1.
– Përshëndetje!
– ?!
Tjetri bëri sikur nuk dëgjoi dhe hodhi shikimin tej nga Gryka e Shedenikut, ku shtëllungat e reve të murme gjigande sikur çukisnin njëra-tjetrën.
– Përshëndetje barba!- në shenjë respekti për të moshuarin, tha më i riu që shkelte për herë të parë në ato anë.
Tjetri, si hodhi një vështrim të vetëtimtë dhe tangent ndaj njeriut të panjohur, rregulloi kapelën qytetëse, një borselinë ngjyrëhiri të zbardhëlyer që e bënte edhe më shumë të habitshme dhe groteske praninë e tij si prej një alieni në këtë mjedis rural në qafëmali. Pas një heshtimi, iu kthye kalimtarit:
– Përshëndetje!
– -Më falni, a kalon ndojnë kamion kësaj ane? ….Më falni, kush jeni ju ? C’bëni këtu në këtë lëndinë? …Edhe i vetëm.!
Njeriu me borselinë dhe xhaketë kostumi të viteve ‘60 heshti pak, por ndjeu një si shtysë të brendshme për të dhënë një përgjigje.
– Ju zotni, me moshë afër një mesoburri, jeni gjë hetues në këtë qafë mali dhe në mes të xhades që lidh fshatrat këtej? Po bëni hetime për ndonjë kallëzim apo vepër penale? Nuk e shikon që nuk jam vetëm!?- dhe bëri me dorë për të treguar gjashtë dele që kullosnin aty pranë.
Njeriu i ardhur bëri një “aha!”, duke i dhënë të kuptojë se u morën vesh.
Mungesë takti, i tha vetes. Idiot! Ç’punë ke ti që kërkon qiqra në hell me burrin e botës! Të kanë caktur mësues në shkollën e mesme të Sajmolit edhe kaq. Në fund të dynjasë. Dhe kaq! Tani prit ndonjë kamion kooperative të hipësh në karroceri edhe ik, o njeri!
Por një kërshëri e brendshme, si majë thike, e mundonte tek shikonte këtë tip qytetari, ulur tani në një lëndinë, që ruante delet në një fshat kaq të largët dhe kaq malor. Papritur, iu kthye vetes tek u ul mbi një gur gjithë myshk.Gjynah! Mundet të ketë ikur mendsh… Dhe bënte ç’bënte, i hidhte sytë vjedhurazi nga njeriu me borselinë dhe kostum të strëngur, dhjetë hapa më tej.
Pastaj, si për të shtyrë akrepat e orës, që dukeshin se kishin mbetur në vend, nisi të mendojë. Me kostum dhe borselinë qytetari në këtë qafë mali. Burri i panjohur iu përhit si një personazh filmi, shumë-shumë si një figurë e dalë befas ngadonjë libër, prerë me kujdes nga faqet e ndonjë romani dhe i animizuar tani, si një fanitje.
I gjatë. I dobët.Nofullkërcyer. I thinjur. Me kurriz. Me sy që të zhbironin fort tek t’i ngulte si dy shigjeta, lëshuar me forcë nga një guvë e thellë mendimi e dyshimi. Gati hipnotizues.
Njeriu me borselinë e ftoi rishtarin, që sa të priste në këmbë ndonjë makinë për qytet, le të ulej se mund të kalojë ndonjë kamion kooperative.Kamionet po prisheshin një nga një asaj ane, siç fikeshin qirinjtë , në një meshë përshpirtjeje. Përshpirtje e një agonie gjysmëshekullore të regjimit që sundoi me dorë të hekurt.
– Ulu, or njeri! Për një e shumta dy orë, këtej edhe kalon ndonjë kamion. Ndoshta ke fat.
– Më falni, kush jeni ju?- u ngut sërish i riu, tani me një ton miqësor.
– Kaq shumë të mundon kjo pyetje? Të ha përbrenda, siç e ha ndryshku metalin nga lagështira? Hee?!
