(Shënime për veprën “Fjalorët e shqipes me turqishten”)
Profesor Xh. Lloshi është dijetari me produktivitetin shkencor më të madh këto vitet e fundit. Me një formim shumë të lartë, me një informacion enciklopedik për t’u admiruar, me një korpus dijeje të institucionalizuar dhe burim referimi, ai ka dhënë ndihmesa të çmuara në albanologji. Vepra “Fjalorët e shqipes me turqishten”, sintetizon një punë të kujdesshme informuese, analizuese e përgjithësuese të autorit dhe përveçon në fushën e kritikës shkencore. Ajo tregon se profesori, pavarësisht viteve që i shtohen moshës së tij, si rrallë kush ndjek nga afër botimet dhe veprimtaritë shkencore kombëtare ndërkombëtare. Vital dhe energjik si ai dhe po i tillë në shkencë, skrupuloz në punën e vet e skrupuloz për produktin shkencor të të tjerëve, prof. Xhevat Lloshi është kthyer, tashmë, në shkollë të kësaj kritike. Kjo vepër, studimet e tjera të plota, parathëniet e veprave të botura prej tij, sidomos ato me dokumnete etj., bëhen tregues të përmasës së tij shkencore, si dhe të modelimit të kritikës së vërtetë shkencore. Mjafton të përmendësh disa fusha ku shpërfaqet kjo kahe e punës, për të pohuar pozicionin e profesorit në ballë të saj:
- Mbrojtja shkencore e argumentuese në vazhdimësi e shqipes standarde, kur ajo goditej thuajse orë e çast, shpesh, me një sfond të theksuar mbështetës politik e kur e kërcënohej seriozisht për t’u shpërbërë.
- Kritika shkencore për botimet leksikografike e terminografike te ne e në mbarë hapësirën kombëtare (sjell në vëmendjen tuaj, të paktën Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht dhe latinisht-shqip, 2010; Fjalori i emrave të bimëve dhe të kafshëve anglisht-shqip dhe shqip-latinisht-anglisht, 2014).
- Kritika shkencore ndaj botimeve dhe referimeve për historinë e gjuhës shqipes, duke këmbëngulur te fakti gjuhësor e historia e tij, te ligjësia e bashkëveprimit të faktorëve brenda- e jashtëgjuhësorë, te vështrimi i dukurive në sistem etj.
- Kritika shkencore ndaj atyre që sot janë hedhur në sulm vulgar ndaj dijes shkencore gjuhësore për origjinën e shqipes, dije e krijuar nga shkenca albanologjike, nga studiues të huaj dhe shqiptarë, ndaj atyre, të cilët pa formimin gjuhësor më elementar e me gjoja zbulimet e tyre madhore po fyejnë profilin shkencor të gjuhësisë shqiptare.
Në faqet e veprës “Fjalorët e shqipes me turqishten”, prof. Xh. Lloshi ndalet në një vështrim të jashtëm (kronologjik) dhe të brendshëm (analizë shkencore) tek të gjithë fjalorët turqisht – shqip e shqip – turqisht, në fjalorët shpjegues a tematikë të shqipes, në punime monografike apo në mbledhjet leksikore në terren, me një fjalë në gjithçka që lidhet me huazimet e turqishtes në shqipe. Autori lexon e vëzhgon shkencërisht, analizon e vlerëson shkencërisht dhe atje ku duhet, kritikon rreptë veprën dhe punën e hartuesit a paraqitjet e produktit leksikografik nga recensues a studiues të ndryshëm, duke mbajtur qëndrim ndaj lëshimeve, pakujdesive dhe gabimeve shkencore në to dhe, çka është kryesore, duke i ndequr ato.
“Fjalorët e shqipes me turqishten” është strukturuar në disa kapituj, që organizohen nga synimi dhe puna e autorit për të të dhënë gjendjen e turqizmave dhe rrugët e hyrjes së tyre në shqipe, e gjitha kjo e kundruar dhe e analizuar përmes fjalorëve, ashtu si tregon dhe vetë titulli i veprës. Profesori, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe me një përvojë të vlerësuar leksikografike, e ka ndjekur fjalën turke në këto vepra me kompetencë e me profesinalizëm, duke synuar të pasqyrojë saktësinë e përpikmërinë e analizës shkencore.
