Ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, vlerëson se SHBA është duke krijuar një krizë në Kosovë.
Profesori amerikan, në një opinion të publikuar në “Foreign Policy”, thekson se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duhet të vendosë nëse “ia vlen ky çrregullim rajonal dhe dëmtim i reputacionit të SHBA-së, për ta kënaqur një autokrat serb”.
“Blinken duhet ta mbyllë turneun e tij në Bruksel, me Borrellin e përfaqësuesin special të BE-së për rajonin, Miroslav Lajçak. Blinken duhet t’ua kujtojë diplomatëve se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës mban emrin e BE-së. Brukseli nuk mund të fshihet më prapa linjës se është thjeshtë lehtësues. SHBA-ja dhe BE-ja, në vend të një “paqartësie konstruktive”, duhen të përqendrohen në qartësi. Është urgjencë një sekuencim i hekurt i hapave që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin për ta zbatuar marrëveshjen, dhe atë duhet ta bëjnë shpejt brenda këtij viti”, shkruan Joseph.
“Në këtë mënyrë Blinken do t’i largojë SHBA-në dhe BE-në nga konfuzioni dhe kriza, duke i dërguar sinjal Moskës për vendosmërinë për të konsoliduar Ballkanin në Perëndim, përkrah Ukrainës”.
Joseph shkruan se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, mund ta kuptojë më së miri këtë ngecje mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Kërkojini presidentit ukrainas t’u japë autonomi rusëve etnikë, dhe ai menjëherë do të bëjë këto tri pyetje: A do ta pranojnë rusishtfolësit se jetojnë në Ukrainë e jo Rusi? A do ta njohë Rusia sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës? Dhe nëse ofrohet kjo autonomi, a do të pranohet Ukraina më në fund në NATO?”.
Joseph shkruan se paaftësia e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur këtyre tri pyetjeve të njëjta edhe në rastin e Kosovës e Serbisë, është arsyeja prapa “luftës” mes perëndimorëve dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Joseph shkruan se Uashingtoni dhe Brukseli ndajnë fajin për krizën, duke përfshirë këtu edhe dhunën e ushtruar nga serbët kundrejt paqeruajtësve të NATO-s.
“Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokratik në Prishtinë, e në anën tjetër përshëndetja e një autokrati manipulues e pro-rus, të cilin ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill e quajti ‘partner më të mirë të SHBA-së’, duhet ta bëjë Blinken të pushojë pak. Në vend që ta lejojë frustrimin që ta drejtojë politikën e tij karshi Kosovës, apo që ta lejojë iluzionin ta drejtojë politikën e tij karshi Serbisë, Blinkeni duhet të rishqyrtojë urgjentisht qasjen e administratës së tij”, vlerëson Joseph.
“Si fillim, administrata e Biden duhet t’i “disiplinojë” ambasadorët e saj në rajon, duke “shkurtuar” ekskursionet e Hill në politikat e një vendi, Kosovës, që nuk është më pjesë e Serbisë”, këshillon ai.
“Blinken duhet të mbajë një fjalim të konsideruar thellë për politikën e SHBA në Serbi, Kosovë dhe në të gjithë rajonit. Blinken duhet t’i rivendosë në qendër vlerat demokratike si bërthama e politikës së SHBA dhe partneritetit me Evropën. Ai duhet t’i orientojë emisarët dhe ambasadorët e tij që t’u japin këtë mesazh liderëve të Ballkanit, duke përfshirë Vuçiçit,” shkruan Joseph.
syri.net