VOAL

VOAL

Protesta e shtatë, Basha: Rama një kufomë, pushtetin do e merrni mbrapsht me çdo çmim e kusht

June 2, 2019

Komentet

Osmani: Sot Rugova po i kthehet në bronz Llapit, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Podujevë.

Osmani është shprehur se shtatorja e Rugovës po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik.

Presidentja u shpreh se sot presidenti Rugova po i kthehet në bronz Llapit, siç u shpreh ajo, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës.

“Shtatorja e presidentit Rugova po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik, në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, për të cilën gjë, tërë jetën ia kushtoi presidenti ynë historik”.

“Shtatorja e presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike”.

“Prandaj sot po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht në Kosovë”.

“Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës. Në ditët më të errëta të historisë sonë, ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij “pavarësi dhe asgjë më pak”.

“Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova i dha, siç themi gjithmonë politikës dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human”, u shpreh Osmani. sn

Intervista- Volker: Perëndimi forcon Vuçiqin, teksa minon të tjerët në Ballkan

Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

 

Dragan Shtavlanin

“Ne, vazhdimisht, themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. [Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët”, thotë për Radion Evropa e Lirë Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

“Kjo është ajo që SHBA-ja dhe Franca thonë se është politikë e tyre – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim. Nën Vuçiqin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur [presidentin e Republikës Sërpska] Millorad Dodik dhe për të minuar Bosnje e Hercegovinën…”, thotë Volker.

Sipas tij, Perëndimi është duke u angazhuar më shumë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, teksa ngadalë është duke humbur Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Vuçiq nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, thotë Volker.

Radio Evropa e Lirë: A është marrëveshja e Serbisë me Francën për blerjen e avionëve luftarakë francezë “Rafale” një kthesë strategjike e Beogradit, apo një marrëveshje e zakonshme tregtare?

Kurt Volker: Le të fillojmë nga ana franceze. Nëse Franca mund të shesë aeroplanë, ajo do ta bëjë këtë. Prandaj, nuk është politikisht e rëndësishme për Francën. Ajo e sheh nga pikëpamja e biznesit. Asaj i pëlqen ideja që njerëzit të blejnë avionë Rafale. Pra, është thjesht biznes.

Nga ana serbe, ka disa gjëra në lojë. Mendoj se Vuçiq, në thelb, po përpiqet ta shndërrojë Serbinë – le të themi – në një Rusi në Ballkan. Kështu, ta bëjë një komb dominues në mesin e të tjerëve në Ballkanin Perëndimor, që luan me kartën e minoritetit serb në vende të tjera, duke u mbështetur në masë të madhe te Rusia, burimet e saj energjetike, Kisha Ortodokse Ruse…

Megjithatë, ajo ende përpiqet të ruajë një farë lirie dhe pavarësie. Pra, disa kontrata dhe marrëdhënie me vende të tjera e ndihmojnë Vuçiqin në marrëdhëniet me Rusinë. Ato e ndihmojnë, gjithashtu, që ta portretizojë Serbinë si më të orientuar drejt reformave sesa është në të vërtetë.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se për palën franceze është vetëm një marrëveshje biznesi. Por, është edhe interes strategjik i Francës që ta distancojë Serbinë nga Rusia përmes zgjerimit të BE-së…

Kurt Volker: Kështu thonë të gjithë. Kjo është ajo që SHBA-ja thotë se është politikë e saj. Kjo është ajo që Franca thotë se është politikë e saj – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim.

Nën Vuçiqin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur Millorad Dodikun, për të minuar Bosnje e Hercegovinën dhe për të ndryshuar Qeverinë në Maqedoninë e Veriut, e cila është më pak proevropiane.

Të gjitha këto janë gjëra, në të cilat Vuçiq luan një rol të madh në prapaskenë, e të cilat shkojnë në favor të nacionalizmit serb. Edhe me Perëndimin luan duke thënë: mirë, e dini, unë duhet të bashkëpunoj me Rusinë, por premtoj se do të vendos sanksione ndaj Rusisë. Ai e luan këtë lojë.

Vuçiq përdor ndikimin rus si atu në marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në

Radio Evropa e Lirë: Por, ka shumë dëshmi se ndikimi i Rusisë në Serbi, në fakt, po zvogëlohet. Gjeografikisht, midis Rusisë dhe Serbisë ka shumë vende që janë anëtare të NATO-s. Kështu që tani është madje e pamundur që armët ruse të dorëzohen në Serbi.

Së dyti, Serbia nuk është më e varur nga gazi rus, sepse nuk mund ta importojë atë nga Rusia, marrë parasysh situatën aktuale.

Dhe, së treti, nëse i shikoni shifrat, shkëmbimi ekonomik midis Rusisë dhe Serbisë është vetëm disa për qind, ndërsa me BE-në është pothuajse 70 për qind. Kjo do të thotë se Serbia është ekonomikisht shumë e varur nga Bashkimi Evropian.

