Dhjetëra shqiptaro-amerikanë nën udhëheqjen e aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Shpëtim Ndreu, Arif Mata, Alfred Tollja, Jurgen Vladi, Violeta Yzeiraj, Gjerg Xhumari e shumë të tjerë, protestuan përballë Selisë së Kombeve të Bashkuara në Manhatan dhe kërkuan që të ndalohet menjëherë projekti i ndërtimit të Skavicës.
Tubuesit kërkuan që anëtarët e Kombeve të Bashkuara të kundërshtojnë me forcë ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe të konsiderojnë mënyra të tjera që janë më miqësore me ambientin për sigurimin e energjisë në vend.
Qarku i Dibrës, përgjatë Luginës së Drinit të Zi, është pika e nxehtë e biodiversitetit të vendit, veçanërisht për sa i përket biodiversitetit të ujërave të ëmbla. Malet e larta, sistemet e lumenjve dhe liqeneve në rajonin e Dibrës janë shtëpia e llojeve të shumta të rrezikuara dhe habitateve të rëndësishme me një shkallë të lartë endemizmi.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate të përbashkët, besojmë se ndërhyrjet e duhura për shpëtimin e lumit Drin dhe ndalimin e projektit të digës së Skavicës janë të një rëndësie te madhe dhe urgjente, pasi ofrojnë mbrojtje dhe rikuperim për peshqit dhe specie dhe habitate të tjera të rëndësishme, duke ruajtur vlerën unike të biodiversitetit të lumenjtë e rajonit të Dibrës.
Mbrojtja dhe restaurimi i lumit Drini i Zi në Shqipëri ofron një mundësi të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve që jetojnë prane lugines së Drinit të Zi. Ato ofrojnë ujë të pijshëm, ushqim, ujë për ujitje, mbrojtje nga përmbytjet, rregullimin e klimës, mundësi për të zhvilluar peshkimin, sportet ujore, ekoturizmin dhe mundësi për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin midis vendeve, shkencëtarëve, institucioneve, bizneseve dhe organizatave joqeveritare,” thuhet në deklaratën e protestuesve.
“Marrëveshja e Parisit përfshin synime ambicioze që lidhen me reduktimin e emetimeve globale, përshtatjen dhe qëndrueshmërinë e klimës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e të drejtave të banorëve vendas. Projektet e kompensimit të digave minojnë drejtpërdrejt secilin prej këtyre synimeve. Ju lutemi, mos lejoni ndertimin e Hidrocentralit Skavicanga dëmet që sjellin digat sipas Marrëveshjes së Parisit.” syri.net