Udhëheqësi i fuqishëm populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po përballej ende me sfidën e tij më të madhe, ndërsa demonstratat e udhëhequra nga studentët u intensifikuan në fundjavë, në atë që quhej lëvizja më e madhe protestuese e vendit ballkanik.
Tre muaj pas ditës, pasi një tendë betoni u shemb në hyrje të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në qytetin verior, duke bllokuar tre urat e tij në përkujtim të 15 personave të vrarë në aksident. Për tragjedinë është fajësuar drejtpërdrejt qeveria, për paaftësinë dhe korrupsionin që e ka përfshirë.
“Ajo që po shohim janë protestat më të mëdha në rrugë në historinë e Serbisë,” tha Dejan Bagariç, një student i masterit, duke folur nga qyteti. “Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë, njerëzit janë me të vërtetë të animuar, sepse të gjithë janë ngopur nga korrupsioni dhe kjo qeveri është shumë e korruptuar.”
Shpërthimi i mospajtimit të së shtunës – kulmi i protestave dhe atyre që filluan në nëntor – janë përqendruar në atë që demonstruesit e kanë përshkruar, si mosgatishmëri goditëse e qeverisë për të pranuar ndonjë përgjegjësi për tragjedinë. Rindërtimi i stacionit u krye në bashkëpunim me një konsorcium shtetëror kinez, si pjesë e një projekti të madh infrastrukturor, që kritikët pretendojnë se i kushtoi pak ose aspak vëmendje rregulloreve të sigurisë.
“Nuk kishte transparencë, nuk kishte tendera publikë për kontratën dhe më pas kur ndodhi aksidenti, nuk kishte dëshirë për drejtësi,” tha Çedomir Stojkoviç, një avokat kryesor për të drejtat e njeriut, i cili paraqiti një ankesë penale që përfundimisht nxiti prokurorët të nisnin një hetim. “Në vend të kësaj, qeveria bëri atë që bën gjithmonë, ajo vazhdoi me një mbulim në shkallë të plotë. Ka shumë solidaritet, shumë ndjeshmëri për studentët, gjithnjë e më shumë njerëz po dalin në mbështetje të tyre, profesorë, fermerë, të gjithë.”
Deri në javën e kaluar tubimet anti-qeveritare ishin përhapur në më shumë se 100 qytete dhe fshatra provinciale në mbarë vendin.
Shkalla e protestave, tha Stojkoviç, kishte dëshmuar “përtej çdo dyshimi”, se demonstratat jo vetëm ishin nxitur nga neveria për korrupsionin, një sëmundje që është identifikuar me gjithçka që është e gabuar me vendin kandidat për në BE, por ishin një mënyrë që qytetarët të shprehin pakënaqësinë e tyre, me sundimin gjithnjë e më autoritar të presidentit të tyre nacionalist.
Për një brez të rritur në internet, njohuria për botën përtej Serbisë së varfër është lehtësisht e disponueshme. Gjithashtu e paprecedentë është aftësia për të organizuar me shpejtësi protesta, duke anashkaluar mediat e kontrolluara nga shteti – dhjetëra mijëra studentë grevistë morën pjesë në një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi të madh në Beograd, javën e kaluar.
Vuçiç ishte përballur me protesta të ngjashme vitin e kaluar pas akuzave për zgjedhje të manipuluara, të ndihmuara, thonë kundërshtarët, nga një peizazh mediatik që mbetet një nga më të censuruarat në Evropë. Ndryshe nga këto demonstrata, megjithatë, ishin partitë opozitare, vetë shpesh të diskredituara, ato që udhëhoqën reagimin.
“Njerëzit duan që qeveria dhe Vuçiqi të largohen më në fund,” tha Stojkoviç, i cili mori pjesë si student në protestat masive mbi 25 vjet më parë kundër Sllobodan Millosheviçit, të fortit të ndjerë jugosllav dhe ish-presidentit të Serbisë, politikat e të cilit shkaktuan zbritjen e rajonit në gjenocid gjakatar. Protestat i hapën rrugën përmbysjes së Millosheviqit, në vitin 2000.
“Këta studentë ishin fëmijë kur Vuçiq u bë president tetë vjet më parë dhe ata duan demokraci. Është duke u ngritur … ky është momenti pak para se tullumbacja të shpohet nga gjilpëra. E ka zënë [qeverinë] të pavetëdijshme.”
Të premten, ndërsa qindra studentë arritën në Novi Sad në këmbë pas një udhëtimi dyditor, 80 km nga Beogradi, Vuçiç, duke iu drejtuar protestave, i tha kombit: “Vendi ynë është nën sulm, nga jashtë dhe nga brenda”, duke i bërë jehonë pretendimeve të mëparshme, se protestuesit po punonin për fuqi të huaja të paspecifikuara për të rrëzuar qeverinë.
Partia Progresive Serbe në pushtet është përpjekur të qetësojë situatën, duke nxjerrë dokumente të klasifikuara për shembjen e stacionit hekurudhor dhe madje ka shkuar aq larg sa ka thënë se do të përmbushë të gjitha kërkesat e studentëve. Këtë javë, në atë që u pa si një fitore e parë, aleati i ngushtë i Vuçiçit, kryeministri Milos Vuçeviç, dha dorëheqjen, por pak njerëz besojnë se protestat do të shuhen.
Me papunësinë e të rinjve në nivele rekord dhe të diplomuarve të detyruar në një numër gjithnjë në rritje të shpërngulen jashtë vendit në kërkim të punës, ekziston një ndjenjë në rritje në mesin e të rinjve serbë, se ka pak për të humbur.
Për të sfiduar goditjet e qeverisë, studentët kanë shmangur qëllimisht shoqërimin me një lidership të çdo lloji, duke siguruar që vendimet të merren së bashku në seancat plenare.
“Ne nuk po zgjedhim dhunën dhe tani për tani as qeveria nuk po zgjedh dhunën”, tha Bagariç në protestat në Novi Sad.
Ndërsa protestat u rritën, Srđan Milivojević, i cili drejton Partinë Demokratike të opozitës, tha se ishte e qartë se demonstruesit e rinj të Serbisë, tani po diktonin ngjarjet.
“Është e parëndësishme se si reagon qeveria,” tha ai ndërsa po ecte përgjatë autostradës së mbytur nga makina, që lidh Beogradin me Novi Sadin. “Studentët po diktojnë tempin e protestave, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë derisa të bjerë Vuçiç”./ The Guardian. sn