Kurt Volker: Është e vërtetë se Serbia është e varur kryesisht nga BE-ja sa i përket ekonomisë. Por, ajo ka ende një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Rusinë sesa thatë ju. Merreni gazin rus, për shembull. Nuk ka dyshim se gazi rus arrin në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Një pjesë e gazit. Jo 100 për qind siç ka qenë më parë.

Kurt Volker: Jo 100 për qind, por ende bëhet fjalë për sasi serioze. Unë supozoj se 60 deri në 70 për qind e gazit rus ende arrin në Serbi, që është domethënëse.

Ndikimi i Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse Serbe është tepër i fortë. Dhe, mënyra se si Rusia mund ta ndihmojë Serbinë për të luajtur rolin e një faktori përçarës në Ballkan, është me të vërtetë e çuditshme. Kështu që unë mendoj se Rusia ka ndikim të madh në Serbi dhe se Vuçiq po e përdor atë si atu në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara.

Dhe, siç e thashë, ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë edhe i dërguar i SHBA-së në Ukrainë. Keni thënë se Serbia i shet Ukrainës granata dhe municione të tjera – sipas disa vlerësimeve – me vlerë 800 milionë euro. Kjo është një e treta e sasisë totale të granatave që Evropa i dërgon Ukrainës. Si përshtatet e gjithë kjo në këtë peizazh?

Kurt Volker: Mendoj se këtu bëhet fjalë më shumë për interesin e Vuçiqit. Ato janë granata të vjetra. Nuk janë prodhuar së voni dhe Serbia mund t’i shesë. Është pjesë e përpjekjeve për të luajtur nga të dyja anët, për të ruajtur rolin e Vuçiqit në Ballkan dhe të Serbisë si fuqi e madhe.

Le të jenë SHBA-ja dhe BE-ja të lumtura, por jo plotësisht të lumtura. Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie të veçanta me Rusinë, por nganjëherë devijon prej tyre.

Perëndimi merret më shumë me Vuçiqin sesa me promovimin e demokracisë në pjesën tjetër të Ballkanit

Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, në Serbi janë mbajtur së voni zgjedhjet. Për parregullsitë në to ka pasur shumë prova. BE-ja, fillimisht, ishte shumë kritike. Por, më vonë, për shkak të kësaj marrëveshjeje për avionët Rafale, dhe më herët për litiumin, kjo çështje duket se është futur nën tepih.

Shumë njerëz që po protestojnë tani në Serbi, janë disi të zhgënjyer me këtë qasje të BE-së. A është politikë e gabuar?

Kurt Volker: Po, unë mendoj kështu. [Presidenti i Francës, Emmanuel] Macron do që të shesë avionë, nëse mund ta bëjë një gjë të tillë. Dhe, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e çdo pushteti apo ndikimi politik. Nëse Macron e bën shitjen, ai nuk do të angazhohet shumë për çështje të tjera. Unë mendoj se po shohim një trend shumë të keq në Ballkan.

Duket se po angazhohemi më shumë rreth Vuçiqit, ndërkohë që po humbasim nga pak Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgaria është në një gjendje të tmerrshme.

Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Unë mendoj se BE-ja është disi fajtore për këtë në Ballkan. Vuçiq nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Pra, Vuçiq është si Titoja, luan me shumë karta. Titoja ka luajtur kartën e Lindjes, Perëndimit, Lëvizjes së të Paangazhuarve. Vuçiq po luan me gjashtë apo shtatë karta që janë, nëse jo armiqësore, atëherë mjaft të kundërta… pra, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në njërën anë dhe Kina dhe Rusia në anën tjetër. Për sa kohë mund ta vazhdojë Vuçiq këtë lojë?

Kurt Volker: Mendoj se Vuçiq nuk e ka një pikë përfundimtare në mendje. Për dikë në pozicionin e tij, është si të ngasësh një biçikletë. Ai duhet të vazhdojë kështu përgjithmonë. Dhe ky është një synim më vete, vetëm të jesh në pushtet.

Radio Evropa e Lirë: Por, kjo vjen me shumë pasiguri dhe rrezik…

Kurt Volker: Po, nëse nuk jeni në pushtet, atëherë jeni të sigurt që nuk jeni në pushtet.

Kushtet për armëpushim në Ukrainë nuk janë krijuar ende

Radio Evropa e Lirë: Kalojmë te situata gjeopolitike globale. Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ofensivës së Ukrainës në rajonin e Kurskut në Rusi, por edhe të avancimit të forcave ruse drejt Pokrovskut.

A do të përfundojë kjo luftë me një lloj armëpushimi të përkohshëm, në një lloj konflikti të ngrirë, do të shndërrohet në një luftë të tretë botërore, apo Rusia do të përpiqet ta përhapë luftën përtej kufijve të Ukrainës?

