Profesori Reshat Ago: Ndejmë dhimbje për humbjen e vendlindjeve tona
Cila do të jetë e nesërmja e qindra fshatrave të braktisura, askush nuk e di
Kur jemi emigrantë, larg vendlindjes, çfarë ndjesish përjetojmë?
Të gjithë jemi peng të vendlindjes dhe fëmijërisë. Është një ndjenjë e fortë që kalon përtej çdo përmase malli, dashurie dhe respekti. Është tapia e vetme që do të na shoqërojë dhe në botën tjetër. Është ai emocion i fuqishëm jetësor që ka motivuar fort breza dhe breza që nuk jetojnë më. Është po kjo ndjenjë që nuk po më lë të qetë edhe këtu në Kanada, mijëra kilometra larg nga Lencka, ku u linda dhe u rrita. Është një valë e çuditshme në sens imagjinate, mbushur me mall që më kthen pas, në çdo pëllëmbë vend, ku këmba ime shkeli dhe brodhi në ato vende sa të ashpër aq dhe të bukur! Naum Veqilharxhi, heroi i Abetares së parë shqipe një nga rilindasit dhe martirët e shquar shkruan: “Nuk ka këshillë më të keqe, nga ajo që shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit, farefisin miqtë, bashkëkombasit, vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve.
A ndjejmë mall për vendlindjet tona që tashmë po humbasin?
Po ndjejmë shumë mall. Lëncka malore ndodhet përballë me fshatin Kurtes, me thyerje, thepisje, përrenj dhe shkëmbinj. Lumi Osum poshtë këmbëve të fshatit u jepte jetë banorëve të mi për të kryer ritin normal të jetës, sikurse breza dhe breza kishin bërë më parë. Është ndër gjërat me të bukura të shkruash për jetën në kujtime për t’i bërë ato të pavdekshme. Është përgjegjësi e madhe që të jesh dhe ndjehesh i vërtetë në ato çfarë shkruan, dhe të tjerëve t’iu lësh kujtime. Duke kujtuar të parët tanë ne kuptojmë më mirë kohën që jetojmë dhe bëjmë kujdes në hapat që hedhim, sikur thuhet ndryshe, sepse e ardhmja shfaqet nëpërmjet të shkuarës. Tek e fundit, kështu ne bëjmë një detyrë humane. Ciceroni ka thënë: “Të mos njohësh ato që kanë ndodhur para se ti të lindje, është si të mbetesh gjithë jetën kalama”.
A do t’i gjejnë emigrantët shqiptarë të rrënuara vendlindjet e tyre?
Edhe pse disa breza më parë kanë humbur në terrin e kohës pa një shenjë, për t’iu vendosur një lule në vendin ku prehen, kujtimi këtu në këtë libër me shkronja të mëdha, është një lehtësim për ato kohë të errta, ku emra njerëzish humbën dhe u tretën pa meritë në kujtimin e brezave pasardhës. Nëse një varr humbet, kemi një mallkim të shumëfishuar, një ankth gërryes, një shi prej acidi që tret ddhe shkatëron kujtesën. Një mësim tjetër vjen nga varret ku prehen të parët tanë. Atje në shikojmë barazinë e vetme në këtë botë, si një mësim i vyer për të qenë më të mirë çdo ditë në jetën tonë.
Çfarë ndodhi me Lënckën pas rënien e diktaturës
Pas vitit 1990-të, që lidh rënien e regjimit komunist me ardhjen e demokracisë, fati dhe historia e Lënckës do të ndryshojë, ndoshta pa kthim, ndaj vështirë të shkruaj aq gjatë. Të lodhur të dërmuar, të izoluar përreth katër dekada, u mendua se braktisja e vendit të të parëve do të ishte e vetmja zgjidhje! U derdhën njerëzit nëpër qytete, pa lidhje, pa shkollim, pa zanat, drejt një të panjohure të frikshme duke lënë pas shtëpinë, kujtimin dhe djersën e një jete të tërë, mbretërinë e babait, parajsën e fëmijërisë, botën e nënës. Pas largimit masiv, në pak vite, gjithçka filloi të rrënohej. Pas 30 viteve, kohë që po shkruaj, gjithçka është kthyer në ferra dhe gërmadha. Është aq e dhimbshme, sa vështirë të dallosh vendin ku ka rënë koka! Ato pamje drithëruese të fshatit më nxitën fort për t’u ulur dhe të shkruaj. Mendova se duke shkruar për të parët tanë dhe bashkëfshatarët e mi, do të ishte një dhuratë e çmuar, e cila mbase sot nuk do tingëllonte me aq vlerë, sa do të kishte dekada dhe dekada më vonë. Nëse dikush do të kishte shkruar për Lënckën e 100 viteve më parë, do të ishte një thesar në kujtesë, krahasuar me çfarë unë po mundohem të hëdh në letër.
A do të harrohen historitë e të parëve tanë?
Një thënie kineze thekson se: “Të harrosh të parët, është njëlloj si një përrua pa burim, si një pemë pa rrënjë”. Në këtë kujtesë për fshatin, gjithkush i larguar, do të ketë mundësinë të mësojë për të parët tanë dhe rrënjët e tyre, për njeri-jetrin, për nipër dhe mbesa në shtim, për shumë nipër dhe mbesa nga vajzat e fshatit, fëmijët dhe pasardhësit e të cilëve kanë pjesë nga gjenet e Lënckës. Larguar prej 20 vjetësh nga Lëncka, Kolonja dhe Shqipëria, këtu në Kanada me familjen time, në një moshë që do ta quaja vjeshtën e jetës time, në këto rrethana ndarjeje dhe malli të përhershëm, për çdo gur që kam shkelur dhe parë për çdo pëllëmbë toke që kam prekur rreth e rrotull, po marr këtë nismë të vështirë. Në këto rrethana ndjesie të veçantë dhe të papërshkrueshme, po filloj të shkruaj Lënckën, të parët tanë, bashkëkohësit, fëmijët e tyre, nipër dhe mbesa të shparndara nga Australia e një anë të globit, në kanada dhe USA, ana tjetër e tij.
