Nga nëntoka në krye të institucionit që i bën ligjet dhe pastaj në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
Njeriu që për shumë vite ishte enigmë për qytetarët e Kosovës, do të ishte kështu shumë më i pranishëm në publik, duke iu qëndruar në ballë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, më vonë zëvendëskryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tani në krye të kësaj paetie, ka pak kohë që i është futur politikës. Zyrtarisht ai u anëtarësua në nëndegën e PDK-së në lagjen “Bair” të Mitrovicës, në nëntor të vitit 2012, raporton KTV.
Në një ceremoni, para bashkëqytetarëve, miqve, simpatizantëve, bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të partive politike, personaliteteve nga jeta publike dhe politike, Kadri Veseli mori librezën e partisë, por vetëm një muaj më vonë ai u bë zëvendëskryetar i PDK-së.
Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 e në këto të vitit 2017, Veseli ishte shumë aktiv, duke qenë në çdo tubim të PDK-së, tashmë në krye të të gjitha tubimeve.
Për veprimtarinë e SHIK-ut, qytetarët e Kosovës kanë ditur shumë pak. Emri i këtij Shërbimi Informativ të Kosovës, që më shumë se Kosovës besohet se i ka kryer shërbime Partisë Demokratike të Kosovës, është folur shumë vetëm pasi në publik doli Nazim Bllaca.
I vetëquajturi agjent i SHIK-ut doli dhe tha se në emër të këtij shërbimi ka kryer vrasje, plagosje dhe rrëmbime.
Tashmë kanë përfunduar tri procese gjyqësore të koduara “Bllaca I, II dhe III”, pasi i vetëdeklaruari agjent i këtij shërbimi, Nazim Bllaca, dëshmoi për vrasjet e kryera, për çka u shqiptuan 76 vjet burgim.
Pjesëtarët e SHIK-ut janë akuzuar vazhdimisht nga partitë e tjera për vrasjet e pasluftës, duke futur këtu edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila kishte pësuar më së shumti.
Ndërsa Shërbimi Inteligjent i NATO-s, në një raport të brendshëm, e përshkruan Shërbimin Informativ të Kosovës si organizatë të fuqishme kriminale. Amerikanët dhe britanikët e implikojnë këtë organizatë në vrasje, shantazhe, sulme, kontrabandë të drogës, naftë dhe në eliminime të kundërshtarëve politikë.
SHIK-u veprimtarinë e vet e ka shuar më 14 qershor të vitit 2008. Kadri Veseli e ka publikuar vet këtë informatë, por nuk ka folur kurrë reth financimit të organizatës. Derisa nuk dihet se si Veseli ua siguronte pagat punëtorëve të tij, tash dihet se Kadri Veseli do të paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës.
Në 2010, David Philips nga Komiteti Kombëtar i Politikës së Jashtme Amerikane konstatonte se SHIK-u ishte “gjallë”, e që fitonte 200 milionë dollarë në vit.
“SHIK-u është strukturë e inteligjencës nëntokësore të PDK-së dhe brenda vitit merr 200 milionë dollarë nëpërmjet ryshfetit, grabitjeve dhe shantazhit. Kjo strukturë është një lidhje kriminale mes shqiptarëve dhe bandave serbe si dhe rrjeteve të tjera kriminale transnacionale”, konstatohej në atë raport.
Se SHIK-u ishte ilegal dhe duhej hetuar kishin ngritur zërin me dhjetëra herë deputetët e legjislaturës së kaluar.
Madje deputeti Burim Ramadani e pati marrë një iniciativë për ta hetuar veprimtarinë e SHIK-ut nëpërmjet një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës.
Por iniciativa e tij nuk u finalizua, pasi deputetët hezituan të nënshkruajnë ngritjen e komisionit hetimor.
Ndërsa, vetë kryetari i Kuvendit kishte deklaruar se SHIK-u ishte krijuar mes një marrëveshjeje mes Hashim Thaçit e Ibrahim Rugovës dhe shumë herë ishte tentuar legalizimi i tij.
Veseli në rininë e tij i ishte bashkuar grupeve ilegale për çlirimin e Kosovës nga Serbia e që më vonë do t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Informata të pakonfirmuara zyrtarisht në internet flasin se ai më 1991 përfundoi trajnimin ushtarak në kampin e ushtrisë komuniste shqiptare. Më pas ai mori pjesë në disa operacione me grupet guerile në zonën e Drenicës, pastaj shkoi në Zvicër dhe kishte takuar Hashim Thaçin dhe Xhavit Halitin, transmeton Koha.net.
Kadri Veseli, përveç këtij funksioni, kurrë nuk ka folur për ndonjë biznes, prej të cilit siguron jetesën. Ka deklaruar pasuri 2 banesa në Prishtinë, njëra 100 e tjetra 200 metra katrorë, shtëpi, mal e tokë dhe një veturë të bashkëshortes.
Komentet