Kurt Volker: Dëshira e Putinit për ta rindërtuar perandorinë ruse ka çuar në luftë. Ai ka vendosur ta pushtojë Ukrainën dhe të marrë territore. Ai beson se nëse e kontrollon të gjithë Ukrainën dhe e eliminon identitetin kombëtar ukrainas, Rusia do të kthehet si një perandori. Kështu që Putin do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe do të përpiqet ta arrijë atë vizion nëse nuk ndalohet.

Nëse ai ka sukses në Ukrainë, ai do të ketë shumë pjesë të perandorisë ruse për të rimarrë, përfshirë shtetet baltike, Korridorin Kovalski, ndoshta disa pjesë të Polonisë, Gjeorgjisë, Moldavisë. Thjesht, oreksi i tij nuk ka fund, ai e do gjithë perandorinë.

Por, nëse ndalohet fizikisht, ai nuk do të jetë në gjendje të përparojë. Nëse mbetet pa forca, ai do të duhet të pranojë një pazar. Në atë rast mund të imagjinoni një lloj të negociatave, një lloj të pushtimit rus të pjesëve të Ukrainës, por jo të pjesëve të tjera, një armëpushim të përhershëm, hyrjen e Ukrainës në BE dhe NATO… Kjo do t’i jepte fund konfliktit.

Putin nuk është gati për një marrëveshje të tillë. Ukraina nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të saj, por, në fund, mund t’i duhet, nëse fiton anëtarësimin në NATO dhe siguron stabilitet më pas.

Tani, nuk mund t’i shohim kornizat se si do të dukej kjo. Nuk janë krijuar ende kushtet për një marrëveshje të tillë.

Për të pasur kushte për këtë, Putin duhet të kuptojë se ai nuk mund të fitojë dhe se sa më shumë që përpiqet ta bëjë këtë, ai vetëm se do ta dobësojë edhe më shumë Rusinë. Kjo është pika ku mund të zhvillohen negociatat.

Radio Evropa e Lirë: Ju thatë nëse ndalet… a ka mundësi të ndalet në kuptimin ushtarak? Dhe, po ashtu, thatë se Ukraina duhet të kuptojë se disa territore duhet të pushtohen përkohësisht – nëse e kuptova mirë…

Kurt Volker: Po, të pushtuara përkohësisht.

Putin do ta pranojë anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe NATO

Radio Evropa e Lirë: Por, a do të ishte Putin gati ta pranonte këtë? Dhe, në anën tjetër, ekziston një rrezik – siç ka bërë me Gjeorgjinë në vitin 2008, gjashtë vjet më vonë ka aneksuar Krimenë dhe tetë vjet pas kësaj ka pushtuar Ukrainën në shkallë të plotë – që ai ta shfrytëzojë armëpushimin e përkohshëm për t’u rikuperuar…

Kurt Volker: Kjo është pikërisht ajo që ai do të bëjë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Por, unë mendoj se do të ketë presion nga bota, Perëndimi, gjithashtu nga Ukraina, për të bërë një marrëveshje dhe për të parë nëse ajo mund të bëhet ndryshe nga ato të mëparshmet.

Ajo që me të vërtetë do ta dallonte atë marrëveshje, do të ishte anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe në BE.

Kjo do t’i ndryshonte gjërat edhe nëse Putin do t’i rindërtonte forcat e tij të armatosura dhe do të ishte sërish gati të sulmonte.

Radio Evropa e Lirë: A mund ta pranojë Putin anëtarësimin e Ukrainës në NATO?

Kurt Volker: Një ditë, po. Nëse forcat e tij mposhten dhe ai nuk mund të bëjë asgjë, atëherë ai do të duhej të pranonte një lloj zgjidhjeje.

Dhe, BE-ja dhe NATO-ja do të shkojnë përpara dhe do të thonë: nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë më. Ne do ta sjellim Ukrainën në NATO dhe BE.

Përgatiti: Valona Tela
Shënim: Intervista është shkurtuar dhe përshtatur në shqip për qëllime të qartësimit.

Ministrja e Jashtme e Kosovës thirrje BE-së dhe SHBA-ve: Vuçiçi duhet të ndalet para se të hyjë në luftë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.

Pas bllokadave në anën serbe të pikëkalimeve kufitare nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, Gërvalla ka thënë se shteti serb ka gisht në këtë ngjarje.

“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë veturat me regjistrim gjerman dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiçit po e mbështet këtë përshkallëzim racist, duke shikuar e duke mos vepruar asgjë”, ka shkruar ajo. “Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish. Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiçit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”.

Më herët të premten, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, njoftoi për mbylljen e pikëkalimit në Bërnjak. Në një rast, sipas Sveçlës, një familjes që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Këto akte ai i ka quajtur fashiste. Ka thënë se ato po ndodhin para syve të Policisë së Serbisë, të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.

Edhe rrugët tjera në Serbi, e që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pasditen e së premtes nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës.

Qytetarët serbë që janë futur në Kosovë nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë kanë thënë se po u kërkohen dokumente.

Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.

Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.

Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.

Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.

Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë. sn

UGSHPD: INFORMIMI PUBLIK, VOTA DHE DIASPORA  

Është interesante të mos vlerësosh “tërmetet” që media i cilëson për të bërë dhënien e një lajmi kur muaji Shtator nis me dorëheqje dhe largime nga detyra të njerëzve me poste si veprimtarë politikë dhe përkrahës të elitës së Rilindjes Socialiste dhe të mos shohësh paralelisht pozicionimin e propagandës partiake që vendet e lira të jenë paraprirë nga koncepti i thellimit të reformës që Rama udhëheq në mënyrë kapilare tek çdo institucion.

Publiku për fat të keq merret dhe shijon hamendjet se kush u zëvendësua me kë (?) dhe jo të kuptojë  në thelb se asgjë nuk ndryshon pa e larguar me votë  jo i thjeshtë keq qeverisjen, por korrupsionin dhe ligjshmërinë në tre mandate.
Kështu ndodhi me tre ndryshimet ministrore kur edhe pse ishte një ditë pushimi zyrtar presidenti Bajram Begaj firmosi dekretet përkatëse. Një zhdërvjelli që u pa edhe nga mediat të cilat tashmë takimet informale të Ramës në Tiranë, Shëngjin, Tepelenë dhe gjetkë i ka bërë shpesh nga njëri sezon turistik në tjetrin.
Arsyet se përse çalon, ekonomia, rendi, shëndetësia, arsimi, papunësia dhe përse popullsia shqiptare largohet, pra përgjegjësitë kurrë nuk merren sepse çdo ministër i ri në detyrë nuk ka arritur ende të njihet kur atij/asaj i vjen njoftimi i largimit. Kështu ndodh edhe me drejtorët dhe vijimësia krijon një boshllëk ekzekutiv të cilin e di, e kupton dhe e zbaton vetëm autoriteti i kryeministrit.
Duke parë nisjen e sesionit të ri të kuvendit të Shqipërisë vetëm në pak ditë vëren se dorëheqjet janë shtuar. Një e tillë ndodhi edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza, në tentativën e dytë, por për këtë rradhë të cilësuar dorëheqje e parevokueshme. Peza u zgjodh në periudhën e bumit turistik, në muajin Qershor 2024 me votë unanime nga Këshilli Drejtues i RTSH-së. 
A ishte ky unanimitet zgjedhja e duhur?  Apo konflikti i interesit dhe të qenurit e tij sipas CV së shkurtër të ATSH-s:“Alfred Peza ka punuar si gazetar, redaktor, analist mediatik, pedagog dhe drejtor i Përgjithshëm i disa mediave. Në periudhën 2013–2017 ka shërbyer si deputet dhe nënkryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit në Kuvendin e Shqipërisë”.
Ekzekutivi kapilar i administratës dhe i institucioneve nga Rilindja Socialiste duke mos përjashtuar propagandën janë veç kapjes së pushtetit dhe ngritjes së influencave një tregues i kërcënimit real të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
Duke i ndjekur me vëmendje këto zhvillime UGSHPD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës), vlerëson se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik* ka dhe luan një rol të madh për të kuptuar rëndësinë e zhvillimit të tregut mediatik shqiptar dhe që mbron fjalën dhe mendimin e lirë për të monitoruar dhe eliminuar propagandën e pushtetit të kapur. Sidomos në këtë periudhë të re zgjedhore që po afron institucionet shtetërore-publike mediatike si RTSH, ATSH, AMA sikurse dhe radio televizionet me platformë kombëtare të mbrojnë pavarësinë, identitetin dhe krijimtarinë e tyre përmes konkurrencës në treg dhe jo si paradhoma të partive politike apo marrëveshjeve politike për drejtuesit që zgjedhin.
Në rastin e Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në sesionin e ri vumë re ndryshim në pozitat drejtuese dhe interesimin për një agjendë të ngjeshur pune që pret rezultat ku u përmendën veç të tjerash arsimi dhe sporti si përbërës me rëndësi, por një platformë e plotë për median dhe diasporën këtë komunikim të rëndësishëm informimi me shqiptarët në emigracion ne ende nuk po e shohim.
Vlen të theksojmë se diaspora ka nevojë të dëgjohet për rëndësinë e zërit dhe veprimit të saj kryesisht nga gazetarë dhe media profesionale që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve kudo që ndodhen si dhe përgatitjet e tyre se si do të votojnë më parë se sa ky informacion t’i jepet publikut nga organizatat e ndryshme qeveritare që sigurisht bëjnë punën e tyre jo si ekspertë dhe profesionistë në media, por si bashkëpunëtor me median brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Vota e diasporës është një sfidë e fjalës së lirë dhe e informimit profesional që ndihmon ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë ku pavarësisht se njerëzit lëvizin lirisht nëpër botë, lidhjet ushqehen dhe mbeten të përjetshme.
____________
*Sesioni i VII-të i Legjislaturës  së X-të të Kuvendit të Shqipërisë: Kryesia e komisionit: Ina Zhupa – Kryetare (PD), Evis Kushi- Zëvendëskryetare (PS), Lindita Buxheli – Sekretare (PS). Anëtarët e përhershëm të komisionit: Eduard Ndreca (PS), Teuta Ramaj (PS), Ilir Metaj (PS), Ilir Topi (PS), Blerina Gjylameti (PS), Florenc Spaho (PS), Dasantila Tahiraj (PS), Enslemvera Zake (PS), Meri Markiçi (pa grup), Agron Gjekmarkaj (PD), Flutura Açka (PD), Andia Ulliri (Demokraci dhe Integrim), Eralda Bano Tase(PD), Kastriot Piroli (PD), Merita Bakiu (PD), Orjela Nebijaj (PD). Anëtarët zëvendësues: Fadil Nasufi (PS), Ismet Beqiraj (PS), Luljeta Bozo (PS), Petro Koçi (PS), Lavdrim Krrashi (PS), Sorina Koti (PD), Arbi Agalliu (PD).
 
