Moskuptimi i natyrës, rreziqeve dhe kapaciteteve të terrorizmit në Irak kushtoi jetën e mbi 230.000 civilëve dhe 4.486 ushtarakëve. Kryengritja e Irakut u kthye në një “makinë grirëse mishi”, por një “makinë mishi” e fuqizuar nga indiferenca politike për jetët e njerëzve (The Terrorists of Iraq. Inside the Strategy and Tactics of the Iraq Insurgency. Malcolm W. Nance, USA 2014.). Njerëzit janë vrarë nga sulmet kamikaze, djegur të gjallë në makinat e tyre, zënë poshtë në krevat duke fjetur nga rrëzimi i shtëpive të tyre, vrarë nga sulmet në rrugë, pengmarrjet, këputjet e kokave ose të djegurit për së gjalli. Për arsye të brutalitetit të tyre, në një- farë mënyre metodat, taktikat dhe teknikat, motivet e terroristëve në Irak, mesa duket, janë harruar. 14 vite më vonë, shumë njerëz duket se e kanë harruar “makinën e mishit”, e cila akoma edhe sot nuk e ka ndalur punën e saj.
Në datën 11 shtator 2001 sulmet terroriste treguan paaftësinë e SHBA-ve për të kuptuar siç duhet një kundërshtar të vendosur, racional, që di të mendojë, veprojë dhe që nuk ka frikë nga vdekja. Iraku u pushtua për arsye të të njëjtit dështim. Amerika injoroi historinë, kulturën, informacionet e inteligjencës në nivel taktik dhe strategjik. Shumë persona kujtuan që në ditën e parë të pushtimit se Amerika e pushtoi Irakun për arsyen se duhej ndaluar programi nuklear, kimik dhe bakteriologjik i Sadamit (Saddam Hussein), që të mos ia mundësonte për përdorim alQaedës (al-Qaeda). Mbarë botës iu tha se Sadami ishte sponsori i Bin Laden-it (Osama bin Laden) dhe se ai kishte urdhëruar al-Qaedën të sulmonte SHBA-të. Koha, faktet, analizat dhe qindra botime të ekspertëve më të mirë të antiterrorizmit amerikan treguan se deklaratat dhe provat që paraqitën Presidenti Bush dhe Dik Çenei (Dick Cheney) ishin shumë larg të vërtetave, pa asnjë bazë dhe të shkëputura nga inteligjenca amerikane. Ky ishte një fabrikim gënjeshtrash që dhe sot, në vitin 2017, po i kushton Irakut më shumë jetë njerëzish sesa në vitin 2003. (Malcolm Nance, US Counter terrorism expert “The terrorists of Iraq”, USA 2014 pg. 7.)
Përpara pushtimit të vitit 2003, në Irak nuk kishte asnjë terrorist apo luftëtar të huaj që operonte në Irak. Të vetmet përjashtime ishin dy grupet:
1. Muxhahedinët iranianë terroristë të organizatës al-Khalq-it (të cilët sipas një marrëveshjeje midis SHBA-ve dhe qeverisë shqiptare janë strehuar në Shqipëri, pas heqjes nga lista e grupeve terroriste) me shtabin e tyre në Khalis;
2. Një sasi e vogël e grupit të inspiruar nga al-Qaeda, grupit kurd Ansar alIslam (AAI), që ishte i bazuar në afërsi të Halabja-së në zonën e mbrojtjes së Amerikës (zonës së ndalim fluturimit). Analizat e bëra nga ekspertët amerikanë dhe të Lindjes së Mesme për më shumë se 12 vite, të materialeve të kapura nga al-Qaeda dhe nga ish-agjencitë e Sadamit të asaj kohe, tregojnë se përpara pushtimit amerikan, al-Qaeda nuk ishte aspak prezente në Irak dhe se nuk kishte asnjë lidhje me qeverinë e Sadamit. Në fakt, Sadam Hyseini e portretizonte al-Qaedën si një kërcënim të madh dhe donte eliminimin e saj, përpara se ata të infektonin komunitetin suni në Irak. Është e vërtetë se 20 ditë përpara pushtimit të Irakut, agjencisë e inteligjencës së Irakut i hapën dyert për luftëtarët xhihadistë nga e gjithë bota, në mënyrë që të vinin dhe të bashkoheshin për të luftuar së bashku pushtuesit amerikanë. Pushtimi amerikan krijoi betejën xhihadiste, që dhe sot e kësaj dite po vazhdon në Irak. Duke pushtuar një popull, i cili asnjëherë nuk kishte sulmuar apo kërcënuar Amerikën ose Britaninë e Madhe, prezenca e ushtrive të tyre e detyroi popullsinë e Irakut që të përdorte çdo taktikë të “ndyrë”.
