Kështu tha Louise Glück, poete amerikane, është varg i saj. Ajo bëri pyetje të mrekullueshme me poezinë, edhe të thjeshta në dukje, po dhe pergjigjet i dha po ashtu, një përzierje e mrekullisë me thjeshtësinë, mbi të gjitha krijoi gjendje shqetësimesh njerëzore, të brendshme dhe të thella, pas të cilave vjen e prajshmja. Prandaj dhe tha zakonshëm: pse duhet të lodhem me debate e përgjigje? Sepse po harrojmë të zakonshmen, debatojmë të gjithë dhe kemi përgjigje të gjithë për të gjitha pa ditur asnjërën.
Por unë u plagosa herët, thotë poetja dhe ajo sikur flet me buzët e plagës së saj, kur të tjerët hapin plagët e të tjerëve. Kujtesa e Louise Glück, krahas poezisë ka dhe pësimin e përndjekjes, se i përkiste një familje hebreje hungareze dhe arriti të nderohet me çmimin “Pulitzer” në vitin 1993 dhe do të ishte Poetja Laureate e Kongresit në vitin 2003. Si e tillë nuk përfoli kurrkënd, por dha mësime poezie dhe, nuk më rrihet pa e treguar, kishte nxënëse dhe një shqiptare, e letrave dhe ajo tashmë, Ani Gjika. Për vite me radhë zysh Glück ishte pedagoge e gjuhës angleze në Kolegjin Williams dhe në Yale. Në vitin 2020 mori Çmimin Nobel për Letërsinë, etj, etj.
Dhe ja, ç’thotë: I kam parë të dyja, lindjen dhe vdekjen, nuk janë mistere, por prova. Ajo e provoi veten si njeri dhe nuk flet si ata që nuk e kanë provuar veten kurrë, përveçse në ligësitë që bëjnë, por kjo nuk është prova e njeriut.
Poetja Louis Glück iku nga kjo jetë para disa ditësh, por la poezinë ndër njerëz, që është e gjitha shpirt, pra, la veten.
Po sjell këtu njërën me titull një fjalë nga greqishtja e vjetër, që do të thotë pak a shumë hyrje në skenë me këngë dhe, pa ndjekur këshillën e nobelistes për debatin, e nisa dhe unë me një përsiatje, që më shumë i ngjan një mërmërime…
Pse duhet ta lodh veten me debate
e përgjigje?
Ata njerëz që marrin frymë
në shtretër të tjerë
vështirë të më ndjekin, jam
e pakontrollueshme
si çdo ëndërr. –
Përmes grilave vëzhgova
hënën në natën qiellore, mblidhej
dhe ënjtej –
Unë linda e thirrur:
të dëshmoj
misteret e mëdha.
Tani që i kam parë të dyja
lindjen dhe vdekjen, e di,
me natyrat e tyre të errëta, këto
janë prova, jo
mistere.
___________________
Përktheu nga origjinali
V. Zh.