Në kreun “Gjurmët e para” jepet një informacion enciklopedik për 8 fjalorë të botuar dhe një të humbur, me fillesat në shekullin XVII deri në shpalljen e Pavarësisë. Prof. thekson e dhe argumenton drejt se “Për një varg shkaqesh, fusha e fjalorëve të shqipes me turqishten gjatë sundimit osman mund të quhet e dështuar”, që lidhet drejpërdrejt me nevojat pragmatike në radhë të parë të shoqërisë shqiptare për fjalorë me turqishte, me formimin gjuhësor e leksikografik të hartuesve të tyre etj..
Trajtimin kronologjik dhe njëherazi të analizës së lëndës në vepër e çel vepra Seyahatnamé-ja, (1662), e Evlija Çelebiut, i cili, sipas profesor Lloshit, “na ka dhënë edhe një pasqyrë të gjendjes gjuhësore në trevat shqiptare, besoj e para e këtij lloji dhe prandaj ka rëndësi për historinë e gjuhës. Merita më e madhe e këtij “turisti” të shek. XVII, siç e kanë quajtur disa, është se, duke e vlerësuar shqipen, kishte vendosur të mblidhte disa shembuj prej gjuhës. Interpretimin e lëndës shqipe të E. Çelebiut e ka bërë Robert Elsie. Me përjashtim të rasteve me fjalë të qarta, të shoqëruara edhe nga përkthimi turqisht i Çelebiut, lënda tjetër me vështirësi të mirëlillta gjuhësore, është dhënë me intrepretime krejt të gabuara nga R. Elsie, i cili nuk e njihte nocionin e kushteve pragmatike të komunikimit. Për këtë shkak ai nuk e ka kuptuar se këto janë regjistrime të bëra nga gjuha e folur, madje disa herë janë copa bisedash. Shembulli më i qartë është me fjalën “aqi” (tagji) të cilën R. Elsie e merr për “elb” ajo është trajtë e regjistruar keq nga Evlijai për “tagji”.
Më tej vepra ndalet te Fjalorthi pesëgjuhësh: italisht-kroatisht-greqisht-shqip-turqisht, i Julie Balloviqit (Fjalorthi përmban 488 fjalë për italishten e kroatishten, 241 për greqishten dhe 198 fjalë shqipe, ndërsa vetëm 77 për turqishten), që është hartuar një shekull përpara Fjalorit të T. Kavaliotit, i cili mbahet si zanafilla e kërkimeve ballkanologjike; te Fjalës i vargëzuar turqisht-shqip i Nezim Frakullës (Osman Myderrizi e quan se çeli rrugën e leksikografisë shqipe me alfabet arab, ishte i pari tekst leksikografik toskërisht, në të folmen e Beratit, dhe se u hartua në vargje sipas fjalorëve për shkollat në Turqi e në Persi. Janë dhënë 74 fjalë shqipe, ndër to dhe 7 turqizma); te Fjalor turqisht shqip, i Shemsedin Shemimiut (Përmban rreth 1000 fjalë me tiparet e të folmes së Shkodrës, por me ndërhyrje të ndonjë elementi nga e folmja e Beratit); te Fjalor në katër gjuhë: serbisht-shqip, shqip-turqisht, turqisht-greqisht, i Djordje Pulevski; te Fjalorth shqip-turqisht i Daut Boriçit etj.
Për të parë punën serioze të prof. Xhevat Lloshit mjafton të ndalesh te Fjalor turqisht-shqip dhe shqip-turqisht, 1899 i Ali Ulqinakut. Anazila e kësaj vepre është e gjerë dhe e plotë, e kujdeshsme dhe informative, me akribi të theksuar shkencore ndaj punës së bërë me fjalorin a për fjalorin nga studiues të ndryshëm, duke u ndalur dhe te paraqitja veprës nga Jup Kastrati që siç sipas profesorit “ka bërë pohime për fusha që nuk i njeh mirë, p.sh. se “tartana’ është me origjinë arabe; “tandë” turqizëm; dhe anasjelltas, turqizmin “fesligen” e quan fjalë të rrallë të shqipes. Në listën e fjalëve të rralla janë njësi, të cilat J. Kastrati nuk i ka njohur vetë, por realisht nuk paraqiten si të tilla: batim, batull, brufull, cërmëlik, një pjesë e të cilave janë thjesht variante tingullore dhe një pjesë huazime të panevojshme, aq më keq që më poshtë disa prej tyre J. Kastrati i përfshin te shkodranizmat.”
