Promovohet në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë “Antologjia e poezisë shqipe”, hartuar nga Luan Topçiu dhe Renata Topçiu-Melonashi
E ftuar nderi poetja më madhe e Rumanisë dhe me famë europiane, Ana Blandiana “Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla deri sot”,
hartuar nga profesorët universitarë, Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Topçiu-Melonashi, botuar gjatë kësaj vere në Rumani, u promovua nga Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) në partneritet me Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë në Bukuresht.
Salla Papirus e Bibliotekës ishte e pamjaftueshme për publikun e interesuar për letërsinë shqipe. Përveç autorëve të antologjisë dhe
drejtuesve të ALAR-it, në këtë veprimtari morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit rumun. E ftuar e nderit e këtij promovimi ishte poetja e shquar Ana Blandiana.
Eventi përfshiu muzikë shqiptare të interpretuar nga grupi vokalo-instrumental i ALAR-it, i përbërë nga Florentina Barbu, Daniel Berteșteanu dhe Rami Faresi, me një repertor me këngë tradicionale shqiptare.
Pjesëmarrësit përjetuan emocione dhe forcën e verbit poetik shqiptar përmes interpretimit mjeshtëror të aktorit Angel Rababoc, të Teatrit
Kombëtar “Marin Sorescu”, i cili recitoi një përzgjedhje poezish të përfshira në këtë Antologji.
Në fjalën e hapjes, albanologu dhe kryetari i ALAR-it, Dr. Radu Savulescu, falënderoi Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë dhe menaxherin e saj, Prof. Dr. Adrian Cioroianu, për mbështetjen dhe bashkëpunimin për organizimin e veprimtarisë, duke theksuar se: “ nuk kanjë mjedis më të përshtatshëm për promovimin dhe prezantimin e antologjisë së poezisë së një kombi sesa një bibliotekë kombëtare”.
Znj. Laczikó Enikő Katalin, Sekretare e Shtetit në Departamentin për Marrëdhëniet Ndëretnike pranë Qeverisë Rumune, dhe Z. Bogdan-Alin
Stoica, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Parlamentin e Rumanisë, përshëndetën autorët e veprës dhe të pranishmit.
Prezantimi i Antologjisë vazhdoi me ndërhyrjen e folësve kryesorë, shkrimtarëve Mihai Firică dhe Marius Chelaru, si dhe me mesazhin e zonjës Ana Blandiana, një nga shkrimtaret më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore rumune dhe europiane dhe një emër i njohur dhe i vlerësuar
nga dashamirësit e poezisë në Shqipëri. Poetja Ana Blandiana uroi autorët e antologjisë Dr. Luan Topçiu dhe Renata Topçiu Melonashi për këtë realizim shumë të rëndësishëm dhe shprehu gëzimin e saj që kjo vepër madhore, më kompleksja dhe më e pasura deri sot, më në fund pa dritën e botimit. Përpos të tjerash aju u shpreh se: “Mezi e kam pritur promovimin e kësaj antologjie. E konsideroj një ngjarje të shënuar për kulturën. Poezia e një populli që fisërohet me popullin rumun është një ogur i mbarë për kulturën e të dy popujve.” Më tej, poetja me famë europiane, theksoi ekzistencën e lidhjeve të nëndhenshme mijëravjeçare dhe të mistershme në të njëjtën kohë midis dy popujve tanë: rumunëve dhe shqiptarëve. Ajo foli për ngjashmëritë midis popullit rumun dhe shqiptar, për lidhjet historike dhe për atë “vetmi” që karakterizon si rumunët, ashtu edhe shqiptarët, në raport me kombet fqinje, veçanërisht në aspektin gjuhësor. Për të nderuar praninë e autores, organizatorët e eventit përgatitën një moment të veçantë, gjatë të cilit aktori Angel Rababoc recitoi dy poezi të Ana Blandiana-s.
Shkrimtari Mihai Firică, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë – dega e Craiova dhe bashkëpunëtor i ngushtë i ALAR, foli gjerësisht jo vetëm për “Antologjinë”, por për të gjithë veprimtarinë e zhvilluar nga Luan dhe Renata Topçiu-Melonashi, si dhe nga ALAR, në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Ish-zv/Ministri i Kulturës, Z.Firică, tha fjalë lavdëruese për menaxhimin kulturor të organizatës, duke e kataloguar atë si një shembull të praktikave më të mira në këtë fushë. “Nuk e kam thënë vetëm në rastet e veprimtarive të organizuara nga ALAR, por e kam shkruar dhe pohuar gjithandej se revista “Albanica” e botuar nga ALAR, me kryeredaktor Luan Topçiu, është një nga revistat me elitare dhe një shembull i shkëlqyer se si duhet të jenë revistat e kulturës.” Antologjia e poezisë që promovojmë sot është një dëshmi e profesionalizmit, e njohjes të përkryer të gjuhëve, e kompetencave gjuhësore dhe estetike etj. Jam i bindur se kjo antologji do të jetë një vepër referimi për shumë kohë të gjatë”.
Marius Chelaru, zëvendëskryeredaktor i revistës letrare prestigjioze “Convorbiri literare” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, një albanolog me botime dhe vëllime të shumta kushtuar letërsisë shqipe, në fjalën e tij vuri në dukje disa piketa të historisë së poezisë shqipe,
duke bërë krahasime me letërsinë rumune, por edhe me letërsi të tjera europiane apo lindore. Gjithashtu, kritiku letrar vlerësoi përpjekjen e antologëve dhe të përkthyesve të poezive të përfshira në vëllim, duke folur për vështirësitë që paraqet si përzgjedhja ashtu edhe përkthimi i teksteve poetike. Sipas tij, vepra monumentale që promovojmë sot përbën një ngjarje të madhe për shqiptarët kudondodhen, për Rumaninë
dhe për dashamirësit e poezisë.
Siç ndodh në të gjitha promovimet, veprimtaria u mbyll me fjalën e autorëve të antologjisë, Dr. Luan Topçiu dhe Dr. Renata Melonashi-Topçiu, të cilët folën për sfidat dhe vështirësitë e krijimit të një vepre të këtyre përmasave, për vështirësitë e listës kanonike përfaqësuese të
poezisë shqipe, por edhe për rolin dhe vendin e poezisë në jetën e një kombi, për kuptimin e poezisë, në përgjithësi, por edhe për planet si dhe
për veprat e ardhshme.
Të pranishëm ishin anëtarë të komunitetit shqiptar, poetë dhe studiues, si dhe dashamirës të poezisë. Veprimtaria u filmua nga Televezioni Shtetëror Rumun TVR1.
Vëllimi “Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla deri sot” vjen pas dy botimeve të veprës voluminoze dhe të vlerësuar nga publiku, kritika letrare rumune dhe specialistët: “Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri sot”. Këto vepra të rëndësishme për albanologjinë u botuan me mbështetjen e Qeverisë së Rumanisë. Veprat arrijnë në bibliotekat publike dhe Universitare në Rumani dhe në institucionet kulturore të vendit, në Europë dhe më gjerë
.
Zyra e shtypit ALAR
Bukuresht, shtator 2023