Ligjvënësit amerikanë po punojnë për të hartuar një ligj që i kërkon Presidentit Joe Biden të formojë një gjykatë speciale për të hetuar krimet e agresionit rus në Ukrainë.
Votimi i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme do t’i hapë rrugën votimit të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me projektpropozimin në fjalë dhe është pjesë e një përpjekje më të gjerë dypartiake që synon mbajtjen e Rusisë përgjegjëse nga komuniteti ndërkombëtar.
Në fillim të vitit, një grup senatorësh të udhëhequr nga demokrati Dick Durbin dhe republikani Lindsey Graham i kërkuan Presidentit Biden që të mbështesë hetimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për krimet ruse të luftës në Ukrainë, pasi ky organ lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin.
Votimi në Kongresin amerikan vjen ndërsa Ukraina mposhti një sulm me raketa hipersonike ruse në Kiev duke përdorur sistemet amerikane të raketave Patriot.
Senatorja demokrate Jeanne Shaheen i tha Zërit të Amerikës se kjo ishte një shenjë inkurajuese e mbështetjes amerikane për Ukrainën.
“Është vendimtare. Ukraina ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë, në mënyrë që të shmangë agresionin e paprovokuar rus dhe vrasjet masive që po përjeton popullsia civile në Ukrainë”, tha ajo.
Senatori demokrat Ben Cardin i tha Zërit të Amerikës se ndërsa mbrojtja ajrore është një pjesë kritike e sigurisë për Ukrainën, “Ata kanë një kufi të gjerë. Pra, ka një kufizim se sa efektivë mund të jemi në ofrimin e armëve mbrojtëse. Por është kritike dhe ne duhet të bëjmë më shumë”, tha ai.
Ligjvënësit amerikanë po peshojnë gjithashtu alternativa afatgjata për t’iu kundërvënë kërcënimeve të Kremlinit.
Senatori republikan Jim Risch, me Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, paralajmëroi të martën se: “Duket se Shtëpia e Bardhë nuk mendon derisa Moska të bëjë një lëvizje dhe asnjëherë
nuk ka vepruar në mënyrë proaktive për ta detyruar Kremlinin që të reagojë ndaj nismave tona. Përpara se sulmi rus të na kujtonte se dobësia lë hapësirë për agresion, qasja e kësaj administrate i ngjasonte politikës së dështuar të Presidentit Obama”.
Analistët u thanë ligjvënësve se politika e SHBA-së duhet hartuar përtej nevojës imediate për ta ndihmuar Ukrainën.