Lajmet e ditëve të fundit për zbulime rrjetesh prostitucioni, që veprojnë në qendër të Tiranës, ka kohë që s’përbëjnë më sensacion. Ekzistenca e dukurisë nuk përbën më lajm, po vetëm konfliktet e aty-këtushme të autoriteteve me të.
Po ndonëse gjatë pranë dukurisë, ne si shoqëri vazhdojmë të përballemi me të me vetëdijen e strucit, që mendon se shpëton vetëm duke mbyllur sytë – kështu refuzojmë të perceptojmë emergjencën dhe agresivitetin e dukurisë, gjeografinë e shtrirjes dhe thellësinë e depërtimit të saj… Kjo në një kohë, që areale të tëra rreth nesh ka kohë që janë përfshirë në diskutime sa të ethshme aq edhe të kthjellëta publike, si për mënyrën e perceptimit shoqëror të prostitucionit ashtu edhe për trajtimin ligjor të protagonistëve dhe përfituesve të tij.
Kaq shumë ndryshojmë ne nga pjesa tjetër e botës?
Ndonëse ndeshet praktikisht në çdo kulturë, qëndrimi ndaj prostitucionit varet nga standardet kulturore, etike dhe fetare të shoqërive përkatëse dhe ndryshon vazhdimisht nën ndikimin e zhvillimit të tyre. Po kështu, edhe qëndrimi i institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare. Kështu, ndërsa Parlamenti i BE-së në vitin 2014 u rekomandoi vendeve anëtare të ndalojnë prostitucionin, si shkelje e të drejtave të njeriut dhe formë dhune ndaj grave, Amnisti International – me një vendim parimor, bazuar në anketime në të gjithë botën – shpalli një vit më vonë vendimin e vet, për të avokuar pro “dekriminalizimit të të gjitha aspekteve të punës seksuale konsensuale”. Ky dyzim qëndrimesh reflektohet edhe në pamjen globale të dukurisë.
Aktualisht në Europë prostitucioni lejohet në: Gjermani, Austri, Zvicër, Belgjikë, Danimarkë, Finlandë (pjesërisht), Greqi, Luksemburg, Portugali, Spanjë, Turqi, Hungari, Angli dhe ndalohet në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Francë, Lituani, Itali, Norvegji, Rumani, Suedi. Prostitucioni lejohet edhe në Australi, Brazil, Kanada dhe Zelandën e Re, ndërkohë që ndalohet në SHBA (përveç Nevadës), Afrikë dhe Japoni, Kinë, ku ka lëvizje për amendim, Pakistan dhe Tailandë, ku ndalimi është i pjesshëm si edhe në Jemen dhe Arabinë Saudite, ku dënohet me vdekje. Shqipëria evidentohet botërisht si një vend, që nga njëra anë e ndalon prostitucionin, por nga ana tjetër funksionon si burim për trafikimin e skllaveve shqiptare të seksit drejt Perëndimit.
A e justifikon veten diskutimi publik për dekriminalizimin e tij?
Nisur nga synimi për t’i prerë apo ngushtuar sferën e veprimit kriminalitetit të organizuar, sigurisht që po! Me kusht, që qasjet të jenë të zhveshura nga pseudomoralizmi dhe seksizmi.
Prostitucioni nuk është fenomen natyror, por produkt shoqëror. Cilësimi i shpeshtë si “zanati më i vjetër i botës” e justifikon ekzistencën e tij po aq pak sa ç’do të justifikonte vazhdimësinë e skllavërisë. Po fakt është, se bota ka pasur dhe ka nevojë për të – madje dhe bota jonë – dhe për sa kohë që kërkesa mbijeton, ajo do të vazhdojë të prodhojë pashmangshmërisht edhe oferta. Prostitucioni është padyshim një rrugë për të siguruar të ardhura jominimale, të pamundura ose të vështira për t’u fituar ndryshe. Se për sa kohë tregu i punës kërkon një kualifikim që mungon, nga puna e keqpaguar s’tepron gjë dhe martesa për para të shndërron në robinë, prostitucioni do të vazhdojë të shërbejë si alternativë ndaj çdo pune të rëndomtë apo martese të detyruar.
Po nëse është kështu, ç’argumente flasin pro dhe cilat kundër liberalizimit të prostitucionit?
