Gazetarë, punonjës të medias dhe pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan të premten para Gjykatës Civile për shkak të një vendimi që kjo gjykatë kishte marrë ndaj portalit maqedonas IRL (Laboratori Hulumtimtues i Reporterëve) dhe redaktores së tij.
Procesi gjyqësor kishte të bëjë me akuzën për ofendim dhe shpifje të ngritur nga ish-Zëvendëskryeministri Koço Angjushev ndaj portalit dhe redaktores Sashka Cvetkovska.
Gjykatësja Jovanka Spirovska Janevska kishte vendosur në favor të ish-Zëvendëskryeministrit dhe në dëm të IRL-së dhe zonjës Cvetkovska, duke urdhëruar që “Ky portal dhe Sashka Cvetkovska nuk mund të paraqiten si gazetarë dhe të mos merren me raporte investigative”.
Por ky vendim hasi në reagime të shumta tek përfaqësuesit e medias në Shkup. “Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë” dhe Unioni i Pavarur i Gazetarëve dolën para Gjykatës Civile për të shprehur pakënaqsinë me “përcaktimet e tilla që janë karakteristikë e shoqërive të huaja jodemokratike”, sipas tyre.
Gazetarët kishin vënë shirita ngjitëse mbi gojë, ndërsa mbanin parulla ku, mes tjerash shkruhej: “Puna jonë është për publikun, jo për kolegët”.
Gazetarët dhe punonjësit e medias e quajtën skandaloz vendimin e gjykatës. Ata thanë se është opinioni publik ai që vlerëson një media dhe një gazetar dhe jo gjykata; se vendimi paraqet një precedent të rrezikshëm dhe kërcënim ndaj lirisë së fjalës, jo vetëm të medias por edhe të qytetarëve.
Gazetarët kërkuan nga gjykatësit që të jenë të kujdesshëm dhe të tregojnë më shumë mirëkuptim në procedurat gjyqësore kundër tyre dhe punonjësve të medias në vend.
Portali IRL zbuloi para pak muajsh se kompania “Brako” e Koço Angjushevit kishte marrë përsipër ndërtimin e spitaleve modulare (fushore) gjatë shpërthimit të pandemisë së koronavirusit duke mos iu përmbajtur standardeve mbi materialin e ndërtimit dhe me procedura lehtësuese të tenderimit.
Në këtë mënyrë, zjarri në spitalin e Covid-it në Tetovë më 8 shtator, 2021 që u mori jetën 14 pacientëve dhe familjarëve të tyre e gllabëroi ndërtesën brenda 3-4 minutash që habiti shumë ekspertë dhe zjarrfikës.