Me humbjen e fshatrave, a do të humbasin edhe mijëra vjet histori?
Ajo çfarë dihet saktë është se ky fshat ka qenë i banuar të paktën 1200 vjet më parë. Emri është një toponim slavvo-bullgar, sikurse jo pak emra të fshatrave përreth me prapashtesën “ckë” si: Orgockë, Radovickë, Trebickë, Grabokë, Melckë, Borockë, Staraveckë, Gostimickë etj. Pra, në kohën e rreth viteve 800 të erës së re, kur bullgarët pushtuan dhe zonën tonë, këto fshatra i gjetën të banuara, ndaj dhe iu vunë emra. Sipas prof. Vasil Vodica, që kurrë nuk ka qenë Lenckë kuptimi i emrit Lënckë vjen nga Bullgarishtja që do të thotë “Përpjetas”, pra që ngjitesh përpjetë. Mendoj se është korrekte sepse nuk kam parë tjetër fshat të lodhesh aq shumë, duke u ngjitur aq përpjetë. Është një emër i rrallë ky që nuk haset në asnjë vendbanim tjetër në Shqipëri ose në territoret e banuara nga shqiptarë. Nga Bullgarishtja kanë kuptim edhe emrat e fshatrave të tjerë si: Orgockë – Lajthizë, Radovickë – Gazmore, por mund të jetë dhe shkëmbor, Grabockë – Shkozë, Trebickë – Kërkimor, Melckë – Vogëlush, Gostimickë – Mikpritës, Borockë – Pishnajë, Koprënckë -Kursyes (koprace), Staraveckë – I vjetër etj.
Këto vende kanë qenë të banuara prej mijëra vitesh?
Nga një regjistër i popullsisë së kazasë së Leskovikut dhe Kolonjës në vitin 1895 (rreth 125 vjet më parë), që ndodhet në arkivat e Selanikut, për interesa të qeverisë greke në atë kohë. Lëncka rezulton me 99 banorë. Fshati më i populluar në dy kazatë është Luarasi me 940 banorë (480 të krishterë dhe 461 muhamedanë). Në fshatrat përreth Kurtesi ka patur 234 banorë, Kaltanji 278 banorë, Orgocka 197 të krishterë dhe 78 muhamedanë, Qinami 250, Qesaraka 168, Gostivishti kishte 566 të krishterë dhe 38 myslimanë, Novosela kishte 753 myslimanë, Qafëzezi kishte 251 të krishterë dhe 458 myslimanë etj. Përpara se Lëncka të bëhej kooperativë, në vitin 1957, kufijtë e saj me fshatrat fqinjë, që zakonisht varionin me rrjedhën e ujërave, ishin si më poshtë: me Qesarakën n andante vendi që quhej Shqytës, sapo në krah të Arave të Malit. Kufiri zbriste drejt në lumin Osum, duke përfshirë gropën e Mëllezës dhe goricat, duke lënë jashtë, djathtas Shatrivanin.
Tashmë nga këto vende nuk do të merret më asnjë prodhim?
Po, fshatrat renditeshin njeri pas tjetrit. Me Orgockën dhe Kurtesin na ndante lumi Osum duke përjashtuar një aneks, Arat e Cenkos, që Jaçellarët i kishin blerë nga banorët e mëhallës Komnas, Kurtes. Me Luarasin na ndante Shëllira që fillon sapo në vendin e quajtur Llogovica dhe zbret drejt në lumin Osum duke lënë jashtë, majtas, Gurin e Kamnikut. Kufiri me Luarasin në Veri-Lindje ecën me rrjedhën e ujërave drejt vendeve si Pllakat dhe Sheshi i Trarëve. Emrat e vendeve përreth fshatit kanë një rëndësi të veçantë dhe sjellin një pjesë të historisë së pashkruar të Lënckës, të cilat jam duke i analizuar me kujdes. Lencka ka qenë e rrethuar nga të paktën tre vendbanime të tjera, që tani janë vetëm rrënoja. Këto vendbanime janë Lëncka e Vogël, Shatrivani dhe Morjan. Gjithçka po shndrrohet në rrënoja.
A po shndërrohet gjithçka në rrënoja të frikshme dhe vende pa njerëz?
Po, edhe Lëncka e Vogël duhet të ketë qenë pjesë me jetën e fshatit Lënckë. Ka qenë banuar herët nga banorët të besimit të krishterë, nga çfarë ka ngelur pas sheh gërmadha shumë pemë dhe tre burime, duhet të ketë qenë një vendbanim i përshtatshëm për blegtori dhe pemtari. Sapo mbi fshatin e banuar, ndodhet vendi i quajtur “Varret”. Arrat e Kosates (në jug-Lindje) dhe vreshtat e Bashkës të cilat kanë qenë me rrush të kultivuar, ku akoma edhe sot shikojmë pjergulla me rrush si të egra nga mungesa e kujdesit. Sapo në fshat ndodhet Bunishta, (emër) sllav me luadh të këndshëm. Të bie në sy, bukur, lëmi i fshatit me pemën e manit të zi pranë, si një monument që për një kohë të gjatë ka tërhequr fëmijët. Por kur ne të kthehemi nga kurbeti në këto vende do të gjejmë vetëm rrënoja dhe asgjë tjetër, të gjithë të ikur e të mërguar…
Bisedoi Vepror Hasani