Në pamundësi për të bërë diçka kundër pushtimit, ata lejuan kushërinjtë e tyre arabfolës të al-Qaedës që t’i bashkoheshin kryengritjes si aleatë. Por ky do të ishte një gabim tjetër i tyre, që do të rezultonte më vonë shumë i dëmshëm dhe për vetë sunitë. Çdo ditë në 14 vitet e shkuara e deri më sot raportohet një taktikë më e zgjuar dhe efektive, sesa tjetra. Në vitin 2017, kur numri i irakianëve të vrarë i ka kaluar 250.000 persona, publiku, i cili fillimisht e aprovoi këtë pushtim, ka shumë pak njohuri se kush në të vërtetë është duke luftuar në Irak. E vetmja gjë që di publiku është se dikush po vret njerëz të pafajshëm në një mënyrë të paprecedentë dhe se çdo sulm që realizohet atje, i atribuohet al-Qaedës ose më pas Shtetit Islamik (2014-2017).
Sot qeveria e Irakut është në situatën më të vështirë, duke luftuar kundër pjesës më të egër të 6 milionë irakianëve suni, të cilët po rezistojnë duke luftuar me alQaedën, që tani quhet SHI. Që nga viti 2013, kufiri midis Sirisë dhe Irakut nuk ekziston dhe ka filluar një luftë shumë e ashpër fetare midis suni-ve dhe shia-ve. Ekstremistët e huaj të al-Qaedës janë një pjesë e vogël e terroristëve, rreth 5000 persona shumë të rrezikshëm, të cilët i mbijetuan fushatës amerikane në Irak (2003-2011). Ofensiva e SHI, e vitit 2014, kundër qeverisë së Irakut, i shtyu forcat e tij të sigurisë deri në rrethinat e Bagdadit. SHI komandonte në territore që populloheshin nga suni-të, duke pasur kontrollin e disa rafinerive kryesore të naftës, duke luftuar me armë moderne amerikane, kishte nën kontrollin e tij një sasi të konsiderueshme bazash ajrore dhe mbështetej prej një popullsie që ishte bërë pjesë e kryengritjes në trekëndëshin suni.
Pushtimi amerikan krijoi mundësinë që ish- mbështetësit e Sadamit, luftëtarët e huaj të al-Qaedës, dhe grupet e tjera terroriste me ideologji Salafisto/Wahabiste të mbështetura fuqishëm nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit Persik me financa, të zhvillonin ndjeshëm eksperiencat terroriste operacionale si “vëllezër” në beteja të ndryshme. Këta terroristë dhe sot e kësaj dite vazhdojnë në terren të testojnë aftësitë dhe guximin e gjeneratës së dytë të luftëtarëve të huaj, në një lloj lufte e cila nuk do të kishte ndodhur kurrë, po të mos ishte pushtuar Iraku. SHI dhe luftëtarët e tij ia kanë kaluar shumë në brutalitet dhe vrasje çnjerëzore dhe talebanëve afganë. Llogaritë dhe vendimmarrja e Xhorxh W. Bushit dhe e Dik Çeneit kanë qenë krejtësisht të gabuara. Gabim që do të duhet disa dekada për t’u zgjidhur, deklarojnë ekspertët më të mëdhenj të sigurisë në SHBA. Shumë ekstremistë islamikë nëpër botë e shikojnë luftën në Irak si një zhvillim pozitiv. Unë për veten time në asnjë mënyrë, kam qenë dhe jam krejtësisht kundër. Potenciali i kësaj lufte për të krijuar grupe të ardhshme terroriste shumë më të sofistikuara dhe me axhendë më të madhe globale sesa al-Qaeda gjatë ditëve të tyre në Afganistan, nuk është vetëm shumë i lartë, por ai tashmë ka ndodhur.
