Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës avancon hetimet në lidhje me përdorimin e dyshuar të një superpajisjeje ilegale përgjimi në Policinë e Shtetit. Pajisja në fjalë dyshohet se është përdorur në Shqipëri muajt e fundit për të interceptuar komunikime telefonike, por edhe informacione të shkëmbyera në platformat “Messenger”, “Whats App”, “Viber” etj.
Burime të organit të akuzës kanë thënë për gazetën “Panorama” se është konfirmuar tashmë zyrtarisht se një pajisje e tillë ndodhet në Tiranë prej të paktën disa muajsh.
“Pas vendimit për nisjen e hetimeve në lidhje me këtë rast, grupi i hetimit ka kërkuar informacion me një shkresë zyrtare drejtuar Policisë së Shtetit.
Ky informacion është kërkuar me shkrim për efekt prove krahas komunikimit verbal që kanë pasur dy hetuesit e Prokurorisë që kërkuan këqyrjen dhe sekuestrimin e pajisjes në fjalë ditën e premte”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në përgjigje të kërkesës së Njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, policia me një shkresë të firmosur nga kreu i saj, Haki Çako, ka kthyer përgjigje se ekziston një pajisje e tillë (e llojit “Imci Catcher”), por që nuk është në pronësi të Policisë së Shtetit.
HETIMI PËR HYRJEN NË SHQIPËRI
Pas një kërkese zyrtare drejtuar misionit italian në Tiranë, Interforce, Prokuroria ka nisur verifikimet për mënyrën se si ka hyrë pajisja në fjalë në Shqipëri.
“Sipas ligjit, hyrja e një aparature të tillë në vendin tonë duhej bërë me autorizim të prokurorit të Përgjithshëm, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme nuk është në dijeni për diçka të tillë”, thanë burimet e grupit të hetimit. Sipas tyre, prej ditës së hënë hetimi do të vazhdojë për të sqaruar mënyrën e futjes së pajisjes në Shqipëri. Jo zyrtarisht ka dyshime se pajisja në fjalë është futur “në rrugë diplomatike”.
Ky dyshim bazohet në informacionin e dhënë Prokurorisë nga Policia e Shtetit, e cila ka thënë se pajisja është sjellë në Shqipëri në bazë të një marrëveshjeje apo memorandumi mes policisë shqiptare (ministrive të Brendshme) në Shqipëri dhe Itali.
Referuar këtij informacioni, pajisja e cila është vendosur tek Akademia e Sigurisë (ish-Akademia e Policisë), por është sjellë në Shqipëri nga Interforca për qëllime trajnimi të efektivave të policisë.
SUPERPAJISJA
Pajisja “Imci Catcher” dyshohet se është futur në Shqipëri me qëllim ekspozimin dhe trajnimin e efektivave të policisë për përdorimin e saj.
Pas trajnimit të efektivave të policisë, pajisja në fjalë mendohet se mund t’i ofrohej policisë shqiptare si donacion, ose mund t’i rekomandohej blerja e saj me qëllim gjurmimin e personave në kërkim. Pas hyrjes së pajisjes në fjalë në Shqipëri, Ministria e Brendshme ka dorëzuar në Kuvend një propozim për ndryshime në ligjin “Për përgjimin e telekomunikimeve”.
Në fillim të prillit, Ministria e Brendshme propozoi një projektligj për ndryshimet të legjislacionit për Komunikimet Elektronike.
Sipas draftit, kompanitë celulare duhet të vënë në dispozicion të dhënat për komunikimet zanore, të mesazheve apo të komunikimeve në internet si “Facebook”, “Viber”, “Whats App” etj., brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga vetë ministri Saimir Tahiri.
TRAZHGIM SOKOLAJ
Komentet