjistri i bizneseve vetëm emrat e pronarëve të firmave të ndërtimit dhe të resorteve turistike tok me ata të vilave në tri zona: Brezovicë – përfshi edhe Prevallën, Novobërdë – përfshi edhe Makreshin, e Rugovë, që të nxirrnim konkluzione të qarta se kush janë abuzuesit e emrit nga më të dashurit ndër qytetarët e Kosovës – UÇK-së.
Kjo sortë individësh nuk e kanë të qartë se koha kur UÇK-ja ju shërbente si “gjethe fiku” për mbulimin e të kaluarës së tyre, të bëmave e të pabëmave të tyre, të krimit jo vetëm ekonomik, ka kaluar!
Republika e Kosovës është tashmë shtet i pavarur, por edhe demokraci funksionale.
Veprimi gradual i Shtetit për shtrirjen e sovranitetit në veri dhe lufta kundër krimit të të gjitha ngjyrave, dëshmon se Republika i ka premisat reale të bëhet shpejt edhe Shtet i së drejtës./Pamfleti