Ata shprehën shqetësim për mungesën e transparencës mbi bisedimet shqiptaro – greke për hapësirën detare dhe probleme të tjera mes dy shteteve.
Dhjetëra qytetarë dhe veprimtarë të shoqërisë civile protestuan para kryeministrisë, duke kërkuar transparencë mbi bisedimet e fundit shqiptaro-greke mbi hapësirën detare dhe çështje të tjera mes dy shteteve.
Pjesëmarrësit mbanin në duar flamuj kombëtar dhe harta të Shqipërisë, kënduan himnin kombëtar dhe kujtuan historinë dhe heronjtë kombëtarë.
Protestuesit iu përgjigjën thirrjes së organizatave joqeveritare për të marrë pjesë në tubimin e dytë protestues para selisë së qeverisë për mungesën e transparencës në për bisedimet dhe marrëveshjet me Greqinë, mes të cilave edhe ndarja e hapësirës detare mes dy vendeve,
Bisedimet e fundit shqiptaro – greke po ndiqen me interesim nga opinioni publik dhe qarqet politike.
Ato po presin me shqetësim rezultatet përfundimtare të marrëveshjes, sidomos pas deklaratave të ministrit të jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, se hapësira detare greke zgjerohej me 12 milje përkundër Shqipërisë.
Diskutimet mes dy qeverive nisën 5 vjet më parë në mungesë të një marrëveshje mes tyre, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje.
Ministria e jashtme e Shqipërisë deklaroi se do të mbështetet tek parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, praktikën ndërkombëtare dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi marrëveshjen e parë.
Historia e kësaj çështjeje nisi afro 10 vjet më parë, ku qeveria e kryeministrit Sali Berisha nënshkroi në Tiranë një marrëveshje me palën greke për ndarjen e hapësirës detare mes dy vendeve.
Kjo marrëveshje u padit nga Partia Socialiste në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e hodhi poshtë atë.
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, pritet të vizitojë Tiranën pak ditë para pashkëve, në vazhdën e bisedimeve për një seri temash, që kanë mbetur hapur mes dy vendeve prej shumë dekadash.
Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi se delimitimi i hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është në interes të të dy vendeve dhe se përcaktimi përfundimtar i kufijve është i nevojshëm për ushtrimin e sovranitetit në këto hapësira dhe për shfrytëzimin ekonomik të tyre.
Komentet