Struktura “Për Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të kryejë verifikimin paraprak të formularit të vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin” të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Sipas një njoftimi, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në dijeni nga struktura ligjzbatuese mbi disa të dhëna, të cilat kërkojnë verifikim më të thelluar lidhur me të shkuarën e këtij subjekti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
“Në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, verifikimi paraprak kryhet nga institucioni që i administron formularët, që në rastin konkret është KQZ-ja.
Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme i drejtohet këtij institucioni për të kryer verifikimin fillestar. Pas këtij verifikimi, materiali duhet t’i përcillet Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat e saj, sipas përcaktimeve ligjore”, shkruan njoftimi.
Ndërkohë, Struktura “Për dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme po kërkon informacione mbi kallëzimin e bërë nga një grup deputetësh, në ngarkim të subjektit Flamur Noka.
Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm.
Komentet