Deputetët socialistë dalin kundër propozimit të kryesocialistit Rama dhe deputetit të Vlorës Kokëdhima për shtyrjen e datës së kongresit të PS-së. Të pyetur dje nëse janë dakord për shtyrjen e kësaj date, deputetët mbështetën faktin se datën e kongresit e shtyn vetëm Asambleja Kombëtare dhe se procesi i organizimit dhe zgjedhjeve në Partinë Socialiste po ecën sipas afateve të përcaktuara nga Asambleja Kombëtare e nuk ka asnjë vonesë.
“Sot e kam lexuar në gazetë. Jam befasuar. Sepse ai është një vendim i marrë nga Asambleja Kombëtare. Çdo njeri që do të bëjë propozim, le ta bëjë në Asamblenë Kombëtare, në qoftë se donte të shtynte kongresin. Të gjitha strukturat po punojnë në mënyrë intensive në qarqet që jemi vendosur me zgjedhjet e krerëve të partive të çdo njësie, dhe në qarkun ku unë jam, në Korçë, puna po ecën normalisht, dhe ata mezi po e presin kongresin në janar”, tha deputeti i qarkut të Korçës, Bashkim Fino.
Edhe kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe, mbështet kryetarin e grupit parlamentar Ruçi për shtyrjen e kongresit. “Unë nuk di të ketë ndonjë propozim për të ndryshuar datën e kongresit dhe, e dyta, nuk ka asnjë vendim të forumit të partisë për të shtyrë këtë datë. Ne kemi bërë sot mbledhje për dy rajone, atë të Fierit e Beratit, dhe natyrisht që jemi brenda afateve të vendosura nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste për të kapur kongresin në janar”, tha Braçe.
Deputetja e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, u shpreh: “Në qytetin që unë përfaqësoj, zgjedhjet po shkojnë normalisht, kështu që mendoj se nuk ka asnjë nevojë për shtyrje të kongresit”.
Edhe deputeti tjetër i qarkut të Durrësit, Gentian Bejko, mbështeti vendimin e Asamblesë Kombëtare. “Asambleja e PSsë e ka marrë vendimin e saj, dhe besoj se nuk ka më vend për diskutime”, u shpreh ai.
Kryeministri Rama ka propozuar ditën e martë shtyrjen me dy muaj të kongresit zgjedhor të PSsë, që është vendosur të mbahet në muajin janar. Këtë propozim Rama e bëri gjatë mbledhjes së grupit të punës për zgjedhjet, me justifikimin se riorganizimi i partisë dhe zgjedhjet e brendshme të saj nuk po ecin me ritmin e parashikuar nga Asambleja Kombëtare, e mbledhur në muajin korrik.
Por ministrat Tahiri, Bushati dhe Klosi e kishin kundërshtuar këtë propozim, duke e cilësuar atë si ide e hedhur nga kolegu i tyre KoçoKokëdhima. /Panorama
Komentet