Gazetarja Ola Xama ka fituar çmimin e dytë si artikulli më i mirë në vitin 2023 për shkrimin “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”.
Këtë çmim ajo e mori në ceremoninë EU Investigative Journalism Award.
Xama ka reaguar në rrjetet sociale për vlerësimin me vendin e dytë dhe thotë se puna për këtë artikull i mësoi integritetin dhe qëndresën.
Deklarata e plotë:
Ndihem e nderuar me çmimin e dhënë në ceremoninë EU Investigative Journalism Award, ku artikullit “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erjon Veliaj, thotë SPAK” iu akordua vendi i dytë si artikulli më i mirë në vitin 2023.
Ky nuk është shkrimi që më ka marrë kohën më të gjatë krahasuar me të tjerë, dhe nuk do ta konsideroja as si më të vështirin sa i takon pjesës teknike: të dhënave, llogaritjeve, intervistave e punës kërkimore. Por puna për këtë artikull më mësoi një tjetër anë shumë të rëndësishme të profesionit tonë: integritetin dhe qëndresën kur synojnë me çdo kusht që të të intimidojnë duke patur si qëllim të ulin peshën dhe rëndësinë e punës së gazetarit.
Kam patur një periudhë të vështirë profesionale dhe personale, sepse në fushatën e madhe të shpifjeve që nisën pas publikimit të shkrimit, nuk isha vetëm unë por dhe familjarë të mi. Ndonjëherë edhe kam menduar se nuk ia vlen të punosh dhe luftosh në këtë vend! Mendime të cilat janë zhdukur menjëherë sapo kolegë, miq e bashkëpunëtorë më kanë thënë se janë me mua, më njohin, e nuk besojnë asnjë fjalë të fabrikimeve të shpërndara.
Ndaj dhe ky çmim për mua është medalja e integritetit që ma dhanë kolegët e mi!
Çmimin e tërhoqi Sandra Bogdani, redaktorja e Birn që jo vetëm punoi me mua në këtë artikull, por më qëndroi pranë sa herë kisha nevojë për tu dëgjuar.
Do të doja të isha vetë në ceremoni, por fizikisht nuk ishte e mundur pasi ndodhem në SHBA me 16 kolegë gazetarë nga e gjithë bota, të cilët më dhuruan duartrokitjet që më munguan nga salla.
Në fund dua të falenderoj të gjithë gazetarët fitues dhe ata që morën pjesë në këtë konkurs, të cilët me punën e tyre kanë ndryshuar për mirë jetën e të gjithëve ne!
Ky çmim është një privilegj!