Nëse Iraku, Siria, Libia, Jemeni etj., dështojnë si kombe, kjo do të ndodhë në mënyrë të paevitueshme dhe në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, pastaj në Europë ndofta dhe më gjerë. Përgjegjësia e SHBA-ve, NATO-s, BE-së është shumë e madhe, që të gjithë së bashku të luftojnë këtë fenomen sa më shpejt dhe fort që të jetë e mundur, me një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë në të dhe fuqitë e tjera si Rusia, Kina, India, Japonia dhe Brazili. Sulmet politike, ushtarake, propaganda kundër islamit dhe vendeve myslimane janë duke krijuar kushtet që terrorizmi të rritet.
Botimi i këtij libri do të ndihmojë që të kuptohet më mirë se kush e filloi kryengritjen e Irakut pas pushtimit amerikan dhe se si kjo kryengritje ka kontribuar në krizën dhe në situatën e sotme? Është një histori shumë e detajuar e al-Qaedës, SHI, një analizë e të gjithë grupeve të përfshira në këtë konflikt, të cilët demonstruan dhe përdorën terrorizmin në Irak, veçanërisht të ish-nëpunësve dhe ishushtarakëve të Sadamit në bashkëpunim me al-Qaedën në Irak dhe Siri.
Ky libër gjithashtu është një analizë e hollë- sishme për të kuptuar sesi Iraku dhe Siria futen në strategjinë e Lindjes së Mesme dhe të aktorëve e faktorëve që përplasen për t’u ripozicionuar ose mbajtur këtë terren (SHBA-Rusia-Irani-Turqia-Arabia Saudite). Në këtë libër pa dyshim do të gjendet dhe strategjia politike, diplomatike, ushtarake dhe e luftimit që kundërshtari po aplikon për të detyruar SHBAtë dhe shtetet aleate të saj të tërhiqen nga Iraku dhe arsyet përse qeveria shia e Nuri al-Malikut dështoi për 48 orë përpara SHI dhe al-Qaedës. Fillimisht beteja kundër pushtimit amerikan filloi nga ishbesnikët e Sadamit, deri në momentin e rritjes së brutalitetit të përdorur nga al-Qaeda në Irak, në kohën kur al-Qaedën në Irak (AQI) e drejtonte al-Zarkawi.
Pasi ndaluan luftën kundër shia-ve e suni-ve, al-Qaeda dhe luftëtarët e huaj vazhduan luftën kundër qeverisë qendrore shia. Më në fund, në muajin qershor 2014, popullsia suni dhe një herë tjetër mbështeti al-Qaedën/SHI në mënyrë që të kundërshtonte fuqishëm qeverisjen shia të superkorruptuar të Nuri al-Malikut. Ata e lanë SHI të merrte kontrollin e gjysmës së Irakut dhe rreth 60% të Sirisë, të cilët eventualisht krijuan një Kalifat fundamentalist nga Damasku deri në Bagdad.
