Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, njoftoi se po emëron një prokuror të posaçëm në rastin kundër zotit Hunter Biden, duke thelluar hetimet ndaj djalit të Presidentit Biden në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Zoti Garland tha të premten se do të emërojë prokurorin David Weiss, nga shteti Dellauer, që po heton aktualisht aktivitetet financiare dhe tregtare të djalit të presidentit, si prokuror të posaçëm për këtë rast.
Zoti Garland deklaroi të martën se zoti Weiss i kishte thënë se “sipas gjykimit të tij, hetime kishin arritur në një fazë, ku funksionet e tij të mëtejshme mund të vazhdojnë vetëm me statusin e Prokurorit të Posaçëm dhe ka kërkuar nga unë, që ta emëroj atë në një pozitë të tillë.”
“Pas shqyrtimit të kërkesës së tij, si dhe rrethanave të jashtëzakonshme që lidhen me këtë rast, kam ardhur në përfundimin, që është në interes të publikut, ta emëroj atë prokuror të posaçëm,” deklaroi zoti Garland.
Avokati i zotit Hunter Biden nuk iu përgjigj kërkesave të gazetarëve për të komentuar zhvillimet.
Ky veprim është një hap i rëndësishëm nga zoti Garland, që njihet si i kujdesshëm dhe vjen në një kohë kur Departamenti i Drejtësisë po ndërmerr një sërë hetimesh ndaj ish Presidenti, Donald Trump, njëherit rivali kryesor i Presidentit Biden në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Emërimi i prokurorit të posaçëm po ashtu u bë krahas hetimit që ligjvënësit republikanë po përgatisin për bizneset e Hunter Biden-it. Republikanët po hasin vështirësi për të gjetur lidhje mes veprimeve të djalit me babain e tij, dhe deri tani nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin prova për ndonjë shkelje.
Zoti Garland tha se pret që prokurori Weiss, të punojë “me shpejtësi” dhe “paanshmëri”. Ai tha zoti Weiss do të ketë “të gjitha burimet që i ka kërkuar” për të hetuar çështjen.
Me emërimin si prokuror i posaçëm, zoti Weiss do të ketë mandat më të gjerë për një hetim të plotë në drejtime të ndryshme.
Zoti Weiss u emërua nga ish-presidenti Donald Trump për të shërbyer si prokuror në Dellauer, në vitin 2017 dhe është mbajtur në këtë pozitë pas ardhjes së Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë, për të vazhduar hetimin e Hunter Biden-it.
Ai ka shërbyer si prokuror për shumë vite, duke hetuar krime të dhunshme dhe mashtrime, dhe ka punuar në si avokat privat në kohën kur nuk ishte i angazhuar si prokuror.