Grupe protestuesish serbë në mesin e të cilëve edhe veprimtarë pro-rusë u mblodhën në qendër të Beogradit, duke kërcënuar me trazira nëse Serbia pranon një plan të mbështetur nga perëndimi që synon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ndjenjat pro-ruse po rriten në Serbi, e cila e konsideron Rusinë, një anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, aleaten kryesore në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës që u shpall 15 vjet më parë.
Protestuesit, që mbanin parulla “Kosova – Nuk ka dorëzim” dhe brohorisnin brohoritnin “Serbi-Rusi”, ndërsa ultra nacionalisti Damjan Knezheviç bëri thirrje për trazira nëse Beogradi kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën.
“Ju (qeveria) keni frikë nga trazirat. Ju betohem, ne jemi gati për më shumë se kaq” tha Knezheviç. Lëvizja e tij ‘Patrulla Popullore’ mbështet agresionin rus në Ukrainë dhe është aktive në përndjekjen e emigrantëve.
Knezheviç pranon lidhjet me grupin mercenar rus Wagner, i cili po lufton në Ukrainë.
Pas protestës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili përpiqet të ruajë drejtpeshimin midis aspiratave të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve me Rusinë, tha se nuk ishte i sigurt nëse protestuesit “ishin pro-rusë”, por ishte i sigurt që “ata ishin anti-serbë”.
“Të gjithë ata që kërcënuan me vrasje dhe rrahje do të përgjigjen para ligjeve serbe”, tha ai në një transmetim televiziv pasi më parë takoi shefat e organeve të sigurisë shtetërore dhe të zbatimit të ligjit.
Më herët gjatë ditës, policia tha se dy mbështetës të organizatës së Knezheviçit që po shkonin për në Beograd, u arrestuan në veri të vendit dhe një pushkë snajper me municione ishte gjetur në makinën e tyre.
Policia pengoi një grup protestuesish që provoi të hyjë në selinë e presidencës serbe.
Nëse udhëheqja jonë shtetërore, dështon ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në OKB, ne po i kërkojmë udhëheqjes ruse të përdorë veton dhe të na japë të paktën një muaj kohë për ta hequr këtë tradhtar”, tha Knezheviç, duke iu referuar presidentit serb Vuçiç.
Edhe pse ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, në Kombet e Bashkuara dhe forume të tjera ndërkombëtare, Serbia është kritikuar nga perëndimi se nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës.
Diplomacia perëndimore ka shtuar përpjekjet për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas një propozimi evropian, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë thanë se e pranojnë propozimin në parim dhe se diplomacia perëndimore ua ka bërë të qartë se mospranimi do të çonte në përballje me sanksione.
*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters