Dje, gjatë ‘Çim Peka LIVE’, drejtuesi i emisionit shtroi një pyetje: PS, është pasuri kombëtare, apo vend krimi? Nuk dua të ndalem te përgjigjet e dhëna nga ky apo ai, pasi çdo njeri gëzon të drejtën të shprehë mendimin, vlerësimin dhe gjykimin e tij.
Duke marrë shkas nga një pseudo analizë e dy ditëve më parë të një njeriu që gazetarinë e sheh si gaztari dhe analizën si lisë (lidhëse) anale, pyetja ‘PS, është pasuri kombëtare, apo vend krimi?’ është jo thjesht kuptimplote, por një pyetje që duhet t’ia drejtojmë pashmangshëm vetes këtyre ditëve.
Ta shohësh PS një pasuri kombëtare, është me pasoja më të rrezikshme nga sa mund të vlerësojë dikush, për aq sa fjala është për diçka që tejkalon qoftë PS, qoftë tifozerinë politike.
Atyre që kanë një vlerësim të tillë, po u sjell në kujtesë, se marrëdhënia PPSH-PS nuk është marrëdhënie ‘vazhdimësie’, apo ‘vijimësie’; shkurt, nuk është një marrëdhënie gjenetike, aq më pak marrëdhënie nënë-bijë. Për një arsye të thjeshtë. Sikundër e përmend në pseudo analizën e tij ai njeriu që e sheh gazetarinë si gaztari dhe analizën si lisë anale, në kongresin e saj të 10-të, PPSH hyri në sallë si PPSH dhe doli nga salla si PS. Që do të thotë qartë, se nuk kemi lindjen e një formacioni të ri politik, por të njëjtin formacion me emër tjetër, çka e flak tej çdo ligjërim gjenetik dhe evolucionist. PS nuk është vijuese, as pjellë e PPSH. PS është vetë PPSH, njëlloj si PPSH ishte vetë PKSH. Që do të thotë qartë se beteja me komunizmin nuk jo thjesht nuk mund të konsiderohet, por nuk është aspak e mbyllur, siç pretendon në pseudo analizën e tij ai njeriu që e sheh gazetarinë si gaztari dhe analizën si lisë anale. Përpos kësaj, kjo nxjerr më së qarti në pah një rrezik që e tejkalon qoftë PS, qoftë tifozerinë politike. Ta shohësh PS si pasuri kombëtare, është njësoj si të shohësh të pafajshëm një vrasës thjesht sepse ndërroi emrin për t’i shpëtuar drejtësisë. Dhe këtë bëri PPSH, ndërroi emrin, për t’i shpëtuar nxjerrjes si e paligjshme, për shkak të krimeve që pati bërë për 46 vjet. Nëse PS është pasuri kombëtare, atëherë të gjithë shpurës së deputetëve dhe krerëve lokalë që u prekën nga ligji i dekriminalizimit u lind e drejta të hapin gjyq e të kërkojnë dëmshpërblim, sepse iu është hequr mandati në mënyrë të padrejtë, pasi dënimet dhe veprat penale të gjithë i patën kryer me emra të tjerë. Nëse PS është pasuri kombëtare, atëherë edhe Irena Gjoka nuk është asfare në konflikt interesi në procesin ndaj Sali Berishës, pasi në cilësinë e kreut të KLD, Sali Berisha nuk ka shkarkuar aspak Irena Gjokën, por Irena Manekun…
Ndryshimi i emrit mund ta ndihmojë një vrasës t’i shpëtojë organeve të drejtësisë, siç është rasti i shumë nazistëve, por kjo nuk i ndryshon asgjë në të qenit e tij vrasës. Dhe kjo vlen pa asnjë dyshim edhe për PPSH, e cila vijon të jetë e njëjta vrasëse, pavarësisht emrit të ri që i vuri vetes në sallën e kongresit të 10-të.
PS është PPSH, një organizatë kriminale. Nuk mund ta shohësh pasuri kombëtare, pa parë më parë krimin dhe persekutimin politik si pasuri kombëtare dhe një e mirë publike!
Ujku mbetet ujk, kur humbet edhe dhëmbët, jo më qimet!sn