6 Shtator, 2024
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Zelenskyy, thirrje vendeve aleate për ndihmë ushtarake

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera partnere më shumë mbështetje ushtarake për vendin e tij në luftën me Rusinë. Ai e bëri thirrjen të premten gjatë një takimi me udhëheqësit e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe më shumë se 50 vendeve të tjera në Gjermani, pasi Uashingtoni njoftoi se do t’i japë Kievit 250 milionë dollarë të tjera ndihmë sigurie.

Takimi u mbajt në bazën ushtarake amerikane Ramstein. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se është një moment kritik i luftës, ndërsa Ukraina kryen operacione sulmuese brenda Rusisë por njëkohësisht përballet me një kërcënim të madh në Lindje.

“Moska vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës, veçanërisht rreth Pokrovskit. Putini po ripozicionon trupat e tij në Kursk. Dhe Kremlini vazhdon të bombardojë qytetet e Ukrainës dhe të vërë në shënjestër civilët ukrainas”, tha ai.

Deri tani, sulmi i befasishëm i Ukrainës brenda territorit të Kurskut të Rusisë, nuk e ka larguar vëmendjen e Presidentit Vladimir Putin nga përpjekjet për të marrë nën kontroll qytetin e Pokrovskit, një korridor kritik hekurudhor furnizimi për ushtrinë ukrainase. Humbja e kontrollit të këtij qyteti, do të paraqiste rrezik për qytete të tjera të Ukrainës.

Ishte hera e parë që zoti Zelenskyy shkonte në Ramstein për t’iu drejtuar Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës dhe ai e përdori këtë mundësi për të theksuar se SHBA dhe Perëndimi duhet ta lejojnë Kievin t’i përdorë armët e dërguara prej tyre për të goditur brenda Rusisë, diçka që SHBA nuk e ka mbështetur nga shqetësimi për përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës.

“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë veprimi, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen. Ne duhet t’i bëjmë qytetet ruse dhe madje edhe ushtarët rusë të pyesin veten nëse do të zgjedhin paqen apo Putinin”, tha zoti Zelenskyy.

Pas sulmeve të fundit ajrore vdekjeprurëse të Rusisë, zoti Zelenskyy ka ripërtërirë thirrjet ndaj Perëndimit për lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve dhe për të dërguar armatime me aftësi më të mëdha për të goditur më thellë brenda Rusisë.

Zelenskyy tha gjithashtu se sistemet që janë premtuar, nuk kanë arritur aq shpejt sa ç’duhet.

“Është e rëndësishme që çdo paketë e premtuar, të vihet në funksionim menjëherë në fushën e betejës, pa asnjë vonesë. Nga kjo varet ecuria e luftimeve në rajonin e Donetskut. Nëse Putini nuk shënon arritje atje, ai nuk do të mund të përparojë më tej”, tha ai.

Takimi i të premtes u përqendrua tek furnizimet e mëtjeshme të ushtrisë së Ukrainës me mbrojtje ajrore dhe artilerie dhe në përforcimin e bazës industriale të mbrojtjes të Ukrainës, në muajt e fundit të mandatit të Presidentit Joe Biden.

Për dy vjet, anëtarët e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes kanë plotësuar nevojat e mëdha të Ukrainës për artileri dhe mbrojtje ajrore, duke filluar nga armët e lehta e deri tek disa nga sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore të Perëndimit dhe së fundmi avionë luftëtarakë.

Vendet anëtare të Grupit të Kontaktit kanë ofruar gjithsej rreth 106 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën, 56 miliardë nga të cilat janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara.

Teliti: Kryeministria dhe bashkia e Tiranës duhet të zbrazen urgjentisht nga revolta popullore, e vetmja mënyrë për të ndalur korrupsionin

Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se Shqipëria është vendi që ka numrin më të lartë të emigrimit, të korrupsionit dhe të ardhurat më të ulëta në Europë

Teliti ka theksuar se dy godinat që duhet të zbrazen urgjentisht nga revolta popullore është godina e kryeministrisë dhe kjo e bashkisë së Tiranës e cila ka vjedhur dhe po vazhdojnë të vjedhin taksat e qytetarëve.

