Kam thënë për Vjosa Osmanin se ajo është krahu i djathtë i Albin Kurtit dhe garanci e sigurt. Aleanca e tyre nuk ka në themel principe ideologjike, por vlerash, shtetin e së drejtës, interesin e Kosovës të integruar në NATO dhe BE.
Si kronikane e ndodhive në Kosovë, kam po aq vjet që ndjek rrugëtimin e Vjosa Osmanit, prej kur ajo është përfshirë në politikë, një vajzë e re e mbrujtur me ideale Rugoviste, që synonte të arrinte edukim të shkëlqyer në SHBA për t’i shërbyer sa më mirë Kosovës.
Më kujtohet kur në shkurtin e vitit 2009, gjatë pritjes që Sekretarja e Shtetit do t’i bënte Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, Zonja Hillari Clinton do ta prezantonte Vjosa Osmanin si shefen e stafit të presidentit që përkthente shkëlqyeshëm dhe gjithë emocion midis saj dhe krerëve të shtetit të Kosovës.
Vjosa Osmani është rritur në politikë dhe ka arritur ku është sot step by step përmes veprimeve të saj, gjithmonë të përgjegjshme e të pjekura.
Vjosa Osmani është politikania më e votuar në Kosovë. Jo për sytë e bukur, megjithëse i ka shumë të bukur, por sepse asnjëherë nuk ka bërë lëshime në favor të liderit të partisë dhe në dëm të interesave të Kosovës.
Vjosa Osmani është fytyra e bukur e Kosovës, që shkëlqen nga do që shkon dhe që ua mban gjallë qytetarëve të Kosovës shpresën për të ndërtuar shtet të së drejtës, konform vullnetit të tyre.
Vjosa Osmani nuk gënjen, nuk konformohet, nuk bën koncesione. Vjosa Osmani i mban premtimet.
Vjosa Osmani është e kundërt 180 gradë me modelin e femrave të politikës në Shqipëri, që janë bërë ose bishti ose alter egoja e shefave të partive dhe që e kanë kthyer politikën një kënetë, ku ato janë kor bretkosash.
Asnjëherë Vjosa Osmani nuk iu bind urdhërave të Isa Mustafës, kur këto binin ndesh premtimeve të bëra popullit të Kosovës, vlerave të demokracisë apo interesave të vendit.
Asnjëherë Vjosa Osmani nuk e shiti mandatin e deputetes me atë të ambasadorës apo të ministres.
Asnjëherë Vjosa Osmani nuk i tradhtoi bindjet e saj, të një politikaneje me vizion thellësisht Perëndimor që synon ta përfshijë Kosovën e saj të vuajtur në gjirin e NATO-s dhe BE-së.
Asnjëherë Vjosa Osmani nuk i ka harruar vuajtjet e popullit të Kosovës, privimet, genocidin, spastrimin etnik dhe mbështetjen e SHBA, aleates ekzistenciale e Perëndimit.
Dëgjova Grida Dumën që i pëlqen ta krahasojë veten me Vjosa Osmanin. Më vjen keq, por nuk kanë asnjë pikë të përbashkët. Asnjëherë Vjosa Osmani nuk e ka parë politikën si paradë mode në high heels, si skenë teatri, si mënyrë për të bërë egzibicion, si avantazh i të qënit një femër e bukur apo duke mbështetur iks apo ypsilon politikan.
Rruga e Vjosa Osmanit është e drejtë, pa dredha, është e pastër, ajo ka vepruar konform të qënit Vjosa Osmani, ku lidhjen e ka vendosur jo me kryetarin e partisë por me Sovranin.
Kryetarët e partive që nuk respektojnë vullnetin e Sovranit, vijnë dhe shkojnë, ndërsa Sovrani dhe Kosova janë aty. Politikanët votohen që t’i mbajnë premtimet, që ta bëjnë Kosovën një vend demokratik Perëndimor, anëtare në Aleancën Verio-Atlantike dhe BE. Dhe Vjosa Osmani aspiratat e popullit të Kosovës i ka edhe të sajat, prandaj gëzon besueshmëri të plotë sepse nuk i shkel premtimet, përkundrazi i ka kauza!
Fatmirësisht Kosova sot ka një klasë politike të re dhe një kryeministër në sintoni me Vjosa Osmanin.
E kuptoj interesin dhe simpatinë që Presidentja e Kosovës shkaktoi në Shqipëri.
Ka parë shumë Shqipëria jonë e dashur, soj soj politikanesh, deputete, ministre që i ka marrë me vete hija e kryetarit të partisë apo e kryeministrit dhe për 32 vjet sot Atdheu ynë nuk e ka një grua politikane që mund të krahasohet me profilin politik e qytetar të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Politikanet e Tiranës krenohen me CV e tyre “të pasura” ardhur prej bindjes së verbër ndaj Njëshave e braktisjes që i kanë bërë votuesit dhe në këtë tranzicion 32 vjeçar torturues për vendin, në politikën e Shqipërisë nuk ka lindur ende një grua politikane si Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Jo se nuk ka Shqipëria vajza e gra të zonjat, me integritet, që ëndërrojnë ta bëjnë vendin e tyre të banueshëm për fëmijët e brezat që vijnë, por sepse establishmenti i politikës në Shqipëri gjatë këtyre mbi tri dekadave, kërkon pranë vetes vetëm shëmbëlltyra servitore të kryepolitikanëve, thjesht zbatuese urdhërash e dëshirash në këmbim të kësaj maskarade që e shohim çdo ditë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është modeli më i përkryer dhe modern për vajzat dhe gratë që duan të ndjekin shembullin e saj: arritje të shkëlqyera profesionale, integritet të pacënueshëm qytetar dhe shërbim e përkushtim vendit e popullit.
Rrugëtimi i Vjosa Osmanit në politikë ishte i vështirë, por i drejtë, prandaj Vjosa Osmani është më e votuara në Kosovë. Nuk ia shtruan rrugën me lule, përkundrazi ia shtruan me gjemba, por Vjosa Osmanit nuk ia ndryshuan dot identitetin, as Vjosa Osmanit dhe as Sovranit të Kosovës dhe jo më kot midis tyre ka sintoni të përkryer !
Karriera politike e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, është një rrugëtim nëpër sfida, të cilat i ka përballuar me dinjitet, duke i qendruar besnike idealeve të saj Perendimore, duke patur si udhërrëfyes historinë e Kosovës dhe liderin indipendentist Ibrahim Rugova.