Prokuroria e Vlorës kërkoi të mërkurën shpalljen fajtor dhe dënimin me 15 vite burg për ish komisarin e policisë Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me një mjet lundrimi me dy motorrë 7-vjeçaren Jonada Avdia, në gusht të vitit 2022, në bregdetin e Himarës.
E mitura, e ardhur nga Anglia, po lahej në det me babain e saj në plazhin e Potamit në Himarë kur u godit për vdekje nga gomonia që drejtonte komisari Arjan Tase, i cili në atë kohë mbante detyrën e shefit të rendit në Policinë e Elbasanit.
Prokuroria e Vlorës thotë përmes një njoftimi për shtyp se “nga analiza e akteve të administruara gjatë hetimit, analiza e vendit të ngjarjes dhe e pamjeve filmike, i pandehuri Arjan Tase provohet të ketë konsumuar elementët e veprës penale të ‘Vrasje me dashje’ në formën e dashjes indirekte”.
Prokuroria e Vlorës thotë në përfundimet e saj se “provohet se ditën e ngjarjes, i pandehuri Arjan Tase, ka qenë në drejtimin e një mjeti lundrues me dy motorrë”.
Sipas Prokurorisë “pasi Arjan Tase ka lënë disa persona në breg të detit, në momentin që është nisur për të dalë nga zona ku notonte shtetasi B.A. me vajzën e tij Jonada Avdia, mjeti ka marrë shumë shpejtësi duke shkuar në drejtim të tyre dhe në marrjen e kthesës motorrat e tij kanë kapur vajzën e mitur duke e prerë në të gjithë trupin”.
“E mitura Jonada Avdia ndërroi jetë në moment”, thotë Prokuroria.
Avokatët mbrojtës të Arjan Tases, kanë kërkuar kualifikimin e veprës penale si “Vrasje nga pakujdesia”.
Në dhjetor të vitit të shkuar Gjykata e Vlorës ndau gjykimin ndaj komisarit të policisë nga gjykimi i 8 punonjësve të tjerë të policisë së Himarës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre lidhur me këtë ngjarje.
Vrasja e 7-vjeçares shkaktoi dy vite më parë reagime të forta për sigurinë në plazhet shqiptare dhe një protestë qytetare, të cilat i detyruan autoritetet të rishikonin kuadrin ligjor dhe masat për rregullat e lundrimit në det dhe sigurinë e pushuesve në Shqipëri.