Ky është libri im i shtatë (në serinë e 29 librave) që shkruaj për Lindjen e Mesme, terrorizmin etj., dhe i treti për grupin më të rrezikshëm terrorist të kohës, Shtetin Islamik (SHI). Ky libër ilustron me detaje strategjinë politike, fetare, strategjinë e luftimit dhe deri në nivelin e taktikave të luftimit në rrugë të kryengritësve në Irak dhe Siri. Pasqyrohen dhe analizohen përpjekjet 8-vjeçare të ushtrisë amerikane, angleze, ushtrisë dhe policisë irakene kundër kryengritjes suni, al-Qaedës dhe përballjen këto tre vite e gjysmë të SHBA-ve, Rusisë dhe aleatëve të tyre në luftën kundër SHI.
Kemi vite që dëgjojmë në lajme që x ushtarë të koalicionit u vranë, iu këput koka, u dogjën të gjallë, u vranë me bombë në rrugë, u hodhën në erë nga një fëmijë i vogël 10-vjeçar ose grua kamikaze, u goditën me snajper, u sulmuan me granatahedhës, u rrëzua një helikopter nga kryengritësit etj… Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë me një strategji të qartë të kundërshtarit, ku qëllimi i tij më i madh është të derdhë sa më shumë gjak, veçanërisht ushtarësh amerikanë.
Taktikat e zgjedhura nga kryengritësit kanë qenë vrasja e sa më shumë ushtarëve të aleancës, bashkëpunëtorëve të tyre, forcave të sigurisë siriane dhe irakene, kontraktorëve dhe punonjësve të Kombeve të Bashkuara, organizatave joqeveritare, të huajve që ndodhen në vend, por dhe kundër shia-ve dhe Alawitë-ve. Sulmet e iniciuara nga zjarri i përpiktë i snajperëve, sulmet me bomba të improvizuara, pritat dhe vrasjet masive kanë bërë që terroristët të zbatojnë një gamë të gjerë taktikash efiçente kundër popullsisë shia, Alawite, Druzeve, kurdëve, të krishterëve në Siri, Irak dhe trupave të aleancës kundër terrorizmit. Në këtë libër ka shumë informacion, i cili fillon me përgatitjet e Sadam Hyseinit kundër pushtimit amerikan, fillimin e konfliktit në muajin prill 2003 e deri sot në fund të vitit 2017.
Gjatë përgatitjes së këtij libri nuk është përdorur asnjë informacion sekret. Prej më shumë se tetë vitesh këto informacione i kam grumbulluar nga mediat më prestigjioze të botës, nga eksperienca e drejtimit të misioneve luftarake në këto zona, leximi i qindra librave dhe artikujve online, literatura që më është mundësuar në shumë biblioteka të NATO-s, seminaret ndërkombëtare, konferencat shkencore, leksionet dhe takimet jashtë shtetit, veçanërisht në SHBA, Qendrën e Studimeve të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani, Universitetin e Forcave Speciale në Tampa, Florida në USA, universitetet amerikane, “sitet” ndërkombëtare, kanalet televizive, lajmet e përditshme, nga shikimi dhe analiza e qindra orëve të filmave të publikuar në You tube, në televizionin Zawra, Al-Jazzera, Turkish CNN, BBC, CNN, ABS News etj., rreth SHI, bashkëbisedimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe mësimeve të nxjerra me senatorë e kongresmenë amerikanë, me kolegë të forcave speciale që kanë marrë pjesë në misione në Afganistan, Irak, Libi dhe Siri etj., të cilëve u shpreh mirënjohjen më të lartë.
Të gjitha burimet e informacioneve janë shënuar me “fusnota” në fund të çdo faqeje dhe nuk ka asnjë burim anonim informacioni. Kryengritësit e SHI, al-Qaedës, al-Nusras etj., nuk kanë asnjë mundësi që të mësojnë nga ky libër, me përjashtim të asaj që duhet ta kuptojnë se janë çdo ditë të monitoruar. TTP-të e tyre po analizohen çdo ditë, ata duhet ta kuptojnë se jemi të gatshëm të përballemi seriozisht dhe fuqimisht me ta për t’i shkatërruar e se kemi një strategji të qartë se si duhet t’i mposhtim përfundimisht.
Komentet