Vetëm 3 kilometra larg ndërtesës ku po mbahet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora po protestojnë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
11:49 – Pas dy orësh, seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në pauzë.
Më poshtë iu sjellim të përmbledhura pikat kyçe të kësaj seance:
– Në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
– Prokuroria nisi deklaratën hyrëse, që pritet të jetë në kohëzgjatje prej maksimumi pesorësh, duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë
– Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve
– Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit
– Sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë
– Prokuroria tha se katër të akuzuarit ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm
– Sipas Prokurorisë, gjatë luftës Thaçi kishte drejtuar drejtorinë politike, Veseli atë të zbulimit, Selimi kishte qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi kishte qenë zëdhënës
– Detyrat, sipas Prokurorisë, janë konfirmuar nga Selimi gjatë intervistës dhënë para prokurorëve të specializuar në Hagë, por edhe nga një libër i Krasniqit, ku përmendej hierarkia e UÇK-së
– Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave
10:52 – Prokuroria: Të akuzuarit krijuan Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së
REL njofton se Prokuroria e Specializuar tha se përmes provave do të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe se të katër të akuzuarit kishin autoritet në Shtabin e Përgjitshëm.
Prokurori Alex Whiting, tha se Hashim Thaçi gjatë marrjes në pyetje në Hagë ka dëshmuar se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë “jofunksional” dhe vetëm “në letër”. Megjithatë, ai tha se këto pretendime do të hidhen poshtë gjatë gjykimit.
Ndërkaq, prokurori i specializuar Matthew Halling, dha një historik se si u krijua UÇK-ja. Ai tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte LDK-ja, që ishte rezistencë paqësore.
Ai po ashtu përmendi disa prej deklaratave të bëra nga të pandehurit më herët në media, lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe vetë UÇK-në, duke prezantuar edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme.
Thaçi, Veseli dhe Selimi, sipas prokurorisë, themeluan “Shtabin e Përgjithshëm dhe e nisën këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe Krasniqi ishte anëtar i drejtorisë politike.
Mbrojtja e të pandehurve më herët ka thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim.
10:38 – Prokuroria: Nuk po gjykohet UÇK-ja
Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta, e jo me gjithë UÇK-në.
“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.
Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.
10:32 Whiting: Fitimi i pushtetit, motivi i kryerjes së krimeve
Whiting po vazhdon të paraqesë rastin e Prokurorisë. Ai tha se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.
“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.
10:25 – Prokuroria thotë se shumica e viktimave ishin shqiptarë
Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka nisur deklarimin e tij. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm.
Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë “mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë”, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata”, theksoi Whiting.
“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve”, shtoi ai.
10:14 – Protestë në Hagë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së
Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin Laan van Reagan en Gorbatsjov në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës ku më 3 prill ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.
10:12 – Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm
Gjykatësi ka kërkuar nga të pandehurit që të deklarohen sërish për aktakuzën e plotësuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi tha se “jam plotësisht i pafajshëm”.
Veseli u deklarua “tërësisht i pafajshëm”.
Selimi u shpreh se “jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.
Ndërkaq, Krasniqi tha se nuk ka “asnjë lidhje me pikat e aktakuzës”.
“Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”, theksoi ai.
10:03 Prokuroria: Të pandehurit kanë personalisht përgjegjësi penale për krimet
Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratën hyrëse. Prokurori po lexon pikën 176 dhe 177 të aktakuzës së plotësuar që flet për përgjegjësinë e tyre të dyshuar penale për pikat e aktakuzës.
Paraprakisht, mbrojtja dhe Prokuroria janë pajtuar që në këtë seancë të mos lexohet e gjithë aktakuza, por vetëm disa pjesë të saj.
Prokuroria pretendon katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Prokuroria tha se të pandehurit kanë “personalisht përgjegjësi penale” për dhjetë pikat e aktakuzë.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsejtë dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë./ Sipas Radios Evropa e Lirë