Argumentet pro u referohen të drejtave të njeriut – ato kundër, bazohen te vijimi i denatyrimit të tyre edhe në kushtet e legalizimit.
Në një qasje të ftohtë liberale ndaj çështjes, ndalimi i prostitucionit me ligj kufizon mundësitë e ushtrimit të tij si profesion për sigurimin e jetesës dhe përbën për këtë arsye shkelje të të drejtave të njeriut. Se nëse dikush zgjedh të ofrojë seks në këmbim të pagesës, për këtë me siguri që ekziston një arsye e fortë, që e bën vendimin alternativën më të mirë në realitetin ku individi jeton. Dhe nëse ky opsion bie – ligjërisht apo shoqërisht – individit i duhet të kërkojë një alternativë tjetër të çfarëdollojshme, çka përbën kufizim të së drejtës së tij për punësim. Por kritikët vërejnë, se legalizimi i prostitucionit nuk do të thotë automatikisht shtim mundësish punësimi për gratë, pasi sipas vetë prostitutave të intervistuara, prostitucioni nuk është zgjedhje por pamundësi për t’u punësuar ndryshe. Duke iu referuar një studimi të kryer në pesë vende të Europës Perëndimore – kundërshtarët globalë të legalizimit vënë në dukje, se edhe vetë gratë e përfshira në prostitucion janë kundër trajtimit të prostitucionit si punë të ligjshme, pasi kjo sipas tyre sjell me vete rreziqe akoma më të mëdha nga shfrytëzuesit e dhunshëm.
Në fakt, si ekzistenca ashtu edhe dekriminalizimi i prostitucionit janë të mundura vetëm në një kulturë ku seksi nuk ka si parakusht barazinë e partnerëve, por vullnetin e njëanshëm. Kështu shoqëritë patriarkale priren ta shohin seksin si një akt të njëanshëm, gjatë të cilit nuk është relevante dëshira e gruas, po vetëm pëlqimi i saj formal. Në kushtet kur dikush që dëshiron seks mund ta kënaqë dëshirën e vet në një marrëdhënie të kryer pavarësisht dëshirës së partneres, janë të gjitha mundësitë, që ai ta marrë këtë kënaqësi kundrejt pagesës edhe gjetkë. Megjithatë kritikët vërejnë, se liberalizimi i prostitucionit nuk zbut kurrfarë tensioni social. Sipas tyre, ai ka vlerë vetëm për industrinë e seksit, pasi heq stigmën, shndërron trafikantët në sipërmarrës dhe çliron kërkesën për tregun e seksit nga skrupujt moralë apo frikërat sociale.
Ndërsa mbështetësit e legalizimit, përshirë të gjitha organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e mbështesin dekriminalizimin e prostitucionit, për të nxjerrë nga ilegaliteti dhe hequr nga rruga, keqtrajtimi dhe diskriminimi punonjëset e tij, për kritikët, legalizimi nuk e përmirëson dot statusin e tyre – se nëse në rrugë ato mund të kenë mundësi t’i shmangen rrezikut dhe të refuzojnë praktikat e rrezikshme e denigruese, në mjediset e mbyllura janë thjesht robina të punëdhënësve. Sipas tyre, legalizimi shkon gjithsesi vetëm në interes të klientëve. Në pjesën dërrmuese të rasteve ato janë edhe viktimat, që infektohen nga klientët për shkak të seksit të pambrojtur, të cilin nuk e refuzojnë dot pa pasur pasoja edhe në kushtet e legalizimit.
Diskutimi është shumëplanësh, delikat dhe i rëndësishëm – ai kërkon njohuri dhe tolerancë, drejtësi dhe humanizëm, qasje të kthjellët dhe gatishmëri të sinqertë për angazhim social. Po para së gjithash kërkon kurajë për të mos mbyllur sytë, gatishmëri për prononcim pa komplekse dhe përgjegjësi për rekomandime të mbështetura dhe perspektiva me vlerë shëruese.
Një diskutimi të tillë koha nuk i ka ardhur…, në fakt i ka shkuar…
Se kur pasojat e dukurisë zhvatin e godasin në të katër anët – në qendër dhe në periferi, në shtresat e larta dhe në rrogozet e ndyta, si mbijetesë apo si krim i organizuar…, s’ ka struc që fshihet dot duke mbyllur sytë … .
Ndaj më mirë t’i hapim – edhe sytë edhe gojën…
/Burimi: Mapo/
Komentet