Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt në Kosovën qendrore, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në atë fshat.
Në protestën e sotme u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Presidenti serb u tha gazetarëve në mëngjes se do të provojë të shkojë në fshatin Banjë përmes rrugëve anësore.
Autoritetet në Prishtinë vendosën pas protestave që të tërheqin lejen për vizitën në këtë fshat.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se “siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të Presidentit Serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po qëndron që nga e shtuna në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në një periudhë debatesh për ndryshime kufijsh në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Komentet