Tjetri pohoi me kokë, por nuk bëri zë. Nga një paketë DS e kohës nxori një cigare. Ia zgjati të faniturit pranë, por ky e refuzoi prerë me dorë. Por pastaj e mori një. Ia ndezi njeriut me borselinë, pastaj edhe vetes. Ia kishte lexuar mendimin. U ul mbi një gur në atë lëndinë të pjerrët plot bar e lule të sapoçelura pranvere. E sqaroi se ishte një mësues i sapoemëruar në fshatin e Sajmolit aty pranë. Pastaj i nguli sytë nga borselina.
– Unë jam ai që kam bërë trembëdhjetë vite në burg dhe trembëdhjetë të tjera në internim.
I riu luajti pak vendit nga guri ku ishte ulur.
– Aaa?! Po si kështu? Përse i ke bërë kaq shumë? Edhe internim, edhe burg?
Tjetri rregulloi kapelen qytetëse. E hoqi. E vuri sërish në kokë dhe e ktheu pakëz anash nga e majta.
– Do ta dish vërtet?
– Nuk thashë gjë. Kot pyeta.
– Po ta them, para se të kesh ikur me merakun e enigmës sime. Ta them, që ta marrësh me vete sipër, në kamionin që do të vijë, në karroceri.
– ?!
2.
Tjetri e pa me keqardhje dhe habi. Që ka shkarë, ka shkarë i shkreti, tha me vete. Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar. Pak shkasin tani nga ledhi, domethënë nga mendja? Një më shumë nuk është asgjë fare.
Dhe iu kujtua polic Cacja në qytetin e lindjes. Me biografi të mirë për kohën. Qelibar. I besuar i regjimit. Por qëkurse e kishin zhveshur, se e patën zënë një herë në gjumë në orar të shërbimit në lulishten para komitetit të Partisë e, më pas, e pati lënë edhe gruaja, një shitëse në mapon e fruta-perimeve, befas kish nisur e mbante ‘fjalime’. Po po! Fjalime. Me intonacion si të Udhëheqësit të dikurshëm!
Por të gjitha me partishmëri. “Rroftë Komiteti Qendror i Partisë, me në krye shokun Enver Hoo…!”
Kaq thoshte i ngrati Cace, se ia kishin zënë gojën në fillim me forcë ca të Frontit të lagjes dhe ca kolegë të tij me uniformë. Tani e thoshte falinë e parullës së përhershme pa pjesën fundore. Jo në çdo kohë, me vend e pa vend. Por si ilaçet. Me orar. Priste të binte muzgu i parë. Të bëhej qetësi. Dilte në ballkon. Shikonte njerëzit që bënin shëtitje dhe sidomos çiftet e reja dhe ia niste: “Rroftë Komiteti Qendror me në krye shokun Enver Hooo…!”. Pastaj vijonte një pauzë. “Shokë edhe shoqe! Novatorë edhe novatorje duararta, lulja e lules së Partisë, gonxhet e gonxheve të Partisë! Partia jonë me forë! Partia jonë e Punës, me në krye shokun Enver Hooo… i ka dhënë dërrmën imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik! Ashtu de!”
I ngrati Cace, paqësor në hallin e tij, nuk ngacmonte njeri. Nuk trazonte askënd. As lulet në park dhe asnjë mizë, siç i thonë.
Fëmijët ishin mësuar me të dhe nuk e ngisnin. Tepër rrallë, ndonjë çamarrok, kur kalonte me shokët për në shkollë, hidhte ndonjë pjesë nga parullat e Caces. “Rroftë Komiteti…”. Por aty për aty gjendej ndonjë i rritur që ndërhynte. “More pelivan, je edhe djalë shkolle, ti! Do t’i bëj veshët opinga, po të kapa!” Tjetri nxitonte hapat ose ia mbathte.
