Në sfidën protokollare që i solli Kosovës festimi i 10-vjetorit të Pavarësisë, e përkthyer në një lloj mungese koordinimi dhe eksperience nga shteti i ri për kremtimin e dekadës së parë të ekzistencës së institucioneve të veta, u krijua mjedisi i përshtatshëm për hedhjen e ideve provokuese politike , si ajo e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Kosovës. Një ide, e cila kishte në themel të vetin provokimin se pas 10 vjetësh, Shqipëria e Kosova mund të kenë një President të përbashkët, duke lënë të kuptohet dëshirën për një realitet konfederativ midis 2 shteteve shqiptare.
E quajti “ndërrim” dhe vuri kufij kohorë për ta bërë të duket sa më larg dhe sa më pak frikësues gogolin e Shqipërisë së Madhe apo bashkimit të dy shteteve shqiptare në një subjekt të vetëm. Pas shpalosjes së kësaj ideje, pati shumë kritika dhe reagime, por nuk u vu re një entuziazëm i jashtëzakonshëm.
Kjo dhe për shkak të formës sesi u artikulua propozimi dhe kontekstit, në të cilin ndodhen realisht këto 2 vende. Janë këto elemente, që e bëjnë idenë të mos konsiderohet si fort e thelluar. Si e tillë, kjo ide anon më shumë në kufijtë e një provokimi. Nëse nisemi nga ky konstatim, atëherë duhet kuptuar se cilat janë arsyet që qëndrojnë pas këtij provokimi.
Duke u ndalur te cilësia e marrëdhënieve institucionale të ndërtuara mes dy vendeve, vërehet se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë prodhuar gjatë kësaj dekade realitete të përbashkëta institucionale dhe ekonomike të fuqishme, të cilat do të krijonin terrenin e përshtatshëm për të pasur lirinë e një vendimmarrjeje të tillë strategjike për të ndërtuar atë që Arbën Xhaferi e identifikonte me togfjalëshin “Komenuellthi ekonomik mes shqiptarëve”. Shqipëria me Kosovën janë dy vende që vuajnë ende nga kriza energjetike. Ato nuk kanë arritur të ndërtojnë gjeneratorë të përbashkët të energjisë, paçka se të dyja vendet gëzojnë pasuri natyrore; përkatësisht Shqipëria me burime ujore dhe Kosova me qymyr (linjit).
Ekspertët kanë folur për mundësinë e krijimit të një sistemi energjetik të përbashkët, që nënkuptonte dhe financimin e gjeneratorëve të rrymës, të cilët në mënyrë komplementare do të ndërtonin një sistem energjetik funksional duke plotësuar nevojat e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe duke i shndërruar ato në vende eksportuese. Diçka e tillë nuk është arritur dhe ky fakt dëshmon më së miri se vendimet strategjike të dy qeverive nuk janë të sinkronizuar deri në atë nivel sa të implikojnë planifikime ekzekutive të tipit afatgjatë.
Planifikime të tilla nënkuptojnë edhe nevojën e heqjes së barrierave fiskale e doganore. A mund të thuhet se kjo është një pengesë e imponuar nga Bashkimi Europian? Kurrsesi. Shqipëria dhe Kosova mund të ndiqnin fare mirë modele të ngjashme me ato të vendeve nordike, të cilat para se të bëheshin pjesë e Bashkimit Europian, kanë krijuar institucione të përbashkëta përmes së cilave unifikojnë politikat e tyre në fushën e arsimit, kulturës, ekonomisë dhe askush nuk mund t’i qortojë për “gogolin” e bashkimit.
Ndonëse në këtë krahasim ballafaqohen dy realitete të ndryshme: konteksti i një konfederimi nordik është tjetër, ndërsa Shqipëria me Kosovën kanë imponime nga bashkësia ndërkombëtare, në veçanti nga Grupi i Kontaktit, i cili që në vitin 2006, ka vendosur parime imponuese për Kosovën, mes së cilave përcaktohet në mënyrë specifike se: “Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje apo bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht.”
Ky është dallimi thelbësor që qëndron mes realitetit nordik dhe atij Shqipëri-Kosovë. Gjatë këtyre 10 viteve, Shqipëria me Kosovën nuk kanë hequr barrierat doganore sepse ato janë të kontrolluara nga grupe ekonomiko-tregtare të lidhura me Serbinë, Italinë apo Greqinë, të cilat preferojnë status quo-në e një realiteti ku ato mbisundojnë. Ekzistenca e barrierave të tilla ka sjellë pamundësinë e krijimit të realiteteve të përbashkëta tatimore, infrastrukturore dhe hekurudhore.
