Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar se të premten, më 25 shtator, ka arrestuar nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajt, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.
Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në bazë të ligjit për këtë zyrë dhe për Dhomat e Specializuara “gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”.
Nënkryetari i OLV të UÇK-së, Nasim Haradinaj u arrestua të premten, më 25 shtator, në lagjen Pejton të Prishtinës. Ai gjatë të premtes, në një prononcim për mediat tha e nuk e njeh Gjykatën Speciale (Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara).
Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në arrestimit e Haradinajt EULEX-i dhe Policia e Kosovës ofruan mbështetje operative dhe logjistike .
Arrestimi i Hysni Gucatit
Arrestimi i Haradinajt, pason arrestimin e kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili të premten u transferua në Hagë.
Gucati, siç njoftuan Dhomat e Specializuara, u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.
Në fletarrestin e Gucatit, Dhomat e Specializuara, apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u tha se ai ka bërë të qasshme për gazetarët dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, të cilit i referohet edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, kushdo që pa autorizim publikon informacione të klasifikuara ose çfarëdo proces zyrtar që është në zhvillim, e i cili, sipas ligjit nuk duhet të publikohet ose konsiderohet si sekret me një vendim të gjykatës apo të aturoritetit kompetent, mund të gjobitet apo të dënohet deri në 1 vit burgim.
Nëse publikohen informacione apo të dhëna personale të një personi i cili është në mbrojtje, personi që publikon këto të dhëna mund të dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim, varësisht nga pasojat që shkaktohen nga një veprim i tillë.
Bastisjet në OVL të UÇK-së
Të premten, për më shumë se 8 orë, zyrtarë të EULEX-it bastisën zyrat e OVL të UÇK-së.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Organizatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.
Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete, në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.
Më 24 shtator, Prokuroria e Specializuar arrestoi Salih Mustafën – një prej themeluesve të UÇK-së në zonën e Llapit – dhe bëri publike aktakuzën ndaj tij.
Mustafa akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.
Paraqitja e parë para gjykatës për Mustafën është caktuar për të hënën, më 28 shtator. Kjo seancë do të jetë publike.
Çka është Gjykata Speciale?
Gjykata Speciale e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.
Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. rel
Komentet