“Një falënderim për të gjithë ju që i rezistua të nxehtit të verës për të protestuar kundër vjedhjeve të bërë nga pushteti. Ne rezistuam në diel po rezistojmë dhe në shi pasi ne jemi me të drejtën, me qytetarët me sipërmarrjen, me fëmijët me pensionistët me të sëmurët dhe me të gjitha ta që sot janë të harruar.

Dy godinat që duhet të zbrazen urgjentisht nga revolta popullore është godina e kryeministrisë dhe kjo e bashkisë së Tiranës e cila ka vjedhur dhe po vazhdojnë të vjedhin taksat e qytetarëve.

Tirana është kthyer në një vatër të madhe sëmundjesh dhe kancerogjene si pasojë e malit me mbetje, kanceri nuk njeh je i majtë apo i djathtë por paratë që vidhen çdo ditë me mbetjet e kanë një ngjyrë është ajo e kuqja e rilindjes.

Shqipëria është vendi me të ardhurat më të uëlta në europë dhe me korrupsionin më të lartë të europë, Shqipëria është vendi me numrin më të madh të emigracionit ku e shikoni europianizmin ju qytetarë dhe ndërkombëtar. Në cilin aspekt e keni parë europinizmin ju në tenderat pa garë, në korrupsion apo në taksat që vidhejn.

Shqipëria do të bëhet evropiane nëse drejtohet nga njerëz që e duan Shqipërinë.” sn

Sot Përvjetori i Diamantë i dy Diamanteve të kulturës shqiptare Dhimitër dhe Roza Anagnosti

Sot çifti i shquar i Artistëve Dhimitër Anagnosti dhe Roza Anagnosti dy Diamante të Kulturës Kombëtare Shqiptare kremtojnë 60 vjetorin e martesës.

Këtë fakt e bën me dije vajza e tyre Juna Anagnosti në rrjetin social e cila iu ka dedikuar një poezi.

Botuesit e Voal.ch bashkë me lexuesit kanë nderin t’iu urojnë çiftit të artistëve që kanë bërë histori me artin e tyre edhe shumë kremtime të tilla.

Më poshtë po sjellim dedikimin e së bijës Juna Anagnosti bashkë me poezinë dhe fotot:

“Sot 60 vjetori i martesës 💎 i prindërve të mi të shtrenjtë, Dhimitër e Roza ❤️❤️

I lidhët duart, i lidhët zemrat,
i lidhët shpirtrat me nyje të artë,
në një ditë fillimvjeshte, ditë shtatori
…..data gjashtë.

U bëtë një trup, u bëtë një shpirt
që 60 vjet sot po i mbush.
U bëtë një ëndërr e bekuar
nga Zoti vetë shenjtëruar.

Kalin e jetës bashkë e ngatë
me dashuri, me mund, me art.

Floku zbardhon, mendja vallzon
Magjia e jetës tek ju ndriçon
Te nyja e artë që ju bashkon
Te vello e bardhë👰🏼‍♀️kostumi i zi🤵‍♂️
Te një “pirat” e një “hyjni” 🩵🩷🧄

Tiranë 6 shtator 2024”

 

 

 

‘Rritet numri i shqiptarëve në krimin e organizuar’- Gjermania: Aktiviteti kryesor, trafiku i kokainës! Grupet janë bërë të dhunshme…

Fusha kryesore e veprimit të shqiptarëve në krimin e organizuar është trafikimi i lëndëve narkotike, thuhet në raportin e Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA).

Pjesëmarrja e shqiptarëve në krimin e organizuar në Gjermani ka marrë përmasa të reja, thuhet në raportin më të fundit të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA) për vitin 2023.

Ky raport, i prezantuar të enjten në Berlin, vë në dukje një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve shqiptarë të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale. Sipas të dhënave, numri i shtetasve shqiptarë të dyshuar për krime të organizuara është rritur në 285, nga 254 që ishte në vitin 2022. Përveç shqiptarëve nga Shqipëria, rreth 100 të dyshuar vijnë nga Kosova. Bie në sy se 40% e shqiptarëve të përfshirë në këto aktivitete kriminale janë persona që kanë kërkuar azil në Gjermani dhe kanë përfituar nga sistemi social. Në këtë grup, shqiptarët zënë vendin e dytë, pas shtetasve sirianë.

Më brutalë, më të sofistikuar

Raporti i BKA-së tregon se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira gjithnjë e më shumë në tregtinë dhe trafikimin e drogës. Aktiviteti kryesor i këtyre grupeve është trafiku i kokainës dhe produktet e kanabisit. Sipas raportit, në vitin 2023 u zhvilluan 23 procese hetimore për shqiptarët për trafik kokaine dhe 15 për kontrabandë me produkte kanabisi.