Në kreun “Hartimi i fjalorëve”, prof. Xh. Lloshi ndalet në paraqitjen e fjalorëve të shqipes me turqishten, tashmë, si vepra të mirëfillta leksikografike. Ai shkruan se “Vetëm në vitet 1990 u përftuan kërkesat për fjalorë të mirëfilltë të shqipes me turqishten. U zgjeruan marrëdhëniet ekonomike-tregtare; Turqia ishte i pari vend që i lejoi shqiptarët të hynin pa viza; për shkak të çmimeve të përshtatshme mori hov turizmi i shqiptarëve në Turqi; studentë shqiptarë shkuan në shkollat e Turqisë, por sidomos u hapën shkolla të ndryshme turke në Shqipëri, deri në nivelin universitar, në të vërtetë me sukses të dukshëm. U ngritën disa shtëpi botuese në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, të cilat krahas botimeve fetare, ndërmorën përkthime të shumta edhe për historinë dhe letërsinë turke. Edhe disa fondacione turke kanë veprimtarinë e tyre në Shqipëri. Leksikografia kështu do ta gjente vendin e vet”.
***
Nisur nga analiza për fjalorët të shqipe me turqishten hartuar këta 30 vjetët e fundit, profesori shtron me të drejtë se “Gjithsesi, mbetet në këtë fushë detyra për të hartuar një fjalor të mirë shqip-turqisht, qoftë edhe me 30.000 fjalë, por me lëndën e zgjedhur të shqipes së sotme standarde dhe me përvojën tashmë të fituar në hartimin e fjalorëve të tjerë shqip gjuhë e huaj.”
Interesant në veprën “Fjalorët e shqipes me turqishten” të prof. Xhevat Lloshi është dhe kreu Fjalorë, fjalës dhe lista turqizmash, që shpërfaq një punë të hollësishme hulumtuese të studiuesit, Ai, duke ndjekur me kujdes lëndën leksikore (huazimet turke) në fjalorë të ndryshëm, tërheq vëmendjen për përgjegjshmërinë në punën filologjike dhe shkencore mbi ta. Gabimi i njërit studiues a analizues e paraqitës i tyre mbartet shpesh në vijueshmëri, duke sjell pasoja jo të vogla në kërkimin e studimin e mëtejshëm shkencor. Analiza dhe kritika shkencore e profesorit del në pah te Vocabolario della lingua epirotica-italiana, të Francesco Rossit, që për studiuesin “përbën dukurinë më të skajshme e të paparë, të shfaqur më parë te F. Maria da Lecce, për të trilluar një shqipe të shëmtuar. Edhe autorë të tjerë italianë të atij shekulli kanë ecur në këtë rrugë, sa herë nuk e zotëronin mirë gjuhën shqipe dhe gjenin shpëtim te turqizmat e te sajesat e veta. “Po besoj, se do të më pranohet si kulm trillimi i fjalës kaeshë për femrën e kaut, dhe si kulmi i shëmtisë fjala mutxhi. E gjithashtu nuk e ka kuptuar fjalën përkatëse te F. Bardhi dhe e ka dhënë: gjiriz veterinario. Dhe vërtet, cili shqiptar, kudo dhe kurdoqoftë, do ta thërriste një veteriner: O gjiriz!”
Në kapitullin Fjalët e pambledhura, profesori ndalet në botimet e lëndës leksikore dialektore në Studime filologjike, Dialektologjia shqiptare a punime monografike etj., duke mëshuar se jo rrallë dialektologët kanë marrë nga informantët shumë turqizma, sllavizma e greqizma, që nuk i njihnin ata vetë. Më tej analizon lëndë në fjalorët ku mbledhja është bërë tematikisht, që nga Fjalë popullore nga Myzeqeja, të J. Nushit te Fjalor popullor të A. Zymberi apo fjalori i Mehmet Elezit që sipas tij “përfaqëson shembullin më katastrofik”, për pasqyrimin e huazimeve turke.
Kreu “Diskutimi për fjalorin e gjuhës shqipe” ndalet gjerësisht te Fjalori i gjuhës shqipe 1954 dhe te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i cili përmban afër 4 mijë turqizma, bashkë me fjalët e prejardhura, sipas profesorit, një shifër e lartë kundrejt gjithë fjalorëve të mëparshëm ai shkruan për arsyet e kësaj gjendjeje joreale (ai do të theksojë më tej se kjo shifër shkon te rreth 1.500 turqizma në shqipen e sotme), duke e kërkuar njërën prej tyre dhe te përfytyrimi i A. Kostallarit për këtë gjendje “pa mbështetje shkencore, të cilin e kishte paraqitur në Parimet për hartimin.”
