BILD
Në zgjedhjet parlamentare të së dielës së kaluar në Serbi, partia populiste e krahut të djathtë e presidentit serb, Vuçiç, SNS, doli si fituese e qartë. Por pati një numër parregullsish…
Të dielën, dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës serbe dolën në rrugët e Beogradit për të protestuar kundër manipulimeve të dyshuara zgjedhore një javë më parë. Ishte protesta e shtatë radhazi. Dhe ajo u përshkallëzua.
Këtë herë, pjesëmarrësit marshuan drejt Bashkisë së Beogradit dhe luftuan me policinë kur tentuan të sulmojnë godinën. Demonstruesit hodhën gurë dhe vezë. Xhamat e godinës u thyen me leva hekuri.
Policia përdori gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit. Demonstrata u thye rreth orës 10 të darkës me orën lokale.
Presidenti Vuçiç foli më pas për televizionin proqeveritar Pink, ku tha se kjo ishte një përpjekje për të marrë me dhunë kontrollin e institucioneve shtetërore. Ai tha se ishte një sulm i planifikuar.
“Kemi prova të forta për këtë,” tha presidenti, duke shtuar se megjithatë nuk po ndodh një revolucion.
Partia e tij SNS fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale në shumë qytete, përfshi edhe Beogradin. Në kryeqytet megjithatë fitorja ishte e ngushtë. Sipas opozitës edhe kjo fitore erdhi përmes një manipulimi masiv.
Një mision vëzhgues ndërkombëtar gjeti një numër parregullsish pas zgjedhjeve, duke cituar rastet e dhunës, blerjes së votës dhe mbushjes së kutive të votimit me fletëvotimi të manipuluara.
Duke cituar këtë raport, Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se këto shkelje janë të papranueshme për një vend që mban statusin e kandidatit për në BE.
Zgjedhjet provokuan protesta përpara godinës së Komisionit Zgjedhor të Serbisë. Disa përfaqësues të opozitës u futën në grevë urie duke kërkuar që rezultati zgjedhor të anulohet.