Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për të ndjerin Astrit Dehari.
Menjëherë pas pranimit të këtij raporti, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha e ka ftuar përfaqësuesin e familjes Dehari, avokatin Tomë Gashi, që së bashku me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari, gjatë ditës së sotme të shkojnë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për ta pranuar një kopje të raportit, si dhe për tu informuar për të gjeturat gjatë procesit të autopsisë.
“Për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në konsultim me familjen Dehari, ndërkohë do ta informojë opinionin publik me rezultatet e raportit të pranuar sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.
Astrit Dehari ka vdekur në rrethana ende të pasqaruara në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.
Aktualisht mjekësia ligjore nuk ka publikuar rezultatet finale të ekspertizës, ku kanë marrin pjesë edhe ekspertë të angazhuar nga familja Dehari. Kjo e fundit, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ka akuzuar autoritetet shtetërore për vdekjen e tij.
Ndërkohë, prokurori i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë tashmë se rezultatet e para flasin se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia – zënia e organeve të frymëmarrjes. Por, tani u mbetet organeve kompetente ta thonë se në çfarë rrethanash dhe si erdhi deri te asfiksia e Deharit, që çoi në vdekjen e tij. (REL)
Komentet