Në punim studiuesi e të drejtë shkruan se ka ardhur koha që në gjuhësinë shqiptare të kapërcehet mistifikimi i shifrave me leksikun. Turqizmat nuk janë më problem i shqipes, ata përbëjnë një problematikë vetëm për gjuhëtarët.
Te kreu Fjalorët etimologjikë, prof. Xh. Lloshi te vepra e K. Kristoforidhit, Franc Miklosiçit, Gustav Meyerit, Gustav Ëeigand, e deri te Studime etimologjike në fushë të shqipes të Eqrem Çabej, krahas vlerësimit të prurjeve madhore në studimin e huazimve turke në shqipe, profeso Lloshi sjell shembuj për pasaktësi në dhënien e huazimeve apo për mbartje gabimesh nga vepra në vepër.
Po ndalemi te vepra Ndikimi i turqishtes mbi shqipen i N. Boretzkyt, nga gjendja e lëndës së të cilës (me shumë çështje të diskutueshme e me shumë fjalë të interpretuara gabim) profesori ngre disa çështje, që kanë vlerë për të gjithë:
- Cili është korpusi i leksikut të shqipes? A bën pjesë aty gjithçka e rastit, kalimtare, e rrethanave individuale e stilistike, sidomos e kushteve të dygjuhësisë? Shpërfillja e një kërkese shkencërisht të rreptë do të na çonte në një tablo, në të cilën do të kishim një korpus të greqishtes, latinishtes, turqishtes, sllavishtes dhe sot të anglishtes, të përziera të gjitha bashkë, domethënë një monstër leksikore, por jo një gjuhë reale siç është shqipja. Po sjell ndonjë shembull tepër domethënës: la ila illallah, që ardhka nga tq. lâ ilaheillallah. Nuk ka në gjuhën shqipe një turqizëm të tillë, por as në turqishten nuk ekzistojnë fjalë të tilla.
- Problemi i dytë madhor lidhur me huazimet turke është se shqipja dhe turqishtja janë dy gjuhë të ndryshme, sepse bëjnë pjesë në dy familje të ndryshme gjuhësh. Rrjedhimisht, krahasimet nuk mund të bëhen përciptazi me ballafaqimin e një fjale me një tjetër, por për një fjalë brenda sistemit të vet kundrejt një sistemi tjetër gjuhësor. Shqipja është gjuhë eptimore, flektive dhe kjo përcakton gjithë ndryshimet që ndodhin gjatë përshtatjes së një fjale turke në sistemin e shqipes.
- Problemi i tretë madhor janë variantet gjuhësore. N. Borecki ka përdorur termin “turqishte e shkruar”, një përdorim i pakuptimtë. Gjatë shekujve të sundimit osman shqiptarët nuk kanë qenë në kontakt me turqishten e shkruar, por me osmanishten. Osmanishtja nuk është turqishtja e shkruar, por një gjuhë më vete, për të cilën natyrshëm ka fjalorë dhe gramatika përkatëse.
Profesor Xhevat Lloshi këtu ngre edhe problemin e regjistrimit të saktë të fjalëve, të cilat zënë vend në veprën në studim. Sipas tij, nga një varg shembujsh të krijohet përshtypja se Borecki e ka mbledhur lëndën nga gojeçë, gagaçë, thuthuqë, belbacukë, e ndoshta me të meta jo vetëm të aparatit artikulues. Nuk ma merr mendja se një shqiptar i zakonshëm i thotë axhës ‘aç’. Prandaj i kanë dalë trajta të tilla të shëmtuara: aqikat (hakikat), bagaçë (pogaçe), balldane (palldëm), balldanos (për: majdanos), çemalle (qemane), çetap (qitap) etj.
Kritika shkencore është përqëndruar jo pak te Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Kolec Topalli dhe sipas tij “Gjithë veprën e përshkon një frymë për ta parë shqipen të çarë më dysh dhe jo unike. Shumë shpesh është përdorur thënia: “fjalë e të dy dialekteve, gegërishtes e toskërishtes”, në një kohë që do të duhej e kundërta, të viheshin në dukje rastet ku një fjalë i përket velëm një dialekti, sepse natyrisht fjalët e tjera përbëjnë gjuhën shqipe, që është një me të dy dialektet. Kjo frymë e qëllimtë e ka dëmtuar përgjithësisht vetë shqyrtimin etimologjik.”
