Komiteti Shqipëtar i Milanos “Shqipëria e re“, qëkurse u themelua prej një tok atdhetarësh të ndershëm dhe me aprovimin e qeverisë së përkohëshme për të mbrojtur të drejtat kombëtare, po vazhdon me vërejtje të madhe çmbështelljen e punëvet të Shqipërisë.
Fusha më e rrezikshme e punëvet, nis kur gjenerali i Shkodrës lëshoi qytetin nën Malaziasit. Nis që atherë themi fusha e rrezikshme sepse në vënd që Esadi bashkë me ushtrinë e tij të hiqte për në Vlorë, ku gjendej e themeluar disa muaj më parë e njohura Qeveri e përkohëshme, qëndroi në Tiranë ku u sheshua për mjaft kohë. Nga ky shkak lindi dyshimi, dhe lufta e shtypit të përbotshëm vazhduar mjaft vjet, ishte tepër e rreptë, shumë e vërsulur kundra rilindjes së Shqipërisë dhe Esad Pashës i cili, sipas sa thanë, deshi të bëhej mbret i Shqipërisë. Komiteti i Milanos duke u çuditur përse Esad Pasha qëndroi në Tiranë, afroi të besojë se me të vërtet ky deshi çmendësisht të zinte vëndin e Gjergj Kastriotit. Por duke i quajtur intriga dhe çpifje të huaja sa thuheshin dhe sa u thanë n’atë kohë për mbrojtësin e Shkodrës, Komiteti u mundua t’i përgënjeshtronte shpifjet e huaja, të cilat n’atë kohë burimin e kishin vetëm prej Athinës, Beogradit dhe Çetinës, dhe u përpoq të mbrojë Esadin moralisht duke e përshëmbëlluar si burrë të ndershëm t’ atdheut.
Nuk shkoi shumë kohë dhe me të vërtetë dyshimi i komitetit ndaj Esad Pashës nisi krejt të mërgohej, edhe u mërgua kur pa Esadin Ministër të Punëvet të Brëndëshme të Shqipërisë.
Kur Esad Pasha në mbarim të korrikut gjëndej në Romë në udhëtimin e tij të njohur në oborret e dy Fuqive mbrojtëse si Ministër i Punëvet të Brëndëshme, Komiteti “Shqipëria e Re“ që t’i apë dhe më rëndësì fillit të bashkimit, i dërgoi një letër të peshuar, ku i thoshte se dëshëron të presë në zyrë mbrojtësin kreshnik të Shkodrës famëmadhe. Esad Pasha u përgjigj me një letër të tijën duke përhiruar Komitetin për shërbimin e tij atdhesor, dhe shfaqte hidhërimin që s’mundej të përmbushte dëshirën e komitetit, nga shkaku i nxitimit të punëvet t’ Atdheut. I shpejtuar – sikundër thoshte – u kthye në Vlorë që nga, pas pak ditësh shkoi në Durrës për të shikuar disa punë t’atjeshme. Në Durrës, në vënd që t’i rregullonte punët dhe të kthehej përsëri në Vlorë, ai i dërgoi qeverisë së Vlorës një ultimatum ku, midis të tjerave, thoshte : të ngrihet së shpejti dhe doemos fron i qeverisë të vijë në Durrës edhe të formohet një qeveri m’e fortë, anëtarët e së cilës t’emërohen prej zotërisë tij dhe zotit kryetar të qeverisë, Ismail Qemalit!
Qeveria e Përkohëshme nuk e plotësoi ligjërisht kërkesën e Esadit, i cili flet me një gjuhë tjetër të hollë e të mprehtë, dhe jo me gjuhën e tij të pagdhendur.
Parija e Durrësit, e pregatitur që prej kohësh për fushatën kundër kombëtare, posa shikoi që qeverija e Vlorës nuk dëgjoi kërkesat e saj të pakëndshme, nisi të vërë në punë qëllimin. Formoi një qeveri tjetër me emrin “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme“ duke ju mbështetur parimit të vjetër të plakonivet (pleqësivet). Kjo lodër qesharake, (se s’mund të quhet ndryshe) duke patur mbi krye Esad Pashën quhet lehtë një periudhë e dytë e rrezikshme për rilindjen e Shqipërisë. Komiteti i Milanos, duke marrë parasysh gjëndjen e Shqipërisë, nuk pëlqeu të protestojë më parë kundër kësaj shoqërije infame, duke pritur një pajtim midis qartës së Vlorës e të Durrësit, shkaku i së cilës është vetëm paridashësija. Por kur pa se punët venë majë më majë, i mbështetur kurdoherë në programin e tij, vendosi këtë protestë:
1-ra. Duke marrë parasysh gjëndjen politike, ekonomike, paqësore dhe administratore të Shqipërisë, Komiteti proteston shpirtësisht kundra formimit të “Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme“.
2-ta. Komiteti e quan lëvizjen e Durrësit një vepër krejt antipatriotike dhe endësit e saj dëmprurës dhe trumbullonjës.
3-ta. Komiteti proteston rreptësisht në emër të Shqipërisë kundër gjithë atyre zotërinjvet që, për madhështi të veta, vënë jetën e kombit në rrezik, dhe për të shfryrë mëritë e tyre të veçanta përdorin fatin e Shqipërisë.
4-ta. Komiteti hidhërohet tepër duke parë disa të vetëthënë krerë që s’ndryshojnë mendim por kërkojnë gjithmonë të monopolizojnë punët e Shqipërisë dhe i lutet Qeverisë së përkohëshme t’i përgjigjet amtarisht zërit të pikëllueshëm të popullit, të sjellë sa më shpejt paqen dhe bashkimin e përgjithëshm, të mërgojë çfarëdo gjë që kanos jetën e Shqipërisë dhe të ruajë nderin e kombit.
5-ta. U lutet nxehtësisht gjithë shqiptarëvet të sprovojnë atdhesinë e tyre në këtë rast kaq kritik që po kalon Atdheu ynë edhe të kenë besim te Qeveria e Përkohëshme gjersa të emërohet princi, kur do të formohet një qeveri e mbaruar.
Milano, 5 Vjeshtë e tretë 1913 Komiteti “Shqipëria e re“
Gazeta “LIRI E SHQIPËRISË”, 20 nëntor 1913
Komentet