Por Cacja ruante qetësinë e tij proverbiale. Nuk merrte ‘çentil’ nga kalimtarët e rastit. Priste muzgun e tij olimpik. Muzgun e qetësisë. Mbretërinë e tij të paqes. I miri Cace, priste atë orën e përafërt të muzgut, që askush në qytet nuk e dinte saktësisht kur ishte, që të dilte në ballkonin e tij. Ndoshta i dukej si tribunë nga ato të udhëheqjes, që e pati ruajtur pothuaj një jetë të tërë me sytë bërë katër me vigjilencë revolucionare.
Me sytë e mendjes, i riu në ato anë vështroi borselinon qetësisht, si një mik, me të cilin tani kishte ndarë edhe duhanin.
– Jo, jo. Kot pyeta,- tha mësuesi i transferuar në Sajmol. Puna juaj.-shtoi si për ta ngjitur bisedën aty ku u këput, siç këputet shiriti i një magnetofoni.
Borselinoja shtoi me gjysmëfjali:
– Trembëdhjetë vite burg. Plus trembëdhjetë internim? Baraz njëzet e gjashtë! Në rregull?
Tjetri pohoi me kokë.
– Nëse mund ta di dhe nuk ju lëndoj, të më ndjeni… pse e keni vuajtur dënimin? Dhe më pas, edhe internimin?.
– Atë, ma thuaj ti, përse?- e hoqi borselinën. Tani e mbante në duar njeriu i thinjur, me nofullat e kërcyera vendit. Pastaj e vuri ngadalë mbi kokë, si për të formuluar përgjigjen më tej.
– Sepse jam spiun i grekut! Ja! Kjo qe! E kuptove tani? I grekut! I Greqisë.
Pastaj heshti një grimë dhe rregulloi sërish borselinën mbi kokë, si për të gjetur fjalitë pasardhëse dhe shtoi:
– Kaq e thjeshtë është, apo jo?
Tjetri u step.
– Jo!- ia ktheu nëpër dhëmbë.- Nuk kuptova gjë prej gjëje! Dhe as e thjeshtë nuk më duket gjithë sa më the deri tani.
– E shikon?As ti nuk e beson! Nuk të besohet? S’ka sesi! Dhe tani, që njerëzit po arratisen dhe ikin me grupe nga malet, drejt kufirit, drejt Greqisë, nga luginat, nga shpatet nëpër hone e nëpër borë, kush e kush t’ia mbathë nga ky kopshti ynë i lulëzuar i socializmit; nga kalaja shkëmbgraniti, fenerndriçuese buzë Adriatikut; unë, spiuni grek, po rri këtu! Po qëndroj këtu. Tani, kur kalaja e pamposhtur po bie, ra, po shembet pak nga pak ose kollotumba… unë tani rri këtu, që të ruaj gjashtë dele! Hehee! Më kupton?
– Të më falësh, por nuk të kuptova asnjë fjalë, zotëri!
– Po s’ka sesi të më kuptosh, ore njeriu i ri! Nuk ka! Një mendje normale nuk mund të kuptojë kaq ‘thellë’. I falur je. Që nuk kupton.
– Po cila është historia jote dhe ç’bën këtu me këto dele, se ti dukesh që nuk je fshatar nga këto anë. Je një qytetar. Kjo nuk kërkon shumë mend dhe lexohet që përtej. Por këto delet më ngatërrojnë. Unë jam mësues i transferuar kësaj ane, siç të thashë. Po me se je marrë në jetë?
– Delet i ruaj se këto kam gjënë e gjallë të shtëpisë së babait dhe nënës, që më kanë vdekur të dy. Po mos u ngut!
3.
Unë kam qenë partizan. Si dhjetëra e qindra të tjerë. Isha i ri. Pas luftës vazhdoja të kisha uri më tepër për shkollën se për bukën. Isha plagosur dy herë në luftë. Por fati më ndihmoi. Më pas, domethënë pas lufte, më nisën në shkollë, në Bashkimin Sovjetik, si shumë të tjerë. Mësova si i uritur. Dola prokuror. Imitoja Vishinskin e madh të asaj kohe. Dija dhe di, për fat të keq, pjesë nga pretencat e tij si prokuror. Në rusisht, po se po, por edhe në shqip. Si një bibël. Pas ca punëve nëpër dikastere në Tiranë, më caktuan prokuror në rrethin tim. Aso kohe, fshati im ishte dy orë e ca me makinë. Isha shumë i rreptë në detyrë. Ata lart, në Tiranë, më vlerësonin. Sidomos, në fillimet e punës edhe kur më caktuan në dy rrethe të tjerë me postin e lartë të prokurorit.