Një aspekt tjetër i kriminalitetit të shqiptarëve që del në pah nga ky raport është rritja e dhunës dhe e përdorimit të armëve të zjarrit. Grupet gjithashtu kanë filluar të përdorin teknologji moderne për të anashkaluar autoritetet, përmes komunikimeve të koduara dhe përdorimit të teknologjive të reja, duke e bërë më të vështirë ndjekjen e tyre. Në raport, shqiptarët renditen të dytët pas gjermanëve sa i përket përdorimit të teknologjive të tilla, duke kaluar grupe të tjera si ato turke, serbe dhe italiane.

Trafiku i lëndëve narkotike në qendër të punës së BKA-së

Krimi i organizuar i lidhur me drogën mbetet një prej shqetësimeve kryesore të autoriteteve gjermane. Rreth 40% e proceseve hetimore të krimit të organizuar për vitin 2023 kanë pasur të bënin me tregtinë e paligjshme të lëndëve narkotike, tha Holger Münch, drejtori i BKA-së.

Ministrja gjermane e punëve të brendshme, Nancy Faeser, lavdëroi punën e autoriteteve në zbulimin dhe goditjen e grupeve të krimit të organizuar, duke nënvizuar se rritja e numrit të rasteve të zbuluara tregon për suksesin e organeve hetimore. Faeser theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në nivel ndërkombëtar, duke marrë si shembull pozitiv edhe krijimin së fundmi të një aleance të re të porteve..

Si Davidi kundër Goliathit

Raporti i BKA-së për 2023 tregon një nivel të lartë të vazhdueshëm të krimit të organizuar në Gjermani, me një numër gjithnjë e më të madh hetimesh dhe të dyshuarish, si dhe dëme ekonomike në rritje të shkaktuara nga këto aktivitete kriminale.

Përfaqësuesit e sindikatave të policisë gjermane ankohen se lufta mes organeve policore dhe krimit të organizuar nuk është në të njëjtin nivel. Sipas tyre, organet policore gjermane dhe Europol-it u mungojnë kompetenca të rëndësishme për të luftuar krimin e organizuar në mënyrë efektive. Për shembull, për të kryer hetime në shtete të tjera, kërkohet leja e autoriteteve të atyre vendeve, çka paraqet një problem të madh në vende ku niveli i korrupsionit është i lartë.

Zëvendëskryetari i Sindikatës së Policisë, Alexander Poitz, theksoi se duhet intensifikuar bashkëpunimi ndërkombëtar policor për të përballuar kërcënimin në rritje të grupeve kriminale, sidomos në fusha si trafikimi i drogës dhe krimi kibernetik. “Krimi i organizuar po bëhet gjithnjë e më brutal, dhe përplasjet midis grupeve kriminale po përfshijnë gjithnjë e më shumë armë zjarri dhe eksplozivë, duke u kthyer në një kërcënim të drejtpërdrejtë edhe për personat e pafajshëm”, tha Poitz./DW/

Familjet shqiptare jetojnë ngusht, 65% e banesave të banuara janë nën 69 metër katrorë

Popullsia e vendit po tkurret dhe po plaket me shpejtësi dhe, nga ana tjetër, fluksi i banesave të reja është në rritje, por shumica dërrmuese e atyre që janë në shfrytëzim janë, nën 69 metër katror.

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se nga 726,325 banesa të banueshme në të gjithë vendin, 533 mijë ose 65% e totalit ishin më pak se 69 metër katror.

Gjithsesi, me kalimin e viteve, sipërfaqja e banimit është rritur. Në Censin e vitit 2011, në të gjithë vendin u numëruan 709,865 banesa në shfrytëzim, nga të cilat 75% ose 469 mijë ishin nën 69 metër katror.

Të dhënat tregojnë se numri i shtëpive të banueshme nën 40 metër katror ka pësuar rënie të ndjeshme. P.sh. në vitin 2011 kishte 218 mijë banesa që ishin në shfrytëzim nën 40 metër katror, ndërsa më 2023 ishin 127,5 mijë të tilla.

Nga stoku i banesave që janë në shfrytëzim, ende një pjesë e madhe e tyre, rreth 16.6%, janë nën 40 metër katror.

Më tej, sipas Cens 2023 nga banesat që janë në shfrytëzim 23.7% e tyre janë 70-99 metër katror. Në vitin 2011, rreth 17% e banesave në shfrytëzim ishin në këtë nivel sipërfaqe.

Ato mbi 100 metër katror zunë 10% të totalit të banesave në shfrytëzim në vitin 2023, nga 7.7% që zinin në 2011.

Sektori i ndërtimit në vendin tonë është në një fazë të vrullshme të zhvillimit të pallateve e kullave në zona urbane, por të dhënat e Cens 2023 zbuluan se një pjesë e banesave në pallate, rreth 40% e tyre (365 mijë) në të gjithë vendin, nuk banohen nga askush.

Sipas të dhënave të Cens 2023, në të gjithë vendin numërohen 431 mijë banesa në pallate nga të cilat 170,264 janë bosh dhe mbi 261 mijë ishin të banuara.

