Berlin, verë 2017
1.
Një nga Kancelarët më madhor, intelektualisht i tjerrun dhe autor librash, Helmut Schmidt, admironte Kinën.
Në një pledoaje moraliteti, ai thoshte: ja, dhe Kina pushton botën, veçse, ndryshe nga të tjerë që e bëjnë me armë, ajo e bën me ekonomi e kulturë!
Po të rronte akoma, do të zhgënjehej me trishtim.
2.
Porti Zhanijang. Emocione e krenari kombëtare. Ushtarakë që këmbejnë porosi e zotime dhe lamtumiren.
Komandanti i Marinës Shen Jiinong i dorëzon solemnisht flamurin e brigadës rrugëtare djemërisë që nisej në shtegun e gjatë. Pekini inauguron bazën e parë ushtarake jashtë Kinës: në Xhibuti të Afrikës lindore.
Në këtë pikëlidhëse strategjike ndanë Europës, Lindjes së mesme dhe Azisë, tashmë, janë të stacionuar perëndimorë e japonezë. Madje dhe gjermanët e kujdesshëm gjenden atje në misionin “Atalanta” që ndjek kusarët aventurozë. E pra, nëse janë të gjithë rendësorët, përse të mos jenë kinezët?
Por e veçanta është: Kina për të parën herë në historinë e re promovon statusin e Fuqisë së madhe botnore!
3.
Reformatori i shquar Ten Hsiao Pin, ndjen krusmën e varfërisë. Asnjë ideologji a flijim nuk e justifikonte poshtërimin e saj.
Ndaj, në një çast reflektimi të thellë, shpallte: pasuria është lavdi! Ky mendim, i shndërruar më pas në doktrinë, do t’i ndryshonte përgjithmonë fatin Atdheut të tij – për të ardhur, nga izolimi në guacën altruiste të barazisë skamnore, në magjepsjen fluturake të Kancelarit të mirë.
Megjithë parathënmet e ca analistëve europianë, se hovi i mirëqenies do kërkojë një ditë bashkëgjuhën politike të demokracisë, formula e tij funksionon ende mrekullisht.
Shpirti ynë, shpjegojnë kinezët, refuzon konflikt-demokracinë oksidentale. E do gjithnjë konfuçianizmin e shtruar. Vertikal e harmonik…
Pa këtë kohëprerje të Pinit legjendar, Kina akoma do vegjetonte e vdiste për idealet e mjerimit njerëzor! E, natyrisht, Shmidti virtuoz nuk do të entusiazmohej dhe as Ushtari kinez nuk do veshte xhupin luftarak për të marrë pjesë vrânshëm në ndarjen e botës..!
Komentet