Gati pa mendje, nisi të vizatonte me një shkop që mbante në dorë një rreth mbi tërfilin e lëndinës pranë këmbëve. Pastaj dukej se donte ta ngulte në tokë.
– Ata poshtë, domethënë Partia dhe zyrat e pushtetit, nisën të thoshin se P. M. “është më katolik se Papa!” Kishte abuzime plot. Po edhe varfëri të madhe, sidomos pas kooperativave që u bënë me dhunë. Siç thuhej aso kohe, ‘me iniciativë nga poshtë dhe me direktivë nga lart’. Domethënë nga Partia, s’do mend.
I nguli sytë diku në lëndinën e blertë, si për të parë me vetulla të ngrysura diçka që i kishte humbur kohë më parë.
– Unë procedoja për çështje të ndryshme penale. Kishte shumë vjedhje. Po kishte, siç të thashë edhe varfëri të madhe. Këto shkonin paralel. Si vijat e hekurta të një hekurudhe. Edhe për agjitacion e propagandë nisën të shtoheshin çështjet. Edhe për tentim arratisje. Po varfëria po i zhvishte pak nga pak të tërë, lakuriq. Në qytet po se po, pa le më në fshat! Njerëzit po i fusnin me forcë e detyrim nëpër kooperativa. Kush kundërshtonte, shpallej kulak. Njerëzit po ndaheshin në dy grupe. Domethënë edhe ne, si organ i akuzës, kështu po e ndiqnim këtë vijë zjarri: njerëz të bardhë që ishin me partinë, frontin, kooperativat, domethënë me regjimin dhe të tjerë, në të zinj. Kundërshtarë. Kamp armik. Unë hyja te të bardhët, kuptohet. Ai që kishte vëllanë, xhaxhanë, dajon, kunatin e të tjerë me ata të Ballit në luftë, ose ai që nuk pranonte të hynte në kooperativë, hynte menjëherë në rrethin e të zinjve.
E mendova gjatë kur isha në burg këtë punën e ndarjes në të bardhë dhe në të zinj. Jo më parë. Mendja ime prej Vishinski nuk e lexonte atëherë kështu, si tani. Ishte që nga lufta e dytë kjo e ndarjes me sopatë, pas dyzet e katrës. Në burg, atje ku çoja të tjerët, e kuptova se ndarja më dysh e shqiptarëve kishte nisur që nga lufta. Por tepër vonë e kuptova këtë, se isha nga më të zjarrtët e vijës së parë. Fanatik. E kuptova kur kisha shkelur te syri i ciklopit.
Për herë të parë u kthye. Pasi vuri re se tjetri po e ndiqte me vëmendje, tha:
– Më the se je mësues.
– Po. E respektoj vuajtjen tuaj,- shtova.
– E pashë këtë, ndaj e ngava muhabetin më tej. Se gjeta një njeri që duket më kupton. Kupton një njeri të pakuptueshëm, si të thuash.
Mori një cigare, që ia zgjati mësuesi.
– E di se prokurori i Stalinit, Vishinski, hodhi idenë që të krijoheshin disa spitale psikiatrike ku të futeshin krijues dhe shkencëtarë që mendonin ndryshe nga Stalini dhe rendi socialist sovjetik? E di si i quanin këto spitale?
– Jo.
– Këto spitale psikiatrike quheshin nga rusët psihushka, psihushka.
– Po tek ne?
– Ta them unë. Ne ishim të gjithë në një spital psihushka. Atje ndihmova edhe unë si prokuror, edhe si pacient. Psihushka. Unë isha, si të thuash, një nga qindra doktorët e psihushkas.