Banesat bosh janë një pasuri prej miliarda eurosh që është ngrirë në formën e një investimi që nuk gjeneron të ardhura dhe punësim.

Burimet nga tregu pohojnë se një pjesë e madhe e banesave bosh janë në qytetet e mëdha të vendit dhe sidomos në Tiranë dhe Durrës. Sipas tyre, stoku i banesave bosh është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilat nuk kanë planifikuar qiradhënien.

Ndërsa pjesa më e madhe e stokut u takon investimeve që kanë bërë individë brenda dhe jashtë vendit.

Shpesh banesat e blera për investime dhe të padhëna me qira janë pjesë një zinxhiri të përdorur për pastrimin e parave të bëra në mënyrë të paligjshme./ Monitor/

Stoltenberg thotë se Ukraina ka arritur “shumë” në ofensivën brenda Rusisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Norvegji, 5 shtator 2024.

 

Ukraina ka arritur “shumë” në inkursionin e saj brenda rajonit Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet situata më tutje, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të enjten në Oslo.

“Vetëm ukrainasit mund të marrin vendime të vështira që nevojiten, si për shembull, se ku t’i zhvendosin forcat e tyre dhe se çfarë lloji i luftës është i duhur në këtë situatë”, tha Stoltenberg.

Kievi pretendon se i ka marrë nën kontroll më shumë se 1.200 kilometra katrorë të tokës ruse falë inkursionit befasues muajin e kaluar. Kjo është hera e parë prej Luftës së Dytë Botërore që ndodh një inkursion në tokën ruse.

Ndërkohë, forcat ruse kanë shënuar përparime të mëdha në përpjekjet e tyre për ta kapur qytetin strategjik të rajonit lindor të Ukrainës, Pokrovsk.

Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, përfshirë për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të cilat mund t’i arrijnë shënjestrat e tyre brenda Rusisë.

“Jam i kënaqur që shumë vende të NATO-s ia kanë dhënë atë mundësi, ndërsa ato të cilat s’i kanë hequr ende kufizimet, i kanë zbutur ato, në mënyrë që Ukraina të mund ta mbrojë veten”, shtoi Stoltenberg.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë të premten në një takim të Grupit Ramstein, një koalicion i shteteve që e furnizojnë Ukrainën me armë, ku pritet të kërkojë rritjen e furnizimit me armë, posaçërisht me raketa me rreze të gjata veprimi, sipas gazetës gjermane Spiegel.

Zelensky i është lutur aleatëve ta ndihmojnë Kievin me mbrojtje ajrore dhe t’i heqin kufizimet që ia pamundësojnë atij përdorimin e armëve të tyre me rreze të gjata veprimi për sulme brenda Rusisë. REL

Albin Kurti pret drejtuesit e Mitrovicës së Veriut në Ballkonin e Hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi mirëpritën sot në Ballkonin e Hapur për një mëngjes pune, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetaren, Katarina Adançiq dhe drejtues të drejtorive komunale të kësaj komune.

Temat qendrore ishin qeverisja komunale, arritjet dhe sfidat, dhe bashkëpunimi me nivelin qendror.

Në komunikatën për media thuhet se kryeministri Kurti dhe ministrat Rashiq dhe Krasniqi u njoftuan rreth punëve të drejtorive, shërbimeve komunale të cilat po shtohen në vazhdimësi, investimeve në mirëmbajtjen e rrugëve e hapësirave publike dhe bashkëpunimit me agjencitë qendrore. Nga drejtorët komunalë u veçua progresi dhe përgatitjet për fillimin e procesit të legalizimit të objekteve dhe hartimit të planit zhvillimor, krijimi i databazës për rastet sociale që kanë nevojë për mbështetje institucionale, rekrutimi i stafit të ri profesional, funksionalizimi i zyrës komunale të Agjencisë për Regjistrimin e Biznese ku deri më tani janë regjistruar 89 biznese, pastaj funksionalizimi i intranetit dhe fillimi i digjitalizimit të arkivës si dhe planet për ofrimin për herë të parë të shërbimeve digjitale përmes e-kioskut, njofton Klankosova.tv.

Gjatë takimit u diskutua edhe rreth mundësive për bashkëpunime të reja përfshirë ato ndërmjet komunave në veri të vendit dhe për projekte të reja për çka është e nevojshme mbështetja e Qeverisë.

Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për punën dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, pa dallim, për përbërjen multietnike të kabinetit qeverisës dhe për bashkëpunimin e mirë e profesional me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Ai i ofroi kryetarit Atiq dhe nënkryetares Adançiq,  mbështetjen e plotë të tij edhe të ministrive të linjës në adresimin e kërkesave dhe propozimeve të tyre që për qëllim kanë zhvillimin ekonomik e social të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rritjen në cilësi dhe efikasitet të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Ministria e Jashtme e Kosovës thirrje qytetarëve të saj: Shmangni pikat e kalimit kufitar me Serbinë sepse…

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

“MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.” sn


Send this to a friend