Fill pas kësaj, të rinjtë kanë hipur mbi bunker, ndërsa valëvisin flamurin e PD-së dhe disa të tjerë i vunë flakën atij nga brenda.
“Situata paraqitet shumë e tensionuar pasi protestuesit në të treja anët e bunkerit po tentojnë të heqin llamarinat. Policia nuk ka qenë e përgatitur për këtë rast. Në vendngjarje janë shumë pak forca policore, ndërsa po përforcohet zona.”, raportoi gazetarja e News24, Dorjana Bezat.
Zjarr brenda bunkerit, protestues me mjete të forta që e godasin pambarismisht. Kjo është përpjekja për ta rrëzuar bunkerin. Pas disa orësh ata u drejtuan drejt memorialit “Azem Hajdari”.
BASHA DHE BERISHA KTHEHEN NË SELINË E PD
Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha pasi janë larguar nga sheshi para Ministrisë së Brendshme i janë drejtuar memorialit të Azem Hajdarit, ku janë përulur në shenjë nderimi dhe kanë vijuar rrugën para parlamentit për të shkuar në selinë e PD-së.
PROTESTUESIT QËLLOJNË ME GURË BASHKINË DHE THYEJNË XHAMAT E M.TRANSPORTEVE
Sulmeve të protestuesve dhe gjuajtjeve me gurë nuk i kanë shpëtuar as godina e Bashkisë së Tiranës dhe Ministria e Transporteve. Mësohet se nga gurët janë thyer xhamat e disa zyrave.
PROTESTUESIT DREJT MEMORIALIT TË “AZEM HAJDARIT”
Ora 14:40- Pasi i kanë vënë flakën dhe kanë nisur të shembin bunkerin tek Ministria e Brendshme protestuesit i janë drejtuar memorialit të liderit të dhjetorit, “Azem Hajdari”. Turma drejtohej nga deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili iu bënte me shenja protestuesve që ta ndiqnin.
TËRHIQEN FORCAT SPECIALE
Ora 14:34- Pas të dhënave nga selia blu se situata nuk do të përshkallëzohet, mësohet se edhe forcat speciale të policisë janë tërhequr nga vendngjarja dhe nga rrugët kyçe.
BASHA LARGOHET NGA TURMA
Ora 14:29- Kreu i PD-së, Lulzim Basha është larguar nga turma, ku ka qëndruar për rreth 2 orë, bashkë me deputetë të PD-së.
DËMTOHET PJESA E JASHTME E BUNKERIT, PROTESTUESIT: NUK IKIM PA E SHEMBUR
Ora 14:25- Protestuesit kanë arritur të dëmtojnë armaturën e bunkerit dhe këmbëngulin në shembjen e tij. Ata kanë deklaruar se nuk do të largohen deri në shembjen e plotë të tij. Ndërkohë qindra mijëra të tjerë qëndrojnë ende rreth Ministrisë së Brendshme.
PROTESTUESIT NISIN TË SHEMBIN BUNKERIN ME MJETE METALIKE
Ora 14:01-Protestuesit i vënë zjarrin skelës së Ministrisë së Zhvillimit Urban. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se si mjet për ti vënë flakën bunkerit kanë qenë pikërisht dërrasat e skelës. Sakaq, disa persona kanë marrë mjete të forta hekuri, më të cilët kanë nisur të shembin bunkerin.
PROTESTUESIT “RRETHOJNË” MINISTRINË E BRENDSHME
Ora 13:54- Mijëra protestues janë vendosur në sheshin para Ministrisë së Brendshme, ndërsa brenda bunkerit vijon të ketë flakë. Mes protestuesve janë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Shembjen e bunkerit e kanë kërkuar së pari ish-të përndjekurit, të cilët thonë se ky objekt glorifikon diktaturën. Ata kanë bërë thirrje për shembjen e tij.PROTESTUESIT GJUAJNË ME GURË GODINËN E MINISTRISË SË BRENDSHME
Ora 13:50- Protestuesit kanë vijuar ‘sulmin’ ndaj bunkerit që përfaqëson komunizmin duke gjuajtur me gurë edhe godinën e Ministrisë së Brendshme. Madje raportohet për xhama të thyer.
BASHA E BERISHA MES TURMËS
Ora 13:45- Kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha ndodhen mes turmës së protestuesve që po tentojnë të dëmtojnë bunkerin pranë Ministrisë së Brendshme. Madje Berisha ka bërë edhe foto me protestuesit. Me sa duket dy liderët e PD-së janë aty për të qetësuar turmën.
NDREGJONI-PROTESTUESVE: TË SHKULIM BUNKERIN E KOMUNIZMIT TEK MINISTRIA E BRENDSHME
Menjëherë pasi përfundoi protesta e tensionuar para kryeministrisë, Kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni i ka bërë thirrje turmës të marshojnë drejt Ministrisë së Brendshme për të rrëzuar bunkerin, që sipas tij qeveria e ka ndërtuar për të kujtuar komunizmin.
“Lë të marshojmë drejt Ministrisë së Brendshme të shkulim bunkerin e Edi Ramës që e ka ndërtuar në nder të komunizmit”.
Komentet