Papritur iu përhumb vështrimi në një pikë të largët të pacaktuar.
4.
– Një ditë në zyrën time të prokurorit të rrethit më sjellin një kallëzim për vjedhje. Në fshatin tim të origjinës, pikërisht, dikush kishte vjedhur ullinj. Një trastë gjë, por thuhej se kjo ishte e përsëritur prej kohësh dhe, me gjasë, mund të ishin bërë edhe kuintalë. Por askush nuk kishte prova të qarta. Në kallëzimin e radhës thuhej e zeza mbi të bardhë se njeriu që kishte vjedhur ishte, as më shumë e as më pak por ajo që më kishte bërë mua kokën: nëna ime! E gjora plakë! Vonë e kuptova se i kishin varur qëllimisht në samar të gomarit një trastë me ullinj tek kthehej në darkë nga puna në shtëpi, me gomarin ngarkuar me shkarpa. Dhe, sapo hyri i ngrati gomar me nënën në oborrin e shtëpisë, hyjnë edhe vigjilentët.
“Ç’e ke këtë që ke varur në samar të gomarit, moj shoqja Parashqevi?” Parashqevija, ishte mëma ime. Kaq ishte puna. Vjedhje e pasurisë socialiste. Çështjen e gjykova vetë. Të gjithë me sy e veshë nëpër zyrat e komiteteve dhe të organeve të drejtësisisë, policisë, sigurimit, organizatave të masave etj. Prisnin vetëm përgjigjen e një pyetjeje: si do të vepronte prokurori i ashpër i rrethit! Do ta zhvishte shpatën si ngaherë apo, do ta fuste në mill dhe do të tregohej si një lepur ose pulë e lagur para nënës që i ka bërë kokën?! Dhe e di ç’bëra? Nuk e di?
– Jo,- ia priti tjetri.
– E dënova me katër muaj e gjysmë burg nënën time. Me heqje lirie, kupton?!
Mësuesi i çakërdisur po dëgjonte sy e veshë.
– E vërtetë?!
– Po. Siç është e vërtetë që ne të dy tani jemi përballë njëri-tjetrit. Dhe ata të nomenklaturës së rrethit duket menduan se do t’u vinte radha një ditë për vjedhje apo xudhira të tjera, se i bënin që çke me të dhe ne, si prokurori, i dinim. Pas kësaj, nuk shkoi më shumë se një vit, kur zyra ime u hap me forcë pa trokitur dhe ia behën menjëherë katër vetë. Tre me pistoleta dhe njëri me aparat fotografik.
“Mos lëviz!- më thanë.- Të erdhi fundi, o spiun i grekut! Duart lart!”
– ?!
– Më hodhën prangat si çdo të arrestuari nga ne dikur, për vepra penale, me urdhrat e mia si prokuror. Duhej edhe një armik prokuror. Mokra komuniste prej vitesh kishte nisur të hante njerëzit e vet një e nga një, dy e nga dy. Dhe, sapo ndiente se po i mbarohej zahireja e vjetër me familjet e të arratisurve, mokra nuk mund të punonte në boshllëk. Ndaj duhej “bereqet i ri” që ajo të mokërzonte, të punonte, të bluante pa pushim, natë e ditë jetën e njerëzve të pafajshëm.
– Dhe i bëre trembëdhjetë vite burg?
– Edhe trembëdhjetë të tjera internim në Myzeqe, në një fshat ku kunupi ishte sa një bletë.
Pasoi një heshtje e rëndë për të dy.
– Siç e shikon, spiun jam. Të tjerë po ikin kësaj rruge për në kufi. Kalojnë në Greqi edhe nëpër borën që ka ngrirë në lugje e hone. Ndërsa unë, siç të thashë, tani ruaj këto dele.- Si heshti pak, ia nisi si për të vëndosur një pikë në dramën e tij:
– Dhe ndez nga një qiri për manën, nënën time, Parashqevinë!
Dhe i lutem zotit të më falë mëkatin e madh dhe mëkate të tjera që mund të kem bërë në punën time dikur.
_ oOo_