Njeriu duhet të jetë vetvetja dhe të guxojë të mendojë si individ i pavarur, jashtë ndikimeve negative të mjedisit, ku jeton, vepron dhe qarkullon.
S’ka asnjë dyshim se të gjitha botimet e publicistit dhe diplomatit të spikatur, Shaban Murati shndërrohen në ngjarje të mëdha kulturore jo vetëm në Shqipëri, po edhe në shumë vise të tjera , tha publicisti Çerçiz Loloçi. Kështu ngjau edhe me librin më të fundit që ka zgjuar interes të madh së pari për tematikën e trajtuar, së dyti për mënyrën e koncentruar të trajtimit të ngjarjeve dhe dukurive shqiptare nga të gjitha fushat dhe sidomos për mënyrë estetike të shkrimit që tërheq lexues sa më të gjerë.
Ndryshe nga shumë homologë të tij, përfshi shkrimtarë, historianë, psikologë, estetistë, etj Shaban Murati ka një ndjeshmëri të madhe kombëtare dhe është një intelektual i shqetësuar për veprime të kryera nga zyrtarët e lartë të politikës shqiptare; ai ndjek hap pas hapi të gjitha veprimet politike e diplomatike që zhvillohen në Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si edhe në vende të tjera ku partitë shqiptarë janë bashkëqeverisëse dhe mban qëndrim kritik për akte që cenojnë interesin tonë kombëtar.
Një veçanti tjetër e Shaban Muratit është njohja e thellë e dukurive të brendshme dhe të jashtme, të cilat i risjell për të nënvizuar veprime më të mençura diplomatike, politike, historike, etj.
Në faqet e këtij libri, me tekste të shkurtra në formë sentence, autori është kundër qëndrimit prej frikacaku për mospërmendjen e pushtuesve serbë e grekë dhe mosngritjes ende të memorialeve ndaj genocidit të vendeve fqinje.
Jashtë vëmendjes së Shaban Muratit, tha zoti Loloçi, nuk mbeten as diplomacia antidiplomatike kur presidenti i Republikës viziton zyrtarisht pretedentin monarkist, madje shkon edhe më tej duke e marrë si këshilltar; megallomania qeveritare për marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë, ndërsa u rri si shpata e Damokleut mes dy vendeve ‘Ligji i Luftës’, teksa të dy shtet janë anëtare të NATO-s!
Studiuesi i filozofisë, Prof. Elvis Hoxha, tha se edhe në këtë libër ambasador Shaban Murati, me ngulmimin e diplomatit, na kujton se sovraniteti dhe çështja kombëtare duhet të jenë udhërrëfyesit e veprimtarisë diplomatike. Nëse ne ngurojmë në drejtësinë tonë, fqinjët nuk ngurojnë në padrejtësinë e tyre. Ky kujtim e kjo kthjelltësi mund të na mësojë se si të programojmë veprimtarinë tonë institucionale në të gjithë rrafshet. Por ç’kemi parë në diplomacinë tonë? Vetëm zbehje dhe mospërdorim të subjektivitetit politik, mosvlerësim të rrethanës gjeo-politike, fshehje dhe harrim të rezultatit historik. Pavarësisht se ajo është kryer nën drejtimin e përfaqësuesve tanë politikë, ajo është kryer në terrenin diplomatik. Ne e kemi nxjerrë virtytin republikan të kombit jashtë vetes, e kemi reduktuar në kredi të palës tjetër në dialog. Substancën e së drejtës e kemi kthyer në monedhë, dhe monedhën rrethanore të dialogut në substancë të vetes.
Çfarë mund të përvetësojmë nga librat e Shaban Muratit, si virtyte të profesionit, si kufij të veprimit, si cilësi të opinionit, është grupi i temave në librat e z. Murati, duke na treguar se diplomacia e bërë mirë ka aftësinë ta përkufizojë politikën si raport forcash dhe jo si forcë e një subjekti mbi një objekt.
Kur diplomati bën punën e tij, ai nxjerr në pah rëndësinë e arkivës, kronikën politike të diplomacisë në një fushë të gjerë, mjeshtërinë e përdorimit empirik të kujtesës së të dhënave shtetërore.
Libri na dëshmon se kur nuk jemi të qartë në atë se ç’duam, as të shkuarën nuk mund ta përdorim. Një e ardhme pa qëllime të qarta kërkon më së pari të zhdukë dijen e së shkuarës.
E ardhmja nuk është abstrakte, sepse është e ardhme kombesh dhe shtetesh. Ne nuk po shkojmë drejt një bote të ç’interesuar. Nëse politika është perspektiva shumatore e interesave tanë, diplomacia është shprehje e diferencuar e saj në sferën e jashtme. Nëse politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, diplomacia është shprehje e diferencuar e politikës. Dhe kjo sepse diplomacia është vlerësim i rezultateve historikë dhe politikë.
Në këtë prizëm, librat e z. Murati na qartësojnë. Nëse i lexojmë ne nuk i harrojmë. Po patëm kujtesë, propozime të tillë do të na bëhen rrallë. Diplomacia ndërlidhet me përtacinë shoqërore. Edhe një herë, përtacia jonë vjen nga fakti se totali na tremb. Në shoqërinë tonë thuhet se diplomati nuk bën politikë, dhe kjo jo ngaqë ata që e propagandojnë këtë nuk e njohin diplomacinë, por ngaqë nuk njohin politikën, përfundoi Prof. Elvis Hoxha.
Profesor Shaban Murati është një humanist e atdhetar i shquar, një erudit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Diplomat i një kalibri të madh, gazetar, publicist e polemist, iluminist i pashoq. Mendimtar, Dijetar, Filozof, Ideolog, Princ i dijeve dhe një mendje universale. Encikolopedist, mbrojtës i zjarrtë i të Drejtës Kushtetutese Shqiptare, tha gazetari Arben Iliazi.
Vepra që kemi në dorë është një vepër e veçantë në llojin e vet, gati si një libër kozmogonik, me një seri refleksionesh, ku janë parë me lupën diplomatike, por edhe në rrafshin historik dhe në rrafshin e mendimit filozofik e sociologjik bashkëkohohor, ngjarjet dhe fenomenet në shoqërinë shqiptare në 2-3 vitet fundit.
Prof. Murati bën një vrojtim vertikal të brendësisë politiko-diplomatike dhe duket sikur thërret para gjyqit të arsyes këdo që nëpërkëmb vlerat kombëtare dhe kushtetuese.
Në këtë libër ai godet racizmin dhe shpërthimet nacionaliste të fqinjëve, që shpesh sillen si armiq e kundërshtarë dhe vazhdojnë t’i bien fyellit kundër arsyes, duke mohuar të drejtat e shqiptarëve.
Ambasador Murati çmon si të shenjta parimet humane e kombëtare mbi të cilat duhet mbështetur diplomacia shqiptare në mbrojtje të çështjes çame, si një e drejtë natyrale e historike, e mohuar deri më sot dhe që ka mbetur pezull midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.
Duke parë këtë realitet, Ambasadori shtron si domosdoshmëri para diplomacisë dhe qeverive shqiptare hartimin dhe zbatimin sa më parë të një platforme diplomatike të zgjidhjes së çështjes çame, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve.
Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo Platformë, për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Çdo qeveri e Shqipërisë duhet të ketë në programin e saj qeveritar detyrimin kushtetues të zgjidhjes së çështjes çame, shkruan amabasadori.