Në këtë kuptim, të propozuarit se Shqipëria dhe Kosova mund të kenë pas 10 vitesh një presidencë të përbashkët, nuk është një propozim gradual, i cili rrjedh natyrshëm pas kapërcimit të etapave që çojnë shqiptarët drejt materializimit të këtij propozimi. A është e mundshme një gjë e tillë? Është, por mban era provokim, nisur nga konteksti në të cilin është thënë. Duke shpresuar që një realitet festiv, siç është ai i dekadës së parë të mëvetësisë dhe entuziazmit popullor, që gjenerojnë data të tilla historike do të shërbenin në amplifikimin e jehonës së këtij propozimi, dukshëm u pa se diçka e tillë nuk ndodhi. Arsyen përse mund ta lidhim me kontekstin kohor që u zgjodh të artikulohej publikisht nga Kryeministri Rama.
Ky vit është vendimtar për Serbinë dhe Kosovën, të cilat po përgatiten të mbyllin, me këmbënguljen e BE-së, një marrëveshje kontraktuale. E pagëzuar kështu si një eufemizëm për të mos e quajtur traktat, nënshkrimi i saj nënkupton sanksionimin e njohjes reciproke të barazisë, sovranitetit dhe pavarësisë mes dy shteteve. Gjë që parashikohet të sjellë për rrjedhojë edhe heqjen e vetos serbe për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizma të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë. Në këtë kuptim, ky provokim nuk ka pasur një strategji të mirëstrukturuar, por është një përpjekje për të parë reagimet.
Ndonëse ato nuk ishin të mëdha, deklarata e Kryeministrit mjaftoi për të ngjallur shqetësim në mjedisin diplomatik. A ishte ky efekti i vetëm që synohej të arrihej? Ka zëra që thonë se ky është një projekt që i shërben propozimit serb për ndarjen e Kosovës. Një lidhje kjo krejtësisht e sforcuar, pasi nuk jemi as në fabulën që me një fije leshi mund të ndërtohet një triko e tërë, por jemi në një fabul që është vështirësisht e mbajtshme në momentin që është zgjedhur për t’u thënë.
Megjithatë, duhet vlerësuar se koha kur u bë ky propozim përkon edhe me një kapërcim te izolimit ndërkombëtar të Kosovës, që vinte për shkak të mosmiratimit të demarkacionit dhe për pasojë mosdhënies së të drejtës për të përfshirë kosovarët në regjimin pa viza. Lidershipi i Kosovës gjendet i kërcënuar nga vendimi i Gjykatës Speciale. Mundet që pas festës të vijnë ditë të vështira.
Nisur sërish nga konteksti kohor, do të duhet thënë se përpos provokimit ekziston edhe një qasje racionale, që lidhet me faktin se shqiptarët arrijnë t’i imponojnë idetë e tyre nëse ata sinkronizohen. Ideja provokative e Kryeministrit ka brenda konceptin e sinkronizimit të dy shteteve. Ky është dhe momenti më i rëndësishëm që do të duhet të mbahet gjithashtu parasysh. A po provokon Rama për t’i bërë karshillëk BE-së? Nuk duket të jetë kështu pasi Shqipëria i ka punët mirë me Bashkimin Europian.
Ajo që duket se nuk i ka mirë marrëdhëniet me Unionin, është Kosova, ndaj dhe e ka të vështirë të formulojë një tezë të tillë. Duke lexuar këtë situatë të Kosovës, Rama ka zgjedhur të formulojë publikisht këtë ide/propozim, për domethënien reale të të cilit do të duhet pritur ende për ta kuptuar plotësisht. Ajo çka duket deri më tani është reagimi i përçarë i klasës politike të Kosovës ndaj kësaj ideje. Qeveria e Kosovës ka heshtur, ndonëse pak ditë më parë mund të cilësohet se edhe ajo ka kryer një veprim provokativ: heqjen e flamurit kombëtar në hyrje te Prishtinës.
Ndërsa një pjesë tjetër e klasës politike të Kosovës është shprehur se një propozim/provokim i tillë nuk duhet të ishte bërë në ditën e festës së Pavarësisë. Në këtë tablo, duhen mbajtur parasysh dhe cilësitë e një personazhi karakteristik si Edi Rama, që njihet si provokues. Ai zgjedh fjali dhe gjeste që i sigurojnë suksesin e të ndenjurit në qendër të vëmendjes. Për më tepër që kreu i qeverisë ka në krah tashmë dhe një media, që arrin t’i zbusë apo t’i amplifikojë sipas nevojës propozim/provokimet e tij.
Konica.al
Komentet