Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Gramoz Ruci, tha se ka vendosur të anulojë zhvillimin e seancës së parlamentit të enjten, për t’i lënë kohë opozitës që të reflektojë për vendimin e saj për dorëzimin e mandateve, por edhe pas sinjalizimeve nga policia për mundësinë e akteve të reja të dhunës gjatë protestës që opozita ka njoftuar përpara selisë së parlamentit. Policia njoftoi të mërkurën se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në sallën e parlamentit.
“Eshtë detyra jonë t’i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arësyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi sot pasdite kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.
Opozita paralajmëroi që të shtunën e kaluar organizmin e një proteste nesër përpara parlamentit. Sot policia përmes një deklarate u shpreh se “ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Policia theksoi gjithashtu se “forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”.
Protesta e nesërme e opozitë duket se ka qenë në qendër dhe të takimit që ambasadori i Delegacionit europian në Tiranë, Luigi Soreca pati sot me kryetarin demokrat Lulzim Basha.”Nesër është një ditë e rëndësishme dhe ne presim të mos ketë dhunë dhe që proceset demokratike të vijojnë”, tha zoti Soreca, duke shtuar se i kishte shpjeguar zotit Basha “qëndrimin e Bashkimit europian dhe se ky qëndrim është shumë i qartë”. Dje në një intervistë për Top Channel, zoti Soreca e quajti kundërproduktiv vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve duke theksuar nevojën që partitë politike të përqëndrohen te reformat e në veçanti te ajo në drejtësi.
Një ditë më parë, ambasada amerikane reagoi me tone të forta ndaj opozitës duke “i bërë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”. Në deklaratën e saj, ambasada nënvizonte se “kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.
Komentet