Ai e kritikon veprën (pavarësisht vlerave që ajo mbart) edhe për disa burime të fjalëve, por dhe për zgjidhje jo të sakta etimologjike, duke kritikuar rëndë referimin tek etimologjitë e bëra në vepra nga hartues jo profesionist. Fjala vjen, “Një autor i sërës së N. Stylos, tek i cili është drejtuar si burim K. Topalli, është Mehmet Elezi me Fjalorin e vitit 2006. Do të sjell disa shembuj që lidhen me turqishten, për të dëshmuar së pari, sesa larg është ai libër nga shkenca. Hajduk është quajtur nga turqishtja, por në këtë gjuhë nuk ka një fjalë të tillë. Është në një përdorim stilistik te Gj. Fishta dhe vjen prej serbishtes hajduk. Jepet si ndajfolje haj-hujt, madje në shembull del hajt-hujt dhe quhet se vjen nga haj+huj. Është thjesht turqisht hay-huy, që e ka prej persishtes me kuptimin: njeri i kotë, bosh. Ham e jep si ndajfolje për: pa punuar, dhe e quan prej amull ose prej hambar. Gjepura; është tq. ham për: i kotë, i papjekur, i pastërvitur. Hamle qenka prej hamull me kuptimin e hovit, turrit.”
Së fundi, profesori ndalet jo pak te “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe” i Tahir Dizdarit. Ai thotë se nuk ka mbështetje shkencore për mëtimin te Fjala e botuesve se vepra përmban rreth 4500 fjalë me origjinë nga gjuhët turke, arabe e perse, të cilat janë futur në përdorimin e përditshëm nga populli ynë. Me një shqyrtim shkencor dëshmohet se vetëm pak më shumë se një e treta e kësaj shifre ka hyrë në përdorimin e përditshëm nga populli. Madje disa njësi në fjalor as nuk janë me prejardhje orientale dhe për këtë janë përgjegjës redaktorët. Duke u nisur nga një shifër e tillë e pambështetur, janë nxjerrë përfundime, të cilat e tejkalojnë anën gjuhësore dhe cenojnë identitetin e kulturën shqiptare përgjithësisht. Për këtë arsye një devijim të tillë e kam quajtur orientalizim të padëshiruar të gjuhës shqipe.
Profesori ndalet dhe te persizmat në veprën e Dizdarit dhe shkruan “Kam shqyrtuar tërësisht fjalësin e Fjalorit të persizmave dhe kam bërë krahasimin me fjalorin e gjuhës turke. Persizmat janë një mit në gjuhësinë shqiptare. Ata autorë shqiptarë, që rreken në këtë fushë, duan të bëjnë punën e studiuesve dhe të etimologëve të turqishtes. Megjithatë, për shkak të paditurisë sime, nuk më del që studiuesit dhe etimologët turq t’i kenë përfillur dituritë dhe zbulimet e tyre.
Nga ç’vështruam në mënyrë fragmentare, theksojmë se prof. Xhevat Lloshi përmes veprës që kemi në duar jep disa mësime të mëdha:
- Puna për hartimin e një vepre leksikografike dygjuhëshe nënkupton që hartuesi i saj duhet të njohë me themel gjuhën e huaj dhe gjuhën shqipe e në radhë të parë strukturën e pasurinë e tyre leksikore e semantike.
- Kritika shkencore nuk duhet të përcepitojë në rrahakrahje e në duartrokitje për hartuesin e një vepre e duke mos u ndalur në mangësitë që mund të ketë ajo.
- Profesori, me të drejtë ngre zërin për kritikën institucionale. Filtrat në botimet shkencore që mbartin logot e institucioneve shkencore akademike e universitare duhet të jenë të shkallës më të mirë të mundshme, diskutimet parabotuese nuk duhet të jenë përcjellëse aty ku duhet të jenë ndaluese e penguese. Pas botimit të veprës përgjegjësia është autoriale e institucionale.
- Profesori shkruan se është përftuar një mitologji leksikologjike dhe leksikografike për huazimet e shqipes, që është e nevojshme të rrëzohet me themel dhe në vend të saj të ndërtohet një paraqitje shkencore dhe me vërtetësi e leksikut të shqipes. Një nga qëllimet kryesore, për të cilat e kam hartuar këtë punim, ka qenë që të zmbraps ngazëllimin nga padituria me huazimet orientale të shqipes”.
Profesori e tha fjalën, ata që merren me leksikun e leskikografinë e shqipes, le të kenë parasysh edhe këto mësime të vyera nga kritika shkencore, të cilën na modelon profesori.
* Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë
Komentet